Standard.al

Takimi me ambasadorin LU/ flet Basha: Bashkohuni protestës së 13 majit. Rama nuk njeh forcën e arsyes dhe gjuhën e argumentit

0

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e shprehur edhe më herët për të protestuar më 13 maj, edhe pas takimit me ambasadorin e SHBA në vendin tonë. Donald Lu bisedoi me kryedemokratin Basha për rreth 30 minuta në selinë blu.

Ndonëse u tha se temë e bisedës mund të ketë qenë zgjidhja e ngërçit politik dhe mundësia për dialog me kreun e mazhorancës, postimi i kryedemokratit Basha pas këtij takimi, lë tjetër përshtypje.

Basha thotë se “Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit, nuk e njeh forcën e arsyes”, ndaj fton qytetarët që t’i bashkohen protestës së 13 majit.

“Shkaqet e krizës ku gjendet vendi janë tek politika e dështuar e Edi Ramës, tek futja e kriminelëve në politikë, tek kthimi i vendit në hambar droge, tek grabitja e çdo pasurie publike dhe mosmbajtja e asnjë premtimi. Në 3 vite e gjysëm ne e kemi bërë betejë tonë kundër kësaj politike shkatërruese, e kemi bërë në Kuvend, në komunikimet publike, në media, në kancelaritë e huaja. E kam bërë unë, grupi ynë parlamentar, aleatët tanë opozitarë. E kanë bërë edhe njerëzit e vlerave, intelektualët, akademikët, gazetarët e lirë, dhe mijëra qytetarë të thjeshtë. Por në 3 vite e gjysëm të kësaj beteje nuk është arritur dot as një e dhjeta e asaj që qytetarët e bashkuar arritën në 81 ditë qëndresë.

Mësimi është i qartë, përfundimi është i thjeshtë për këdo që do të shohë dhe të kuptojë të vërtetën. Edi Rama nuk e njeh gjuhën e argumentimit, nuk e njeh forcën e arsyes. Ai njeh dhe mund të respektojë vetëm imponimin nga bashkimi qytetar dhe popullor përmes protestës, përmes manifestimeve, përmes mosbindjes civile, përmes betejës totale për zgjedhje të lira e të ndershme. Ndaj sot ne përsërisim këmbënguljen tonë për të vazhduar betejën tonë deri në fitoren totale të kësaj kauze. Manifestimi dhe bashkimi më i madh në historinë e Shqipërisë demokratike, të shtunën në orën 12, tani është axhenda dhe kauza e çdo qytetari. #NgrihemiBashkë #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe”, shkruan Lulzim Basha në rrjetin social “Facebook”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.