I pasuri kusar dhe kopshtari fukara

0

Dr. Ndriçim Mehmeti

Fillimisht nuk ishte shumë i pasur, madje ishte një njeri fare normal. E filloi jetën si dizenjator, biçim ngjyrosësi parullash, por ishte punë me leverdi. Kishte shoqëri e kredi në qytet, pasi e njihnin të gjithë, nga përgjegjësi i tregtisë e deri tek këpucari e mbathësi i kuajve. Ai ishte njeriu që përtërinte sa herë që ishte nevojshme, tabelën e dyqanit, ngjyroste vizatimet e djemve dhe vajzave të shefave të dikurshëm, u bënte ndonjë punë veresi dhe merrte si shpërblim buzëqeshje dhe përkrahje. Shumë njerëz mendonin se ai kënaqej me pak, me një veshje të mirë, me ndonjë femër që ja shkelte syrin, me famën e fituar si ngjyorsës, por u gabuan. Ai u bë i pasur, shumë i pasur e i fuqishëm.

Po si xhanëm ndodhi, do të thoni ju?

Jeta të mëson. Fillimisht u shpërngul, iku ose edhe mund ta kenë thirrur matanë detit. Jo për ndonjë mision të veçantë apo leksione për zanatin e vjetër: Thjesht ta mësonin si bëhesh i pasur përmes rrugës së lehtë e të shkurtër të kusarisë. Nuk mori leksione e lanë të mësonte vetë. “Shko dhe dil njëherë nga lagjet e varfra” e këshilluan dhe do të mësosh sesi bëhesh i pasur përmes kusarisë. Ata që do të shikosh apo do t’i takosh, do të thonë njëzëri se “jemi shumë të varfër, ngrysim jetën duke fjetur në kartona, mezi hamë një vakt, por një ëndërr e kemi të gjithë: Ditën që do të bëhemi të pasur, pa kusur nuk do të lemë”. Vizitori i pazakontë, përpiqet të përfytyrojë dhe futet në meditime të thella: “Mos vallë e kanë fjalën për thesarin zhdukur të Ali Pashës, qytetin e zhdukur të Atlandës, apo ja kanë vënë syrin ndonjë banke?” Duke shkuar për në qendër syri i sheh më shumë mondanitet, elegancë, njerëz të veshur e të ngjeshur mirë. Kurioz dhe i vëmendshëm siç është karakterizuar në gjithë jetën, mendoi të harxhoj ca pare në lokalet luksoze. Në pak ditë mësoi gjëra që si kishte shkuar nëpër mend ndonjëherë. Në bisedat e shumta në kafenetë elegante, flitej sesi fitoheshin para, prej jakave të bardha me kollare. Pushtet i pari, shumë arrogancë, miq që duhen darovitur dhe je në rrugë të mbarë. Por për këtë duhet të jesh i vendosur, e jo të rrish në mbrojtje. Duhet të jesh në sulm, apo siç i thonë mediatikisht në qendër të vëmendjes. Pa duhet të gjesh miqtë e duhur. Dale prit. Po sikur dikush, ai që më thirri nga përtej detit,  por unë se takova asnjëherë të ketë ndonjë plan për mua. Dhe përgjigja nuk vonoi shumë. Pas përvojës së vyer, për të rendur drejt pasurisë përmes kusarisë, rasti i erdhi të kthehej në vendlindje. Gjërat kishin ndryshuar shumë. Shefi i madh ishte një njeri i zgjuar, me pushtet, gra e pasuri të pamat. I adhuronte gostitë dhe shkrihej së qeshuri me gaztorët. Kur i paguanin biletën për të parë garat me qen oshte akoma më i lumtur. Duke qenë dembel, kërkonte “një punëtor”. Qëllimi ishte që ky njeri të bënte dy lek punë e ta shiste për katër dhe me këtë reklamë të madhe, kishte mundësi të fshihte milionat që do të përfitonin së bashku. Djali “i mirë” i qytetit e nuhati shumë shpejt që ylli i tij sapo kishte lindur dhe duhet të ngjitej në lartësitë më të panjohura ndonjëherë. Me shumë delikatesë, servilizëm, arrogancë aty ku duhej, e kënaqi shefin e tij me fitime të majme. Por kjo nuk duhet të zgjaste shumë. Nga roli i pastruesit të rëndomtë të zullumeve të pushtetit, ai duhet të ngjitej vetë lart. “Ndoshta me qejf nuk e kam këtë të shkretë pushtet, por për leverdinë që ka, nuk e refuzoj dot”. Dhe kështu bëri. Në pak kohë bëri para, pasuri, pushtet, ndërroi gratë, u shfaq si mbrojti më konsverator i familjes, zhvilloi parada e koncerte, pa fund në qytet. Këngëtarë, cirqet më të famshme, klube futbolli e striptizmi nga an e kënd botës vërshuan në qytet-shtetin, pronë të tij. Kjo e kënaqi pa masë. Dikur ai bridhte rrugë më rrugë, tani i shihte të gjitha rrugët e vendit të tij me sy të lirë, nga shtëpia-ballkon që kishte fituar prej kusarisë. Nuk i kujtoheshin shumë gjëra nga e kaluara. Ndaj dilte e shëtiste natën, herë në vetmi e herë me miqtë e tij, që mbinin në çdo 1 metër. Nga shtëpia rrallë dilte të shihte, pasi i pëlqente më shumë ballkoni. Shikimi nga ajo pikë përputhej me vetitë e tij si “vizionar”. Një ditë kur dëgjoi një zhurmë të vogël, hodhi sytë dhe pa një kopshtar disi të leckosur, që remonte me kujdes tek bahçja, nxirrte në një anë guriçkat dhe ledhonte me pëllëmbën e tij të rreshkur gjethet dhe lulet e sapo çela.

