Partizani-Kukësi/Do të fitojë futbolli i folur,apo ai i luajtur me top në fushë

0
298

Nga Keivin Sula 

Pritja po ezaurohet pak e nga pak dhe minutat që kalojnë të sjellin edhe më afër, ndeshjen vendimtare për fatet e titullit kampion Partizani-Kukësi. Për atë çka prodhon,nuk vihet në diskutim që ndeshje të tilla janë jetike për futbollin tonë,por frika më e madhe është që edhe kjo ndeshje do të respektojë trendin e viteve të fundit.

Futbolli që vlen,ai me topin që orvatet mes këmbëve të 22 futbollistëve në fushë mund ta humbi sërish betejën me futbollin jashtë fushës. Ne që qëndrojmë në prapaskenë, e kemi vërtetuar ngaherë që jemi aktorë më të mirë se ata që kanë rolin protagonist. Siç ndodh rëndomtë, edhe pse realiteti i dhimbshëm i të tilla ndeshjeve të ashtuquajtura”të mëdha”na përplaset shpesh në fytyrë,ne të futbollit të folur vazhdojmë dhe i fryjmë më shumë seç duhet përsëri.

Partizani i Starovës e vërtetoi edhe javën e kaluar në derbi, që kishin hyrë në një fazë ku loja kalonte në plan të dytë dhe interesoheshin vetëm për pikët. Ai asnjëherë nuk e ka fshehur simpatinë për stilin italian të futbollit. Ekipet e tij kanë qenë gjithnjë të kujdesshme dhe i kanë me pikatore shfaqjet e shëndetshme për sytë e një futbolldashësi qe pret me padurim të argëtohet në 90 minuta. Në krahun tjetër Kukësi që ka mbërritur deri këtu pa asnjë humbje ka sulmin më të mirë, por në përballjet “big” të këtij sezoni kundër Partizanit dhe Skënderbeut, ka qenë i interesuar vetëm tek rezultati.

Ndeshjet mes tyre në  fazat e mëparshme nuk lënë shumë vend për fjalë,vetëm 1 gol në 3 përballje.  Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe “presionin” që e rrethon sfidën, me dy presidentët që janë të dashuruar marrëzisht pas ëndrrës titull. Ai i Kukësit,me temperamentin që e karakterizon në rast të një humbjeje  që do ti shkatërronte rrugën drejt titullit,mund ta kthejë në një të papunë trajnerin Gjoka duke fshirë nga memoria të gjithë ecurinë e sezonit. Gjithsesi kjo mbetet thjesht një hipotezë nisur nga precedentët e mëparshëm të presidentëve të skuadrave shqiptare.

Po të mbetemi tek tensioni që karakterizon përballjen,dje u caktua dhe gjyqtari i takimit,i cili do të jetë slloveni Matej Jug.3,9 është mesatarja e kartonëve që ai nxjerr për ndeshje,dhe pritet që marrëdhënien e mirë me to ta vazhdojë edhe në zbarkimin e tij në futbollin shqiptar,pasi me shumë gjasa do të arbitrojë një ndeshje ku e vetmja gjë që vlen,është të mos pësosh gol. Me ardhjen e tij kemi përzënë arbitrat shqiptarë,ndoshta edhe me të drejtë për gabimet e tyre shpesh “jo-njerëzore”, por a çalon kjo ndeshje vetëm te arbitrat tanë ?

Dashtë zoti mos të ndodhë,por si do të sillemi ne tre milionë opinionistët nëse një gabim i Matej Jug do të përcaktonte fatet e sfidës ? Ndoshta do të kujtohemi që kur krijohet ambienti i duhur edhe një gjyqtar i ri si Juxhin Xhaja performoi shumë mirë në premierën e tij në një derbi. Kështu si e kemi trajtuar edhe këtë ndeshje,tek futbollistët frika e humbjes e ka mposhtur çlirimin nga e keqja që një arbitër shqiptar do tu hajë hakun.U roj të jem i gabuar dhe të jemi dëshmitarë të një ndeshjeje spektakolare mes 2 ekipeve aspirante për titullin kampion. Në të kundërt fituam sërish ne,dhe sypatrembur do të sajojmë përrallën e rradhës me titull:”Jemi në vigjilje të një super ndeshjeje”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here