Basha më se i vendosur: Vetingu pas paktit kombëtar për qeveri teknike. Zgjedhje me 18 qershor nuk ka, zgjedhje pa opozitën nuk ka

0
151
Foto; Hamza Hatika

Lëvizja dhe bashkimi më i madh i shqiptarëve për demokraci të vërtetë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, feston çdo ditë shpresën që po ringjallet jo thjesht në këtë Shesh të Lirisë po anembanë Shqipërisë, përmes sakrificës, kurajës dhe përgjegjësisë së qytetarëve të bashkuar tash 63 ditë, në këtë lëvizje historike e të paprecedentë për Shqipërinë dhe për Ballkanin.

Kjo, sikundër ideja, koncepti i Republikës së Re, nuk janë merita e askujt tjetër përveçse e juaja, qytetarë të lirë dhe maratonomakë të lirisë.

Republika e Re, nuk ka asgjë të përbashkët me fasadën dhe nuk do të ketë fasadë, për këtë ju siguroj, asnjë lloj fasade. Por, do të jetë një shtëpi e madhe e xhami sa i përket transparencës, do të jetë një fuqi e madhe çeliku sa i përket zbatimit të ligjit, dhe do të jetë një garanci totale për lirinë dhe të drejtën e çdo shqiptari, siç e ka traditë modeli i demokracive perendimore. Sepse, ky është modeli mbi të cilin ne po ngremë Republikën e Re.

Në këtë model, qytetarët zgjedhin me votë të lirë, shumica ka përgjegjësinë e vendimeve por kurrsesi monopolin e pushtetit dhe pakica apo opozita, që po kështu mandatohet nga qytetarët, ka detyrën e shenjtë të kontrollit dhe balancës së pushtetit. Së bashku me opinionin e shëndoshë publik, i cili është vendimmarrës çdo ditë, jo vetëm në ditën e zgjedhjeve, i cili, nuk guxon të injorohet në një Republikë  të Re, demokraci të vërtetë, aq më pak të manipulohet, apo të kërcënohet, apo të shantazhohet, apo të goditet nga administrata, nga taksat, nga policia, me heqje nga puna, kanë për aleatë median e lirë, fjalën e lirë.

Sot, mediat konvencionale janë tërësisht nën pushtetin dhe presionin e pushtetit. Nga sot, le të nisim konkursin e “fake news”. “Fake news” për javën që mbyllëm, kush janë kampionët e “fake news”?  Këtë javë kemi dy kampionë: “Top-Channel”  dhe “Balkanweb” dhe “Panorama online” për fat të keq.

“Top-Channel” e merr majën e “fake news” sot, për interpretimin allasojçe, sipas qejfit të Edi Ramës, që i bëri prononcimit tim të djeshëm për vetingun. Edi Rama dje tha se: “Eshtë i gatshëm ta shtyjë vetingun pas zgjedhjeve”. Dhe unë iu përgjigja se: vetingu, “nuk ka pse të shtyhet pas zgjedhjeve po do të bëhet menjëherë pas qeverisë zgjedhore, pra qeverisë që do të përgatisë zgjedhjet, sipas dhe vetëm sipas, konsensusit të 22 korrikut të vitit të kaluar”.

Edi Rama, së bashku me të paguarit e Xhorxh Sorosit në Shqipëri, çfarëdo pasaporte që të kenë, për një vit e gjysëm u përpoqën ta kapin drejtësinë dhe ta vënë nën kontrollin e tij.

Kishte dy projekte për drejtësinë. Ky ishte projekti i Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit, dhe i të paguarve të Xhorxh Sorosit, të kapnin drejtësinë dhe t’ia jepnin peshqesh investimit më të madh të Xhorxh Sorosit në Ballkan, që është Edi Rama; për pushtetin e tij. Dhe projekti i gjithë pjesës tjetër të qytetarëve dhe PD që ka dashur, do dhe do të mbështesë fuqimisht një reformë të vërtetë në drejtësi ku qeveritë dhe partitë politike nuk mund të kenë pushtet mbi drejtësinë, projekt për të garantuar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk mbrojnë, por luftojnë dhe ndëshkojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin qeveritar.

