Klajda Gjosha: Shqipëria mbi interesat e Partisë, ky është leksioni i Ilir Metës

0

LSI i ka besuar asaj kreu e listës së kandidatëve për Deputet në Tiranë, në kuadër të zgjedhjeve të 18 Qershorit. Po flasim për Ministren Klajda Gjosha e cila në një intervistë për 360grade.al tha se udhërrëfyesi i një politikani duhet të jetë interesi i vendit dhe në këtë moment që po jeton Shqipëria, interesi është integrimi i plotë në BE. Gjosha, u shpreh se LSI është zgjedhja më e mirë që mund të bëjnë shqiptarët, është alternativa që i mbron interesat e vendit, duke i vendosur ato mbi interesat e ngushta partiake.

Ja intervista e saj e plotë:

1. Cili është objektivi elektoralë i LSI ?

Jam e bindur se LSI është alternativa që i duhet sot shqiptarëve dhe sigurisht që objektivi ynë, por edhe i çdo partie politike është gjithmonë është të dalë forcë e parë. Kur ne e artikuluam këtë objektiv publikisht, natyrisht pati skepticizëm në fillim, por me lejoni t’ju garantoj se LSI është një forcë politike e cila po rritet me ritme të pandalshme, falë programit që ka, mundësisë që ofron për qytetarët dhe mbi të gjitha, falë frymës që përcjell. LSI i jep shpresë shqiptarëve, ofron dialog, qëndrueshmëri dhe konstruktivitet. Dy nga shtyllat morale mbi të cilat është themeluar LSI janë :mirënjohja dhe fjala e mbajtur. Gjatë gjithë këtyre viteve LSI e ka treguar me vepra se për asnjë çast nuk ka dalë jashtë kornizave të këtyre vlerave. Unë nuk dua të vendos targete se sa deputetë do marrim, ajo është çështje numrash. E rëndësishme është që qytetari të kuptojë platformën e LSI-së ta mbështesë atë dhe në fund fare ta tregojë këtë me votë sepse është vota e tij që më pas do të përkthehet në numra deputetësh në Kuvendin e Shqipërisë. Por mbetem e sigurt se LSI do të surprizojë sërish me rezultatin e saj.

2. Si e shikoni LSI-ne pa Ilir Metën dhe me Petrit Vasilin në krye?
Ilir Meta është themeluesi i LSI dhe bashkë me një numër të vogël bashkëpunëtorësh, themeloi një parti të re, në një kohë kur dyshimi se kjo parti do të mund të rritej, ishte maksimal. Sot kemi një LSI që rritet çdo ditë, një LSI që ka treguar se ofron stabilitet dhe vë interesat e vendit mbi interesat personale. Kjo është fryma e Ilir Metës, i cili nuk ngriti një parti ku gjithcka sillet tek individi, por tek fryma e ekipit, e të punuarit në grup. LSI është një familje e madhe dhe unë besoj se me Petrit Vasilin në krye do të vazhdojë të ndjekë të njëjtën rrugë. Petrit Vasili është një figurë me kontribute të jashtëzakonshme ne LSI i cili tashmë në krye të saj, do ta bëjë LSI-në më të fortë.

3. Çfarë pritshmërisë ka LSI për Tiranën ?
Më lejoni të them se jam e nderuar që së bashku me mua është një ekip i LSI, me shumë të rinj dhe të reja. Është diçka për tu vlerësuar që në listat e kryeqytetit një parti politike vjen me një përfaqësi të një grupi të mirëarsimuar që i ofrohen politikës. Pritshmëritë tona janë që qytetarët e Tiranës, të cilët ashtu siç edhe të gjithë Shqipërisë, të lodhur nga politika e vjetër konfliktuale, ti besojnë kësaj alternative të re, e cila përfaqësohet nga të rinj, të cilët duan vendin e tyre,kanë dëshirë të kontribuojnë për të ardhmen pa bërë kompromise për hir të pushtetit.

e sakte 1

4. Ju kryesoni një grup të rinjsh të cilët e shohin politikën si një rrugë për të ndryshuar vendin, cili është mesazhi juaj në këtë drejtim?
LSI është ajo forcë politike që i jep mundësi të rinjve. Askush më mirë sesa ata, nuk mund të ketë vizionin për të garantuar një të ardhme më të mirë për vendin. Të rinjtë kanë energjinë, dijen për të parë larg, atje ku Shqipëria projektohet si një vend me standarde të larta dhe mirëqenie për qytetarët. Sot flitet edhe për eksperiencën e cila është e nevojshme, padyshim. Por kjo eksperiencë nuk mund të fitohet nëse nuk i japim të rinjve një mundësi, nuk i provojmë apo nuk i motivojmë për t’u bërë pjesë e politikës.

