Standard.al

Zhduket “në drejtim të paditur” defibrilatori i Urgjencës së Tiranës

0

Luan Ajazi, ish-koordinator pranë Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, denoncon në emisionin “STOP” grabitjen e një defibrilatori nga Urgjenca e Tiranës, pasi një denoncim të tillë e ka bërë edhe në polici. Në vitin 2015 pajisja e urgjencës doli pa një fletë shoqëruese, me pretendimin se do të riparohej në Itali. Por nga ky moment nuk u kthye me kurrë dhe kryeinfermieri, drejtori i urgjencës dhe drejtori i QVEC, bëjnë ping-pong me fajin. Drejtori i QVEC dhe kryeinfermieri premtojnë gjetjen e shpejtë të pajisjes ose rimbursimin e saj në vlerën financiare.

“I jam drejtuar emisionit “STOP” për të bërë një denoncim për një qendër, që quhet QVEC, Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile. Denoncimi është për drejtuesin ekzekutiv të kësaj qendre, Nebi Muçaj. Dua të ndalem në një rast flagrant, vjedhja e një defibrilatori që është marrë nga kjo qendër. Kjo pajisje, me vlerë 8000 euro, është marrë nga Urgjenca e Tiranës dhe është përdorur nga ambulanca e QVEC. Për këtë fakt, më datë 17.11.2015, kam bërë një denoncim në prokurori dhe kur është thërritur Nebi Muçaj në prokurori ka pretenduar që këtë aparaturë e ka marrë për ta rregulluar. Më datë 07.03.2016, po për këtë aparaturë kam bërë një denoncim dhe në flagrancë policia e ka marrë nga ambulanca dhe e ka rikthyer në urgjencën e Tiranës. Përsëri i njëjti motivacion, e njëjta përgjigje, e kemi marrë për ta rregulluar. Përsëri Nebi Muçaj e mori nga urgjenca e Tiranës në ambulancën e tij dhe çuditërisht ky parat vidhet nga ambulanca e QVEC. I akuzuari jam unë!”

Luan Ajazi shprehet se është akuzuar nga Nebi Muçaj për vjedhjen e defibrilatotorit pa asnjë shkak, për të mbuluar pislliqet që ka bërë vetë.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Urgjencës së Tiranës për të komunikuar me drejtorin e saj, Naim Lushën, në lidhje me kallëzimin e bërë nga Luan Ajazi, për daljen e defibrilatorit nga urgjenca në vitin 2015. Ai shprehet se nuk ka informacion për këtë gjë sepse kryeinfermieri Misir Stojku është përgjegjës për bazën materiale.

Në deklaratën e Misir Stojkut thuhet se ambulanca me targë AA452KY është në pronësi të urgjencës dhe se nuk e ka të instaluar këtë aparaturë, pasi ajo ka qenë me defekt dhe është dërguar disa herë nga Drejtori i Urgjencës, për riparim te shtetasi Nebi Muçaj, i cili bën riparimin e tyre.

“Kjo autoambulancë me targë AA452KY nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston në shërbimin e urgjencës. Unë e them me përgjegjësi ligjore që nuk i kam dhënë askujt defibrilator, asnjë pajisje mjekësore me dorën time.”

Kryeinfermieri Misir Stojku, i cili mban edhe inventarin e pajisjeve mjekësore, thotë se është në dijeni të mungesës së një defibrilatori në Urgjencën e Tiranës, pasi ka qenë me defekt dhe ia ka dhënë në mënyrë shoqërore Nebi Muçajt për ta riparuar jashtë shtetit.

“Aktualisht ajo është vjedhur dhe personi në fjalë do të përgjigjet sipas rregullit, ai do mbajë përgjegjësinë e vet, unë timen që ia kam dhënë. Nuk e kam bërë me fletë dalje.”

Gazetarja – A do t’i kthehet Urgjencës së Tiranës ky defibrilator?

