Kontrollet/ Cilësia e ushqimeve, AKU: Gjobiten 161 subjektet që nuk plotësonin kushtet e nevojshme

0

 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet në të gjithë vendin, për garantimin e sigurisë ushqimore. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, brenda dy javëve janë kryer 1200 inspektime në 12 qarqet e vendit. Nga këto inspektime ka rezultuar se 161 subjekte nuk plotësonin kushtet dhe ndaj tyre është marrë masa ‘Gjobë’ dhe‘Paralajmërim’.

Inspektimet janë kryer në subjekte ku tregtohen produkte mishi dhe nënproduktet e tij, në baxho dhe në subjekte ku tregtohet qumësht dhe nënproduktet e tij, në markete, supermarkete, restorante etj. Gjithashtu në fokus ishin edhe produktet ushqimore, të cilat tregtohen pasi u kalon afati i skadencës. Në të gjitha rastet është bërë bllokimi i mallit dhe asgjësimi i tij. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën apel qytetarëve që të kontrollojnë në çdo rast datën e skadencës. AKU do të vijojë të marrë masa ndaj atyre subjekteve që tregtojnë ushqime, pasi u ka kaluar afati i skadencës.

Po kështu në Qarkun e Fierit janë bllokuar 16 ton ushqim për kafshë. Ky ushqim për kafshë kishte kalur afatin e skadencës dhe AKU bëri bllokimin dhe asgjësimin e kësaj sasie, ndaj subjektit u mora masa administrative me ‘Gjobë’. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u kërkon qytetarëve që të denoncojnë në çdo rast abuzimet me ushqimet, në mënyrë që të merren masa të menjëhershme ndaj çdo subjekti. Denoncimet mund të bëhen në portalin ‘AKU Inspektori Dixhital’.

Lini nje pergjigje