Skandali/ Në tre muaj fryhet 21% koncesioni i laboratorëve të Shendetësisë

0
267

 

Ervin Kaduku

Një tjetër skandal troket në derën e Ilir Beqajt dhe Edi Ramës. Sipas statistikave të Financave, Ministria e Shëndetësisë i kishte kërkuar Ministrisë së Financave, në kuadër të diskutimeve për buxhetin 2017, që të llogariste një shumë prej 10.7 miliardë lekësh si shpenzime që do të shtriheshin për një periudhë 10-vjeçare ndaj koncesionit të ri të shërbimit laboratorik. Ministria e Financave e raportoi këtë shumë në Kuvend, si pjesë e shpenzimeve buxhetore duke detajuar se për vitin e parë të koncesionit (2017) do të paguheshin rreth 1 miliard lekë (7.8 milionë euro). Përllogaritjet u bënë në kohën kur tenderi për gjetjen e kompanisë që do të menaxhonte laboratorët nëpërmjet financimit publik ishte në procedura.

Por çfarë ndodh më pas?

Fituesi u shpall më datën 24 prill 2017 dhe shuma e ofruar ndaj tij kundrejt shërbimit rezultoi 13 miliardë lekë, ose 21% më shumë se sa planifikoi qeveria për të shpenzuar për këtë koncesion në fund të vitit të kaluar. Me këtë vlerë, koncesioni i laboratorëve është më i shtrenjti i dhënë deri më tani nga qeveritë shqiptare ndër vite dhe sigurisht më i kushtueshmi në sektorin e shëndetësisë.

Ish- zyrtarë të Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (sot Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor) thonë se kjo politikë e ndjekur nga qeveria për koncesionet ka dëmtuar rëndë funksionimin e qendrave spitalore, pasi u ka hequr atyre një nga shërbimet bazë. Partneriteti Publik Privat ka funksionuar për shërbime mbështetëse të spitaleve, si pastrimi dhe ushqimi, por nuk sugjerohet për funksionet themelore spitalore.

Tjetër koncesion

Ndërkohë, nuk kanë të reshtur koncesionet. Kompania INFOSOFT SYSTEMS sh.p.k. sapo u përzgjodh nga Agjencia e Prokurimeve Publike si fitues për krijimin e regjistrit elektronik mjekësor kundrejt një shumë prej 57 milionë lekësh (mbi 400 mijë euro), nga 66 milionë lekë që vuri në dispozicion Ministria e Shëndetësisë në garë. INFOSOFT do të realizojë projektin për sistemin e mbledhjes dhe raportimit të informacionit shëndetësor të regjistrave mjekësore për katër muaj, por Ministria e Shëndetësisë në projektstrategjinë 2016-2020 ka planifikuar që administrimi i këtij regjistri të bëhet me Partneritet Publik Privat. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit morën në konsideratë çmimin e ulët dhe ofertën ekonomikisht më të favorshme. Koncesionet me Partneritet Publik Privat janë vënë në themel të politikave shëndetësore. Koncesionet e shërbimit laboratorik, monitorimit online të barnave, monitorimit online të recetave dhe regjistri elektronik i rekordeve shëndetësore do të nisin punë këtë vit. Në Strategjinë e Shëndetësisë 2017-2020, ku bëhet e ditur se përveç implementimit të Checkup-ëve për popullatën e grupmoshës 40-65 vjeç, Partneriteti Publik-Privat do të shtrihet drejt programeve dhe shërbimeve madhore shëndetësore, si për shembull instrumenteve kirurgjikalë; dializa; paketa e trajtimit të SJT; shërbimeve laboratorike; mbetjeve spitalore, etj.

Gjithashtu Partneriteti Publik-Privat do të përfshijë edhe monitorimin online të barnave dhe të dhënave shëndetësore. Regjistri Elektronik i Rekordeve Shëndetësore (Electronic Health Record (EHR) që do të funksionojë nga ky vit e në vazhdim. Ky regjistër do të jetë një portal mbi historikun e pacientit nga informacioni i sistemeve që Fondi disponon. Do të krijohet një databazë shëndetësore për çdo pacient dhe është parashikuar të administrohet nëpërmjet formës me Partneritet Publik-Privat.

Ku shkojnë paratë?

Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione për 10 vitet në vijim. Por nëse kjo shumë do të investohej në shërbimet e sektorit publik, padyshim që Shqipëria do të kishte shërbimet mjekësore më të mira në rajon dhe njësoj si në vendet e zhvilluara. Një ish-ministër shëndetësie, në kushtet e anonimatit, tha se me këtë shumë, vendi do të kishte të paktën 5 qendra të mëdha spitalore dhe do të plotësonte të gjitha nevojat e shërbimit parësor me pajisje mjekësore si laboratorë, eko, skanerë etj.

