INTERVISTA/ Flet urbanisti Kaprata: “Plan i kullave” të kastës dhe jo një “Plan Territorial” për banorët

0

Intervista  me Gentian Kapratën

 “Ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët është se vendimin për tu lejuar apo jo këto kulla dhe të tjera në të ardhmen, nuk e marrin më ata. Atë vendim e ka marrë kasta drejtuese e vendit dhe këtë asgjë dhe askush nuk mund ta ndaloj më”

 

Intervistoi:Anesti Barjamemaj

 

Miratimi i Planit të Përgjithshëm Vendor për Tiranën, ka sjell debate në media, ky mbizotërojnë rrjetet sociale. Kundërshtitë janë të shumta, pasi pas miratimit dolën dhe disa çështje që nuk ishin bërë të ditura më parë, pasi u zbulua se do të ndërtohen kulla mbi 100 metra të larta.  Deri tani janë zbuluar dy kulla, por ky plan i hap rrugë ndërtimeve të tilla. Për këtë temë ka folur për Standard urbanisti dhe drejtuesi “Urbanism and Democracy” , Gentian Kaprata. Ai ka folur rreth tezave te tij dhe probleme që ka ky plan. Sipas  tij plani është shumë i nevojshëm, por mënyra se si u ndërtua dhe lënia jashtë publikut në procesin e formimit të tij ka sjell shumë devijime që janë kundër qytetit.

 

Ditën e premte kryeministri miratoi në mbledhjen e KKT-së  planin e ri urbanistik të Tiranës, dhe firmosi për ndërtimin e disa kullave shumë katëshe. Sipas mendimit tuaj  a duhej dhënë drita jeshile për këto kulla?

 

Megjithëse këto ditë fundjave të zgjatur nuk kam pasur mundësi dhe dëshirë të ndjek nëpërmjet medias vizive të rejat e fundit, edhe unë jam njohur me miratimin me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT) të disa dokumenteve që qeveria qendrore dhe agjencitë e saj i kanë quajtur Plane Vendore. Një ndër to ishte i ashtuquajturi Plani i Përgjithshëm Vendor i bashkisë Tiranë. Duket se ky i fundit tërhoqi vëmendjen ekskluzive të publikut të gjerë për dy arsye.

Së pari se kemi të bëjmë me Kryeqytetin dhe qytetin më të madh të vendit sikurse është Tirana. Dhe së dyti sepse të integruara në këtë set dokumentesh grafike dhe të shkruara, janë dalluar disa objekte ndërtimore të reja që e tejkalojnë perceptimin e përgjithshëm shoqëror. Ne nuk jemi akoma të përgatitur psikologjisht dhe kulturalisht për ndërtesa kaq të larta. Së pari dua të theksoj se kjo ngjarje vërteton dy nga vërejtjet e mia bazike për këtë sipërmarrje në fushën e planifikimit territorial të qendrave të banuara shqiptare dhe specifikisht për bashkinë Tiranë. Në fakt, ti quash vërejtje është një përcaktim shumë romantik pasi unë mendoj se janë këto dy kufizime shumë të thella që nuk mundësojnë që ky set dokumentesh të quhet Plan Territorial.

Kufizimi i parë që unë kam theksuar në një seri me dhjetë shkrime për Planin e Tiranës është përjashtimi i palëve të interesuar dhe grupeve të prekura nga zhvillimi, përgjatë procesit të përgatitjes dhe hartimit të këtij dokumenti. Nëse vëzhgoni reagimin qytetar në atë hapësirë publike që ka mbetur e lirë (median sociale) do ju rezultojë se shumica dërmuese janë shprehur fort kundër ndërtimit të këtyre ndërtesave. Ç’ka nënkupton se përfshirja e tyre gjatë procesit të hartimit do na kishte drejtuar në përfundime të tjera.

Kufizimi i dytë ka të bëjë me përkufizimin e këtij dokumenti si një “Plan i kullave” të kastës, dhe jo një “Plan Territorial” për banorët, sikurse duhet të ishte. Sot, pa filluar akoma implementimi i këtij dokumenti, ne jemi të shtrënguar të flasim për kulla. Bile, kulla aq të larta sa shoqëria i ndjenë si të huaja dhe armike.

