Autopsia e 16-vjeçares, rezultatet konfirmojnë Hiperterminë Malinje

0

Tre mjekë të Spitalit Kontinental janë proceduar penalisht për vdekjen e 16-vjeçares, Blerta Pepa, e cila ndërroi jetë të hënën pas një ndërhyrje kirurgjikale në gju.

Përveç anestezisit Tefik Zhurda, i cili mori pjesë në operacion, policia referoi në prokurori edhe  kirurgun gjerman,  Ulf Moebius si dhe mjekun Jovan Kosta. Të tre mjekët dyshohet se nuk kanë respektuar protokollin e operacionit dhe të anestezisë, duke sjellë si pasojë vdekjen e adoleshentes.

Rezultatet paraprake të autopsisë tregojnë se vajza ka ndërruar jetë nga temperatura e lartë gjatë operacionit, apo siç njihet ndryshe Hipertermia Malinje. Madje ekspertët mjeko- ligjorë, kanë vërejtur edhe përdorimin e medikamentit Dantrolen, pikërisht për të shmangur këtë komplikacion.

Sipas dëshmive të mjekëve problemet  me temperaturën nisën rreth 20 minuta pas operacionit dhe pavarësisht përpjekjeve për ta mbajtur në jetë, vajza nuk mundi të mbijetonte.

Prindërit dhe të afërmit e vajzës nuk janë të bindur me këtë version dhe thonë se do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore.

Mjeku anesezist, Tefik Zhurda që i injektoi vetes anestezi pas vdekjes së vajzës ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

 Në lidhje me vdekjen e Blerta Pepës, 16-vjeçares që 3 vjet më parë ka qenë pjesë e spektaklit “Gjeniu i Vogël” në Televizionin Klan reagoi sot Ministria e Shëndetësisë. Sipas saj, një grup pune po ndjek situatën dhe pas përfundimit të hetimeve do të marrë edhe masat përkatëse për këtë ngjarje të rëndë.

/Tv Klan

Lini nje pergjigje