Kullat e Tiranës/ Tirana 2030 dhe ndërtesat shumëkatëshe që do i marrin frymën qytetit  

0

 

 

“Miratimi i pelinit në KKT, solli të reja për publikun që është lënë jashtë që në fillim të projektimit të planin. Tirana së shpejti do të mbushet me kulla”

 Anest Barjamemaj

Pas disa muajsh pritje, plani  urbanistik i Tiranës, i cili u miratua në fund të muajt dhjetor me debate të shumta, gjeti rrugën e dritës ditën e premte pas firmës nga kryeministri Edi Rama. Të premten u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Kombëtar të Territorit, ku u miratua dhe Plani urbanistik i Tiranës. Deri këtu gjithçka është në rregull, pasi procedurat janë korrekte, por problemi qëndron te ajo që vjen pas këtij plani. Deri të premten dihej vetëm që në Tiranë do të ndërtoheshin disa kulla të larta, kjo pasi edhe vetë kryetari i bashkisë Erion Veliaj e tha me zë dhe figurë që ishte krenar për ndërtimin e tyre. Gjatë prezantimit të planit, Veliaj tha se ky plan ka në projekt ndërtimin e disa kullave të cilat do ti japin zhvillim qytetit, dhe do të rrisin gjelbërimin.

 

Por ku dhe sa të larta janë këto kulla që do të ndërtohen?

 

Shumë shpejt pas miratimit të planit dolën në dritë dhe ato që nuk dukeshin deri në atë moment, pasi i ishin mbajtur të fshehura, kjo ndoshta edhe për të shmangur protestat e mundshme. Pas hedhjes së firmës nga Rama që i jep dritën jeshile ndërtimit të këtyre kullavem asgjë nuk mund të ndryshohet më. Tirana e 2030-tës do të ketë disa kulla të cilat do të jenë me lartësi mbi 100 metra, dhe disa prej tyre do vendosen fiks në qendrën e Tiranës.

 

Kulla mbas 15 katëshit

 

111 metra përball Skënderbeut, kulla që do ti bëj hije heroit kombëtar

 

Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi planin e përgjithshëm vendor të Tiranës i cili mes të tjerave parashikon një kullë 111 metra të lartë  pranë “hotel Tiranës”. KKT miratoi lejen e zhvillimit për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana Internacional me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë. Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si sekretariat teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit, në përputhje me Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar, dhe VKM-në Nr. 725 datë 02.09.2015 “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit”, pasi ka shqyrtuar dokumentacionin teknik dhe ligjor, ka konstatuar se statusi i aplikimi është si më poshtë: aplikimi bën pjesë në rastet kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit; në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 15, të Vendimit Nr. 408, datë 13.05.2015 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”.  Ndërsa Bashkia Tiranë është shprehur se: “Në vlerësim të vizionit dhe principeve të parashikuara në planin proces miratimi  pranë KKT-së, ju informojmë se, propozimi nuk është në kundërshtim me parimet e zhvillimit për këtë zonë.” Kjo do të thotë se shumë shpejt do të ngrihet një kullë ngjitur me 15  katëshin, e cila do mund të shquhet nga shumë larg, pasi do të jetë 111 metra e lartë.

 

133 metra përballë Partisë Demokratike dhe buzë lanës, “zhvillimi” që nuk njeh kufi

 

