Rriten shifrat/ Depresioni shkaku kryesor i vetëvrasjeve. Shifrat e frikshme të fenomenit negativ

0

 

Loading...

“Numri i atyre që tentojnë për të vrarë veten dhe e kryejnë atë, vetëm në muajin e fundit kanë ndodhur 6 raste të tentativës për vetëvrasje”

 Në një kohë kur kriza politike, ekonomike dhe shoqërore ka prekur vendin, krimet janë rritur shumë. Nuk po flasim për vjedhje, plagoje apo vrasje, por për vetëvrasje. Për shkaqe nga më të ndryshmet shumë njerëz tentojnë që të vrasin veten. Vetëvrasja shihet si një nga mënyrat për ti shpëtuar problemeve që kanë, por përsëri kjo vetëm sa i shton problemet për personat e tjerë. Shqipëria edhe pse një vend i vogël dhe me një popullsi të vogël përsëri shifrat për vetëvrasjen i ka shumë të larta. Në një përmbledhje që kemi bërë për periudhën nga fillimi i prillit dhe deri sot, rastet e personave që kanë tentuar dhe kanë arritur që të vrasin veten. për këtë periudhë kanë qenë shtatë raste ku më i fundit ka qenë jo më larg se ditën e djeshme ku një 69 vjeçar i dha fund jetës, duke u vetëvrarë më armë gjahu. Por personat që vrasin veten janë në mosha dhe ne gjini të ndryshme. Duke u referuar forumeve psikologjike, bëhet fjalë për 200 vetëvrasje në vit dhe 400 tentativa të tjera, për t’u vetëflijuar. Pra, numri i vetëvrasjeve në Shqipëri është më i lartë se numri i vrasjeve nga krimet e ndryshme. Pafuqia mendore për zgjidhjen e konflikteve të aspekteve të ndryshëm si ekonomiko-shoqërorë dhe presioni për të qenë i suksesshëm konsiderohen si dy nga shkaqet kryesorë, që i çojnë shqiptarët drejt vetëvrasjes. Gjinia më e prekshme është femërore, pasi kalojnë më parë në purgatorin e dhunës psikologjike dhe fizike. Shkaku i një vetëvrasjeje s’është gjithmonë tek paratë por ka dhe shumë faktorë të tjerë që mund të bëjnë që një njeri të mendojë t’i japë fund jetës së tij

Shtohen vetëvrasjet, shkaqet mbeten të njëjtat

Sipas studimeve të shumta të kryera te njerëzit që kanë tentuar vetëvrasje, por edhe të tjerë  shkaqet kryesore për vetëvrasjen janë katër; shëndeti mendor, shkaqet ekonomike të individit, shkaqet shoqërore por edhe varësia ndaj alkoolit dhe drogave të ndryshme.

Shëndeti mendor: Ky është një ndër faktorët madhorë që e shtyjnë një individ në vetëvrasje. Çrregullimet mendore u shfaqën si shkak i vdekshmërisë vetëm pas vitit 1990. Çrregullimet mendore dhe emocionale janë pjesë e realitetit të përditshëm, e megjithatë kjo sferë e sëmundjeve mbetet më pak e njohur dhe e pranuar dhe më e stigmatizuar nga shoqëria. Ky është edhe një faktor i rëndësishëm i neglizhencës së trajtimit të tyre që çon në mënyrë të pashmangshme drejt vetëvrasjes.

Shkaqet ekonomike: Papunësia është një faktor madhor që, përveç nevojës ekonomike, krijon tek individi ndjenjën e të qenit i pavlefshëm. Përveç papunësisë së regjistruar ka një numër të madh personash që, ose kanë humbur besimin tek sistemi. Studimi ndërmjet manaxherëve të shëndetit, personelit mjekësor dhe përfaqësuesve të familjeve tregoi se shkaku kryesor për çrregullimin e shëndetit.