Ç’është ky kopshtar fukara, kaq shumë i lumtur e i gëzuar” tha me vete? Pa dale ta pyes njëherë?   

Fillimisht e kishte të vështirë t’i afrohej. “Çdo të mendojë vallë për mua, ky i pagdhendur kur ta pyes? Në fund të fundit, do t’i flas pak shqipe të përzier me gjuhë të huaj, që ta ketë të vështirë të përgjigjet, ose të thotë broçkulla”. Si për të hyrë në bisedë, e thirri, “hej kopshtar sa kohë ke këtu”. “Me thënë të drejtën nuk e mbaj imzot. Kam që në kohën që filloi ndërtimi i kësaj shtëpie. Më thanë të punoja bahçen e të mbillja ca lule, jo për merak të zotërisë, por zonjës së radhës, të kësaj shtëpie. Dhe unë erdha me vrap. Edhe një copë punë do ta kisha, por mendova se zotnia është burrë me mend. Edhe pse nuk i pëlqen lulet, së paku i bën qejfin zonjave a vizitorëve të kësaj shtëpie.”. I pasuri, ndenji një moment, e kundroi me pak dyshim të përzier me një lloj shpërfillje dhe e vazhdoi bisedën, ashtu në këmbë. “ A ke familje, fëmijë, grua, baba, nënë,vëlla a motër o kopshtar”. “ Zoti është treguar bujar me mua imzot. Më ka dhënë plot 6 fëmijë, njërin më të mirë se tjetrin dhe grua zonjë. Fëmijët kanë marrë rrugët e botës, atëherë kur ishe jashtë edhe zotrote. Nuk patën fatin të ishin e të shikonin vendin që lulëzon, sa u shfaqe ti. Gruaja rri në shtëpi e kujdeset për nipin e vogël, të së vetmes vajzë që kam në Shqipëri. Vallahi- o burrë më tha- jam kaq e kënaqur  për këtë kohë që ka ardh sa nuk di ç’të them. Nuk laj lecka e napa, e fus në kosh fëmijën e rri e qetë, i jap qumësht dhe rri e shikoj aq shumë filma, në një muaj, sa nuk parë për 60 e kusur vjet. Nënë e babë i kam gjallë, ja kundruall kësaj kodrine. Rrinë të dy bashkë e zbresin rrallë në qytet. Jemi më mirë- në vetminë tonë bir. Kemi njëri-tjetrin edhe pse nuk kemi ndonjëherë për të ngrënë. Nusja e shtëpisë përballë nuk harron të na thërras për kafe në mëngjes e pasdite, pastaj edhe televizori na është bërë si shok. Dëgjojmë të madhin e kënaqemi, edhe pse uji që na premtoi nuk mbërritur në aneksin tonë. Vëllezërit dhe motra e vetme, janë në punë të tyre, më shumti jashtë vendit. Ç’të të them imzot, më mirë e më të lumtur nuk mund të ishim. A më arrijnë lekët do thuash? E ç’rëndësi kanë ato. Jemi të lumtur edhe duke thithur ajër, se thonë që andej jashtë është bërë me lek. Po ku e kishe fjalën imzot? Desha të të pyesja- i tha i pasuri kusar- “Pse i ledhaton me kaq ëmbëlsi lulet”? “I dua shumë, se më sjellin qetësi imzot dhe ndihmoj dikë që nuk di të thotë se çfarë kërkon? E në vendin tënd që nuk i do lulet, jo se të gjitha kanë gjemba si trëndafili, porse i urren ngase të bëjnë më të dhimbsur e më të dashur, i ledhatoj unë edhe për ty.

 

 

Lini nje pergjigje