Si po “zhduken” të rinjtë shqiptarë në Britani?

0
271

Nga Petrit Kuçana

“Ju lutem ma hiqni foton dhe njoftimin sepse nuk jam i zhdukur, por jam i detyruar të dal në të zezë pasi kam mbushur 18 vjeç dhe s’kam pas shans për letra”. Ishte kjo kërkesa krejt e sinqertë e një të riu shqiptar, i cili kishte parë veten në funpage të The Albanian pas kërkesës së ardhur nga Metropolitan Police & Missing Person.

Rasti i telefonuesit “zyrtarisht” të humbur, nuk është i vetmi, por është krijuar një galeri e tërë me emra të rinjsh shqiptarë rreth të 18-ave, që rezultojnë në listat e Missing Person (personave të humbur). Janë kategoria e atyre shqiptarëve që “si fëmijë të pashoqëruar”, patën fatin të përfitojnë nga sistemi duke qëndruar deri në kohën kur troket mosha limit 18, kur nuk mund të mbrohet më dhe kthimi në mëmëdhe mbetet një procedurë.

Afrimi i moshës kritike 18-vjeçare nuk lë asnjë alternativë përveçse “daljes në të zezë” për këta të rinj të shumtë në numër, për të cilët fillon një kalvar i madh i vuajtje, mbijetese.
Në bazë të ligjeve britanike ata nuk mund të marrin një shtëpi/dhomë me qera në rast se nuk kanë ndonjë dokument/leje qëndrimi.

Nuk kanë asnjë mundësi ligjore të punësohen duke u konsideruar si emigrantë të paligjshëm të cilët duhen riatdhesuar. Mjerisht, në kushtet e mbijetesës, këta të rinj mbetet “viktima të lehta” të krimit dhe afërmendsh kronikat e zeza duket nuk kanë të mbaruar… Burgjet e Britanisë po mbushen me shqiptarë…

Mbetet një elegji e pashkruar për ata mërgimtarë që sakrifikojnë rininë e tyre, në kërkim të një jetë më të mirë, apo qoftë duke i ndihmuar familjet e tyre në mëmëdhe, ku riatdhesimi nuk është një dramë me borxhin e madh të rrugës mbi supet e tyre të brishta (bileta e Lamanshit i kalon 10 000 euro, madje e reklamuar lehtësisht nëpër rrjete sociale), është më shumë se një ëndërr e këputur në mes.

Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri kërkoi riatdhesimin e menjëhershëm të tyre, kërkesë që u përsërit nga zv/Ministrja e Brendshme Gjebrea në takimet në Londër.
Jetimë të përhumbur, ku mbrojtja nga shteti amë mbetet perceptim që të ngre nervat, që u “konfirmua” qartësisht me aktin më sublim, “një vetëvrasje live” që fatmirësisht nuk përfundoi në tragjedi. Mbase shumëkujt i kujtohet ky akt që ndërmori një emigrant shqiptar në Belgjikë, të paktën kronikat e asaj dite u mbushën me lajmin e tij se “qëlloi veten Live” ku kryetheksi ishte se Ambasada shqiptare nuk e kishte ndihmuar. (e “ç” pastaj?!!!)

Deri më sot nuk kemi parë ndonjë diplomat, zyrtar, (pra shërbyes-hyzmetar që paguhet me taksat e qytetarëve shqiptarë) që nga ajo ambasadë e deri në Ministrinë e Punëve të Jashtme që të ketë reaguar.
Nuk pamë që dikush të jetë shkarkuar dhe si sistem rrokopujë gjithçka harrohet pas tre ditësh (më e shumta) duke bërë që “lëkura emigratore” të trashet sa t’i përshtatet mbijetesës.

Për shtatë palë qejfe Ministri i Jashtëm apo ministria e deri tek pastruesja e ambasadës vazhdojnë “misionin” që nga fushatat elektorale e deri tek bjerrja e kohës në ambasadë në rrjetet sociale…

Ka ndonjë që mund t’i kujtohet Samiti i Diasporës? Më shumë aktivitete dhe angazhim ka një OJQ si Germin se i gjithë shteti shqiptar, për një fakt të thjesht se mërgimtarët nuk janë votues, dhe si të tillë janë të parëndësishëm…

Nuk është çudi që thuajse “koviktorët e ambasadave” siç i pati cilësuar dikur Ministri i Jashtëm, nuk dijnë se çfarë detyre kanë dhe përveç sektorit konsullor, për qamet nuk del ndonjë lajm nga andej, megjithë stisjet e mundimshme që bëhen, ku në rastet më të mirë futen tek tek kategoria e gjërave që duhen bërë.

Madje së fundi kemi parë një “fushatë” nga ato live të ambasadave shqiptare nëpër botë për shërbimet online, ku nuk të bën përshtypje numri i ndjekësve që bie fjala shkon deri në gishtat e njërës dorë, sesa tjerrja teatrale që mundohen t’i bëhet këtij shërbimi kaq normal, sa një blerje online.

Nuk është ë “përgjegjësia” ligjore që shpërfillet për të ndihmuar “të humburit”, “të zhdukurit” por mungesa e shpresës që dikush do kujtohet, dikujt do i bjerë ndërmend se është detyrim kushtetues mbrojtja e interesave të shqiptarëve në mërgim, dhe se duhet bërë më shumë sesa ngritjen e një telefoni që bie papushim, që diplomacia është më shumë se një vend pune, ndonëse “konviktorët” (fjalor i huazuar nga Ministri i Jashtëm) janë vetë në mbijetesë për veten e tyre me 20 euro në ditë…(por të paktën çoç shkollojnë ndonjë fëmijë, çoç bëjnë ndonjë gjë për veten)

E mbase as që u bie ndërmend se shumë mërgimtarë në botë mund të jenë afër aktit tragjik të ndërmarrë nga ai shqiptari i Belgjikës, aq më tepër që shqiptarët e Britanisë në rastin më të mirë vazhdojnë të zhduken…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here