Floida Kërpaçi: LSI është partia e të rinjve, më 18 qershor dalim forcë e parë

0
150

Floida Kërpaçi vjen në fushatë elektorale me energji të reja. Kryetarja e LRI-së rrëfen në këtë intervistë se alternativa e LSI-së, por edhe e saja në këto zgjedhje është rinia, dhe një program gjithëpërfshirës për ta. Me synimin se LSI-ja do të dalë forcë e parë, Floida shprehet se tashmë që Ilir Meta është president, stabiliteti i vendit do prevalojë mbi ngërçin politik. Me kritika ka parë edhe reformën në arsim, duke thënë se kjo reformë nuk ka krijuar efektet e dëshiruara, duke krijuar pasiguri në shoqëri.

 

Floida në listat e LSI-së për Tiranën; si e parashikoni fushatën?

LSI-ja në këtë fushatë zgjedhore nuk synon thjesht suksesin e saj, ai është i padiskutuar, sepse unë e shoh te përkushtimi i anëtarëve tanë si dhe te mendja e hapur dhe gatishmëria e të rinjve për t’u bashkuar me ne. Por në këto zgjedhje synojmë të krijojmë në Shqipëri një ndryshim rrënjësor të sjelljes dhe marrëdhënies së politikës me qytetarët, me njerëzit e thjeshtë që kërkojnë nga politika të jetë më njerëzore dhe t’i ndihmojë për një jetë më të mirë. Alternativa e LSI-së në këto zgjedhje është rinia dhe programi ynë politik për të krijuar një shans për të gjithë.

Mbajtja e fjalës së dhënë, kujdesi për njerëzit e thjeshtë, mirënjohja dhe besnikëria ndaj atyre që beson. Gjithashtu, nga shtimi me ritme të mëdha të anëtarësisë kemi në radhët tona njerëz me potenciale të larta, me profile të larta profesionale, njerëz me reputacion dhe të nderuar në komunitetet ku jetojnë. Kemi një program realist, që synon të përmirësojë jetesën në Shqipëri, të përmirësojë cilësinë e arsimit, të krijojë punësim të mirëpaguar që shqiptarët të kenë mundësi të përballojnë kostot e jetesës. Ne synojmë të krijojmë një shans për të gjithë e, mbi të gjitha, për rininë.

U bëtë kohë në politikë, me të rinjtë; a e prisnit të ishit e treta në listat e LSI-së?

LSI-ja është partia e të rinjve dhe e shanseve të mëdha të rinisë. Unë u jam shumë e nderuar dhe mirënjohëse anëtarësisë dhe Kryesisë së LSI-së për besimin, por akoma dhe më shumë ndihem në detyrim për përkushtim akoma edhe më të madh ndaj gjithë të rinjve të Tiranës, për të gjitha ato probleme që veshi i shurdhët dhe arroganca verbuese e politikanëve i injoron.

Një sërë emrash të rinjsh në listat e LSI-së; a mendoni se jeni të gatshëm të bëheni pjesë e parlamentit?

Në vitin 2013 u shkaktua jo pak zhurmë kur LSI-ja i shtoi parlamentit shqiptar prezencën, zërin dhe vizionin e 2 vajzave të reja, Kejdi – që është deputetja më e re në moshë e parlamentit, dhe Silva – një juriste profesioniste, të dyja persona me vlera të jashtëzakonshme në angazhimin e tyre politik. Shembulli që kanë dhënë në parlament, kontributi i tyre për mbrojtjen e kauzave të rinisë me vullnet të palodhshëm dhe me argumente të thelluara, ka ndikuar në forcimin e besimit të LSI-së se më shumë të rinj duhen futur në parlament, për të mbrojtur jo vetëm programin politik të LSI-së, por edhe për të punuar për brezin e ri, për fëmijët e familjeve shqiptare dhe sfidat e tyre. Ne po punojmë fort, kemi krijuar për rininë dy manifeste politike; programin tonë për arsimin – Edukim Cilësor për Familje të Shëndetshme, dhe Planin për Punësimin e Rinisë.

Me këto programe politike synojmë të ringremë në themel arsimin, si investimi madhor e më i mirë që mund të bëjë politika shqiptare për të edukuar siç duhet të rinjtë që të bëhen të aftë për të nesërmen që i pret, si dhe krijimi i më shumë hapësirave për vende pune dhe paga më të larta që rinia të ketë shanset të integrohet.

