Rrëfimi ndryshe i Kryetares së rinisë së Metës, nga ëndrra e mjekësisë tek LSI si shans për të gjithë

0
2859

Nga Ambrozia Meta

Floida Kërpaçi e ka ende të gjallë në kujtesë ditën kur një miku i saj e ftoi të bëhej pjesë e LRI-së, Forumit Rinor, i cili në atë kohë ishte një trend. Ishte viti 2012, kur gjimnazistja e Petro Ninit kapërceu pragun e zyrave të LSI-së, për tu bërë pjesë e  forumit më të madh politik në Shqipëri. Në atë kohë, ajo nuk do ta mendonte kurrë që 5 vite më pas do ishte në krye të këtij organizmi, i konsideruar si motorri i Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Ia them çdo të riu që vjen këtu për herë të parë, mos ta paragjykoj veten sa kohë ka në LRI. Mjafton të ketë dëshirë dhe vullnet për ta bërë këtë gjë, kështu mund t’i arrijë ëndrrat e  tij. Të rinjtë nuk vijnë këtu për të qenë një votë më shumë, por për t’u bërë pjesë e ndryshimit,”-më tregon, ndërsa qepallat e syve i rëndojnë nga lodhja e aktiviteteve të fundjavës. I ka të lehta fjalët, gjestet, hapin.  Nuk pi kafe, as alkool. Pa kuptuar, ajo ka krijuar një nga ato varësitë e ëmbla, që zor se shkëputet dot; forumin e të rinjve.

Fillimet

Lindi në Sarandën e kaltër, më 17 maj të vitit 1994. Ishte e motra, Valbona që bashkë me të atin, pas disa “negociatash” vendosën ta quanin Floida. Ajo u largua nga qyteti bregdetar në moshën 6- vjeçare, për të filluar shkollën “Edit Durham” në kryeqytet. Kur studentja ekselente, që prej fëmijërisë ëndërronte të bëhej mjeke u fut në politikë, i ati ishte skeptik, pasi druhej se ky angazhim do ta shkëpuste të bijën nga mësimet .“Prindërit e mi kanë pasur një ideal: mëso shumë, dil nxënëse ekselence, sepse nxënësve të mirë, gjithmonë iu hapen shumë dyer. E mbaj mend  ditën kur unë u kam komunikuar prindërve të mi që do isha kandidate për këshilltare të këshillit Bashkiak. Atë ditë babi më tha: “Nuk ta kam shprehur, por gjatë gjithë kësaj kohe, kam menduar diçka. Më vjen mirë që nuk më dëgjove dhe more një vendim të tillë. Jam shumë i lumtur për angazhimin tënd,” – thotë  Floida, e kënaqur për guximin dhe këmbënguljen rezultative. Është e thjeshtë , madje, nga pamja i ngjan më shumë ndërkombëtarëve, sesa politikaneve shqiptare. Pa tualet, pa bizhu, si për t’u qëndruar larg ngarkesave, më tregon se shpesh herë vajzat e forumit bëjnë shaka kur ajo ndihet shumë e lyer, vetëm me pak rimel. Motra, vëllai, prindërit, dy nipërit dhe mbesa janë prehja e ditës. Lutjet e nipit të madh, Erikut, janë të vetmet që e tundojnë tezen Floidën, për të lënë detyrimet  politike. “Kur më thotë, të lutëm mos shko në takim, ndihem keq dhe mërzitem. Madje, një ditë, i thashë të vinte me mua dhe ai erdhi këtu.”-  shprehet,  ndërsa sytë e tezes shkëlqejnë.