Por kulla pranë “Hotel Tiranës” nuk do të jetë e vetmja që do të ndërtohet në Tiranë, pasi në mbledhjen e të premtes u miratua edhe ndërtimi i një tjetër kulle, por këtë herë edhe më shumë e lartë. Kulla e dytë, por që mendohet se nuk është e fundit, pritet të ndërtohet përballë selisë së Partisë Demokratike, dhe do të jetë 133 metra e lartë. Godina 133.8 metra e lartë do të pozicionohet mes qendrës tregtare “ETC” dhe parkut të lodrave për fëmijë “7 xhuxhat”, e cila do të quhet “Doëntoën Albania”.  Leje Zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA”, me vendndodhje në Bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Kulla Doëntoën Albania me pozicionin e saj strategjik në Tiranë përgjatë bulevardit “Bajram Curri” ka potencialin për t’u bërë një landmark fantastik për qytetin. “Duke qenë ndërtesa më e lartë e Shqipërisë dhe me katet, që ndryshojnë ne volumetri krijon një pamje impresionuese. Kjo godine do të jetë e dukshme nga sheshi “Skënderbej” dhe më tej. Natyra e dizajnit është e bazuar në siluetën e territorit të Shqipërisë dhe morfologjisë së saj. Lartësia e kullës arrin 133.8 m dhe do spikas në siluetën e qytetit. Kati përdhe përbëhet prej hapësirës komerciale dhe hyrjeve të veçuara për zyrat dhe banimin. Zyrat do të kenë hyrje të shoqëruar me hollë pritës nga bulevardi Bajram Curri. Banesat do të kenë hyrje të shoqëruar me hollë pritës nga ana veri-lindore e objektit. Kulla do të ketë funksione të ndara në vertikalitet i quajtur ndryshe “Burger”. Kjo shpërndarje funksionon duke pasur funksione të ndryshme të ndara sipas kateve ku 2912 m2 të kateve të para do shërbejnë si hapësira komerciale. Në katet që vijojnë do të jenë të lokalizuara ambientet e zyrave me një sipërfaqe prej 21840 m2. Në katet e sipërme për të ofruar pamjet më të mira nga lartësia e kullës janë pozicionuar banimet me një sipërfaqe rreth 26208 m2. Parkimi do të jetë nëntokë dhe me akses nga bulevardi Bajram Curri i cili do të mbuloje rreth 394 vende parkimi” thuhet ndër të tjera në përshkrimin e kësaj kulle. Kjo do të thotë që shumë pallate që janë aty aktualisht nuk do të duken më dhe mund të preket dhe këndi i lojërave “7 xhuxhat”.


 

Rekordi negativ

 

Kuvendi miraton ndërtimin e kullës 350 m të lartë, firma 15 vite pa taksa

 

Ndërtimit të kullës ikonike në Tiranë, e cila do të jetë dhe ndërtesa më e lartë n vendin tonë prej 350 metra, Kuvendi i ka dhënë  miratimin për hapjen e negociatave për të firmosur marrëveshjen. 78 deputetë të Kuvendit votuan pro ndërtimit të saj. Firma arabe “Al Habtoor Investment” që do ta ndërtojë kullën ka kërkuar të përjashtohet nga taksat për 15 vite, si dhe faljen e 25 000 m2 truall tek bulevardi i ri që po ndërtohet në Tiranë. Firmosja e kësaj kontrate duhet të kalonte me çdo kusht nga Kuvendit duke qenë se firma arabe që do ta ndërtojë ka kërkuar të përjashtohet nga taksat. Ambientet do të kenë si qëllim banimin, dhënien e shërbimeve dhe hotelerinë. Kompania “Al Habtoor Investment” ka premtuar se do të përfundojë ndërtimin për 3 vjet. Për këtë projekt firma arabe do të investojë 250 milion dollarë.

 

Projekti

 

Ky projekt ka të bëjë me ndërtimin e “Kullës ikonike”, në zgjatim të Bulevardit të Ri të Tiranës. Në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25 000 m2, të një parcele trekëndore në zgjatim të bulevardit të ri në Tiranë, në këmbim të një sipërfaqeje ambientesh në favor të Bashkisë së Tiranës, përjashtimin nga taksat doganore, TVSH-ja, tatimi mbi fitimin apo çdolloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare. “Për të gjitha këto parashtrime më sipër në lidhje me përfitimet që përfaqëson realizimi i këtij projekti për ekonominë shqiptare, si dhe për të qenë transparentë në këtë proces, kërkohet tagri për fillimin e negociatave me kompaninë e sipërpërmendur me qëllim arritjen e një marrëveshjeje të favorshme për të dyja palët” thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin. Me anën e këtij projektligji autorizohet Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Financave, Bashkia e Tiranës dhe Avokatura e Shtetit për fillimin e negocimit të marrëveshjes për realizimin e këtij projekti.


 

Çfarë u tha katër muaj më parë?

