Jeta urbane, njeriu dhe “publiku i “fragmentuar”…

0
211

 

Gëzim  TUSHI

 

Në se fenomenet e jetës kaotike dhe dukuritë individuale neurotike që karakterizojnë shoqërinë tonë në kohën e tanishme i vlerësojmë me objektivitet, besoj se duhet të bindemi që jeta publike dhe ajo personale kanë marrë substrat ontologjik dhe forma e shfaqje krejt të reja në krahasim me shoqërinë dhe njeriun e “kohës së kaluar”. Ka shumë njerëz që këto zhvillime dramatike i konsiderojnë shqetësuese. Kjo sepse ata fenomenet shoqëruese të jetës postmoderne urbane i vlerësojmë me kornizat e ngurta të menduarit të “zgjeruar social”, trajtat e  gjykimit tradicionalist apo me limitet e kapërxyera të optikave të “ndryshkura” të mënyrës së jetës shqiptare tradicionale. Padyshim ne jetojmë në një kohë të reja, në thelb postmoderne apo më sakt në etapën më intensive kur procesi i intoksikimit anti social të shoqërisë shqiptare është fare evident.

Për pasojë ne po përballemi sot dhe akoma më shumë në të ardhmen me fenomenin e “fragmentimit të publikut”, zbehjen e lidhjeve sociale midis njerëzve. Për pasojë në shoqërinë shqiptare në mënyrë intensive po krijohet shtresa e gjërë e “qytetarit neutral”, pa lidhje të forta sociale, pa shumë relacione e kohezion me njëri tjetrin. Kjo situatë ka krijuar kushtet e shfaqjes së dukurisë sociale të “publikut të fragmentuar”, me të cilën po formalizohet gradualisht ekzistenca e një “shoqëri pavetore” ose struktura sociale e bashkëjetesës së njerëzve anonimë. Kjo është arsyeja pse duke jetuar në këtë situatë të “publikut së fragmentuar” të përbërë nga “njerëz anonimë”, duket sikur njeriu e ndjen veten të “huaj” përballë këtij realiteti. Kjo ndjesi dhe ky realitet ekziston dhe në një farë mënyre njeriu përpiqet të gjejë mënyrat e afirmimit të vetes dhe personalitetit të tij.

Shoqëria shqiptare ka bërë një kapërxim të hatashëm në sasi e cilësi, në kohë dhe substancën sociale duke kapërxyer kufirin e dikurshëm ndarës midis publikes, sociale nga njëra anë dhe privates e individuales në anën tjetër. Në një kohë shumë të shkurtër jeta urbane ka kaluar nga situata e “robërimit social” të individit prej shoqërisë që pranonte e mbivlerësonte socialen dhe publiken, por mohonte kategorikisht të drejtën e ekzistencës së “un”- it të njeriut, në një shoqëri super individualiste që ka në bazë të saj njeriun që e shfaq hapur egoizmin dhe vetëkënaqësinë e tij.

Në këto kushte individualizmi, theksimi prioritar i “un”-it janë bërë trajtë qëndrore e shfaqjes së “njeriut privat” dhe shoqërisë me “publik të fragmentuar”. Shoqëria shqiptare dikur super sociale e tradicionale tashmë është shndërruar në një shoqëri, që nuk ka më homogjenizim të jetës publike dhe hapësirave shoqërore. Homogjenizimi social i publikut është gati i pamundur në kushtet e zgjerimit të “përmasave të individit” që po përshtatet me diversitetin e mënyrave të reja postmoderne të jetës.

Jetojmë në kohën kur publikja dhe publiku janë në tërheqje përballë sulmeve të egra të egoizmit dhe kërkesave ultimative të suksesit personal dhe afirmimit individual, që janë fenomene që kanë marrë peshën e trajtës qëndrore të formësimit të “bërthamës” së njeriut të shoqërisë postmoderne. Kjo ka sjellë përmbysjen e raporteve të vjetra midis njeriut, publikut dhe shoqërisë në tërësi. Do të jetë shumë e vështirë, madje nuk do këtë shanse  për gjetjen e ndonjë “ekuacioni social” që do mund të bëjë të mundur një raport të drejtë midis strukturave sociale të publikut dhe narcizmit, egoizmit njerëzor.

Kjo do të thotë që duhet të pranojmë të vërtetën e re sipas të cilës, edhe në shoqërinë tonë zhvillimet turbulente e kaotike të epokës së postmodernitetit tregojnë se “Qëniet njerëzore dhe shoqëritë e tyre janë më shumë komplekse  nga ç’mund t’i përshkruajë çdo teori e thjeshtë”. (Charles Taylor, “Etika e autencitetit”, f 98). Në mënyrë të sigurt dhe fare të përmbledhur ne duhet të pranojmë faktin se tashmë po jetojmë dhe do bashkëjetojmë me një lloj individi që nuk pranon më të jetë “shtojcë pasive” e publikut dhe shoqërisë.

