Atraksioni qytetit dhe njeriu në “vendin e duhur”…

0
235

Nga Gëzim Tushi 

Kohët e fundit studimet sociologjike në vendin tonë janë intensifikuar, në përpjekjen e tyre për të vërtetuar lidhjen e drejtpërdrejtë të mënyrës së jetës në qytetin metropolitan me modulet dhe kërkesat postmoderne të jetës. Në këto kushte fenomenet ekonomike, sociale e urbane që po ndodhin në Shqipëri, në habitatet e zgjeruara të qyteteve tona, janë kompatibile me prirjet universale të qytetërimit global, që lidhen me modën e përgjithshme të largimit masiv të popullsive fshtare nga zonat rurale drejt qyteteve metroplitane.  Kjo tendencë urbanizuese që ka kohë që zhvillohet vrullshëm në realitetin tonë, është një fakt që sociologjikisht na detyron të gjykojnë dhe pranojmë tezën tunduese që është bërë modus viventi dhe “modë sociale” sipas së cilës në kohën e sotme si kudo edhe tek ne, qytetet e mëdha e metropolet janë ambiente qëndrore që kanë kushtet e duhura të aplikimit të mënyrës postmoderne të jetuarit.

Kjo e vërtetë universale tashmë është duke bërë presion objektiv në ndryshimet dramatike të raporteve të popullsisë rurale dhe urbane në vendin tonë. Kjo tregon, se objektivisht shoqëria jonë është në fazën kur tentohet që shumica e popullsisë të drejtohet më shpresë për një mënyrë jetesë më të mirë e me standarte cilësore urbane drejt qyteteve metropolitane.  Për pasojë janë krijuar “qytetet e përziera” të përbëra nga qytetarë “autoktonë” dhe të “ardhur”, të cilët pavarësisht diferencave të natyrave të ndryshme, në thelb janë të orientuar, ndikuar nga idetë dhe mënyra postmoderne e organizimit të jetës. Edhe pse dikujt mund ti duket konkluzion i nxituar, por sipas mendimit tim dukuria e përhapjes së përshpejtuar të modelit të jetës urbane postmoderne në Shqipëri, është e lidhur të paktën me dy faktorë bazë e me rëndësi ontologjike. E para, është rritja e dimensioneve gjeografike e demografike të qyteteve metropolitane dhe e dyta, është fakti se kjo është shoqëruar me një lloj “urbanizimi dramatik” të mënyrës së të jetuarit në qytetin metropolitan.

Për pasojë është fare e natyrshme situate e qyteteve tona në të cilat shoqëria shqiptare është duke u përballur me intensitet të lartë me patologjitë e jetës urbane. Me një shikim të thjeshtë të gjërave, duket sikur statusi i qyteteve sot ka ndryshuar radikalisht nga modeli tradicional i qyteteve të dikurshme. Qytetarët të ndodhur në këtë situate, kanë filluar të humbasin sensin e qytetarit urban, për pasojë përballemi me një tendencë të frikshme të dobësimit të “këmishës së përgjegjësisë” qytetare. Krimi dhe dhuna sociale janë bërë fenomene që kërkojnë të bëhen dukuri dominante të jetës sociale. Janë shtuar frikshëm njerëzit që vuajnë nga sëmundje mendore dhe ata që për shkaqe të ndryshme ekonomike e sociale ndihen të përjashtuar nga “shoqëria e mirëqenies” dhe për pasojë mbeten shoqërisht të margjinalizuar dhe individualisht të izoluar.  Kaosi urban po bëhet shkak thelbësor për cënimin e cilësisë së jetës në qytet. Shumë i dukshëm është dukuria e braktisjes së fshatit, e shoqëruar me kundërprocesin e dyndjeve të popullsisë fshatare drejt qyteteve, duke krijuar shtimin numerik e sasior të shtresave sociale që jetojnë të sforcuar në qytet, vijnë “vërdallë shoqërisë” pa orientimin e duhur social e urban dhe që për pasojë shpesh herë e ndjejnë veten pa të ardhme.

Padyshim duke renditur këto probleme të zgjerimit mekanik të qyteteve, askush nuk ka të drejtë dhe nuk mund të mohojë forcën e atraksionit të qytetit për qytetarët dhe banorët që nuk jetojnë në to. Ky është një fenomen global që shfaqet kudo me tendencën e fortë të braktisjes së fshatit dhe qyteteve periferike në emër të dëshirës për të qënë “qytetar metropolitan”. Këtij fenomeni e procesi të shpërthimit të qyteteve nga dyndjet, zhvendosjet mekanike dhe mbizotërimi i një lloj lëvizjeje mekanike e brovniane nuk mund t’i shpëtonin as qytetet tona.  Dukuria ka shkaqet e veta objektive dhe subjektive, të lidhura me thelbin dhe dukjen e jetës së diferencuar që zhvillohet në fshat dhe e dalllueshme për nga cilësia me nivelin e jetës urbane në qytetet tona. Nuk mund të jesh objektiv në se nuk pranon që këtë lloj atraksioni dhe tendencën e fortë të largimit nga fshati në qytet. Këtë prirje sociale të përgjithshme, e favorizon së pari realiteti i kushteve të jetës materiale, sociale e kulturore të qytetit. Diferenca në dallimet midis fshatit dhe qytetit është akoma e madhe. Në këtë kontekst, duke vlerësuar realitetin material, sidomos largësinë sasiore dhe cilësore të fshatit nga qyteti, besoj se është fare i shpjegueshëm atraksioni i njerëzve ruralë për jetën qytetare dhe mënyrën urbane të jetës.

