Gju më gju me popullin/ Kur rikthehet “shoku Enver”. Dreka e udhëheqësit “Tarras”, shokut “Sillo” dhe “Xha Brahos”

1
1521

Ju kujtohet telekomedia “Gjuetia e fundit”, ajo ku “Xha Braho”, personfikimi i fshatarit të thjeshtë, që ka nderin të presë pas miqësisë së “Sillos” në shtëpinë e tij të “madhin”, diktatorin Enver Hoxha, të luajtur me aq mjeshtëri nga Vasillaq Vangjeli. Padyshim që është një ndër skeçet më humoristike shqiptare, ku aktorët Mehdi Malkaj dhe Koco Devole përmes batutave të tyre, përcjellin jo pak të vërteta të kohës së regjimit. Dhe pikërisht kjo skenë më erdhi në mëndje dje kur nga televizioni më i ri në vend, “ERTV” po shfaqej telekomedia e rradhës. Kryeministri Edi Rama ishte “mik” në familjen e fermerit Osman Rexha në Shushicë të Elbasanit. Ashtu si edhe në kohën e “xhaxhit”, kryeministri ynë i dashur ka rikthyer bisedat dhe diskutimet e frytshme “gju me gju me popullin”.

Si tek “Xha Braho” edhe fermeri me ndihmën e “Taulantit elbasanas” ishte munduar ta mbushte tavolinën me gjithë të mirat që kishte. Nuk mungonte aty as domatja, as qepa e as djathi. Dhe ashtu si në kohën e “shokut Tarras”, “populli” po fliste hapur me partinë, po i tregonte hallet e tij, duke vënë në prioritet mirëqenien që kishte pasur në këto 4 vite.

Gjatë drekës popullore, kryeministri “fjalë pak e punë madh”, pyeti xhaxhain mikpritës:  “Si thua, ka punuar mirë Lala? Lalën e quajnë të vjetër, lala është cun i ri” ( po fliste për kryetarin e bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini). Dhe menjëherë familjarët e fermerit u shprehën më shumë se të kënaqur me punën e “Lalës”. Dhe si për ta bërë qokën e plotë, djali i shtëpisë duke falenderuar qeverinë për reformat i ka kërkuar diçka Ramës. “Aman kryeministër, deputet vetëm si puna e Blushit mos na sill më”.  Këtu nuk kishte si të mungonte përgjigja e “udhëheqësit tonë”. “Aman mos na e prish drekën se jemi mirë, me qepët me djathin me domatet jemi mirë, mos na e fut Blushin se është asortiment që nuk hahet”, i tha Rama djalit të shtëpisë.

Në fund të drekës, Taulanti që me aq mund arriti të marrë më në fund kryesimin e Elbasanit, pas betejave historike në Librazhd, tha se kishte një surprizë për familjen e fermerit. “ Kemi lejen e legalizimit të shtëpisë”. Kaq mjaftoi dhe hareja e gëzimi mbushi të gjithë ambientin përreth.  Por duket se mungesa e vetme në gjithë këtë atmosferë unike ishte “dybeku i Nafijes”, i cili tek telekomedia me “Xha Brahon” luante rol parësor. Megjithatë nuk i dihet, ndoshta këtë pjesë “udhëheqësi ynë” e ka ruajtur për nga fillimi fushatës elektorale, ku me shumë mundësi “ERTV” do nisë transmetimin 24 orë.

*Rubrika “Pikante” i trajton lajmet apo zhvillimet e ditës me pakëz sarkazëm, ironi e nota humori

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here