Gjithë pesha e shtetit rilindas bie në kurriz të biznesit??

Biznesi dhe familjet janë gjithmonë të ndjeshme sa herë që flitet për çmimin e energjisë. Varësia nga situata hidrike, të paktën për Shqipërinë rrit pasigurinë, por viti 2016 ashtu sikurse u mbyll me bilanc pozitiv për operatorët, ka rezultuar pozitiv edhe për konsumatorët. Kuptohet jo për të gjithë.

Enti Rregullator i Energjisë ka bërë një krahasim të tarifës së energjisë për konsumatorët familjarë gjatë vitit 2016 duke e parë këtë në raport me rajonin. Këtu lajmi është i mirë.

 

Shqipëria rezulton me një çmim mesatar prej 7 cent/këh pak a shumë i njëjti nivel që ka Maqedonia, ndërkohë që Bosnjë Hercegovina vjen e treta në listë me 7.3 cent kurse Bullgaria 7.7 cent. Rekordin e mban Kroacia me 10.7 cent për kilovat/orë. Por nga ana tjetër biznesi shqiptar nuk duhet të jetë dhe aq i kënaqur kur sheh se mesatarja e çmimit të energjisë për të është më lart se bizneset e rajonit. Çmimi i energjisë sipas llogaritjes së Entit Rregullator rezulton në 9.8 eurocent e njëjtë me Turqinë, por më lart sesa Bullgaria me rreth 9 cent, Bosnjë Hercegovina 6.6 euro cent për kilovat orë. Sigurisht vende të tjera si Kroacia apo Maqedonia kanë paguar më shtrenjt se ne. “Çmimi mesatar për klientët fundorë për vitin 2016 rezultoi 11,19 lekë/këh kundrejt atij të rezultuar për vitin 2015 prej 11.22 lekë/këh, për shkak të realizimit të një strukture të ndryshme nga ai i parashikuar”, vlerëson ERE.

Gjobat

Është ora 9:00 e mbrëmjes. Një pikë shitje fruta-perimesh në zonën e Komunës së Parisit këmbëngul të të japë faturën edhe pse është vonë dhe ajo është duke e mbyllur punën. “Më kanë vënë një gjobë për mosdhënie kuponi prej 100 mijë lekësh”, thotë shitësja, kur e pyesim për këtë nxitim për të dhënë faturën. Ajo thotë se i kishin kapur klientin, që kishte blerë disa limona pa faturë dhe për këtë arsye tatimorët e kishin gjobitur. Biznese të ndryshme kanë raportuar shtim të kontrollit tatimor ditët e fundit, jo vetëm për dhënien e faturës, por edhe për përdorimin e kasës. Edhe hetimi tatimor është vënë në lëvizje. “Një subjekti i erdhi hetimi tatimor, pasi kishte marrë informacion nga kompania e kasave për mospërdorim të kasës”, thotë Majlinda, ekonomiste, e cila shton se subjektit në fjalë me ligj nuk i takon të përdorë kasë fiskale, por e bleu në valën e aksionit antiinformalitet gati dy vjet më parë. Tashmë Tatimet po kërkojnë llogari për mospërdorimin, por dhe moskolaudimin vjetor të kasës, i cili kushton 11 mijë lekë.

Burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve sqarojnë se të gjitha pajisjet fiskale janë të lidhura në sistem dhe informacionet merren në kohë reale. Nëse gjatë mbylljes së ditës konstatohen se ka pasur periudha kur përmes pajisjes fiskale nuk është marrë informacion, atëherë nisin verifikimet. Hetimi tatimor, sqaron administrata, ka të drejtë të përdorë çdo lloj instrumenti për të përmbushur detyrat, përfshi këtu edhe kryqëzimin e informacioneve që vijnë nga sistemi dhe nga shoqëritë e mirëmbajtjeve të kasave fiskale. Edhe më herët, administrata tatimore ka njoftuar biznesin në  lidhje me detyrimin për mbajtjen e dokumentacionit tatimor dhe konkretisht atij që lidhet me përdorimin e pajisjeve fiskale mbi: “Detyrimin për lëshimin e kuponit tatimor, neni 54 dhe 55 i Ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në RSH” i ndryshuar, sipas të cilit, për çdo transaksion shitje me para në dorë tatimpaguesi detyrohet të lëshojë kuponin tatimor prej pajisjes fiskale, të dhënat e së cilës duhet të transmetohen çdo ditë në sistemin e integruar tatimor. Referuar detyrimit të saj për të siguruar zbatimin me rigorozitet të legjislacionit tatimor në fuqi, administrata tatimore monitoron çdo ditë fluksin e lëshimit të kuponit tatimor, deklarimin e xhiros dhe numrin e transmetimeve për çdo tatimpagues. Nga analiza dhe monitorimi i sistemit elektronik janë evidentuar tatimpaguesit, të cilët ndjeshëm kanë ulur numrin e kuponëve të lëshuar, vlerën e kuponit apo nuk kanë respektuar detyrimin për transmetimin e të dhënave elektronike, duke u bërë kështu objekt seleksionimi për verifikim në vend nga strukturat e zbatimit të hetimit tatimor”, bën të ditur administrata tatimore.