Por në këtë tendencë të largimit nga fshati drejt qyteteve, shpesh herë pa llogaritur kushtet dhe mundësitë e jetës dhe aftësitë e kufizuara të integrimit urban të popullsisve të larguara nga fshati e të vendosura me çdo kusht në qytet, ka dhe një arsye subjektive, shpirtërore, emocionale, e ndikuar nga një lloj “imperializmi kulturor” që ushtron niveli e cilësia e jetës në qytet, në krahasim me “botën e ngushtë” kulturalisht të fshatit.  Jo vetëm kaq, shoqëria shqiptare në këtë periudhë të tranzicionit, ndryshimit të faktorëve dhe raporteve midis jetës rurale dhe jetës urbane, ka prodhuar shumë koncepte të reja paradigmatike me influencë, që kanë të bëjnë me ndikimet që ka në jetën e sotme, vlerësimi i statusit social të njeriut padrejtësisht i lidhur me një lloj “kulti” për origjinën e tij. Pavarësisht shkaqeve të kësaj situate, arsyeve ontologjike e sociologjike praktikisht në shoqërinë shqiptare ende ndihen të forta influencat e “kultit të origjinës”, abuzimi social me influencat e ndikimet diskriminuese që sjell statusi i prejardhjes së njeriut.

Të gjitha këto arsye e shkaqe objektive e subjektive e kanë bërë tejet eruptive, të pandalshëm dhe të pandërprerë “uraganin” e largimeve masive nga fshati dhe braktisjen e habitateve të dikurshme, qyteteve të vogla të “ndryshkut”, në emër të atraksionit të jetës urbane dhe shkëlqimit të kushteve atraktive të modelit metropolitan. Për pasojë ndodhemi përballë një paradoksi urban që nga njëra anë ka të bëjë me braktisjen e fshatit dhe “qyteteve të ndryshkut”, nga ana tjetër po përballemi me një zgjerim të përmasave të kaosit urban në jetën e qyteteve të mëdha metropolitane. Nga pikëpamja psikologjike kjo logjikë e braktisjes së fshatit dhe qyteteve të vogla është e lidhur me mentalitetin e qytetarit postmodern, i cili mendon se kohët e reja vetëm Qyteti Metropolitan, është vendi i duhur për të organizuar kushtet për jetë moderne dhe vetëm në qytetin e madh njeriu është në “vendin e duhur”. Banorët e zonave rurale që largohen me këtë logjikë, duke qënë të “dorëzuar” përballë kushteve dhe atraksionit urban të qytetit, janë të mbështetur në logjikën sempliste, sipas të cilës vepron një lloj “ligji urban”, sipas të cilit “njerëzit braktisin fshatin dhe periferitë me idenë se aty janë ndodhur në “vendin e gabuar”.

Sipas kësaj logjike të braktisjes së fshatrave dhe qyteteve periferike, njerëzit mendojnë rikonceptimi modern i jetës urbane, nuk mund të bëhet pa ridimensionime demografike e gjeografike të vendosjes se popullatës. Është bërë e modës teza, sipas të cilës në kohët e reja rindërtimi i jetës urbane krijon kushte që qytetari të largohet nga “vendi i gabuar” për tu rivendosur në “vendin e duhur”, që në të gjitha rastet është qyteti që vezullon dhe nxit tendencën e atraksionit urban. Doemos që përballë politikës, shtetit dhe shoqërisë shqiptare shtrohet detyra e analizës së këtij fenomeni masiv të braktisjes së fshatit dhe zonave periferike e periurbane.  Sepse ka një ligj universal sipas të cilit “kur zbrazen tokat, dynden qytetet”. Ndaj është e domosdoshme kërkesa serioze, për të vlerësuar shkaqet social ekonomike të këtij procesi, njëherësh për t’i dhënë një përgjigje reflektuese sa më të shpejtë e më të saktë pyetjes: Pse po braktisen me kaq shpejtësi fshatrat dhe qytetet periferike në Shqipëri? A është e vërtetë që njerëzit që jetojnë në fshatra e qytete të vogla, janë në vendndodhje te “gabuar” apo mungon kujdesi për vitalizimin e tyre në mënyrë që ato të bëhen më të jetueshëm?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here