Për një vit e gjysëm kjo betejë u luftua. Rama dhe mercenarët e tij të paguar nga Xhorxh Sorosi, dhe opozita me qytetarët dhe me parimet europiane të drejtësisë, me arbitër Komisionin e Venecias që e fitoi totalisht betejën kushtetuese duke diktuar në Kushtetutën e Shqipërisë një reformë në drejtësi sipas parimeve europiane.

Në një marrëveshje politike 7 ligjet kryesore, zbatuese të kësaj reforme do kaloheshin me konsensus. Por Edi Rama, i mbështetur nga mercenarët e paguar nga Xhorxh Soros, shkatërroi këtë marrëveshje dhe kaloi 6 nga këto 7 ligje pa konsensusin e opozitës, me qëllim kontrollin politik të drejtësisë siç ishte qëllimi fillestar, origjinal i reformës në drejtësi. Vetëm një ligj, kaloi me konsensusin tone, për shkak të insistimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ky është ligji për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, i cili ka votën tonë, vulën tone, dhe pret zbatimin e tij sa më parë.

Por ligji për vetingun, ligji për KLGJ-në, KLP-në dhe 4 ligjet e tjera janë bërë në shkelje të marrëveshjes politike, me qëllimin e vetëm të kontrollit politik të Edi Ramës mbi drejtësinë. Ndaj, ia përsëris sot atij dhe mercenarëve të Xhorxh Sorosit në Shqipëri, pavarësisht prej pasaportave që kanë, se nuk ka asnjë shans, zero shans, që Partia Demokratike të bëhet alibi për kapjen e drejtësisë nga Edi Rama.

 

Por nga ana tjetër siç ja thashë dje, nuk ka nevojë ta shtyjmë vetingun pas zgjedhjeve. Jo, nuk ka nevojë të shtyjmë vetingun pas zgjedhjeve. Menjëherë pas paktit kombëtar, për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Partia Demokratike dhe opozita janë të gatshme të marrin përgjegjësitë kushtetuese, ligjore që sipas konsensusit të 22 Korrikut të vitit të kaluar, t’i hapin pa pritur zgjedhjet e ardhshme, menjëherë rrugë vetingut dhe zbatimit të reformës në drejtësi për të pasur gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, të pakapur, që të nisin punën e tyre kundër kriminelëve, kundër krimit të organizuar, kundër drogës dhe kundër korrupsionit të pushtetarëve dhe kundër korrupsionit të nivelit të lartë që sot bën kërdinë në xhepat e shqiptarëve.

 

 

 

Por pikërisht, Edi Rama do drejtësinë në kontroll, ose jo reformë në drejtësi. As njërën as tjetrën. Veting menjëherë pas qeverisë teknike, sipas konsensusit të 22 Korrikut. Nuk ka nevojë të presim për zgjedhjet, dhe nuk ka nevojë ta kushtëzojmë me zgjedhjet këtë.

 

Fake news. Pra Top Channel e merr medaljen e parë, sepse thotë që Basha, veting pas zgjedhjeve, ku unë sapo kisha thënë që vetingu nuk ka pse të presë zgjedhjet.

 

 

***

Dhe, medaljen e dytë e merr Balkaweb sot, dhe për fat dhe Panorama-on line, e cila, e ka mbajt disi reputacionin e vet për media të pavarur, por sot jo.  Balkanweb, medaljen e javës së turpit. Sigurisht, kanë kohë të reflektojnë, jo vetëm për këtë lajm, por dhe për shumë lajme të tjera, por ky është kulmi. Ja pse; “Nënsekretari a amerikan i Shtetit, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në zgjedhje”, thuhet në një komunikatë të Nënsekretarit amerikan të Shtetit.