Shkaqet shoqërore: Kriza e identitetit, veçanërisht mosha rinore, konfliktet në familje, stresi, konfliktet ndër personale. Një aspekt tjetër i arsyeve që çojnë në vetëvrasje, janë edhe shkaqet sociale, ku faktor madhor është kriza e identitetit, që është pasojë e mungesës së pikave të referimit. Në dhjetë vjeçarin e fundit, si në të gjitha fusha, edhe familja pësoi ndryshime në strukturën e saj. U rrit shumë numri i divorceve dhe kjo bëri që të rritej numri i familjeve me një prind. Ndonëse nuk ka të dhëna të qarta, familjet me një prind të vetëm, si pasojë e vdekjes së prindit tjetër, përbën pjesën dominuese. Nga disa studime të pjesshme, tregohet se gratë drejtojnë 80% të familjeve me një prind.  Dhe ky është një faktor madhor stresi që shpesh mund të ketë pasoja dramatike si vetëvrasja.

Varësia alkooli, drogat, medikamentet: Sipas disa studimeve mendohet që në Shqipëri, numri i përdoruesve të drogës e kalon numrin 20 000. Ndërkohë që përdorimi i alkoolit mbetet një problem i dukshëm dhe është llogaritur se abuzimi me të i kushton vendit rreth 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Këto substanca modifikojnë perceptimin e realitetit. Duke marrë parasysh specifikat e zhvillimit psikik në adoleshencë, alkooli përbën rrezik të madh në stabilizimin e psikikës. Dukuria e përdorimit të alkoolit është më e shpeshtë tek meshkujt adultë. Një studim i fundit, i kryer nga ISHP, tregoi se prevalenca e përdorimit të alkoolit në qytetin e Tiranës, ndërmjet popullatës adulte ish 22% dhe prevalenca ndërmjet meshkujve ishte 10 herë më e lartë se tek femrat. Përdorimi i rregullt i alkoolit dhe drogave çon në varësi fizike dhe psikike dhe në momente depresive, kjo varësi e çon individin në vetëvrasje.

Rastet e vetëvrasjes nga prilli deri në 15 maj

Muaj prill ka qenë një muaj i cili ka pasur më shumë raste të vetëvrasjes, duke e krahasuar me muajt e tjerë të fillim vitit. Duke ju referuar deklaratave të Policisë kemi bërë një përmbledhje të të gjitha rasteve, me shkaqet dhe rrethanat që kanë ndodhur.

Vetëvritet 18 vjeçari në burg

Një ngjarje e rënda ka ndodhur në burgun e Shën Kollit, ku një 18 vjeçar i cili ishte duke vuajtur dënimin, ka vendosur që ti japë fund jetës. Një ditë pasi i dha fund jetës në paraburgimin e burgut të Shënkollit duke u vetë helmuar, shkak që nuk është zyrtarizuar ende. Por familja nuk është e bindur më shkaqet e vdekjes, ku gjatë një prononcimi njerku i të riut, Ardian Korra shprehet se kishte folur me djalin pak orë përpara se ai të merrte aktin ekstrem dhe nuk kishte shfaqur asnjë problem. Ndër të tjera ai shprehet se dyshojnë se 18-vjeçari është vrarë pasi ka dëmtime në kokë dhe djali nuk do varroset pa u zbardhur e vërteta. Ndërkohë nëna e Albi Lukës kërkoi zbardhjen e të vërtetës, pasi sipas saj në raportin mjeko ligjor shkaqet e vdekjes janë të panjohura. Edhe pse u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Lezhës, bluzat e bardha thanë se 18-vjeçari ka mbërritur pa shenja jete në spital. Viktima ishte arrestuar një muaj më parë dhe mbahej në paraburgim. Ende nuk dihen arsyet që e shtynë të riun drejt aktit të vetëflijimit, ndërkohë policia po vijon hetimet për ngjarjen.