5. A do jetë Tirana lokomotiva e parë e një fitoreje të madhe të LSI në të gjithë vendin, duke u kthyer në forcën politike të rinjve dhe të rejave shqiptare?
Tirana është gjithnjë lokomotiva, sepse në Tiranë jeton gati 1/3 e popullsisë dhe natyrisht numri i të rinjve dhe të rejave të arsimuar, me ambicie pozitive për të ecur përpara është shumë i jashtëzakonshëm. Unë e shoh në takimet e përditshme që kam me ta. Rinia jonë është për t’u admiruar për forcën që tregon. Rinia jonë është e palodhur dhe meriton mbështetje, frymëzim dhe alternativë.

6- Cili pritet të jetë roli i LSI në legjislaturën e re, pas zgjedhjeve të 18 Qershorit?
Kjo do të varët nga votat që LSI do të marrë. Janë qytetarët që përcaktojnë rolin e LSI dhe do ta tregojnë këtë në 18 qershor.

7. Integrimi i vendit ne BE është prioritet kyç i forcës suaj politike, sa e pengon situata aktuale vijueshmërinë e Integrimit

Situata aktuale është një pengesë e madhe për procesin e integrimit. Ky proces para së gjithashtu do të thotë konsolidim i demokracisë në vend, forcim i shtetit të së drejtës. Nëse këto dy parime udhëheqëse vihen në dyshim atëherë natyrshëm procesi i integrimit nuk merr shtysën e duhur, që në fakt qytetarët dhe Shqipëria meritojnë për të ecur përpara më këtë përpjekje shumë vjeçare për ta parë vendin pjesë e BE. Unë e kam thënë vazhdimisht se kërkohet vullnet dhe përgjegjshmëri politike. Integrimi nuk ka ngjyra partiake, por çdo veprim apo akt I papërgjegjshëm politik ndikon drejtpërdrejt tek ai.

e sakte 2

8. Nëse do kishim një datë për çeljen e negociatave dhe për integrimin e vendit, cila do të ishte ajo?
Çelja e negociatave është hapi i radhës me procesin tonë të integrimit, por askush aq më pak në këto moment nuk mund të përcaktojë një datë. Kusht i panegociushëm mbetet gjithnjë Vettingu dhe nëse ai do të votohet, muaji nëntor do të mund të ishte sërish një muaj i cili do t’i ofronte Shqipërisë një raport të dytë për t’i dhënë edhe njëherë mundësi për çeljen e negociatave në muajin dhjetor,pra në mbledhjen e Këshillit. Si fillim është domosdoshmëri të miratohet ngritja e komisionit dhe fillimi i punës së këtij komisioni. Ky do të ishte sinjali më i mirë që ne do t’u jepnim partnerëve tanë ndërkombëtarë.

9. Sa të rrezikuara janë zgjedhjet me Ramën kryeministër? Si e vlerësoni, do zhvillohen këto zgjedhje? Nëse po, do kemi prap zgjedhje të tjera apo do vijoi normalisht jeta kuvendore?
Mua dhe gjithë shqiptarëve na intereson që të ketë zgjedhje të lira, me standarde, zgjedhje të cilat janë një e drejtë legjitime e qytetarëve që të vendosin me votën e tyre se kush do t’i drejtojë. Personalisht mendoj se Shqipëria duhet ta kishte tejkaluar me kohë, pyetjen nëse rrezikohen standardet e zgjedhjeve. Ne sot duhet të ishim të gjithë me platforma reale për të ardhmen e vendit, duke u ofruar qytetarëve shqiptarë mundësi të reja për më shumë punësim, arsim cilësor, vende pune. Shpresoj deri në moment të fundit që të ketë dialog dhe të gjehet një zgjidhje me opozitën, pasi opozita është institucion që përfaqëson mijra qytetarë të cilët gjithashtu duhet të kenë të drejtën e tyre për të votuar. Kjo është çështje përgjegjësie e saj. Megjithatë në kushtet kur do të shkohet në zgjedhje pa opozitën, si Ministre e Integrimit, si qytetare e këtij vendi, nuk mund të mohoj se më shqetëson legjitimiteti i institucioneve pas tyre./360grade.al

Lini nje pergjigje