Përditshmëria

Më tregon për ditën e saj, që nis si të gjitha bashkëmoshataret e vitit të katërt farmaci dhe mbyllet me angazhimet politike.  “Nuk e kam thënë ndonjëherë por dita ime është shumë e bukur. Nis me shkollën e cila  është një shkëputje nga gjithçka që unë bëj.  Pas shkollës janë gjithmonë takimet me miqtë e forumit, takime me gjimnazistët në njësitë e Tiranës, ose nëpër rrethe. Përpos  këtyre ne bëjmë shumë aktivitet sociale e  sportive,” – tregon ndërsa në mendje bluan sesi do përballojë fushatën e provimeve dhe atë zgjedhore, që po vijnë.  Qesh me habi kur e pyes nëse ka nevojë të arratiset ndonjëherë nga rutina e angazhimet politike. “  LRI është një familje e madhe sepse  kemi krijuar një afeksion të madh me njëri – tjetrin. Kemi një grup me të cilin jemi bërë shumë të afërt dhe unë nuk mund ta fik telefonin, pa i takuar një herë në ditë,” shprehet ajo. Nga lumturia e madhe që ata i falin, por edhe meraku prindëror për forumin që e drejton prej gati një viti, ajo e ka të pamundur të rrijë larg. Në darkë një telefonatë, ja zbeh lodhjen e përditshmërisë. Monika Kryemadhi, ose “Mona shpirti i LSI- së” siç e quajnë ata, pavarësisht angazhime të ngjeshura nuk harron ta pyesë si kaloi dita. “Isha shumë e stresuar fillimisht kur e takova, sepse kisha përpara një politikane, deputete, por kur e kam njohur jam dashuruar me të, pasi ishte shumë e thjeshtë. Më kujtohet, në 2012,  kishim aktivitetin për 14 marsin, dhe Mona ishte shumë e hapur që këtë aktivitet ta merrnim përsipër ne të rinjtë, që sapo ishin angazhuar në LRI . Nuk e kishte kompleksin që duhet ta bëjë dikush pak më i vjetër, ajo kishte besim tek ne,” rrëfen ajo. Një natë para se të  bëhej votimi për  Kreun e LRI-së , ku  fitoi me 528 vota diferencë ndaj Klevi Pojanës, vendosi, që, sido që të shkonte gara, do vazhdonte të ruante të njëjtat virtyte. “ Një gjë që doja të ndryshoja nga vetja është fakti që jam shumë korrekte. Ndonjëherë duhet të dalësh nga të qenurit strikt,” – më thotë, duke i hedhur sytë herë pas herë tek iphone që tringëllin dhe tek blloku vishnje, ku mban shënim axhendën e takimeve. E pyes nëse do jetë në listat e deputetëve këtë vit. Me të njëjtën modesti e diplomaci si kryetari Meta, shprehet që kjo nuk ka shumë rëndësi, mjafton që në Kuvend të hyjnë të rinj. “Parlamenti ynë ka nevojë për figura të tjera që janë larg krimit, larg drogës; për këtë arsye politika ka nevojë për të rinj. Nuk kemi më nevojë për politikën e vjetër, një politikë që na detyroi të bënim dhe një ligj për t’i spastruar këta persona”.

Për LSI – në

Me këmbët në tokë, Floida flet për rezultate surprizë të LSI, partisë që në 2013 -ën, 5- fishoi numrin e deputetëve në parlament. “ LSI është një parti e thjeshtë, nuk është një forcë që kujtohet dy muaj para zgjedhjeve për të ndezur motorrët. Kam bindjen se LSI do të dali me rezultat të mirë, në të gjithë Shqipërinë,” shprehet ajo. Nuk kompleksohet kur unë e pyes për etiketimet që i janë vënë disa herë Lëvizjes Socialiste për Integrim, si parti klienteliste. “LSI ka ardhur në pushtet nga njerëzit për të qenë pjesë e qeverisë dhe kurrsesi nuk mund të jetë arrogante, mos të zgjidhë hallet e tyre. Kur je pjesë e qeverisjes dhe ke mundësi për ta zgjidhur problemin, nëse nuk e bën, nga do ta presin njerëzit zgjidhjen, “ thotë pa ndrojtje.