“Po, normale që do të zëvendësohet. Do të përgjigjet personi që e ka marrë se ku është pajisja. Në bazë të fjalëve që kam bërë me Nebiun, do të kthehet… do ta gjejë e do të kthehet në destinacionin e duhur.”

Misiri, i pyetur nga gazetarja se çfarë do të ndodhë nëse nuk do të gjendet autori i vjedhjes së ambulancës, thotë se ai dhe Nebi Muçaj do të përgjigjen në vlerë monetare, pra secili për aq sa i takon.

Në një takim të dytë me kryeinfermierin Misir Stojku…

Kryeinfermieri – Unë aktualisht ia kam dhënë filanit, Nebiut, për të ma rregulluar në mënyrë shumë shoqërore, me mirëbesim dhe s’ka shanse të ma hajë llafin sepse atij ia kam dhënë dhe ai do ma japë. Atij ia kanë vjedhur, bos i thashë, unë e dua se o ti  në burg, o unë. Nuk iki nga puna, unë do hyj në burg, ose ti i thashë unë, për një javë- 10 ditë më pati thënë atëherë. Diskutuam prapë me Zilie Feçin, nuk e di a e njeh bashkëshorten e tij. Dhe kjo domethënë tha so na japësh pak kohë. Po i thashë të jap kohë, unë dua, se do bëj inventarin prapë, të gjithë materialet. Dua që defibrilatori të jetë aty se ka shkuar çështja në prokurori, te STOP-i etj, etj.

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me Nebi Muçajn, i cili shprehet se defibrilatorin e ka marrë nga kryeinfermieri për ta riparuar, por ia kanë vjedhur.

Gazetarja – Bëhet fjalë për një defibrilator.

Nebi Muçaj – Po.

Gazetarja – Që është marrë që në vitin 2015 pranë Urgjencës së Tiranës.

Nebi Muçaj – Nga fundi i 2015 ka qenë, diçka e tillë.

Gazetarja – E keni marrë për ta…?

Nebi Muçaj – Për ta riparuar.

Gazetarja – Për ta rregulluar, e keni kthyer pastaj prapë?

Nebi Muçaj – Kjo… unë e mora dhe e çova në Itali, meqënëse këtu nuk kishte mundësi për ta ashtu…

Gazetarja – Nebi, me kë u lidhe kur more këtë pajisje nga Urgjenca e Tiranës? Me drejtorin? Kush ta dha, apo kryeinfermieri?

Nebi Muçaj – Jo, ishte kryeinfermieri, Misir Stojku. Më tha meqë ju punoni merrni… keni mundësi që ashtu… se kshu-kshu, më është përplasur ambulanca, është prishur defibrilatori. E rregullon dot? Po bjere i thash ta shikoj, të flas me ata andej, se unë nuk jam specialist.

Tani kjo është bërë një legjendë e madhe. Na është prishur, mirë i thashë ua marr, po qe ashtu të flas me ata andej se këtu nuk po e gjenin dot për ta rregulluar se është japoneze, nuk e di se çfarë. Mirë i thashë, po e çoj andej. Fola me ata sille një herë, nuk e di. E panë, nuk u bë dhe e solla, nuk është bërë defibrilatori. Dhe kaloi koha, tani ka ngelur, ma kanë vjedhur. Unë i kam bërë denoncimet e të gjitha, biles tek ato numrat e shkruajtura janë ato, që kanë marrë gishtat e kshu. Kshu që kjo është pjesë e defibrilatorit.

Gazetarja – Ke bërë denoncimin për grabitjen?

Nebi Muçaj – Kam bërë për grabitjen, kam bërë gjithçka. Dhe një herë ua garantoj dhe ua siguroj që kjo qendër nuk është krijuar për të zhvatur ose për të vjedhur.

Sistemi jonë mjekësor le shumë për të dëshiruar… Gjersa prej dy vitesh mungon një defibrilator, i cili as nuk është deklaruar në inventar që ka dalë nga Urgjenca e Tiranës, sa aparatura të tjera mund të mungojnë?/tvklan.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.