“Ungjilli” sipas Rilindjes

0
367

Nga Dr. Albano ZHAPAJ

 

Çudirat, o miq, nuk kanë të sosur në këtë vend. Punë ka, por s`jemi zanatçinj. Reforma bëhen, por njerëzit si shikojnë. Qeveria punon, por njerëzit se kuptojnë, pasi dëgjojnë gënjeshtrat e opozitës. Policia në krye të detyrës, njerëzit thonë është mbushur Shqipëria me hashash.

Historianët e një të ardhme shumë të afërt, e më tej, do të kenë me siguri goxha punë për të kuptuar e shkruar atë që po ndodh sot. Por çpo ndodh sot që nuk paska qenë e parashikuar, në libra historie, apo edhe Libra të Shenjtë. Le të shikojmë ca më thellë:

«Do të shfaqen shumë profetë të rremë dhe do të mashtrojnë një mori njerëzish.» (Ungjilli sipas Mateut, kapitulli 24, paragrafi 11)

 

Kështu thoshte Mateu kur fliste për profetë dhe mësues të rremë. Me siguri që katoliku Rama nuk e ka lexuar siç këtë varg, e ka lexuar dhe po e keqpërdor, ose ndoshta e ka lexuar por e ka harruar. Nga sa po shohim, nga sa po dëgjojmë dhe nga sa po jetojmë në këtë vend, me sa duket ky është “ungjilli” që Grupi i Rilindjes ka krijuar, me aq kujdes e mjeshtëri, dhe që e preferon më shumë:

 

“Ungjilli” sipas Rilindjes

 

Vargu 1: Parlamenti komandohet me ushtarë të bindur, dhe që të mund të binden të gjithë anëtarër e tij, atëherë duhen futur në palament ca horra dhe vrasës, që anëtarët e tjerë të frikësohen, të dëgjojnë dhe të binden.

Vargu 2: Shteti ka të gjithë të drejtat mbi popullin, dhe që populli të bindet duhet frikë dhe terror, dhe një polici e fortë. Por terrori dihet se është virtyt i rrugaçëve dhe kriminelëve; atëherë le të shtojmë radhët e policisë, le të punësojmë në polici sa më shumë kriminelë dhe hajdutë, se meqë këta e njohin mirë këtë zanat,  edhe  duke i lënë edhe të bëjnë ca punë të tyre këta hajdutë, me siguri që do na binden e do bëjnë ç`tu themi, e kështu  do ta kemi më të lehtë të kontrollojmë popullin, apo kë nuk na do.

Vargu 3: Qeveria nuk ka nevojë që popullin ta vjedhë direkt, se bie në sy për keq. Atëherë jep me koncesion prona dhe shërbime shtetërore tek privati, në mënyrë që privati të vjedhë popullin, dhe në qoftë se populli ngelet borxh tek koncesioni, atëherë përdor policinë (sipas vargut 2) që ta terrorizojë pak, por edhe ta fus popullin në burg. Në fund në qoftë se hashiqare duket që po vidhet, atëherë prapë s`ka faj qeveria, por koncesioni.

Vargu 4: Një vit terror dhe burgime, mjaftojnë të qeverisës katër vjet pa probleme. Popullit i duhet thënë se s`ka faj qeveria që qytetarët e papërgjegjshëm  s`paguajnë dritat tek koncesioni privat, pasi ti popull vetë më votove dhe më the që të bëj shtet, dhe shteti nuk bëhet duke vjedhur. Populli duhet të krijojë bindjen se hajduti i madh (koncesioni sipas kreut 3) nuk ekziston, por që ekzistojnë shumë hajdutë të vegjël nga gjiri i popullit, që dëmtojnë popullin duke mos paguar detyrimet tek koncesionet.

Vargu 5: Qeveria duhet të punojë për popullin dhe të kënaqë nevojat e tij, nëpërmjet punësimit të popullit. Qeveritë e mëparshme kanë qenë hajdute dhe të korruptuara, prandaj edhe shumica e popullit ma besoi mua qeverisjen, që ti zhduk këto fenomene. Atëherë heqim nga puna të gjithë ata njerëz që tashmë janë pjesë e minorancës, lirojmë vendet e punës, dhe punësojmë aty njerëz nga “populli im” që më ka dhënë votën.