 

Për këtë çështje kemi shkruar edhe katër muaj më parë, në një kohë kur plani mori miratimin me debate të forta në këshillin bashkiak. Në atë kohë disa nga çështjet kryesore që thuheshin për planin ishin, pylli orbital, ndërtimet e reja, por askush nuk e përmendi që do të kishte kulla shumë katëshe përball “Sheshit Skënderbej”.

 

Qëllimi i planit
Plani i ri vendor do të ketë disa qëllime, duke filluar me zhvillimin ekonomik të secilës Njësi Administrative. “Zhvillimin e balancuar duke krijuar një shpërndarje të re të funksioneve. Zhvillimi e  integruar në hapësirat më të mëdha urbane. Ndryshimin e funksioneve dhe raporteve të hapësirave urbane duke përfshirë edhe zona me karakteristika që nuk parashikoheshin nga plani ekzistues. Krijimin e një modeli të ri zhvillimi duke harmonizuar hapësirat në zonat e banimit, ekonomike, industrial etj. Ky do të jetë Plani i Përgjithshëm  në 15 vitet e ardhshme”, – ka parashikuar bashkia nëpërmjet planit të ri. Të gjitha vendimet e mëparshme të marra për hartimin e planit vendor do të shfuqizohen.

 

Zonat ku nuk do të ndërtohet
Plani i ri përcakton disa zona në të cilat do të ndërtohet dhe për këtë shkak janë krijuar shumë debate. Shumë ekspertë mendojnë që të nuk duhet të ndërtohet më në Tiranë pasi dendësohet shumë popullsia. Por sipas planit të ri janë disa zona në të cilat nuk do të lejohet ndërtimi. Disa prej zonave që nuk do të lejohet ndërtimi në të janë zonat me rëndësi kombëtare. Këtë fakt Bashkia e Tiranës e ka përcaktuar që në dokumentin për hartimin e planit të Përgjithshëm Vendor. Zonat e rëndësisë kombëtare ndahen në tri kategori. Zonat Monumentale që përfshihen në bashkinë e Tiranës të cilat janë: Mali i Vilës, Petrelë, Dorel, Kalaja e Ndroqit, Tirana-Qendra historike, Kalaja e Tiranës, Kalaja e Tujanit si dhe zonat monumentale të kategorisë së parë dhe të dytë. Në këtë plan nuk lejohet që të ndërtohen, por në zonat e tjera lejohen që të ndërtohen kullat shumë katëshe, që ishin edhe një nga pikat kryesore që mbështeti Veliaj.

Gjelbërimi

Një projekt madhor është krijimi i një brezi të gjelbër që mbron Tiranën nëpërmjet pyllit orbital për ta kthyer edhe si park, por dhe si kufi për ndërtimet. Parashikohet që në 15 vitet e ardhshme ne të mbjellim 2 milionë pemë. Një nga pikat më pozitive të këtij plani është që për herë të parë u bë dhe një riinventarizim i tokave bujqësore të Tiranë dhe sot hapësira e tokës së mbrojtur nga ky plan 5-fishohet.


Intervista  me Gentian Kapratën

 

Flet urbanisti: “Plan i kullave” të kastës dhe jo një “Plan Territorial” për banorët

 

“Ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët është se vendimin për tu lejuar apo jo këto kulla dhe të tjera në të ardhmen, nuk e marrin më ata. Atë vendim e ka marrë kasta drejtuese e vendit dhe këtë asgjë dhe askush nuk mund ta ndaloj më”

 

Intervistoi:Anesti Barjamemaj

 

Miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor për Tiranën, ka sjell debate në media, ky mbizotërojnë rrjetet sociale. Kundërshtitë janë të shumta, pasi pas miratimit dolën dhe disa çështje që nuk ishin bërë të ditura më parë, pasi u zbulua se do të ndërtohen kulla mbi 100 metra të larta.  Deri tani janë zbuluar dy kulla, por ky plan i hap rrugë ndërtimeve të tilla. Për këtë temë ka folur për Standard urbanisti dhe drejtuesi “Urbanism and Democracy” , Gentian Kaprata. Ai ka folur rreth tezave te tij dhe probleme që ka ky plan. Sipas  tij plani është shumë i nevojshëm, por mënyra se si u ndërtua dhe lënia jashtë publikut në procesin e formimit të tij ka sjell shumë devijime që janë kundër qytetit.

