Mbjellja e pemëve vs beton/ Dy botët e ndryshme që paraqiten në Tiranë dhe ndjeshmëria për parkun

0
446

 

“Kreu i Bashkisë Tiranë, në një takim në TEDx në Spanjë deklaroi se pati 78 protesta të dhunshme nga qytetarët, të cilët pretenduan dhe faktuan të kundërtën”

 Po shkon gati një vit që nga fillimi i një protestë shumë ditore të parku i liqenit. Shkaku për këto protesta ishin ndërtimet që kërkoheshin të bëheshin në këtë zonë, të cilat edhe pse u përballën me rezistencën e qytetarëve, u bënë. Shoqëria civile e cila u bashkua në nën një logo “Qytetarët për Parkun”, por edhe organizata të tjera qëndruan që nga fillimi i punimeve deri në datën 1 qershor, ditën kur parku ende i pambaruar u inaugurua. Kjo pjesë e shoqërisë protestonte pasi në zonën ku do ndërtohej u prenë disa pemë. Nga bashkia gjithmonë është mbrojtur ideja se nuk është prerë asnjë pemë dhe ka pasur vetëm zhvendosje të tyre, ose janë prerë pemët të cilat ishin të sëmura. Por media dhe qytetarët denoncuan që në këtë zonë u dëmtuan disa pemë të cilat ishin shumë vjeçare. Debatet për këtë gjë ishin të shumta, dhe u përfshinë të  gjithë aktorët politikë. Pas prerjeve të pemëve ishte betoni,  çështje tjetër kryesore, që solli debate të reja mes institucioneve dhe qytetarëve. Përsëri nga bashkia u tha se nuk do të përdorej beton, por vetëm materiale ekologjike. Ndërsa qytetarët me anë të fotove dhe videove dëshmuan të kundërtën, pasi treguan betonierët që vinin dhe shkarkoheshin çdo ditë. Administrata përsëri nuk pranoi këtë fakt dhe të gjithë betonin që u derdh në park e mbuloi me bar sintetik, që qytetarët e tjerë dhe fëmijët të besonin së poshtë tij kishte vetëm materiale ekologjike. Edhe pse po bëhet gati një vit që nga këto protesta, përsëri jehona e tyre nuk është shuar dhe premtohet që nuk do të shuhet edhe për disa kohë. Kjo pasi një çështje ende ka mbetur pa u zgjidhur mes institucioneve dhe shoqërisë civile. Dhuna është tema tjetër e cila u rikthye përsëri në vëmendje. Javën e shkuar kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ishte i ftuar në një TEDx në Spanjë, ku foli për zhvillimin e Tiranës dhe mes tyre ishin dhe ndërhyrjet në park. Veliaj tha se për një kënd lojërash u bënë 78 e tetë protesta të dhunshme.

Veliaj në Spanjë: Në 100 ditët e ndërtimit, patëm 78 protesta të dhunshme

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i ftuar pak ditë më parë në Vitoria-Gasteiz të Spanjës, ku edhe mbajti një ligjëratë në eventin TEDx, rrjeti ndërkombëtar më prestigjioz i folësve publikë, për të prezantuar modelin e ndryshimit që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, në këto dy vite, dhe se si fëmijët janë protagonistët kryesorë dhe fuqia e këtij transformimi. Prezantimi i tij me titull “Superheronjtë urbanë: Një qytet i transformuar nga fëmijët”, u përqendrua në nevojën që kishte Tirana për të ndryshuar për shkak të vështirësive, të cilat kërkonin zgjidhje të menjëhershme si trafiku, ndotja, ndërtimet e paligjshme, mungesa e çerdheve dhe e kopshteve etj, dhe se si dëshira e fëmijëve për ndryshim ishte energjia që e çoi përpara transformimin e Tiranës. “Kur ne u zgjodhëm për të drejtuar, ishte shumë emocionuese që pasi kishim drejtuar një fushatë shumë argëtuese, plot me energji pozitive, erdhi dita e parë e punës. Po tani çfarë do të bëjmë, nga do t’ia nisim? Kur je duke drejtuar një qytet, të gjithë përpiqen të të japin mendje sesi mund të bëhen gjërat, por nëse ti nuk ke miliarda euro, nuk je anëtar i Bashkimit Evropian, nuk ke mbështetje nga jashtë, nga t’ia nisësh?”, tha Veliaj, duke nënvizuar se situata u përballua falë këmbënguljes për t’i shkuar deri në fund nismave dhe mbështetjes së pakufishme të fëmijëve. “Tani kemi 11 kërkesa për çdo 1 vend të lirë në kopshtet e Tiranës, ndërkohë që më përpara mezi e mbushnim një kopsht shtetëror, pasi të gjithë synonin kopshte private”, tha Veliaj.