 

“Rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në zgjedhje”, që do thotë, harroje Edi Rama se mund të bësh zgjedhje pa opozitën. Këtë kërkesë të arsyeshme të standardit të demokracisë më të madhe në botë, e merr Balkanweb, e merr porosi prej këtij këtu, (kryeministria ..) dhe na e kthen në ultimatum.

Porosinë e jep ky, (me dorë nga kryeministria) se ky e shkruan traktin. Ia con mediave të kapura, pastaj e merr nga mediat e kapura dhe thotë shiko cfarë lajmi i madh. Vetë e shkruan në darkë, në mëngjes ia publikojnë mediat e kapura, pastaj në drekë e citon si lajm. Fake-news Balkanweb. Lajme falso, turp të keni. Peshku është qelbur nga koka, rrini larg kokës së qelbur të peshkut. Pra këto janë medaljet e javës për fake-news. Që nga sot, do ti strukturojmë pak më mirë, por këto të dyja nuk kishin si të mos merrnin vendin e parë.

***

Tani, të kthehemi tek problemi i madh i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të kërcënuara nga krimi dhe droga. Të kthehemi tek një lajm që është zhdukur me befasi nga të gjitha portalet dhe lajmet e kontrolluara nga qeveria, në ekrane dhe gazeta. Forbes, është një ndër mediat kryesore dhe më serioze të përgjegjshme, botërore, me seli në SHBA. Ja cfarë thotë Forbes: “Edi Rama, drejton një ndërmarrje kriminale në vend që e ka kthyer Shqipërinë në qendrën europiane të krimit të organizuar dhe të  trafikut të drogës”.

 

Ndërsa, në të njëjtën ditë, një portal mediatik i Francës, Reporterre.net, pasi citon disa të dhëna të drogës në Shqipëri, mbi lidhjet e pushtetit me drogën, mbi  rastin Zagani, oficerin e antidrogës që kapi veturën e Sajmir Tahirit me drogë në dispozicion të Habilajve, të cilin e arrestuan dhe e detyruan të shkojë për azil në Zvicër, dhe kjo media franceze konkludon se është totalisht e pamundur të imagjinohet se pushtetarët nuk janë  të përfshirë në këtë gjendje dramatike të krimit të organizuar dhe drogës në Shqipëri.

Pse i themi këto? Pse i citojmë këto, kur të gjithë shqiptarët e dinë gjendjen e drogës. I citojmë për të vetëdijësuar ata gazetarë, ato media, që kanë një fije ndërgjegje dhe një fije kurajo, që të mos i largohen asnjë ditë denoncimit të krizës totale të vendit, sa i përket rënies totale të shtetit, sepse republika e vjetër është së pari narko-republikë e drejtuar nga një kastë politikanësh të lidhur me drogën. Faktet janë të përditshme.

 

8 ton drogë u kapën në ngarkesën e zhdoganuar nga Qazim Sejdini. Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, që i gjithë Elbasani e di se e mbajti pushtetin me ndihmën e bandave më të rrezikshme në Shqipëri dhe në Britani të Madhe, i cili u filmua duke kërcënuar gazetarët, sot është dokumentuar si njeriu që operon përmes të ashtuquajturave agjensi doganore një rrjet të trafikut të drogës, ky kryetar bashkie, emblemë dhe kurorë e rilindjes së kriminalizuar të Edi Ramës, ky është fakti i fundit, por fakte të tilla ka përditë.

 

Droga është jo vetëm përgjegjësi politike e Edi Ramës, por është projekti politik i Edi Ramës. Si shpjegohet ndryshe, që as ministri i drogës që hoqi, as ministri, vëllai i kokainës që solli, nuk zbatojnë procedurat ligjore për asgjesimin e sasive të drogës që kapen? (E shesin, reagojne të pranishmit).

Po sigurisht që e shesin. Shesin jeshilen sepse të bardhën e duan për vete. Se pa të bardhën, nuk funksionon republika e vjetër as një orë, jo më një ditë.

