Qytet i jetueshëm apo “ofiçinë e stërmadhe”?

0

Nga Gëzim Tushi 

Loading...

Në pamje të parë, ndryshimet që kanë ndodhur kohët e fundit dhe që vazhdojnë me intensitet të lartë dhe ndikime të forta turbulente në ridimensionimin gati të dhunshëm të strukturës urbane e përbërjes demografike të qyteteve tona, sidomos në efketet e dukshme material e morale të transformimit intensive të sipërfaqeve të vjetra urbane dhe shtimin e përbërjes qtytetare tashmë sipas parimit urban postmodern të sundimit të heterogjenitetit demografik, kanë krijuar idenë se ky spontaneitet urban i pandalshëm është arsyeja madhore që nuk po lejon që qytetet dhe për pasojë edhe jeta urbane në Shqipëri të marrë fizionominë e vet të qëndrueshme.

Është e vërtetë që qytetet shqiptare, bashkë me to edhe fizionomia dhe filozofia e jetës urbane shqiptare në afër tri dekadat e fundit, ka pësuar ndryshime, madje mirë do ishte të thonim “përmbysje” të kontureve dhe koncepteve urbane tradicionale. Qytetet shqiptare kanë pësuar ndryshime tërësisht radikale në të gjitha aspektet themelore, përmes një procesi ndryshimesh urbane e urbanizuaese të pandalshme dhe të pandërprera.  Në të vëretë në se me objektivitet do të vlerësonim madhësinë, thellësinë dhe intensitetin e asaj që ka ndodhur me fizionominë e qyteteve dhe tipologjinë e ndryshuar të jetës urbane, pa frikë duhet të pohojmë se gjatë kësaj periudhë ka ndodhur një “revolucion i vërtetë urban”, i pamenduar dhe i paparashikuar që të ishte në këto përmasa demografike dhe i realizuar me këtë shpejtësi sociale.

Sepse duke u përballuar me “tablonë” e re të qyteteve tona, mund të themi se tashmë është realitet i padyshimtë, që vendin e qyteteve të dikurshme të kontrolluara nga “lart” me paprekshmërinë e “vijave të verdha e të kuqe”, që ishte kufiri mekanik që ndante botën e qytetit nga ajo e fshatit, jetën me dimension urban nga ajo me fizionomi të qartë rurale, me rend social fiks dhe dimension demografik të ngurtë, me determinim tërësisht urban e moral tradicional, po e zënë qytetet e reja të “hapura” të epokës postmoderne.  Sot në Shqipëri në vend të qyteteve demografikisht të ngrira, pa dinamizëm social e interferime në to të popullatave që jetonin jashtë apo rreth tij, apo siç njihet në sociologjinë urbane në vend të “qytetit ortogjenetik” (i mbyllur ndaj të “huajve”) po e zënë në mënyrë të papërmbajtshme dhe të papërballueshme “qytetet hetergjenetike”, demografikisht të përzjera, me hapësira në zgjerim e të zmadhura, me jetë urbane diverse dhe natyrë jete qytetarisht kaotike.

Ne duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm dhe të kuptojmë, se ky ndryshim që ka ndodhur në fizionominë e qyteteve tona në këto tri dekada nuk është i “ ndryshim i thjeshtë mekanik”. Përkundrazi procesi është kompleks, shumëdimensional dhe tejet i komplikuar. Në se këtë “revolucion urban” e vlerësojmë në thellësi dhe pasojat urbane i vlerësojmë me objektivitet, atëherë duhet të themi se ai është një nga proceset materiale, kulturore e sociale më të komplikuara që ka ndodhur ndonjëherë në shoqërinë tonë për nga përmasat sasiore dhe cilësore, gjeografike e strukturore.  Qytetet shqiptare ortogjenetike (tipikisht të mbyllura) të së kaluarës që erdhën të tilla deri në fundin e viteve 90-të të shekullit të kaluar, teorikisht dhe praktikisht nuk kanë asnjë ngjajshmëri me qytetet e hapura, të zmadhuara, diverse, në thelbin e tyre të ndërtuara sipas parimit të qyteteit të “hapur heterogjenetik”.