Vargu 6:  Që të qeverisësh gjatë, nevojiten para, dhe që të bësh para duhet të lidhesh me njerëzit që dinë të bëjnë, dhe që i kanë ato para. Atëherë jepu mundësinë këtyre njerëzve të ndërtojnë pallate, lokale e parkingje, në vende publike, dhe që frekuentohen më shumë nga populli. Parqet dhe lulishtet janë vende ideale, sepse janë të të gjithëve dhe të askujt. Në ndodhtë se dikush ankohet, me siguri do të jetë pjesë e atij populli në minorancë, që është i korruptuar, ose injorant që nuk e kupton zhvillimin dhe mirëqenien që i vjen popullit nga kjo qeverisje.

Vargu 7:  Qeverinë e mban në këmbë opozitarizmi i heshtur, dhe që të jetë i tillë, duhet që qeveria të godasë fuqimisht pjesëtarët, simpatizantët dhe mbështetësit e opozitës. Këtyre njerëzve u duhet vështirësuar jeta në maksimum, u duhen prishur ndërtimet, me leje apo pa leje s`ka rëndësi, sepse populli na ka votuar që të bëjmë shtet (shiko vargun 3 dhe 4). Të tjerëve që kanë aktivitete private apo biznese, duhet ti gjobisim, ti falimentojmë, ti ndalojmë që të pasurohen, pasi po patën mirëqenie kanë edhe kohë të mendojnë e të flasin kundër qeverisë, po nuk patën punë dhe biznese, do mendojnë vetëm se si të gjejnë bukë, do të fillojnë të punojnë tek ne dhe për ne, ose do të largohen ta kërkojnë punën gjetkë.

Vargu 8:  (Ar)miqtë e jashtëm nuk duhet të kuptojnë se çka po ndodh këtu, prandaj duhen rregulluar qendrat e qyteteve dhe rrugët hyrëse në vend, që gjithçka të duket se po shkon në drejtimin e duhur. Kur na vjen ndonjë  “mik i madh”, të lirojmë rrugët nga populli, ti pastrojmë e ti lajmë mirë ato, ti zbukurojmë me lule e pankarta, që kur  “miku i madh”  të shkojë në vendin e tij, të tregojë për mirëqeverisjen tonë.

Vargu 9: Populli s`duhet të ketë kurrë kohë të mendojë e të gjykojë mbi qeverinë dhe qeverisjen. Për këtë arsye qeveria në mënyrë konstante duhet të prodhojë informacione për tja mbajtur mendjen dhe jetën të zënë, të prodhojë batuta, sharje, fyerje dhe tallje, në mënyrë që media që ja transmeton popullit këto informacione, të ushqehet me lajme, dhe të mos merret me probleme që si takojnë. Në fund të fundit, ç`i duhet popullit apo të huajve se ne prishim parqe dhe ndërtojmë pallate e lokale. Spostimi i vëmendjes nga hallet e vërteta e ndihmojnë popullin t`i kalojë vuajtjet e tij me sa më pak dhimbje. E ku ka doktor më të mirë se ai që të vë në gjumë kur ke dhimbje.

Vargu 10: Një qeveri e mirë, kurrë, nuk ja ngre taksat popullit, por ja ul. Qeveria jonë ja ka heq fare taksat popullit. Bizneset e  “ndershme”  s`kanë pse paguajnë taksa shtetit. Por shteti pa taksa nuk rron dot. Atëherë le të lemë pushtetin vendor t`i marrë popullit atë që si merr qeveria, dhe herë pas herë të gjobitet populli, ku në dyqane, ku në biznese e ku në rrugë me automjete, në mënyrë që shteti të jetë e të ketë. Aty ku pushteti vendor na mbështet, edhe ne e mbështesim me investime në infrastrukturë apo në shërbime.