 

Ditën e premte kryeministri miratoi në mbledhjen e KKT-së  planin e ri urbanistik të Tiranës, dhe firmosi për ndërtimin e disa kullave shumë katëshe. Sipas mendimit tuaj  a duhej dhënë drita jeshile për këto kulla?

 

Megjithëse këto ditë fundjave të zgjatur nuk kam pasur mundësi dhe dëshirë të ndjek nëpërmjet medias vizive të rejat e fundit, edhe unë jam njohur me miratimin me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të disa dokumenteve që qeveria qendrore dhe agjencitë e saj i kanë quajtur Plane Vendore. Një ndër to ishte i ashtuquajturi Plani i Përgjithshëm Vendor i bashkisë Tiranë. Duket se ky i fundit tërhoqi vëmendjen ekskluzive të publikut të gjerë për dy arsye.

Së pari se kemi të bëjmë me Kryeqytetin dhe qytetin më të madh të vendit sikurse është Tirana. Dhe së dyti sepse të integruara në këtë set dokumentesh grafike dhe të shkruara, janë dalluar disa objekte ndërtimore të reja që e tejkalojnë perceptimin e përgjithshëm shoqëror. Ne nuk jemi akoma të përgatitur psikologjisht dhe kulturalisht për ndërtesa kaq të larta. Së pari dua të theksoj se kjo ngjarje vërteton dy nga vërejtjet e mia bazike për këtë sipërmarrje në fushën e planifikimit territorial të qendrave të banuara shqiptare dhe specifikisht për bashkinë Tiranë. Në fakt, ti quash vërejtje është një përcaktim shumë romantik pasi unë mendoj se janë këto dy kufizime shumë të thella që nuk mundësojnë që ky set dokumentesh të quhet Plan Territorial.

Kufizimi i parë që unë kam theksuar në një seri me dhjetë shkrime për Planin e Tiranës është përjashtimi i palëve të interesuar dhe grupeve të prekura nga zhvillimi, përgjatë procesit të përgatitjes dhe hartimit të këtij dokumenti. Nëse vëzhgoni reagimin qytetar në atë hapësirë publike që ka mbetur e lirë (median sociale) do ju rezultojë se shumica dërmuese janë shprehur fort kundër ndërtimit të këtyre ndërtesave. Ç’ka nënkupton se përfshirja e tyre gjatë procesit të hartimit do na kishte drejtuar në përfundime të tjera.

Kufizimi i dytë ka të bëjë me përkufizimin e këtij dokumenti si një “Plan i kullave” të kastës, dhe jo një “Plan Territorial” për banorët, sikurse duhet të ishte. Sot, pa filluar akoma implementimi i këtij dokumenti, ne jemi të shtrënguar të flasim për kulla. Bile, kulla aq të larta sa shoqëria i ndjenë si të huaja dhe armike.

Pjesën tjetër të pyetjes tuaj ‘a duhet dhënë drita jeshile për këto kulla?’ unë nuk e kuptoj njësoj si ju. Ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët është se vendimin për tu lejuar apo jo këto kulla dhe të tjera në të ardhmen, nuk e marrin më ata. Atë vendim e ka marrë kasta drejtuese e vendit dhe këtë asgjë dhe askush nuk mund ta ndaloj më. Koha kur mendimi teknik por edhe qytetar mund të ndikonte mbi mënyrën e zhvillimit në të ardhmen të qytetit, përfshirë edhe çështjen konkrete, ka mbaruar me mbylljen e procesit të hartimit të këtij dokumenti.

 

Duhej të lejohej ndërtimi i këtyre kullave në ato zona që janë projektuar, apo mund të ndërtoheshin në zona të tjera?