Padyshim ky ndryshim i madh i natyrës dhe strukturës urbane të qyteteve tona duhet vlerësuar në kompleks, duke parë njëkohësisht ndikimet, efektet dhe pasojat pozitive dhe negative që e shoqërojnë dhe dallojnë natyrën dhe karakterin e “qytetit ortogjenetik” të së kaluarës nga “qyteti heterogjenetik” e postmodern të kohës sonë. Ky vlerësim nuk është thjesht ekzigjencë sociologjike, apo e ndikuar nga ndonjë lloj manjakllëk teorik. Përkundrazi vlera e dallimeve dhe thelbi i ndryshimeve që kanë pësuar qytete tona kohët e fundit, është krejt jetik dhe i lidhur me mënyrën e re të jetës, cilësitë e ndryshuara të jetës urbane në Shqipëri.  Sepse në se qytetet e mbyllura demografikisht dhe të kontrolluara rreptësisht nga shteti totalitar, që ishte kundër lëvizjes së lirë demografike dhe zgjerimit të kontureve të jetës urbane, sot kemi përpara “qytetin e lirë”, të hapur për çdo ndryshim mbi bazën e lirisë së njeriut dhe të lëvizjes së lirë urbane. Padyshim ky proces i cili kapërxeu çdo kufi të lirisë urbane, duke qënë kështu tërësisht kaotik dhe jashtë çdo administrimi urban, ka bërë që qytetet tona të jenë tashmë tipikisht dhe fondamentalisht me natyrë e strukturë urbane heterogjene.

Për pasojë në qytetet tona, në strukturën e jetës urbane dhe mënyrat e ndërtimit të sjelljes qytetare natyrshëm që janë shfaqen fenomene e dukuri të reja, pse jo edhe të “panjohura” me natyrë sociale, kulturore, psikologjike e urbane.

Kjo është situata e cila tashmë është e njohur në vendin tonë. Me të drejtë studjuesit e jetës qytetare, sociologët urbanë, arkitektët dhe urbanistët janë të mendimit, se në epokën postmoderne kudo në botë është bërë sundues tipi e qytetit heterogjenetik, jetën e të cilëve e karakterizojnë disa tipare tipike e esenciale si kaotizmi, ambiguiteti, dhuna, dezintegrimi, vetmia, asocialiteti. Në gjuhën e sociologjisë postmoderne nisur nga madhësia, struktura demografike e përzier dhe funksionet urbane të ndërlikuara, kur flitet për problemet me të cilat përballen qytetet metropolitane, shpesh i konsiderojnë ato si “ofiçina të stërmëdha” në të cilat mbizotëron zhurma dhe kaosi urban.  Në fakt për të qënë realist dhe analogë më të vërtetën duhet pranuar që kjo karakteristikë e jetës urbane dhe natyrës së brendshme të qytetit postmodern kanë filluar të shfaqen bujshëm në qytetet shqiptare. Prandaj duhet të pranojmë që shumë nga fenomenet dhe dukuritë social kulturore e psiko-urbane me të cilat përballen qytetarët në qytetet tona dhe në kompleksitetin e jetës urbane, nuk ngjarje e dukuri janë unike, të panjohura më parë apo që shfaqen sui generis për qytetet dhe jetën tonë urbane të këtij shekulli.

Në të vërtetë ato sot janë tipare universale urbane, që kanë përfshirë të gjithë qytetet metropolitane kudo në botë. Sepse një nga prurjet e veçanta të epokës postmoderne në jetën e sotme urbane, ka qënë pazgjidhshmërisht me procesin e metropolizimit të përshpejtuar të qyteteve. Kjo për arsye se “Gjëndja potmoderniste është e lidhur me rritjen e qytetit, apo, më saktë, me urbanizimin dramatik të popullsisë në dekadat e fundit””. (Akbar S Ahmed “Postmoderniteti dhe Islami”, f 46) . Kjo është arsyeja madhore që edhe qytetet shqiptare kanë dalë nga stadi i “kontrollit mekanik” dhe “ngurtësisë urbane”, për pasojë qytetet tona janë bërë shumë “plastikë” në përmasat gjeografike, strukturën demografike heterogjene dhe sidomos në natyrën dhe funksionimin e tyre urban. Kjo do të thotë se tani në jetën urbane dhe hapësirën e përbashkët të qyteteve tona, ka një lidhje tjetër midis qytetit dhe qytetarit. Por duhet kuptuar se kjo lidhje, ky ekuacion është i tillë që ndërsa qytetari e formon qytetin në përfytyrimin e vet, qyteti nga ana e vet i trajton këto përfytyrime me “rezistencën” e vet, për të përballuar tekat e anarkisë personale dhe pasojat urbane të saj.

