Legjionari, sokoqari dhe zullumqari

0
473

Dr. Ndriçim Mehmeti

Që të sqaroheni mirë e mos të ketë keqkuptime që në nisje të këtyre radhëve. Andej nga anët e mia fjala zëvendësuese për legjionar është sokaqar. E që ta ngasim fjalën më tutje, legjionari është një ushtar që shkon gjithandej. Legjionari që ngjan më shumë me një ushtar profesionist, shumë herë kthehet në mercenar i pashpirt. Vite të tëra larg shtëpisë, pa familje dhe pa ndjenjë të fortë për atdheun, bën e ç’nuk bën. Sokaqari që vjen nga turqishtja, është ai që nuk le rrugë e rrugicë pa shkuar, (pra bredharak). Zullumqar, është ai që trazon tërë dynjanë në interes të vet. Që të dy mund t’i etiketosh sit ë tillë.

Kryqëzimi i rrugëve të legjionarit, zullumqarit dhe sokaqarit

Legjionari, që për një kohë të gjatë pa qenë në shtratin e një gruaje, e shtrin përdhe, e mbështet në një mur dhe në gjendje gati psikopatie, i duket se bën dashuri siç di vetëm ai. Kur nuk i japin për të pirë, thërret e bërtet se është më i forti jo vetëm i lokalit por edhe i lagjes, e madje dhe i tërë vendit. Thyen gota, kthen përmbys banaqe dhe në fund rrëkëllen gotën dhe fshin mustaqet që ka një muaj e më shumë pa larë. Ndërsa shtrihet të fle, brof me thirrjen e parë, shkon në luftë dhe lutet që ta vrasin, kthehet i gjallë e bëhet më shumë trim se më parë. Pastaj i shkon në mendje të behet tetar i togës së tij, ndihmës i komandantit, të udhëheq një betejë, të sulmojë e të fitojë pa humbje. Po çfarë duhet bërë të arrish deri këtu? Pak punë e shumë hile, ose shumë trimëri sa për të rënë në sy dhe më pas shumë pak punë për shumë e më shumë fitime të pamatshme. Ndërkaq sokaqari ndjek po të njëjtën rrugë. Vazhdon të endet rrugëve pa ndonjë busull të caktuar. Futet në dyert që gjen hapur dhe kërkon bukë. Fshin djersët dhe pret pak mëshirë, nga njerëzit për lodhjen e tij. Sapo e zonja shkon të bëjë gati pjatën e supës, makaronat, radhiqet, a gjësend që ka mbetur në shtëpi, sokaqari zgjat veshin e dëgjon me shumë vëmendje, nëse burri i shtëpisë do t’i hakërrehet si gjithnjë, për dashnorët e supozuar që vijnë orë pa orë në oborrin e tij. Pasi merr fuqi, sokaqari ulet ndanë kafes së lagjes, fshatit, qendrës së katundit a metropolit plot shkëlqim dhe kënaqet pa masë sa herë që dëgjon për gratë që tradhtojnë burrat, kryetarin e bashkisë që ka zënë dashnoren e fundit nga udhëtimi i tij në qytetin fqinj, që një njeri pa shpresë arriti të bëhet deputet e ta nderojnë plot hir, në qytetin ku e urrenin të gjithë. Sokaqari dëgjon dhe e çon fjalën aty ku duhet. Madje ai ofron edhe fakte të pakundërshtueshme, prej klithjeve të krevatit, që i ka dëgjuar vetë e deri tek fjalët e ëmbla të dashnorit politikan për sekretaren e tij të bukur. Por këtë për këtë shërbim të çmuar, sokaqari ka një çmim: Përgatitjen e fronit për zotërinë e tij,  pasi ai e njeh më shumë se kushdo artin e të qeverisurit, pa shumë mund e që sjell shumë para. Që të dy si legjionari dhe sokaqari, kthehen në zullumqarë, jo prej dëshirës së vet të shfrenuar, po prej brumit prej të cilit janë gatuar. Duke shkuar në gjurmët e, legjinarit dhe sokaqarit, zullumqari ka një ambicie për tu pasur zili e një energji që nuk shteron kurrë.

