Politika, qytetari dhe “karta” e deformuar e militantit…

0

Nga Gëzim TUSHI

Tani që kemi hyrë në fushatën e zgjedhjeve të reja politike, është fare e natyrshme të ndihet fort dobia, vlerësimi dhe angazhimi i pakursyer i militantëve të partive politike. Koha e fushatës jo vetëm është “festë e natyrshme” për ta, por dhe momenti më intensiv i angazhimit dhe kontributit personal politik e militant.  Por problemi është se në shoqërinë tonë, gjithnjë në periudhat zgjedhore krijohet një raport shumë i diskutueshëm midis hapësirave të gjëra të angazhimit, shfaqjes dhe pritmërivë të “njeriut militant” në raport me njeriun qytetar, i cili mund të jetë me preferenca të caktuara politike, por jo domosdoshmërisht dhe tërësisht militant.

Duke qënë se një pjesë e qytetarëve janë të përfshirë në mënyrë aktive në fushatën e zgjedhjeve të reja, me siguri që është e nevojshme të diskutojmë për format politikisht banale dhe shoqërisht të bezdishme të shfaqjeve abuzive të militantizmit. Më saktë për atë model arkaik dhe atë lloj militantizmi të deformuar, të cilin  filozofi Vincent Descombes e quan “e vërteta e militantit e themeluar keq”. Tani kohët kanë ndryshuar në favor të një lloj “militantizmi të butë” qytetar.  Sepse jemi në kohën e shfaqjes së nevojës për një “militantizëm ndryshe”.

Është bërë situatë e njohur që në kohë fushatash politike krijohet “shtresë” e shtuar militantësh që shfaqen me synime politike, por që pastaj ky “investim politik” i  konvertohet në probleme sociale e materiale në favor të tyre. Kjo disa njerëzve mund tu duket situatë normale apo mund të mos u duket shumë shetësuese. Por në të vërtetë duhet parë me kujdes, sepse realiteti shqiptar ka treguar që politika nga mënyra si i ndërton marrëdhëniet me militantët, duket që gradualisht ka krijuar një realitet social, në të cilin deformohen sistemet bazë të vlerave dhe meritës dhe për pasojë edhe marrëdhëniet e diferencuara midis militantit politik dhe “qytetarit jo militant apo politikisht neutral”.

Mund të thuhet se kjo “kontradiktë sociale” është normale dhe shfaqet vetëm politikisht. Në të vërtetë ky raport në Shqipëri po bëhet problematik e disproporcional, i shoqëruar me koncepte e praktika abuzive që shoqërohen me një lloj favorizimi apo “diskriminimi pozitiv” të militantit, të njeriut që angazhimin në politikën partizane nuk e ka nga preferenca e ideve politike të caktuara, por që shfaqet si “militant nga interesi personal, qëllime të pastra utilitare e pragmatiste”, dhe i krijon favore vetes apo përfiton benefite të padrejta, jashtë sistemit të vlerave dhe meritës personale. Të cilat i arrin lehtësisht, jashtë garës dhe konkurencës vetëm pse është militant.

Kjo situatë e deformuar e statusit të militantit që angazhohet për të siguruar privilegje, ka bërë që në masën e gjërë të qytetarëve neutral ata të shihen me sy tjetër dhe në një farë mënyre edhe të bjerë respekti për militantët abuzive. Ky status i militantëve ka pasoja dhe ndikon në shtimin e njerëzve indiferentë ndaj politikës, në “trashjen e shtresës” së elektoratit apatik. Militantët nuk e kanë ndjesinë e kësaj padrejtësie, nga që e mendojnë si përfitim të drejtë, që vjen nga “ngarkesa” e angazhimit politik si pjestar të një force politike të caktuar. Militantët e kanë gjetur rrugën e tyre për të arritur dhe përfituar nga “kënaqësitë” e politikës, të cilat për shkak të mungesës së principeve morale janë bërë tejet të lakmueshme për militantët e të gjithë llojeve në Shqipëri.  “Kënaqësia që provon militant tek dëgjon fjalën e shefave të tij…është e krahasueshme me lehtësinë që provon indiani i sëmurë kur mjekohet prej shamanit të tribusë që citohet pre Levy Strauss-it në artikullin e tij mbi “efikasitetin simbolik”. (Viscont Descombes, “Vetja dhe tjetri”, f 150)

