Zëri i Amerikës zbulon detaje nga negociatat në Pallatin e Kongreseve

0
333

Në Shqipëri dy europarlamentarët David McAllister dhe Knut Fleckenstein, zhvilluan në mbrëmje një raund të dytë bisedimesh me drejtuesit e shumicës së majtë dhe të opozitës, në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje të krizës politike.
Takimet u zhvilluan këtë herë në të njëjtin mjedis, në Pallatin e Kongreseve por, ku përfaqësuesit e palëve, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i parlamentit Ilir Meta nga njëra anë dhe kreu demokrat Lulzim Basha nga ana tjetër, qëndruan në dhoma të ndara.
Vazhdimi i bisedimeve pas takimeve të para që dy eurodeputetët patën pasdite, u duk si një sinjal shprese se mund të ketë hapësira zgjidhjeje. Por zoti Basha doli pas 35 minutash. Ai deklaroi se “nuk kanë nisur negociatat. Jemi në proces të takimeve dhe bisedimeve me ndërmjetësit europianë”, deklaroi ai pa dhënë shpjegime të tjera. Ndërkohë zoti Rama dhe Meta, dolën pak më vonë, duke evituar çdo lloj komenti. Deri më tani nuk ka ndonjë të dhënë se cilat janë pikat mbi të cilat është diskutuar, dhe as se si do të ecet më tej. Edhe zoti McAllister dhe Fleckenstein, nuk pranuan të jepnin asnjë shpjegim, dhe as të shpreheshin nëse përpjekja e tyre kishte pasur ose jo sukses. Zoti McAllister u mjaftua të thotë se gjatë mbrëmjes do të lëshohet një deklaratë, ndërkohë që mbetet e paqartë nëse përpjekjet e tyre do të vijojnë.
Pasdite dy eurodeputetët qëndruan afër 60 minuta me kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit, për t’u ndalur më gjatë, afër 90 minuta me kreun e opozitës, i cili gjatë paradites, para takimeve, kishte theksuar dhe një herë se “rrugë tjetër veç zgjedhjeve të lira e të ndershme me një qeveri teknike e cila paraprakisht do të largojë kriminelët nga institucionet, e do luftojë me të vërtetë drogën dhe paratë e drogës, e cila do të zbatojë reformën zgjedhore e do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme duke përfshirë votimin biometrik dhe elektronik dhe numërimin elektronik, rrugë tjetër nuk ka”. /VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here