Matura Shtetërore, shqetësimi i vazhdueshëm, që prej 2012

Shqetësimi i saj më i madh, që prej 2012, ka qenë Matura Shtetërore, atëherë kur nuk frikësohej te debatonte në një tryezë diskutimi live me Profesor Shezaiun dhe me Zysh Norën, sicc i quan ajo drejtuesin e Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI Shezai Rrokajn dhe zv.ministren e Arsimit Nora Malaj.  Sot pas një maratone takimesh me të rinjtë, ajo e ka të qartë çfarë nuk shkoi me reformën në arsimin e lartë, çështjen, që u bë mollë sherri edhe në koalicionin qeveritar. “ Problemi kryesor i Maturës Shtetërore ishte se, dhe vetë Ministrja, nuk ishte e qartë  ku po shkonte. Për sa kohë paqartësia rridhte nga lart, edhe të rinjtë u konfuzuan; bënë zgjedhje  larg profilit të tyre, dhe për këtë kemi kërkuar të ketë një plan për këshillim karriere për ta. Në gjithë  diskutimet që kemi bërë me të rinjtë, vumë re një mos informim të unifikuar,” – shpjegon 22 – vjeçarja.  Ajo e ndjen që misioni i saj është i papërfunduar, në një sistem, ku  nuk ka investime në shkolla,  ku familjet detyrohen të shkollojnë fëmijët në universitete private. “Ne, si LRI, do të vazhdojmë të jemi të ashpër, për arsimin, sepse me dijen dhe të ardhmen e tyre, nuk do të bëjmë kompromis me pushtetin. Ministrja jonë nuk ka pse të shqetësohet, ne shprehim ato që kanë thënë të rinjtë, nuk është diçka që po e shpikim. Po të shkosh në shkollën e Bashkuar të Kërrabës mund të dallosh që shkolla nuk ka dyer, as dritare dhe tavani është duke u shembur. Të shkosh në Shkollën e Qesaratës, nuk ka tualet, dhe të rinjtë shkojnë tek lokali ngjitur për të përdorur tualetet. Po flasim për të hyrjen në BE,  ndërkohë që nuk kemi kushtet më minimale në shkolla, ’’ –  thotë me keqardhje. Së bashku me të rinjtë e LRI – së,  ajo trokiti në dyert e Ministrisë së Arsimit me një paketë propozimesh, ku përfshihej një këshillim karriere, jo vetëm për maturantët, por edhe për prindërit, eleminimi i shkollave private nga lista e zgjedhjeve dhe një proces transparent që përfshin shanse të barabarta për të gjithë. “Kemi kërkuar të rritet buxheti për arsimin, që do të krijojë një infrastrukturë të re, tekste dhe kurrikula bashkëkohore të çertifikuara”, tregon Floida. Sot studentja e vitit të katërt farmaci, që  si për ironi të fatit nuk fitoi degën e Mjekësisë, që aq shumë e dëshironte, është kthyer gati në një misionare për çështjen e Maturës Shtetërore.

Puna në Këshillin Bashkiak

Pas zgjedhjeve të 2015- ës, Floida është sot pjesë aktive e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit. Një nga propozimet e tyre kryesore të këshilltarëve të LSI – së,  ishte fondi për biznesin social, ku shumë të rinj kanë aplikuar dhe sot gjenerojnë të ardhura nga biznese të profilit bujqësor apo teknologjik. “Realiteti sot është se abonetë ende shiten në treg të zi, ka radhë të gjata. Për të ndrequr këtë, kemi dorëzuar disa shkresa dhe është dhënë një okej pozitiv, por jemi akoma në pritje të zgjidhjes. Kemi punuar shumë për kartën e studentit. Shqipëria ka ndryshuar modelin e pasaportës, do ndryshojë patenta dhe e vetmja gjë që nuk është bërë është karta e studentit,” – thotë ajo e trishtuar. Lidhur me papunësinë e të rinjve, çfarë është sot një nga plagët kryesore të vendit, Floida shprehet se pikë kyçe e programit të LSI-së, është studimi për tregun e punës. “Ne flasim sot për një rini që punon në call center. Edhe unë kam punuar në call center, por realisht ajo paga më shumë më fuste në borxhe. Po punojmë për një program, që ka shanse punësimi për punë të mirë paguara, që rrisin standardin e jetesës”.  Shansin që LSI – ja i dha asaj dikur, sot Floida kërkon t’ua japë edhe të rinjve të tjerë, të cilët, për partinë ku ajo angazhohet, janë alternativa kryesore e vendit. “  Nëse të tjerët kanë përsëritur si alternativë  hashashin, drogën, LSI ka vetëm një qëndrim; të vazhdojë të mbështesë të rinjtë, sepse ata kanë vizion dhe dëshirën për të çuar vendin para,” – shpjegon kryetarja e LRI – së.

LRI – ja

LRI është sot organizimi më i madh rinor në Shqipëri, dhe ndoshta më protagonisti. Pas forumit

zë plotë e të mirë-koordinuar, Floida thotë se qëndron puna e Klevit, Reas, Irës, Kristit, Egi, Sarës e shumë të rinjve të tjerë, të cilëve u është mirënjohëse. “Misionin dhe punën tonë të përditshme e organizojmë në ekip.  Me Petrikën në Korçë, me Rexhinën në Berat, me Dajanën në Lezhë, me Anisën në Elbasan,me Enadën në Vlorë, me Markon në Shkodër, me Arbin në Durrës, e gjithë ekipin e jashtëzakonshëm të Tiranës,” –  rrëfen duke u kujdesur mos të harrojë asnjë bashkëpunëtorë. “ Objektivi im i vetëm është motivimi i rinisë shqiptare, për t’i bindur që duke u bashkuar të gjithë, mund t’ia dalim”,  shprehet ajo.  22 – vjeçarja i ka vërtetë të lehta, fjalët e gjestet. Mes dëshirës së madhe për të ushtruar profesionin e farmacistes dhe ambicjes së natyrshme për të qenë në politikë, Floida e ka të qartë se rrugët e saj dhe e LRI – së janë të lidhura, pazgjidhshmërisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here