Si arrin legjionari dhe sokaqari të veshin kostumin e liderit e të kthehen në zullumqarë?

Shumë njerëz përpiqen ta gjejnë të ligën e zullumqarit, tek mëkatet vite të shkuar të legjionarit që nuk la vend pa shëtitur dhe sokaqarit që brodhi rrugë më rrugë e rrugicë më rrugicë. Të tjerë thonë se atë na i prunë nga jashtë ca njerëz të fuqishëm, që ta hiqnin qafe nga vendi i tyre. Të tjerë hamendësojnë se ai iku, shkoj legjionar u bë miq për kokë me sokaqarët me qëllimin e vetëm të bëhej kryetar në vendin e vet. Nuk rëndësi nëse dikur ai ka qenë dikush, familja e tij ishte e njohur apo jo. Ai vjen hijerëndë dhe vetullngrysur, i qeshur sa herë që duhet, d.m.th., shuam rrallë. Në përgjithësi rri lirshëm, pa kollare, me pantallona të thjeshta, me ndonjë laps, letër,  projekt, lopatë, sëpatë, kosore a kizë, në dorë, i aftë t’i mbush mendjen qytetarëve e katundarëve, se këtu vendi ka zot dhe zoti është ai që ka zbritur plot hire, pa asnjë magji. “Punëtor, i dashur me popullin, i rreptë me armikun”, pa shok e miq, i rrethuar nga sejmenë që kanë hallin të lëpijnë ndonjë kockë, pasi ai zullumqari kryetar nuk i lë asgjë të fitojnë. Nga rrjedh gjithë kjo energji, për t’u marrë me këdo, mjek, ushtar, fshatar, gazetar, kalimtar etj? Disa thonë se e ka veti të lindur. Disa thonë se ligësia të jep forcë. Ka nga ata që spekulojnë e thonë se shtriga plakë, përgatiti bar të veçantë për të, që mos ta zë gjumi natën e të jetë flakë e vetëtimë tërë ditën e Perëndisë. Disa thonë që e shohin vet zullumqarin, të kaloj me orë të tëra tek shpella e saj, që është në rrëzë të malit kundruall shtëpisë së tij.

Njerëzit besojnë e flasin, tundin kokën që të kuptojnë, e në fund pyesin veten: Si është e mundur, që legjionari dhe sokaqari na ra për hise ta kemi kryetar? Në përpjekje e mundim për të dhënë një përgjigje, ngrehin supet e shohin njëri-tjetrin, kush na e solli, kush e njihte e nuk tha gjë? Por prapë përgjigje nuk marrin. Ndërkohë zullumqari rri në zyrën e vet të ngrohtë në dimër e të freskët në verë, rrethuar nga kafshët e shpendë të preferuar dhe një tufë shërbëtorësh, që në gjuhën moderne quhen këshilltarë. Nuk është se i bie në mend se ç’mendojnë për të sokaqeve, as se çfarë thonë ata që e patën në reshtin e fundit të tyre si legjionar. Zullumqari mund të tjetërsohet kur të dojë, në legjionar madje edhe në sokaqar, por për të kjo kohë duket e largët. Ideja e sokaqarit e bezdis tani që ka hedhur rrënjë e ka njohur pas vitesh të turra, se çdo të thotë shtëpi. Legjionar? Nuk mund ta pranojë. Ndoshta si honor, po. Do të kënaqej teksa e kundron, pasi gjen një pjesë të jetës së vet, që nuk është se nuk e mban  mend, por nuk i vjen në hatër këto kohët e fundit. Zullumqarit rri e pret lajmet e sokaqarit, që janë vonuar si asnjëherë, ndërsa nga legjionari ka kohë që nuk ka asnjë haber

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here