Vetëvaret në kasolle i moshuar

Një 60-vjeçar nga fshati Hamil në Fier i ka dhënë fund jetës. Nga policia bëhet me dije se 60-vjeçari R.H., është gjetur i vetëvarur në kasollen pranë banesës. Kanë qenë familjarët e të moshuarit ata që kanë konstatuar vdekjen e tij dhe më pas kanë lajmëruar policinë. Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor dhe nga eksperti mjeko ligjor dyshohet se vdekja e 60-vjeçarit është shkaktuar si pasojë e vetëvarjes në litar. Eksperti mjeko-ligjor gjatë këqyrjes së trupit të viktimës nuk ka konstatuar asnjë shenjë dhune apo dëmtim tjetër përveç atyre të shkaktuara nga vetëvarja në litar. Policia dhe grupi hetimor në vendngjarje po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes tragjike. Materialet për rastin u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për vlerësim. Ende nuk dihen shkaqet që e çuan 60 vjeçarin drejt vetëvarjes në litar.

63 vjeçari shkon në varreza dhe pret damarët

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në varrezat e Tufinës ku një 63-vjeçar ka tentuar t’i japë fund jetës duke prerë damarët. Sipas informacioneve 63-vjeçari nga Tirana me iniciale SH.K. ka shkuar tek varri i së bijës në Tufinë dhe në gjendje të rënduar psikologjike ka prerë damarët e dorës. Sipas të dhënave burri kishte konsumuar edhe alkool dhe në gjendje depresive ka vendosur t’i japë fund jetës. Ai është gjetur nga kalimtarë pothuajse pa shenja jete dhe i mbuluar nga gjaku, por është transportuar me urgjencë në spital dhe pas kujdesit të mjekëve mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Mësohet se vajza e 63-vjeçarit është ndarë nga jeta në moshën 19-vjeçare, gjë e cila ka sjellë gjendjen e rënduar tek ai. Në dhomën e spitalit ku ndodhet, ai ka deklaruar për policinë se donte të bashkohej me vajzën ndaj kishte prerë damarët. “Doja që të bashkohesha me vajzën dhe prindërit sepse jeta ime nuk ka asnjë kuptim pa ata”, mësohet të ketë thënë përpara policisë, 63-vjeçari. Materialet hetimore të policisë iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.

Hidhet nga kati i dytë i spitalit

Një 63-vjeçar nga Përmeti i dha fund jetës në mënyrë tragjike duke u hedhur nga dritarja e dhomës në spitalin rajonal “Omer Nishani”, në Gjirokastër. Dëshmitarët në vendngjarje, të cilët kanë parë gjithë skenën e tmerrshme janë shprehur se i ndjeri ndodhej i shtruar në spital në pritje për tu operuar nga hevia diskale prej disa ditësh, ndërsa operacioni i tij ishte shtyrë për shkak të mungesës së anestezistëve. Momentin që vendosi të kryente vetëvrasjen duke u hedhur nga ballkoni i dhomës, Gëzim Malkaj ka ngritur zërin disa herë dhe ankohej për dhimbje të mëdha në zonën e poshtme në rrëzë të kofshës dhe kërkonte që të ndërhyhej sa më shpejt. Pas një situate shumë të rënduar dhe depresionit të madh mendor, Gëzimi, është dëgjuar të thotë: “Unë po shkoj se vetëm kështu do më pushojnë dhimbjet”. Këto fjalë mësohet të ketë thënë viktima në momentin e hedhjes, sipas dëshmitarëve.  Shokët e dhomës kanë nxituar të ndalojnë aktin e Gëzimit por e kanë pasur të kotë pasi 63 vjecari, ka kapërcyer kangjellat e hekurta të ballkonit të dhomës ku akomodohej dhe u hodh poshtë me kokë. Familjarët e të ndjerit, mësohet se direkt pas ngjarjes, kanë tërhequr dosjen mjekësore të Malkajt me pretendimin se do ta bënin problem shkakun që solli vdekjen e njeriut të tyre. Atij i është komunikuar para dy ditësh se do të hynte në sallën e operacionit mëngjesin e të martës pasi e hëna si pushim nuk do të kryheshin operacione të planifikuara. Policia e Gjirokastrës ka shkuar në vendngjarje dhe ka marrë në pyetje pacientët e dhomës ku akomodohej viktima, por edhe kirurgët e spitalit. Sipas grupit hetimor, vdekja ka ardhur si pasojë e hedhjes nga ballkoni me lartësi 13 metra në kushtet e depresionit mendor.

