Ndrshoi destinacionin e kamionit me 8 ton drogë, në hetim agjencia e gruas së Qazim Sejdinit (DOKUMENTI)

0

Për trafikimin e 8 tonëve hashash, Prokuroria ka përfshirë në hetime dhe agjencinë doganore “Ujori shpk”. Nga të dhënat e Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve rezulton se kjo kompani është në pronësi të bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit.

Agjencia doganore, që ka kryer procedurat e tranzitimit në Shqipëri të kamionit që vinte nga Maqedonia dhe që është bllokuar me 8 ton drogë në Itali, rezulton se është ne pronësi te bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini.

ABC News ka siguruar kopjen e ekstraktit të Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve, ku është pasqyruar fakti se Xhuljana Sejdini, bashkëshortja e kreut të bashkisë së Elbasanit është ortakja e vetme e agjencisë doganore “Ujori shpk”.

Kjo kompani, ka si administrator Rezarta Shehun, por sipas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ajo rezulton si pronë e bashkëshortes së kryetarit të bashkisë së Elbasnait.

Kompania “Ujori Shpk”, si përfaqësues të saj në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës kishte shtetasin Maliq Kadilli, tashmë i arrestuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. I dyshuari Kadilli në emër të agjencisë doganore “Ujori shpk”, ka përpiluar dokumentet për hyrjen dhe tranzitimin e kamionit që drejtohej nga i arrestuari në Itali, Zoran Stanojoski.

Agjencia doganore “Ujori”, fillimisht në doganën shqiptare ka deklaruar se kamioni me drejtues Stanojoskin, kishte si destinacion dalje nga Shqipëria pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit. Por rreth mesditës së datës 5 shkurt 2017, i arrestuari Kadilli i është drejtuar doganës shqiptare, me një kërkesë, duke kërkuar ndryshimin e destinacionit të kamionit.

Sipas kërkesës, dalja e kamionit që drejtohej nga Stanojoski nuk do jetë Hani i Hotit por pika e kalimit kufitar të portit të Durrësit, pasi deklarata e parë është bërë gabimisht. Kamioni, mësohet se në portin e Durrësit nuk i është nënshtruar kontrollit të imtësishëm pavarësisht ndryshimit të destinacionit duke hipur kështu në tragetin e linjës Durrës-Ankona. Por me të mbërritur në portin e Ankonës, autoritet italiane kanë konstatuar se brenda rimorkios së kamionit ishin fshehur 8 ton hashash, të cilat u bllokuan me cilësinë e provës materiale.

Nga ana tjetër burimet pranë Prokurorisë për Krime të Rënda i thanë ABC News, se nuk përjashtohet nga hetimi edhe agjencia doganore “Ujori shpk” si bashkëpunëtor në rrjetin e trafikut të drogës. Pasi përfaqësuesi i tyre në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, tashmë është arrestuar dhe dyshohet se është pjesë e rrjetit të trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Për llogari të këtij hetimi, mësohet se prokuroria ka sekuestruar të dhënat e kompanisë në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe po verifikohen të gjitha praktikat dhe procedurat e ndjekur nga kjo kompani në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës dhe portit të Durrësit.

Lini nje pergjigje