 

Kjo pyetje është vazhdimi i logjikshëm i pjesës së dytë të pyetjes së parë dhe në këtë kuptim po vijoj edhe unë përgjigjen. Vendimi se këto kulla do të ndërtohen dhe se ku do të ndërtohen, është marrë nga kasta politiko ekonomike e vendit dhe ky vendim nuk është më në diskutim për qytetarët qofshin ata edhe ekspertë të fushës së urbanistikës. Bile, ky vendim nuk është marrë tani por kohë më parë, dhe në koseguencë të këtij vendimi janë investuar edhe para publike (para të taska paguesve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë) për ti ndihmuar këto investime private. Kemi ndërtimin e një parkimi nëntokësor në Sheshin Skënderbej, një tjetër në hyrje të Bulevardit të ri, dhe një kënd lojërash për fëmijë në brendësi të Parkut të Liqenit, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, diku më shumë dhe diku më pak, shërbejnë për të lehtësuar shitjet apo përdorimet e tjera të hapësirave të brendshme të këtyre objekteve ndërtimore. Nga media sociale jam njohur edhe me mënyra të tjera sesi kasta vendimmarrëse po incentivon këto pronësi private nëpërmjet parave apo pronësive publike.

Prandaj kjo vendimmarrje jo vetëm nuk mund të bllokohet apo të modifikohet sikurse ju pyesni, por do të vazhdojë implementimin me shpejtësi. Diskutimet e tjera janë thjesht ushqim për masat e gjëra. Gjysmat e të njëjtës kastë, që bëjnë sikur janë të ndara, në mënyrë të drejtpërdrejt ose nëpërmjet megafonave të tyre do i shesin publikut “argumente” të kundërta mbi nëse duhen apo nuk duhen ndërtuar këto kulla dhe të tjera në vijim në Tiranën urbane. Në fakt, nëse vërtet kanë ndonjë kundërshti mes tyre, është çështja shumë e rëndësishme se kush do marri zarfin e radhës nga përfituesi i radhës. Pjesa tjetër e zhurmës intelektuale dhe morale ka të bëjë me të vetmen strategji politike që kasta shqiptare di të përdori: përçarja e shqiptarëve në dy grupe shoqërore që urrejnë njëri-tjetrin deri në luftë klasash mes tyre. Është kjo luftë që i mban shqiptarët në gjendje tifozërie dhe nuk i lejon të kuptojnë se janë kthyer në luftëtarë për kolltukët dhe gjithçka që vjen prej tyre, të një grushti njerëzisht duke paguar me mjerimin e sotëm dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

 

Çfarë pasojash do të kenë këto kulla që kalojnë 100 metra lartësi në arkitekturën e Tiranës?

 

Nuk do ja lejoja vetes të dilja në përfundime shteruese mbi ndikimin e këtyre kullave në urbanistikën e qytetit. Teza ime bazike në platformën time “Urbanism and Democracy” është se askush, as arkitekti apo urbanisti më i mirë i botës nuk mund të bëjë përcaktime të tilla, që nuk vijnë si pasojë e një cikli hierarkik procesesh gjithëpërfshirëse nga planifikimi territorial te projektimi urban. Tezë nga e cila kanë origjinalizuar shumë analiza apo opinione mbi ngjarjet me dimension urban e territorial në Shqipëri. Në këtë kontekst, përderisa unë kam kritikuar njerëz politik apo teknik të tjerë që kanë marrë vendime të pambështetura në planifikim, nuk ekziston asnjë mundësi që këtë gabim ta bëj edhe unë.

Por në respekt të lexuesve tuaj dhe mbështetur në një platformë timen personale (që nuk duhet lexuar si shteruese dhe përfundimtare) unë mund të prezantoj për këtë intervistë disa nga qasjet e mia që influencojnë këto zhvillime ndërtimore.

Unë jam kundër çdo ndërhyrje në “Sheshin Skënderbeu” që nuk e sheh atë një unitet që prezanton historinë e qytetit të Tiranës që nga krijimi i saj deri më sot. Nëse vendoseni me drejtim nga Korpusi Qendror përball jush ngrihet statuja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Në të majtën tuaj do të shfaqet “Xhamia e Etem Beut”. Ajo materializon, së bashku me kullën e sahatit, periudhën otomane që përjetoi Tirana gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të kaluar. Vetëm pak metra më tutje në këtë drejtim gjendet kalaja e Tiranës, e cila përbën qendrën e një vendbanimi të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë: Tirkan (shek IV e.s ); Tergiana (1297)  dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Në ndërtesat brenda Kalasë kanë banuar pjesëtarë të familjeve sunduese të qytetit dhe për këtë arsye ato konsiderohen edhe si godina të administratës së parë lokale. Përball jush me një shtrirje gjatësore drejt jugut të qytetit formohet “Kompleksi Ministror” që në pikëpamjen historike (përfshirë Bankën e Shqipërisë), simbolizon periudhën e para pushtimit fashist të Shqipërisë. Në të majtën tuaj ndodhet Pallati i Kulturës tullën e parë të të cilit e vendosi vet shefi i kampit socialist z. Hurshov. Në vazhdim, sipas kahut orar, pozicionohet Hotel Tirana apo sfida qesharake për të arritur qiellin dhe Godina e Muzeut Historik. E thënë shkurt kjo është simbolika e sheshit “Skënderbej” dhe kjo simbolikë nuk duhej prekur në asnjë rast.