Natyrisht e gjithë masa dhe struktura e militantëve të partive politike nuk është unike. Ka midis tyre militant e besimtarë të vërtetë politikë që kanë dhënë kontribute historike, që e kanë lidhur jetën me një lloj “ideali” të caktuar të majtë apo të djathtë. Në jetën politike shqiptare ka plot të tillë. Sidomos shtresa e “militantëve të moshuar” që militantizmin e kanë ideal, mjet për krenari personale, identitet individual dhe mënyrë për të mbajtur gjallë e të karrikuar “baterinë” e njohur të rivalitet politik.  Por ajo që bie fort në sy është fakti që në politikën shqiptare krahas militantëve të ndeshëm, të atyre që gjithë jetën janë investuar pa interesa të ngushta të përfitimit personal, në kohën e sotme në shtresë e zgjeruar të militantëve është pakësuar numuri i militantve “puritan” dhe është duke u shtuar numuri i militantëve të “rafinuar”, të atyre që “investimin” politik e kanë të lidhur me qëllime pragmatike, synime të realizimit të dëshirës subjective për “karrierë të shpejtë”, ndonjëherë edhe të pamerituar.  Nëse ka një plagë të madhe që i kanë hapur politikanët politikës shqiptare, që është bërë sëmundje por tejet e pëlqyeshme nga disa militant, është fakti që tashmë është katërcipërisht e vërtetuar se angazhimi në politikën militante në Shqipëri është një “derë e sigurt” që e con njeriun drejt pasurisë. Kjo ka bërë që militantizmi në jo pak raste nga synimi si mision bëhet si orientim biznesi.

Jo aq dhe tërësisht për fajin e tyre individual pozita e militantëve në këtë vend është vënë në krizë identiteti dhe morali ekzistencial. Ka kohë që vlera e tyre në “tregun e qytetarisë” është në rënie edhe pse brenda “oboreve të politikës” ata ndihen komodë, në pamje të parë duket sikur kanë “kohezion kombativist” me njëri tjetrin. Në të vërtetë kjo është dukja sepse “militantët e rafinuar” në të vërtetë janë angazhuar përkohësisht duke qënë në pritmëri të sigurimit të shpërblimeve respektive me të cilat në këtë vend për fat të keq dhe krejt në mënyrë banale konvertohet “karta e militantit”.  Padyshim nuk mund apriori të jesh kundër militantëve apo t’i anatemosh ata për shkak të angazhimit të tyre në formacione të ndryshme të politikës së majtë apo të djathtë. Problemi është se “statusi i militantit” ka marrë, për shkak të qëndrimeve favorizuese që bëhen ndaj tyre, një konotacion negativ.

Diskriminimi i pamerituar pozitiv i militantëve me poste, favore, mbështetje nepotike e favorizime të natyrave të ndryshme, e ka thelluar hendekun e pakënaqësisë sociale. Madje më shumë se kaq do të thosha se po krijohen situata midis statusit të qytetarit që përpiqet të gjejë parametrat e sigurta të sistemit të meritës, vlerave të karrierës dhe militantëve të katapultuar nga “oboret” e ngushta të partive politike. Kjo sëmundje e politikës shqiptare, tipikisht arkaike e tejet ballkanike, është bërë e shëmtuar dhe e shoqëruar me dëmë të konsiderueshme.  Sepse më shumë se militantë që vërtet kanë “ideale politike” të majta apo të djathta, kemi një turmë njerëzish diabolikë e pragmatikë që kanë gjetur “celsin e artë” të katapultimit në poste politike e administrative pa patur kreditet, pushtetin e dijes së duhur, nivelin e kërkuar konkurues intelektual e profesional. Më së shumti duket qartë se militantët janë bërë diabolikë në qëllimet e personalizuara, për pasojë një pjesë prej tyre janë lakej që lëpihen pas politikës. Kjo politikë e deformuar militanteske e aplikuar në Shqipëri në këto 27 vite, ka sjellë deformime serioze strukturore e funksionale në raportet e politikës me qytetarin. Mënyra si është bërë politika, ka favorizuar në mënyrë të turpshme skuthat e militantëve në raport me njerëzit e ndershëm me vlera profesionale. Kjo ka sjellë situatën e superimit të padrejtë e të pamerituar të njerëzve falsë mbi ata që janë patriot të vërtetë, jo me fjalë por me dije dhe rezultate profesionale. Politika është mbushur me skutha të rinj, me njerëz të plakur e të deformuar nga perceptimi abuziv dhe i defromuar i privilegjeve të “licencës së militantit”.