Një shoqëri dikur tradicionale, me substrat të fortë supersocial, me lidhje të gjata e të qëndrueshme, tashmë ka pësuar ndryshime të thella nën ndikimin e liberalizimit të jetës, individualizmit të mënyrës së jetesës dhe dekonstruktivizimit të lidhjeve sociale, fragmentimit të marrëdhënieve publike, shprishjes së formave tradicionale të lidhjeve e marrëdhënieve njerëzore. Sociologët e vlerësojnë si proces të thellë të “fragmentimit social” të interesave të publikut, ose më saktë si kuintesencë e shfaqjes së tendencës determinuese të shfaqjes së “publikut të fragmentarizuar”. Por problemi nuk është vetëm me natyrë strukturore, por është i lidhur edhe me ndryshimin e mënyrave të sjelljes sociale e komportimit të lidhjeve dhe marrëdhënieve individuale në shoqërinë postmoderne shqiptare.

Kjo situatë, pra tendenca për fragmentarizim të publikut, është arsye madhore pse në jetën e sotme, në mënyrë evidente shfaqet procesi social, kur vendin e njeriut të arsyeshëm e racional po e zë veprimi i njerëzve që veprojnë përtej nevojave të “publikut të strukturuar” dhe dimensioneve të “kornizës publike”, të bazuar në pragmatizmin personal, utilitarizmin individual, që kanë në bazë të sjelljes së tyre veprimin intensiv e prioritar të arsyes racionale por intstrumentale.

Ky po bëhet modeli sundues social i të jetuarit, mënyra që i duhet kohës, që natyrisht i shkon më shumë për shtat dhe i përshtatet më mirë situatës së thellimit të procesit masiv të dobësimit të lidhjeve sociale dhe “fragmentarizimit të publikut”.  Në kohën tonë është vështirë të flitet me terma sociologjike globale, apo të mendohet për veprime publike me staturë të plotë e unike. Po të vlerësojmë dukuritë e shfaqura në shoqërinë tonë, pa vështirësi do të kuptojmë se vendin e shoqërisë kompakte, të shoqërisë unike si të tillë e ka kapur procesi i fragmentarizmit të interesave publike, madje edhe të grupeve më të vogla, deri në nivelin e ngushtë të interesave individuale e profesionale.

Këtë e ndjejmë qoftë edhe kur strukturohen në protesta për të mbrojtur interesat, njerëzit janë të fragmentuar si publik, të ndarë në interesa të diferencuara komunitare e profesionale. Të gjitha këto realitete konkrete në shoqërinë tonë janë besoj të mjaftueshme për të kuptuar atë që është thelbësore. Shoqëria nën ndikimet e fuqishme të postmodernitetit po pëson “copëzime” mbi bazë interesash lokale, regjionale, kulturore, fetare e profesionale dhe secili prej tyre nuk është gjë tjetër veçse “fragment i vogël” i publikut të gjërë social, që është dhe shfaqet më shumë i interesuar për problemet e veta. Zhvillimet me natyrë liberale dhe individualiste janë “fermenti” që ka sjellë pasojën e fragmentarizimit të publikut dhe interesave të tij, edhe pse shpesh këto interesa parciale grupore apo të personalizuara, mund të bien ndesh me interesat e përgjithshme të publikut të gjërë.

Deri ku mund të shkojë procesi i fragmentarizimit të interesave të gjëra publike e të publikut në raport me ato të veçanta, grupore dhe individuale? Analistët e postmodernitetit nuk e konsiderojnë vlerë të dobishme këtë tendencë fragmentarizmi, sepse sipas tyre tendenca e superimit të interesave të fragmentuara mbi ato të publikut të gjërë, mund të kthehet në një kauz sociale të humbur.

Kjo është arsyeja pse në disa raste kanë filluar të bëhen krahasime me ndikimet kontroversale sociale midis diktaturës së dikurshme dhe postmodernitetit aktual. Një gjë është e sigurt. Në etapën postmoderne në Shqipëri por dhe në vendet e tjera dikur ish komuniste, nuk është rrezik despotizmi apo rikthimi i diktaturave, por është intensiv, i shpejtë dhe i përshpejtuar thellimi kaotik i fragmentarizimit të publikut dhe publikes. Kjo dukuri ka pasoja, sepse sipas sociologëve postmodernë, është një situatë e tillë në të cilën popujt mund të bëhen gjithnjë e më pak të aftë për të patur qëllim të përbashkët, më pak mundësi të përbashkëta për ta vënë atë në jetë.

“Fragmentimi rritet atëherë kur njerëzit e shohin veten në mënyrë gjithnjë e më shumë atomistike, thënë ndryshe gjithnjë e më pak të lidhur me bashkëqytetarët e tyre në projekte të përbashkëta dhe në ndjenjën e besnikërisë ndaj sho-shoqit.” (Charles Taylor, “Etika e autencitetit”, f 110-111) Duam apo nuk duam ne, zhvillimet sociale në shoqërinë shqiptare janë të tilla që të detyrojnë të pranosh si efekte të pashmangshmet, krijimin e një “shoqërie të re” që shfaqet amorfe, me publik të fragmentuar, kaotike dhe pa aftësitë e duhura qytetare për të ndërtuar aksione sociale efektive.

Unë jam partizan i pranimit të ndryshimeve që po ndodhin në shoqëri dhe doemos edhe shpresë plotë, se do ecim duke besuar në aftësinë e postmodernitetit, që në “kompensim” të humbjeve që po pësojnë “socialja” dhe “publikja” do mund të kompensohet me aftësitë e reja sociale, për të gjetur rrugën e duhur, për të zhvilluar instrumente proceduriale të lidhjeve publike e sociale, që janë të duhurat dhe mbështetura mbi bazën e lulëzimit të neutralitetit social të njeriut postmodern…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here