Unë jam kundër tejshtrirje urbane të Bulevardit të Ri dhe gjithçka që ky projekt përfshin brenda vetes për disa arsye. Së pari, ai dëmton Shqipërinë territoriale duke thelluar një hendek të madh që po krijohet mes qendrave të banuara. Sot Shqipëria ka vetëm dy lloje qendrash të banuara: ose qendra të mëdha dhe të mbipopulluara (si Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani) ose qendra të vogla dhe të nën populluara (si pjesa tjetër e Shqipërisë urbane). Të dyja këto shumë të vështira dhe me kosto të mëdha për tu menaxhuar e administruar. Duhet kuptuar se ky territor i ri që po përshtatet për tu urbanizuar do tërheq të tjerë familje që do emigrojnë nga këto qendra të nën populluara duke ju larguar edhe burimeve reale ekonomike (burime natyrore) dhe do betonojë kursimet e tyre që do kthehen në banesa duke shteruar edhe burimet financiare të tyre që ndryshe mund të ishin përdorur për krijuar ekonomi familjare. Së dyti, është fakti që ky projekt tërheq paratë private apo publike nga zonat e vjetra e ekzistuese të Tiranës që janë në mjerim urban si pasojë e mungesës së këtyre financimeve, drejt një hapësire të re urbane, duke krijuar një treg të ri pasurish të paluajtshme kur kemi një treg ekzistues në krizë shitjesh. Raportet e ekspertëve identifikojnë mijëra apartamente ekzistuese të ndërtuara dhe të pa shitura.

Për të ardhur te projekti i ‘Hyrjes së Parkut’, dhe të ngjashmëve të tij që synojnë ndërtimin e disa kullave në kufi apo në brendësi të Parkut të Liqenit të Tiranës. Unë e kam konsideruar prej kohësh këtë projekt si ‘valën e tretë’ të spekulimit me dimensionin urban të qytetit dhe blerësit e apartamenteve të këtyre kullave.  Sipas meje tregu i pronësisë së pronave të paluajtshme dhe  dimensioni urban i kryeqytetit (dhe gjithë Shqipërisë) ka kaluar në pesë valë spekulimi, dhe këto ndërtime përbejnë valën e tretë. Atë të ‘shitjes për pamjen më të mirë’, sipas të cilës “industrialistët” ofrojnë apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, me parqet, me pyjet natyrore, me bregliqenet apo me breg lumenjtë. Shpesh që kjo të mundësohet kërkon që vija kufitare midis këtyre dy përdorimeve të tokës urbane, sikurse duket që është rasti për të cilin po flasim, të s’postohet në kurriz të natyrores apo publikes që kaq shumë i mungon Tiranës urbane.

 

Që në fillim ju keni qenë kundër këtij plani pasi thoni që ka shumë probleme, mund të na rendisni shkurtimisht problemet kryesore nga ana urbanistike që lidhen me të?

 

Që në fillim, ndoshta në mënyrë të përsëritur, dua të theksoj se unë nuk jam kundër bërjes së Planit të Përgjithshëm të Tiranës. Përkundrazi një nga tezat bazike të miat, në lidhje me zhvillimin territorial dhe urban të Tiranës, është hartimi sa më i shpejtë i këtij instrumenti themelor planifikimi dhe vijimi i hartimit të studimeve pjesore të blloqeve urbane në zbatim dhe në përputhje me këtë Plan të Përgjithshëm. Përfundimisht, na duhet një Plan i ri për Tiranën.