E kemi ndarë së bashku para disa javësh. Të marrim shifrën zyrtare prej 2.5 milionë rrënjësh, që këta paskan asgjesuar. A na i tregon procesverbalet o ti, i të vërtetës, që na publikon gënjeshtrat tona sipas teje? Na trego pak procesverbalet e 2.5 milionë rrënjëve të shkatërruara. Nuk i nxjerr dot, sepse nuk i ka. Sepse nuk janë asgjesuar. Sepse po zbulohen çdo ditë dhe po kapen çdo ditë nga vendet fqinje. Kjo është industria shtetërore e drogës me në krye Edi Ramën.

Ja tha sot edhe Prokurori i Përgjithshëm. Prokurorët nuk marrin pjesë, as në sekuestrimin, as në administrimin, as në asgjesimin e drogës, siç e do ligji, sepse i prishin punë kupolës së korruptuar mafioze në policinë e shtetit, e cila sipas urdhrave politike të Edi Ramës, nuk e asgjeson por e tregton drogën.

Nuk e asgjesojnë dot mallin e tyre, sepse droga shqiptare ka një pronar, dhe ky është Edi Rama dhe kupola kriminale e republikës së vjetër – kriminale, jo thjesht sepse droga është krim, por kriminale sepse ka mbushur me kriminele Parlamentin, bashkitë e vendit, policinë dhe institucionet kryesore publike në vend.

I dini këto apo jo? Por sot, duhet t’i kujtojmë, sepse kjo është arsyeja që ngrihet në këmbë një popull i tërë, në bashkimin më të madh të shqiptarëve më 18 shkurt, dhe na çoi në vendimin se nuk ka e nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

Tani nuk luftojmë këtu vetëm për fatet e popullit shqiptar, vetëm për fatin e Shqipërisë, ua kam thënë ju dhe bashkëbiseduesve perendimorë. Ne luftojmë këtu edhe për Europën dhe për Amerikën. Për vlerat e përbashkëta që na bashkojnë por edhe për sigurinë e përbashkët.

Sepse një Shqipëri e sigurtë, kontribuon për një Europë të sigurtë. Kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike. Ndërsa një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, që e ka dorëzuar kontrollin e territorit të kufijve tek krimi i organizuar, kontribuon me pasiguri për Europën, dhe kthehet në konsumatore të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë dialog, ne kemi përballë tre lloj njerëzish; ata që e dinë dhe e njohin situatën, që nuk janë kursyer me mbështetjen e tyre, ata që nuk e njohin situatën dhe që kanë nevojë të informohen vazhdimisht. Këta janë shumica dërrmuese e partnerëve tanë europianë dhe amerikanë, asnjë dyshim mos të keni, janë në krahun e zgjedhjeve të lira, janë kundër krimit, janë kundër drogës, janë për reformën e vërtetë në drejtësi, jo për reformën e Xhorxh Sorosit, që e hedh drejtësinë në kontrollin e Edi Ramës, dhe këta janë shumica absolute.

Por ka edhe një pakicë të cilët kanë vendosur të jenë mercenarë të Edi Ramës. Zhagia ne nuk na impresionon. Kush na mbështet sepse njeh situatën dhe ka besim, është një aleat jo vetëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, por edhe i Europës dhe i bashkëpunimit euroatlantik.

Kush ka nevojë për më shumë informacion, për të njohur realitetin, ka gjetur dhe do të gjejë tek ne partnerët e durueshëm, objektivë, të përgjegjshëm. Sot në opozitë, nesër në qeverisje, Partia Demokratike dhe opozita e sotme shqiptare, do të jetë partneri më i përkushtuar europian dhe euroatlantik, për një Shqipëri të sigurtë që lufton krimin dhe drogën, që lufton korrupsionin dhe që zbaton një reformë në drejtësi sipas konsensusit të 22 korrikut.

