Rastet e fabrikave të prodhimeve të skaduara dhe problematikat me cilësinë e ushqimeve

0
536

“Tjetër skandal me fabrikat jashtë standardeve, pijet në Shqipëri prodhohen dhe ambalazhohen jashtë kushteve higjieno sanitare, autorët në pranga”

Cilësia e ushqimeve ka problematikat e saj në Shqipëri. Denoncimet të shumta, por edhe nga autoritet përgjegjëse në studimet e fundit është deklaruar se ne konsumojmë produkte jo me ndonjë cilësi shumë të lartë. Ditën e premte zbulimi i një laboratori me kushte jo të përshtatshme ka vërtetuar edhe një herë që prodhimi i ushqimeve në Shqipëri bëhet pa standarde. Tregu i pa formalizuar, por edhe ekonomia e dobët ndikojnë negativisht në përmirësimin e kushteve të prodhimit të ushqimeve të ndryshme. Brenda këtij viti në Shqipëri janë zbuluar dy vende në të cilat prodhonin pije të falsifikuara. Zbulimi i këtyre dy rasteve është bërë nga Policia pas denoncimeve që kanë ardhur nga banorët e zonës. Për këto raste nga ana e uniformave blu janë publikuar edhe pamje brenda ambienteve që tregonin se cilësia dhe çdo gjë tjetër ishte jashtë standardeve. Prodhuesit kishin zgjedhur banesa të vogla të cilat nuk dukeshin si fabrika, ndërsa në një rast tjetër prodhimi i ushqimeve të ndryshme bëhet në një bodrum të një pallati, në kushte skandaloze.

Zbulimi i laboratorit

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se sekuestronin pije freskuese që dyshohet se janë falsifikuar. Në sajë të operacionit ‘Dajti’ u bë e mundur prangosja e Genc Brahysas, 34 vjeç, ndërsa shtetasi E. M, me profesion teknolog (kimist) është shpallur në kërkim. Sakaq, është proceduar penalisht shtetasja me inicialet F. B., 36 vjeçe. Për këta persona, nga Seksioni i Krimit Ekonomik, ishte marrë informacion se prodhonin pije freskues pa licencë edhe më pas i tregtonin ato. Në bashkëpunim me Hetimin Tatimor dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, u ushtrua kontroll në adresën ku ishte marrë informacion se këta shtetas kryenin aktivitetin e jashtëligjshëm, e më konkretisht një punishte e fshehur në ambientet e një magazine, në brendësi të së cilës u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Sendet e sekuestruara

Në kuadër të këtij operacioni policia ka sekuestruar: 3 048 pije freskuese të dyshuara të falsifikuara të ambalazhuara të gatshme për tregtim, 1 makineri artizanale për prodhimin e pijeve, 1 presë për stampimin e vulave të kadencës, 8.5 kg koncentrat me afat të skaduar (produkt i dyshuar kontraband), 18 kg esencë (produkt i dyshuar kontraband), 18 kg aromatizues të ndryshëm për prodhim pijesh freskuese dhe energjike, Etiketa të markave “Lëng pjeshke, Lëng Limoni, Lëng Pjepri dhe Pije Energjike Dajti”. Materialet procedurale i’u kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimit i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrial dhe ushqimor, Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë i kryer në bashkëpunim”.

Lihet i lirë i arrestuari

Ditën e djeshme u zhvillua gjyqi për të arrestuarin për prodhimin e pijeve të falsifikuara në një fabrikë të improvizuar në Tiranë. Ai u la i lirë me masën detyrim paraqitje sipas kërkesës së Prokurorisë që nga ana tjetër thotë se duhet verifikuar edhe pretendimi i policisë nëse ka vepër të prodhimit të kundraligjshëm të mallrave industrial dhe ushqimor. Por ndërsa raportohen si të sekuestruara makineri artizanale për prodhimin e pijeve, koncentrate me afat të skaduar dhe aromatizues e esence, përplasja mes policisë dhe prokurorisë për këtë dosje është e dukshme.  Por megjithëse prokurorët  shpallën të ligjshëm arrestimin e Brahysës duke kërkuar masë detyrim paraqitje, ajo çfarë hetuesit shikojnë të paqartë është perse ky shtetas u prangos kur në dokumentacion ekziston si administratore e biznesit Florena Brahysa. Aktualisht raportohet se janë të bllokuara 3 mijë shishe me pije freskuese të dyshuara si të falsifikuara. Por do të jetë Instituti i Higjienës që do të kontrollojë produktet e sekuestruara për t’i dhënë përgjigje se cila nga palët ka te drejtë. Pyetjet qe autoritetet i drejtojnë eksperteve janë: A i plotësojnë standardet për konsum këto pije? Çfarë përbërësish kimike kanë esencat e dyshuara si të kontrabanduara dhe me kryesorja a janë të dëmshme për shëndetin? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje, pasi sipas pamjeve që u publikuan nga Policia dukej që vendi ishte thjesht një improvizim i një shtëpie e cila ishte e kthyer në një fabrikë. Sipas pamjeve kushtet ishin shumë skandaloze dhe të pa përshtatshme për të prodhuar pije freskuese dhe jo vetëm për konsum. Nga Prokuroria u tha se do të vijojnë hetimet ende për këtë fabrikë dhe për të dërguar përpara ligjit të akuzuarit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here