Tenton të vetëvritet një 59 vjeçar në Pogradec

Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri, në qytetin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të liqenit të Pogradecit, ku 59-vjecari me inicialet V.F mësohet se është vetëplagosur me një pistoletë.  Menjëherë drejt vendit të ngjarjes, në lagjen numër 1, u nis një auto-ambulancë dhe pas mjekimeve paraprake, i lënduari u nis drejt Tiranës për mjekim të specializuar.  Ndërkohë, policia sekuestroi në vendin e ngjarjes pistoletën, “Mini-Zastava”, si dhe dy gëzhoja plumbi. Më pas nga polica mësohet se i plagosuri kishte lënë dhe një letër lamtumire. Ai thotë se vendimin e ka marrë vetë dhe se nuk ka faj familja e tij. Në fund 59-vjeçari i kërkon falje familjes. “Prej kohësh gjendja ime psikologjike nuk më le të jetoj i qetë. Jam shumë i rënduar dhe më mirë të shkoj në botën tjetër sepse po bëhem barrë për të gjithë! Kur të lexoni letrën s’dua të fajësoni askënd! As familjen time as fëmijët e mi! Ata nuk kanë faj për asgjë! Kam vendosur vet dhe fajtori jam unë! Më falni për çdo shqetësim familja ime e shenjtë! Më falni për këtë që po i bëj edhe vetes por është më e mira për mua!”, thuhej në letrën e lamtumirës.

Efektivja e policisë vret veten me armën e shërbimit

Ngjarja më e rëndë e këtij muaj ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku një efektive ka vrarë vetën në shkaqe ende të paqarta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Katund Sukth, ku 23-vjeçarja me iniciale P.SH. është vetëvrarë me armën e shërbimit. Sipas policisë, rreth orës 12: 30, në Katund Sukth, në banesë është vetëvrarë me armën e shërbimit shtetësia P. Sh. 23 vjeçe, Punonjëse Policie në Komisariatin e Policisë Durrës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor po kryen veprimet e mëtejshme procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shkaqet. Nga hetimet mësohet se oficerja e policisë Peranxhela Shahini i dha fund jetës vetëm me një të shtënë pistolete në bark, për arsye ende të panjohura, ndërsa ngjarja përveç familjarëve ka lënë të shokuara edhe koleget e saj. Kolegët thonë se do ta kenë të vështirë t’i japin lamtumirën në këtë formë një vajze shembullore si Peranxhela. Ngjarja fillimisht u raportua si aksident, por kur dy ambulanca shkuan në vendngjarje në shtratin ku shtrihej Peranxhela ndodhej edhe mjeku i Sukthit, i cili ishte thirrur nga familjarët për t’i dhënë ndihmën e parë 23-vjeçares, ndonëse e gjeti të vdekur. Kjo ngjarje e rëndë tronditi jo vetëm qytetin e Durrësit dhe efektivët e tjerë të policisë që e njihnin, por gjithë opinionin publik, pasi vetëvrasja u bë në një mënyrë shumë të rëndë. 23 vjeçarja vrau veten me armën e shërbimit, dhe kjo e ka bërë më të rëndë këtë ngjarje. Nga hetimet sipas policisë mësohet se ngjarja e rëndë ka ardhur pas ndarjes së të ndjerës nga i fejuari.

Vret veten me armë gjahu

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Elbasan, ku një 69-vjeçar i ka dhënë fund jetës me armë gjahu. Sipas të dhënave të para, mësohet se ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji”. Sipas policisë, shtetasi Petrit Zenuni në kushtet e depresionit nervor është vetëplagosur me armë gjahu “Teke” në banesën e tij. Ai është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan, por më pas ka ndërruar jetë. Arma e gjahut u sekuestrua nga grupi hetimor në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

 

Loading...

Lini nje pergjigje