Mirë që na duhet, por a jemi në rrugën e duhur me këtë që kemi miratuar vetëm pak ditë më parë?  Sipas një mendje të ndriçuar të Hauardit, aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është ‘të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht’, ky është plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive. Plani nuk është ca viza dhe forma gjeometrike të ngjyrosura, në një tabak të madh letre që mezi paloset. Jo!

Plani i Territorit është dakortësia mbi kuptimin territorial të politikave ekonomike, social-kulturore dhe mjedisore të një njësie vendore. Shoqëruar me element të fortë të demokracisë kuvenduese, Plani, mund të kthehet në një ringjallje shpirtërore dhe kulturore për qytetin. Ai gjithashtu mund të krijojë parakushtet për një ringjallje ekonomike të tij.

Por mbi të gjitha dhe gjithçka, hartimi i tij nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet propagandistik. E them këtë sepse kështu nisi hartimi i Planit të Tiranës, që ditët e para të qeverisjes Veliaj. Nisi në një takim pune midis tij dhe Ministres së Zhvillimit Urban, duke e bërë të qartë për këdo që i njeh çështjet urbane, se ky Plan do hartohej ‘nën vëzhgimin e rreptë të qeverisë qendrore’ duke mos lejuar që problematikat, nevojat, dizbalancat por edhe aspiratat reale lokale të adresoheshin nga qëndrime e kuptime autonome lokale. Kjo gjë, përveç të tjerave nuk lejon specializimin dhe rritjen e qyteteve në konkurrencë mes njëra-tjetrën për ti siguruar qytetarëve një cilësi më të lartë jetese urbane.

Kundërshtia e dytë më këtë dokument është se përgjatë procesit të hartimit të tij u lanë jashtë palët e interesuara dhe vendimmarrja për mënyrën e zhvillimit të qytetit ju la në dorë ekspertizës së huaj. Por a mund të jetë real dhe i zbatueshëm një plan kur për çështjet e zhvillimit ekonomik (për shembull) nuk janë përfshirë shoqatat apo eksponentët e sotëm të zhvillimit ekonomik të qytetit?  Ku mund ta dijë z. Boeri (apo urbanistët e kontraktuar në 26 qytetet e tjera që qeveria qendrore “po u bën Planin urban), kush janë plan bizneset strategjike të biznesmenëve shqiptar për të zgjeruar, ngushtuar apo modifikuar sipërmarrjet apo financimet e tyre në të ardhmen? Vetëm nëse z. Boeri dhe kolegët e tij janë magjistarë por jo urbanistë.

Çështja e tretë ka të bëj me faktin që ndërsa vijonte procesi i hartimit të këtij instrumenti, qeveria qendrore dhe vendore bënë vendimmarrje dhe financime për projekte bazike për qytetin si: Bulevardi i Ri; Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa; Sheshi Skënderbej; Lunaparku të Parku i Liqenit. Të gjitha këto vendimmarrje kaq bazike dhe që definojnë zhvillimin e dimensionit urban të qytetit për disa dekada nuk mund të dalin në asnjë rast jashtë përcaktimeve përfundimtare të Planit të Përgjithshëm.

Çështja e katërt, që në fakt na sjell në fillim të kësaj interviste, është se ky instrument nuk u morr fare me banorët dhe nevojat e tyre por me godinat. E kam thënë edhe në të tjera raste, nuk mund të konceptohet një plan urban që nuk ka për kryefjalë të përcaktimeve të veta fjalën banor. Çdo gjë për të cilën flet Plani ka ndërlidhje me banorin. Kurse ky plan foli vetëm për kullat. Së pari z. Boeri që do sillte një rregull të ri urban duke prishur pallatet e Enverit dhe duke ndërtuar të reja dhe më tej z. Veliaj që do ndërtonte kulla mbi dhjetë katëshe për të rregulluar Tiranën. Parashikimi ynë që ky nuk është ‘Plani i Qytetarëve për Banorët’ por ‘Plani i Kastës për Kullat’, po vërtetohet shumë më shpejt ec pritej.

 

 

Lini nje pergjigje