SHTETI DHE MJEKËSIA VDIQ… BLERTA E BUKUR JO.

0

Nga Ervis Meco

__________________________________________

Blerta Pepa, 15 vjeç… një talent i ardhur në jetë nga një familje fisnike e komunitetit Egjiptian , nxënëse në shkollën e Mesme “Andon Zako Çajupi” në Tiranë u nda nga jeta ditën e djeshme në lulen e rinisë, për shkak të një gafe të rëndë mjekësore. Ky rast nuk ishte i fundit, as i vetmi në këto vite ku shëndetësia në Shqipëri është kthyer në një biznes të mirëfilltë kriminal, me mjekë që shkelin hapur betimin e Hipokratit, sekserë që rrotullohen rreth spitaleve në kërkim të hallexhiut të radhës, hiena që bëjnë biznes me agjencitë funerale për çdo trup të pajetë, sekserë ilaçesh e gjithë farë turli korbash që e kanë kthyer shëndetësinë në mjet fitimi dhe ku i vetmi i humbur është pacienti ai që ndeshet i pari me arrogancën e këtij sistemi, zhvatjen deri te denigrimi për një kohë të gjatë në koridore të pafund të një sistemi të lidhur në një konflikt të ngushtë interesi ku vetëm interesi publik për kujdes shëndetësor i garantuar edhe në Kushtetutë nuk predominon. Rasti fatkeq i Blertës është pak a shumë kontribut i këtij sistemi ku mbi të gjitha ajo që predominon është vrasja e besimit te bluzat e bardha në sektorin publik shëndetësor. Rasti i Blertës më herët e shumë të tjerëve, nuk duhet parë thjesht si gabim njerëzor i mjekut. Gabimet falen, fajet jo. Nëse dëshmitë e familjarëve të Blertës janë objektive në të thënat e tyre dhe nëse është e vërtetë që interesimit të tyre në Ministrinë e Shendetësisë për kujdes shëndetësor i janë përgjigjur me arrogancë “se ne nuk merremi sa herë vrasin gjurin nxënësit në shkolla”, atëherë këtu kemi një problem të madh me vetë sistemin të ngritur mbi johumanizmin por veshur me brutalitet. Blerta u dëmtua gjatë një orë mësimi. Ç’rëndësi ka fiskulture, fizike, apo vizatimi. U dëmtua në shkollë dhe shteti ka përgjegjësi. Dhe kështu duhet të ishte edhe nëse do ishte dëmtuar në rrethana të tjera. Blerta është shtetase me të drejta të plota e Republikës së Shqipërisë dhe si e tillë gëzon të drejta që në preambulën e Kushtetutës së Republikës. Përse Blertës nuk ju ofrua shërbim në Spitalin e Traumës që është publik dhe ka ortopedët më të mirë në Shqipëri? Sepse ka mungesë materialesh? Sepse ka mungesë stafi të specializuar? Sepse sistemi që shëndetësinë e ka kthyer në biznes i tha që shko në spital privat sepse aty ke shërbim cilësor? Sepse shërbimi publik është lënë në gjendje mjerane sepse vetëm kështu mund të lulëzoj sistemi privat shëndetësor? Blerta, ty nuk të vrau thjesht gabimi njerëzor i një mjeku të pakujdesshëm. Ty të vrau ky sistem kriminal shëndetësor i ngritur mbi babëzinë në kurriz të jetës dhe shëndetit të njeriut. Një operacion i lehtë, që duhet të ishte një rutinë për stafin mjekësor, përfundoi tragjikisht në spitalin privat “Continental” në kryeqytet. 15-vjeçarja Blerta Pepa hyri në sallën e operacionit pasi kishte dëmtuar meniskun e gjurit, por fatkeqësisht prej andej doli e vdekur. Adoleshentja e cila kishte pasion muzikën dhe kishte marrë pjesë në një konkurs, ndërroi jetë pak pas mesnatës së të hënës, ku dyshohet si pasojë e një mbidozë narkoze, e cila i shkaktoi temperaturë tejet të lartë. Në emër të Dinjitetit Njerëzor solidarizohemi dhe i bëjmë thirrje organeve shtetërore, Media’s dhe mbarë shoqërisë të reflektojnë dhe të marin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Prokuroria të investigoj dhe hetojë me profesionalizëm të gjitha hapat e papërgjegjshme që i morën jetën një luleje të bukur, plagosën një familje, vranë një shoqëri. Ky është realiteti që jetojmë, këto janë rrobat e bardha të mjekësisë, ky është shteti ynë, kjo është përgjigja që vjen nga votëbesimi që populli i ka dhënë kësaj qeverie, kjo është reforma e përgjegjshme ku mbizotëron meritokracia nëpër institucionet mjekësore dhe jo vetëm, kjo është tabloja e vërtetë e përgjegjësisë, kulturës, zbatimit të ligjit, funksionalitetit kushtetues ndaj të drejtave të njeriut në Shqipëri. I lutemi Zotit t’u japë forcë të madhe familjarëve…

Lini nje pergjigje