 

Sa për këta të zhages, nuk na impresionojnë. Ta kemi fare të qartë. Parimet dhe vlerat për të cilat jemi tash 63 ditë, e do të jemi deri në fitore, janë në esencë, vlerat dhe parimet e përbashkëta europiane dhe amerikane. Ndaj, kjo parti, dhe ju qytetarët e lirë që jeni bashkuar në këtë lëvizje, kemi qenë, jemi dhe do të jemi në krye të përpjekjes europiane dhe euroatlantike për një Shqipëri të lirë, demokratike, të zhvilluar dhe të sigurtë.

**

Miqtë tanë mbështesin kauzën e drejtë, por kjo është një betejë e vështirë. Sepse kupola e krimit, oligarkët në pushtet kanë miliarda për të humbur. Ata kanë përdorur dhe do të përdorin çdo lloj makinacioni për të ndalur dhe komprometuar këtë lëvizje, për të kthyer avazin e vjetër të republikës së vjetër.

Sot, dua t’u përsëris fare qartë kundërshtarëve tanë politikë; Ta heqin nga mendja se ka një rrugë tjetër përveç sigurimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe garantimi dhe sigurimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme do të kryhet vetëm me një qeveri teknike, e cila do të ketë në thelb të mandatit të saj, dekriminalizimin e shtetit, luftën kundër drogës dhe paketën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme përfshirë votimin biometrik, elektronik, dhe numërimin elektronik.

Standardet janë të panegociueshme! Asnjë afat kohor apo kushtetues, apo pseudokushtetues, nuk mund të ngrihet mbi të drejtën natyrale të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pra standardet janë të panegociueshme!

 

***

Na kanë ftuar këtë javë për punën e Presidentit. “Ne i kemi votat, po hajdeni ta bëjmë me konsensus.” “Ne, i kemi paret, po hajde ta blejmë bashkë.” Ça do blejmë? Do blejmë ndonjë viç në treg?

I kujt është Presidenti? Eshtë i Ilir Metës? Eshtë i Edi Ramës? Eshtë i Lul Bashës? I kujt është?

Atëherë oferta ime është, të zgjedhim President nga populli. Hap i rëndësishëm në projektin e Republikës së Re është transferimi i pushtetit tek qytetarët. Ju e dini, ne e kemi diskutuar shumë herë bashkë në projektin kushtetues dhe institucional të Republikës së Re.

Natyrisht, fokusi ynë është beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si hapi më i rëndësishëm në Republikën e Re. Por meqenëse çështja e Presidentit po shtrohet në tavolinë, meqenëse po kërkoni kontributin tonë, meqenëse po kërkoni përfshirjen tonë, për të demostruar seriozitetin dhe vendosmërinë tonë për Republikën e Re, ju japim një dhe vetëm një ofertë për çështjen e Presidentit të Republikës: të ndryshojmë Kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar

 

Ta përmbledhim.

Vetingu nuk ka pse të presë zgjedhjet por mund të kryhet menjëherë pas paktit kombëtar, për një qeveri teknike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, sipas konsensusit të 22 korrikut.

Presidenti t’i kthehet popullit shqiptar!

Zgjedhje me 18 qershor, nuk ka, dhe nuk për të pasur.

Zgjedhje pa opozitën, nuk ka dhe nuk ka për të pasur.

Çdo përpjekje për dialog duhet të ketë parasysh, se mbi standardet zgjedhore europiane, mbi çështjen e qeverisë teknike që do t’i garantojë, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tërheqje.

Rruga për dialog, për një pakt kombëtar, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për pakt kombëtar për një Shqipëri europiane, mbetet e hapur edhe për partitë e republikës së vjetër.

Sepse kultura jonë, formimi ynë, vlerat tona janë ato europiane, pra dialogu. Por edhe vendosmëria jonë është për të mos dorëzuar më kurrë vlerat europiane tek krimi, tek droga dhe tek një kastë e korruptuar që e ka kthyer Shqipërinë në logon e vetë.

Prandaj, kjo ofertë nuk duhet të kuptohet si dobësi, por si zemërgjerësi.

Dy janë rrugët. Ta zgjidhim përmes dialogut, ose ndryshe populli do ta marrë në dorë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Zoti i bekoftë shqiptarët!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here