Ne jemi të gatshëm, sepse jemi të bindur se më mirë se të rinjtë nuk e përfaqëson askush brezin tonë. Politikanët aktualë janë tepër të zënë për t’u grindur me njëri-tjetrin apo për çështje “të mëdha” dhe për rininë nuk u vjen ndër mend. Ndaj rinia do e marrë vetë në dorë fatin e saj. Përditë përgjatë Shqipërisë rinia po i bashkohet LSI-së. Ata nuk na bashkohen neve thjesht për të qenë pjesë e një partie, por janë të motivuar, janë të motivuar për të qenë pjesë e ndryshimit! Dhe motivimi i tyre, përkushtimi ynë dhe lidhja e fortë e besimit të LSI-së me qytetarët do sjellë pas 18 qershorit një politikë që do mendojë kryesisht për brezin e ri si ta vendosë qeverinë e Shqipërisë në shërbim të së ardhmes.

Si e ka parë LRI-ja, por edhe vetë Floida, zgjedhjen e Ilir Metës president?

Liderët duhet të drejtojnë! Kjo është ajo që shohim ne. Ilir Meta president është siguria e brezit tonë që Shqipëria të jetë më e qëndrueshme e paqësore. Unë jam më e qetë me Ilir Metën president, kam marrë qindra mesazhe nga njerëz të panjohur që më thonë “faleminderit shumë”; ne ndihemi më të qetë me Metën president. Kohëra të vështira këto për Shqipërinë, Ballkanin; Ilir Meta president është siguria se interesi i vendit dhe stabiliteti i tij do prevalojnë mbi konfliktin pa limit që po degradon politikën e institucionet.

A e dobëson kjo LSI-në?

E sqarova më sipër: LSI-ja është një parti që e mban fjalën, që ka një marrëdhënie të fortë besimi me njerëzit dhe votuesit që mbështesin vizionin tonë. LSI-ja ka forume të mirëorganizuara në të gjithë vendin. LSI-ja sot ekziston në çdo familje shqiptare. Ne jemi krenarë që Ilir Meta do të jetë Presidenti i Shqipërisë dhe jemi të sigurt se LSI-ja me Petrit Vasilin në krye do të jetë forcë e parë në 18 qershor.

Ndërkaq, të shumta janë pretendimet se Petrit Vasili do të bëhet kryeministër pas 18 qershorit; a mendoni edhe ju të njëjtën gjë?

Vasili është kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne kemi një pretendim të justifikuar për Kryeministrinë nisur nga ambicia jonë për të dalë forcë e parë. Ne jemi gati të drejtojmë sepse njerëzit duan këtë gjë. Emri i z. Vasili lidhet me faktin që ai është kryetari i partisë, dhe unë mendoj që bashkë me z. Meta na kanë bashkudhëhequr në suksese e sfida të mëdha. Ashtu me maturinë dhe dëshirën e mirë për të bërë më shumë për njerëzit e thjeshtë (kjo nga fakti që është edhe doktor), ai do mund ta drejtojë Shqipërinë jo vetëm me përgjegjshmëri, por edhe humanizëm.

Jeni dakord për një koalicion me PS-në pas zgjedhjeve?

Synimi ynë është LSI-ja forcë e parë! Pas zgjedhjeve, do respektojmë verdiktin e qytetarëve.

Mendoni se Edi Rama nuk është kryeministri i duhur për Shqipërinë?

Unë besoj se nëse z. Rama do të ishte më tolerant e bashkëpunues, do të kishim një situatë më të qëndrueshme politike dhe institucionale në vend. Vendi ka nevojë për reforma, dhe janë bërë disa reforma të rëndësishme, por konflikti politik po kërcënon rezultatet e reformave.

Cilat janë reformat që më së tepërmi gjykoni, apo punët e mbetura “pezull”?

Reforma në arsim, nuk ka krijuar efektet e dëshiruara, por ka krijuar një pasiguri të madhe shoqërore te të rinjtë dhe te prindërit e këtyre të rinjve. Ka edhe plot punë të tjera që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme, por kjo e arsimit më vret më shumë sepse, jo vetëm e kam ndjekur nga afër, por edhe kam ndjerë ankthin dhe stresin e të gjithë atyre që u prekën nga ky ndryshim i beftë e jo shumë transparent.

Si e ka parë Floida çadrën e opozitës si një formë proteste… jeni dakord me opozitën kur kërkon një qeveri teknike?

LSI-ja e ka bërë të qartë se është për çdo zgjidhje politike që jep besim për zgjedhje të lira e të barabarta. Edhe para 2 ditësh, kryetari i ri, z. Petrit Vasili rikonfirmoi se LSI-ja është gati të bëjë çdo sakrificë nga pushteti i saj për t’i shërbyer një zgjidhjeje. Shmangia e zgjedhjeve të Kavajës ishte pozitive edhe pse mund të ishte bërë më parë. Por kryesore është të gjendet një zgjidhje për përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e ardhshme pa shpërdoruar kohën që po rrjedh me shpejtësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here