 

Të gjithë këta kanë një synim të zënë poste favorizuese, të përfitojnë të ardhura pse jo edhe duke vjedhur, duke qënë të bindur se ata nuk kanë rrugë tjetër vecse të jetojnë në kurrizin e njerëzve të zellshëm të këtij vendi. Militantë  apo njerëz thjesht të dhënë vetëm pas interesit të tyre? Kjo demokracia politike e lënë në duart e militantëve abuzive po i zhgënjen shqiptarët, mbi të gjitha po i detyron të rinjtë me shpresa të humbura të “marrin rrugët e botës”. Po kush i përkrah dhe u hap rrugën militantëve abuzive përballë njerëzve të zellshëm e të vullnetshëm të këtij vendi? Janë vetë politikanët dhe ambicjet e tyre që kanë nevojë për këtë tip militantësh skutha, të cilët kudo në mbledhje, në fb, në rrugë i trajtojnë liderët e tyre si “prijësa” dhe dinë vetëm të bëjnë deklarata besnikërie banale për ta.

 

Për fat të keq partitë politike i kanë hapur dyert për skuthat e rinj të politikës, për një kategori karriristësh militantë që janë shndërruar në lakej të liderëve qëndrorë e lokalë, që bëjnë llogari bizantiniste përtej cdo caku moral. Projektet politike të partive në Shqipëri ka kohë që dështojnë apo nuk arrijnë objektivat e planifikuara, pikërisht se në rradhët e tyre futin pa doganë këta lloj njerëzish që janë vetëm makiavelistë e skutha, që nuk kanë asnjë vlerë e aftësi profesionale përvec atë të lakeut politik. Ata po e shëmtojnë dhe deformojnë keq “fytyrën e politikës” shqiptare të gjithë krahëve.  Kjo shtresë e skuthëve të politikës që kanë shanse gjithnjë e më shumë të penetrojnë në poret e infektuara karrieriste të saj, mund të krijojnë mundësi që kjo kategori e skuthëve që nuk ka aftësi tjetër as mundësi të kompeticionit profesional të synojë që ta realizojë atë përmes lëpirjes së pas politikanëve të rradhës, qoftë në pushtet apo në opozitë. Skuthat e politikës kanë aftësi që me mjetet e ndyra të amoralitetit personal dhe shitjes pa cmim të dinjitetit të tyre, të mund të rrëmbejnë në mënyrë të turpshme qëllimet e mira njerëzore të njerëzve të zellshëm e punëtorë të vendit tonë. Militantët dhe skuthat e politikës, sidomos ata që janë të rinj kanë filluar të luajnë role diabolike duke u bërë “substancë” me role të shumëfishta, për të realizuar përmes politikës pa meritë qëllimet e tyre pragmatiste për interesat e veta por të dështuara për shoqërinë shqiptare. A është vërtetë ky lloj militanti ai që i duhet partive politike? Pse partitë në jo pak raste u kanë kthyer krahët, ose nuk duan ta dinë ku janë dhe çfarë bëjnë njerëzit e zellshëm të këtij vendi?

 

Lini nje pergjigje