Laboratorët jepen me koncesion. Kompania me zero shitje merr kontratën 100 mln euro

1
433

Vetëm një muaj para përfundimit të mandatit, qeveria ka zyrtarizuar pa zhurmë konçesionin e shumëpërfolur me vlerë 100 milionë euro, që kalon laboratorët spitalor publik në administrim privat. Ministria e Shëndetësisë shpalli zyrtarisht fitues në tender, një konsorcium të përbërë nga tre shoqëri; shqiptarja Labopharma, kompania franceze Exalab dhe ajo hollandeze AB Laboratory Solutions.

Zyrtarisht objekti i koncesionit është financimi, projektimi, rinovimi, pajisja, riorganizimi dhe funksionimi i Koncesionit/Partneritetit Publik Privat për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale, dhe atyre bashkiake të Sarandës e Lushnjës. Por praktikisht ai i jep privatit monopolin 10 vjeçar të laboratorëve në spitalet publike të vendit, madje me infrastrukturë të gatshme.

Me zyrtarizimin e këtij koncesioni qeveria kompleton një tjetër akt në çmontimin dhe privatizimin total të shërbimit shëndetësor në vend.

Nuk fiton çmimi më i ulët

Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve, në tenderin për dhënien me koncesion të laboratorëve kanë marrë pjesë 9 shoqëri ose bashkime shoqërish. Por 5 prej tyre nuk kanë paraqitur asnjë ofertë financiare dhe rrjedhimisht janë shpallur të pavlefshme.

Si rezultat në garë kanë qene vetëm katër oferta të vlefshme. Oferta më e favorshme financiare është dhënë nga një kompani shqiptare e quajtur Genius sh.p.k. Kjo kompani ka ofruar t’i kryejë analizat për pacientët me një kosto 15 % më të ulët nga çmimi i listës së testeve.

Por kjo ofertë është skualifikuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi sipas saj kompania ka pasur mangësi në dokumentacion. Si rezultat, fituese është përzgjedhur oferta e dytë më e ulët. Ajo e Labopharma Sh.p.k & Exalab France & AB Laboratory Solutions, të cilat kanë ofruar një çmim 10.7 për qind më të ulët se sa çmimet e listës së testeve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e këtij shërbimi qeveria do t’i  paguajë kësaj kompanie 13 miliardë lekë ose 100 milionë euro në 10 vitet e ardhshme përmes buxhetit.

Dy ofertat e tjera kanë qenë të Acibadem Saglik & Acibadem Labmed si dhe Intermedica Center Sh.p.k  & Bioiatriki Greqi, të cilat kanë ofruar respektivisht çmime 4.8 dhe 5.7 për qind më të ulëta nga limiti.

Kush është Labopharma?

Labopharma është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar në vitin 2007 nga një qytetar grek me emrin Janis Koraras dhe një shqiptar i quajtur Janis Karathano. Shoqëria ka një kapital themeltar prej 100 mijë lekësh, ndërsa sipas ekstraktit të QKR objekti i saj është import-eksporti i produkteve farmaceutike.

Në vitin 2015 kompania është vënë nën sekuestro nga Tatimet për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore. Madje nga Janari deri në Gusht të vitit 2015 kjo kompani ka qenë me status pasiv, të pezulluar, shkruan syri.net.

Dy vitet e fundit kompania Labopharma, nuk ka raportuar asnjë të ardhur nga aktiviteti. Në bilancet e dorëzuara në QKR kompania ka raportuar zero shitje si për 2014-ën ashtu dhe për vitin 2015. Por duket se fati i saj ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore, pasi nga një kompania me shitje zero, tashmë Labopharma është aksioneria më e madhe në një koncesion me vlerë 100 milionë euro.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. A ka fjalë Shqip që të komentojë këtë gllabërim total të buxhetit ( paratë e popullit ) me farsa të tilla me emrin “tender” në muajin e fundit të qeverisjes së bandës kriminale. Pikërisht kur opozita proteston, qeveria bën batërdinë me konçesione dhe tendera dhe qindarkat e fundit të mbetura në njp kohë që po falimenton bisneset me 250 milun € borxh. Sikur nuk i mjaftojnë bilionët e drogës, po zhduk çdo lek publik.Presioni të Metës i u përgjigj me disa dhjetëra miliona rrugë që i duhen të holla për fushatë ndërsa miljardat i duhen për vete.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here