Vargu 11: Populli duhet të kuptojë që qeveria qendrore është e aftë, e përgjegjshme dhe e pa korruptuar. Në qoftë se qeveritë vendore nuk punojnë siç duhet, atëherë fajin e kanë ato dhe duhen ndëshkuar. Herë pas here ndonjë zyrtar vendor e fusim në burg, që populli ta shikojë që ne jemi në krahun e tij. Pastaj i themi gjykatësit që ata që fusim në burg ne, ti mbajnë ca kohë brenda, e më vonë le t`u japin edhe pafajësinë po deshi. Kështu edhe populli kënaqet që zyrtari i vogël bëri burg, por edhe zyrtari (që është i yni, shiko vargun 2 dhe 3) del i pafajshëm dhe shpërblehet monetarisht për ditët e burgut që bëri.

Vargu 12:  Popullit i duhet thënë se gjykatësit që nxjerrin nga burgu ata që arreston qeveria, janë të korruptuar dhe duhen ndërruar. Nga radhët e popullit tonë të “ndershëm” që na ka votuar, duhen gjetur njerëz të rinj dhe të zëvendësojmë të vjetrit. Qeveria arreston e burgos të pafajshëm, që këta gjyqtarë të korruptuar më tej i shpallin përsëri të pafajshëm. Kështu që s`bëjmë dot shtet me këta gjyqtarë, dhe meqë populli na ka besuar qeverisjen e vendit, duhet që gjyqtarët ti zgjedhë qeveria. Kështu edhe populli fillon dhe kupton që qeveria është në rregull, dhe të këqijat i vijnë nga gjyqtarët.

Vargu 13:  Populli është mësuar që në pushtetin vendor të zgjedhë njerëz që më shumë i beson dhe respekton. Këto janë gjëra të vjetra dhe të  tejkaluara, pasi kur ecën përpara nuk ka më kuptim të kthehesh mbrapa. Atëherë këta kandidatë që do populli, duhen baltosur, denoncuar dhe burgosur. Por si? Mjafton që një qytetar ta denoncojë për një shkelje të vogël, dhe quaje të kryer. Sa ta nxjerrë gjykata të pafajshëm edhe këtë kandidat për pushtetin lokal, qeveria e ka zgjedhur e votuar të riun. Populli duhet të kuptojë që s’mund të ketë reforma në qoftë se nuk përputhen dëshirat e qeverisë qendrore me qeverinë vendore.

Vargu 14:  Populli duhet bindur se puna  dhe frytet e qeverisë nuk mund të duken kaq shpejt, pasi duhen vite për të ndrequr gabimet e qeverive të mëparshme, si dhe për të jetësuar projektet dhe idetë që kemi nisur. Populli duhet të besojë ç`i themi ne dhe jo atë çfarë duket. Kështu fitojmë kohë sa të mbyllim një mandat dhe i themi që na duhet edhe një tjetër për të mos lënë përgjysmë “punën e madhe” që kemi nisur. Për këto arsye në prag zgjedhjesh, asnjë gjobë, asnjë arrestim, ca amnistira, ca investime dhe ca fasada, dhe e shtyjmë edhe një mandat tjetër.

Pra o miq, historianë, gazetarë, politikanë e zanatçinj, siç e shikoni Ungjilli i vërtetë i paska parashikuar edhe profetët e rremë si rilindësit me shokë. Populli do mashtrohet, do bindet, do durojë, por në fund do ta kuptojë të vërtetën, do ta kuptojë se kush është qeveria “profete” dhe kush është populli, pasi populli gjykon me gjuhën e zemrës dhe Zoti s’do ta lerë për shumë kohë në errësirën e “ungjillit” të profetit të Rilindjes, Rama. Populli do ngrihet dhe ora e mashtrimeve do përfundojë

«Ai (populli) do të ngulmojë deri në fund, dhe do të shpëtohet.» (Ungjilli sipas Mateut, kapitulli 24, paragrafi 13).

Të rrojmë e të shikojmë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here