Sipas saj, në çdo rast kur do të konstatohen parregullsi për këtë kategori tatimpaguesish, administrata tatimore do të zbatojë parashikimet e ligjit nr.9920 datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku përveç aplikimit të detyruar të dënimit administrativ, do të kryejë vlerësime alternative për një periudhë tremujore dhe ndryshimin e përgjegjësive tatimore.

Deklarimi i pasurisë, ndryshojnë formularët

Deklarimi i pasurive nga zyrtarët e administratës publike do të bëhet me rregulla të reja.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka miratuar formularët e rinj të deklarimit të interesave private, urdhër i cili është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka marrë fuqi ligjore, duke shfuqizuar kështu urdhrin e vjetër që i përket vitit 2014.

Zyrtarët që kanë detyrim ligjor deklarimin, duhet të plotësojnë formularët e rinj që përmbajnë deklaratën e interesave privatë para fillimit të detyrës; periodik vjetor; pas largimit nga funksioni, si dhe deklaratën e interesave privatë me kërkesë. Formularët në fjalë kërkojnë të dhëna personale të subjektit dhe personave të lidhur, deklarimin e pasurive dhe burimin e krijimit, angazhime në veprimtari private apo publike dhe të ardhurat e krijuara prej tyre, detyrimet financiare ndaj personave juridikë dhe fizikë dhe të dhëna konfidenciale.

Ligji parashikon që në rast të mos deklarimit në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, para fillimit të detyrës, periodik vjetor, pas largimit nga detyra apo me kërkesë, zyrtari ose personi i lidhur me të që mbart detyrim për deklarim, dënohet me gjobë nga 200 mijë në 500 mijë lekë. Nëse nuk plotësohen të gjitha faqet e formularit, deklarata nuk konsiderohet e vlefshme. Deklarimi i rremë apo fshehja e pasurisë përbën vepër penale dhe dënohet sipas legjislacionit në fuqi.  Refuzimi për deklarim nga zyrtari sjell humbjen e funksionit dhe dënimin sipas legjislacionit në fuqi. Deklaratat plotësohen deri në datën 31 Mars të çdo viti.

Tsipras kreditorëve: Topi nuk është më në fushën tonë

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, vijon të kërkojë nga kreditorët masa emergjente për lehtësim të borxhit të vendit, duke deklaruar se, Athina është shumë pranë arritjes së këtij objektivi.

“Ne jemi më pranë se kurrë më parë lehtësimit të borxhit”, deklaroi numri një i ekzekutivit helen, duke shtuar se, për këtë, Greqia është dakordësuar që të ndërmarrë masa shtesë shtrënguese, dhe tani e kanë radhën kreditorët që të mbajnë premtimin e tyre. “Topi nuk është më në fushën tonë”, nënvizoi Alexis Tsipras, duke ironizuar me deklaratat e kreditorëve për këtë çështje ndër vite. Një javë më parë, zyrtarë të larët të Eurozonës, deklaronin në fakt se, i takon Greqisë që të tregojë vullnet në miratimin e reformave, në mënyrë që kreditorët të vijojnë me lehtësimin e borxhit.

 

Athina zyrtare kërkon me çdo kusht, që masat për lehtësimin e borxhit të aprovohen gjatë takimit të radhës së eurogrupit në Bruksel më 22 Maj. Ligjbërësit grek do të votojnë më 18 Maj paketën e re me masa shtrënguese. Qëndrueshmëria e borxhit grek, që mund të arrihet vetëm nëpërmjet masave lehtësuese, është një kusht themelor i Fondit Monetar Ndërkombëtar për t’u përfshirë në program, por edhe e Bankës Qendrore Europiane për të përfshirë Greqinë në programin e shit-blerjes së titujve.

Sa i përket përfshirjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë program, ministri sllovak i financave deklaroi së fundmi se institucioni do të bëhet pjesë e bordit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here