Ndërtimi në park

Bashkia shkoi edhe më tej, duke e konsideruar sipas tij lirimin e hapësirave të zëna si një mision për t’ua kthyer ato fëmijëve. “Kështu projektuam një park kombëtar lodrash dhe thamë se do të ndërtojmë aty parkun më të mirë të lodrave në të gjithë Evropën Lindore. Është e habitshme rezistenca që u bë për ta penguar këtë. Në 100 ditët e ndërtimit të këtij parku lodrash, patëm 78 protesta të dhunshme. Por, urdhri im ishte i qartë: Çdo ditë ata shkatërrojnë, çdo ditë ne ndërtojmë”, tha Veliaj, duke iu referuar këndit të lojërave te Liqeni Artificial. Kryetari i Bashkisë e cilësoi magjepsëse forcën e ndryshimit që vjen nga fëmijët dhe kjo ka ndikuar direkt në transformimin e qytetit, i cili sot është më i jetueshëm. “Ne mund të jemi të gjithë si Piter Pani dhe të krijojmë botën tonë të vogël të Kurrkundit aty ku jemi dhe mendoj që, duke vendosur fëmijët të parët, mund të bëjmë ndoshta revolucionet më të mira që kanë parë ndonjëherë qytetet tona”, përfundoi Veliaj fjalën në TEDx. Eventet TEDx janë shumë të njohura në botë dhe organizohen çdo vit. Ato bëjnë bashkë njerëz të njohur nga e gjithë bota, politikanë, studiues, muzikantë, shkencëtarë, arkitektë etj, të cilët me fjalimet e tyre frymëzuese sjellin eksperienca të ndryshme për çështje të ndryshme. Eventet TEDx regjistrohen dhe shfaqen falas për publikun e gjerë, si një mënyrë për të nxitur diskutim, bashkëveprim dhe ide.

Përgjigja nga qytetarët

Këto deklarata që u bënë nga kreu i bashkisë u dëgjuan deri në Tiranë. Menjëherë ata që kishin qenë në këtë protestë ne rrjetet e tyre sociale me anë të fotove dhe të videove nga arkivat e protestës, dëshmuan  një të vërtetë tjetër.  Ata treguan që dhuna nuk ishte ardhur nga ata, por nga Policia që drejtohet nga bashkia. Sipas tyre protesta gjithmonë ka qenë paqësore nga ana e tyre, dhe dhuna është nxitur nga institucionet. Ata e kanë quajtur protestën e tyre një qëndresë 78 ditore, për të shpëtuar parkun, nga ndërtimet. Dhuna ishte çështja që gjithmonë hap debate mes protestuesve dhe bashkisë, pasi ende të dyja palët  pretendojnë se janë dhunuar dhe nuk kanë dhunuar. Një prej protestueseve dhe aktivisteve të “Qytetarëve për parkun”, me anë të një statusi në Facebook e quajti e quajti Veliajn mashtrues për këtë deklaratë të bërë në Spanjë, që protestat ishin të dhunshme.  “Pse është kaq mashtrues Erion Veliaj! Na paska deklaruar në një TED talk, se tek parku vjet ka pasur 78 protesta të dhunshme. E vërteta është se të dhunshme protestat i ka bërë vetëm PD-ja, dhe ato ishin 1 apo dy. Ndërkohë ne Qytetarët Për Parkun qëndruam për 78 ditë në protestë PAQËSORE. Të gënjejë kësisoj një person me autoritet publik, e bën atë mashtrues patologjik! Turp të kesh kryeservili i Tiranës!” , shkroi aktivistja Karakushi.  Më pas ajo po me anë të rrjeteve sociale deklaroi se do të publikonte një shkrim me titullin “A shameful TED talk”,  “I turpshmi takimi TED”, për të kundërshtuar të gjitha ato që tha Veliaj në këtë takim.

Parku 1 dhe 2, a u prenë pemë?