 Koha ka sjellë ndryshimin e përfytyrimit dhe realitetit të jetës urbane në qytetet tona. Urbanizimi dramatik dhe ndryshimet e përmasave demografike të qyteteve tradicionale, e kanë ndryshuar radikalisht konceptin e vjetër sociologjik për qytetin dhe jetën urbane. Në fakt koncepti dhe vizioni sociologjik i Maks Veberit për qytetin “si një vendbanim i planifikuar për grupet e “qytetëruara” dhe të “arsyeshme”, ka ndryshuar dhe ka lëvizur shumë nga “modeli klasik veberian”. Në shumë studime dhe analiza të situatës së ndryshimit të thelbit dhe strukturës së qyteteve flitet dhe bëhen krahasime midis modelit të “qytetit të butë” që ndikon në aspiratat, makthin, shqetësimet dhe që është qyteti i dimensionit real, i cili ndryshon shumë nga “qyteti i ngurtë” të cilin e ndeshim në dokumente, statistika, studime arkitektonike, monografi demografike apo në faqet e sociologjisë urbane.

Padyshim jeta në qyetin postmodern ka shumë sfida sociale e shqetësime personale, shumica e të cilave janë të lidhura me faktin që në qytetet tona është bërë mbizotëruese ndjenja, se jeta urbane është bërë kaotike dhe shumë raporte midis qytetarit dhe qytetit kanë marrë dimension anarkik. Në mënyrë thelbësore kanë ndryshuar shumë dimensione humane të cilat kanë bërë që në se më parë në qytetin tradicional kishte më shumë hapësirë për humanizëm, dhëmbshuri e mirësi njerëzore tani në qytetin postmodern është duke u zgjeruar asocialiteti, desolidarizimi dhe zgjerimi përmasave të dhunës rastësore.  Të cilat janë bërë fenomene tejet shqetësuese për qytetin dhe qytetërimin tonë. Krimi, vrasjet pothuaj të përditshme për arsye të ndryshme, dhuna, vjedhjet e pronës, konfliktet e ekzagjeruara kanë krijuar idenë sikur vendin e “Qytetit Urban” po e zë përditë e më shumë shfaqja e degradimit në nivelin e “Xhunglës Urbane”. Nuk mund ta fshehim të vërtetën që duket sheshit. Qytetet shqiptare edhe pse po përpiqen të ndryshojnë i kanë të thella dukuritë që tregojnë për forma evidente të çrregullimit social dhe degradimit të shumë komponentëve të domosdoshëm të jetës urbane. Sepse kudo ka vende ku jetohet me mungesa e vështirësi, ka rajone të mbipopulluara mbi mundësitë dhe logjikën e jetës urbane.

Në këto zona me të drejtë tek banorët e tyre ka një ndjenjë të shfaqur dëshpërimi që vjen nga mungesa e kushteve, punësimi i dobët, infrastruktura urbane e pamjaftueshme, mungesa e mjediseve publike, situate jo e mirë e rendit public, etj. Kjo është arsyeja pse disa sociologë e urbanistë social janë të mendimit se në këtë rrugë që po ecin duket sikur qytetet kanë marrë tatëpjetën dhe jeta për njerëzit që jetojnë në të po bëhet e padurushme për shkak të zgjerimit të krimit urban, dobësimi nivelit të shërbimeve publike, dhunës dhe zgjerimit të frikërave që vijnë nga margjinalizimi dhe vetmia sociale…

Loading...

Lini nje pergjigje