Çdo ndërhyrje që është bërë gjatë gjithë kohës në Parkun e Liqenit Artificial, edhe kur ajo ka qenë në interes të të gjithëve , përsëri ka pasur shumë diskutime. Kjo është pjesa e vetme që i ka mbetur Tiranës e pa prekur dhe cilësohet si mushkëria e saj. Edhe kur u bë ndërhyrja e parë nga e cila u prekën disa pemë për të ndërtuar një park për fëmijët, i cili si pjesë kryesore të tij ka betonin, por edhe më ndërtimin e fushave që përsëri u bënë me prerje pemësh dhe beton, pati shumë diskutime. Të shumta ishin denoncimet në të dyja rastet, por përsëri ndërtimet vazhduan deri në përfundim të tyre. Protesta ishin të shumta, por askush nuk i dëgjoi. Ende pa u shuar mirë këto debate, në pjesën e Parkut të Liqenit Artificial kanë nisur serish ndërtime, pasi është projektuar se do të restaurohet dhe zgjerohet rruga “Faik Konica”.

Ndërhyrja e parë

Një vit më parë filloi ndërtimi i parkut i cili pati një rezistencë të madhe nga qytetarët, pasi në shumë raste u denoncua se pati prerje pemësh.  Në punimet që po u bënë brenda Parkut të Liqenit, u prenë dhe pemë. Foto më poshtë tregon qartë se brenda rrethimit, ku u punoi me lejen e bashkisë, u sharruan pemët. Trungjet e sharruar nuk kanë mundur të fshihen plotësisht nga kompania ndërtuese, që ka rrethuar me një rrjetë, vendin ku po ndërtohet. Bashkia e Tiranës për herë të parë dha leje që të ndërtohej brenda parkut, një akt që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Pavarësisht garancive për të mos prerë pemë, apo fshehjes pas një projekti që synon argëtimin e fëmijëve, duket se dëmi është bërë tashmë. Në njërën pjesë të sipërfaqes, aty ku dikur kishte bar dhe pemë, nisi shtrimi me beton për të vendosur platformat e lojërave. Gjithsej në park do të ketë 10 ndërhyrje, sipas asaj që ka paralajmëruar Erion Veliaj.

Ndërhyrja e dytë

Pan ndërhyrjes së parë nga kryetari i bashkisë u premtuan se do të kishte edhe 9 ndërhyrje të tjera. Këndi i lojërave u pasua nga ndërtimi i disa fushave, për të cilat u përdor përsëri betoni dhe u prenë pemë. Me anë të fotove, në atë kohë kemi treguar të gjitha punimet, dhe pemët që u prenë për ti hapur rrugë ndërtimit të fushave të basketbollit, tenisit dhe futbollit. Projekti përfshiu gjithashtu, ngritjen e një sistemi qarkues pankinash për spektatorë, si dhe vendosjen e Info Point për të komunikuar me qytetarët. Ndërtimi i një infrastrukture mbështetëse, për të siguruar një sistem ndriçimi e mirëmbajtjeje, është parashikuar në funksion të kompleksit të ri sportiv.  Kjo ndërhyrje ishte e dyta nga agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit në Bashkinë e Tiranës, e cila tjetërson hapësira të gjelbërua brenda një territori ndaj të cilit publiku ka një ndjeshmëri të lartë. Por diçka që nuk shkoi në këtë projekt është edhe emërtimi i tij “Rikualifikimi i fushave”, në një situatë që aty nuk  ka fusha të mirëfillta për të ushtuar sportet e lartë përmendura. Më tej në projekt përcaktoheshin edhe materialet që do të ndërtoheshin në këto fusha, ku ra në sy që u përdor përsëri betoni. Ky material është premtuar më herët nga kryetari i bashkisë, se nuk do të përdoret kurrë për ndërtimet në park. Në projekt thuhet se fusha e basketbollit do te ketë një shtresë betoni prej 15 centimetër, po ashtu edhe fusha e volejbollit. Ndërsa fusha e dyfishtë futboll regbi do të shtrohet me tapet bari, rërë natyrale dhe shtresë granili. Kjo tregoi që përsëri betoni ishte një nga materialet kryesore të ndërtimit në këtë zonë.

Ndërhyrja e tretë

Duke i qëndruar premtimit së do të bëheshin 10 ndërhyrje në Parkun e Liqenin Artificial, bashkia ka disa ditë që ka filluar ndërtimin e një rrugë të re në këtë zonë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por kjo rrugë duket se ka prekur shumë pemë të cilat janë sharruar për ti hapur rrugë shtrimit të asfaltit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here