Pjesën tjetër të pyetjes tuaj ‘a duhet dhënë drita jeshile për këto kulla?’ unë nuk e kuptoj njësoj si ju. Ajo që duhet të kuptojnë shqiptarët është se vendimin për tu lejuar apo jo këto kulla dhe të tjera në të ardhmen, nuk e marrin më ata. Atë vendim e ka marrë kasta drejtuese e vendit dhe këtë asgjë dhe askush nuk mund ta ndaloj më. Koha kur mendimi teknik por edhe qytetar mund të ndikonte mbi mënyrën e zhvillimit në të ardhmen të qytetit, përfshirë edhe çështjen konkrete, ka mbaruar me mbylljen e procesit të hartimit të këtij dokumenti.

 

Duhej të lejohej ndërtimi i këtyre kullave në ato zona që janë projektuar, apo mund të ndërtoheshin në zona të tjera?

 

Kjo pyetje është vazhdimi i logjikshëm i pjesës së dytë të pyetjes së parë dhe në këtë kuptim po vijoj edhe unë përgjigjen. Vendimi se këto kulla do të ndërtohen dhe se ku do të ndërtohen, është marrë nga kasta politiko ekonomike e vendit dhe ky vendim nuk është më në diskutim për qytetarët qofshin ata edhe ekspertë të fushës së urbanistikës. Bile, ky vendim nuk është marrë tani por kohë më parë, dhe në koseguencë të këtij vendimi janë investuar edhe para publike (para të taska paguesve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë) për ti ndihmuar këto investime private. Kemi ndërtimin e një parkimi nëntokësor në Sheshin Skënderbej, një tjetër në hyrje të Bulevardit të ri, dhe një kënd lojërash për fëmijë në brendësi të Parkut të Liqenit, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, diku më shumë dhe diku më pak, shërbejnë për të lehtësuar shitjet apo përdorimet e tjera të hapësirave të brendshme të këtyre objekteve ndërtimore. Nga media sociale jam njohur edhe me mënyra të tjera sesi kasta vendimmarrëse po incentivon këto pronësi private nëpërmjet parave apo pronësive publike.

Prandaj kjo vendimmarrje jo vetëm nuk mund të bllokohet apo të modifikohet sikurse ju pyesni, por do të vazhdojë implementimin me shpejtësi. Diskutimet e tjera janë thjesht ushqim për masat e gjëra. Gjysmat e të njëjtës kastë, që bëjnë sikur janë të ndara, në mënyrë të drejtpërdrejt ose nëpërmjet megafonave të tyre do i shesin publikut “argumente” të kundërta mbi nëse duhen apo nuk duhen ndërtuar këto kulla dhe të tjera në vijim në Tiranën urbane. Në fakt, nëse vërtet kanë ndonjë kundërshti mes tyre, është çështja shumë e rëndësishme se kush do marri zarfin e radhës nga përfituesi i radhës. Pjesa tjetër e zhurmës intelektuale dhe morale ka të bëjë me të vetmen strategji politike që kasta shqiptare di të përdori: përçarja e shqiptarëve në dy grupe shoqërore që urrejnë njëri-tjetrin deri në luftë klasash mes tyre. Është kjo luftë që i mban shqiptarët në gjendje tifozërie dhe nuk i lejon të kuptojnë se janë kthyer në luftëtarë për kolltukët dhe gjithçka që vjen prej tyre, të një grushti njerëzisht duke paguar me mjerimin e sotëm dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.

 

Çfarë pasojash do të kenë këto kulla që kalojnë 100 metra lartësi në arkitekturën e Tiranës?

 

Nuk do ja lejoja vetes të dilja në përfundime shteruese mbi ndikimin e këtyre kullave në urbanistikën e qytetit. Teza ime bazike në platformën time “Urbanism and Democracy” është se askush, as arkitekti apo urbanisti më i mirë i botës nuk mund të bëjë përcaktime të tilla, që nuk vijnë si pasojë e një cikli hierarkik procesesh gjithëpërfshirëse nga planifikimi territorial te projektimi urban. Tezë nga e cila kanë origjinalizuar shumë analiza apo opinione mbi ngjarjet me dimension urban e territorial në Shqipëri. Në këtë kontekst, përderisa unë kam kritikuar njerëz politik apo teknik të tjerë që kanë marrë vendime të pambështetura në planifikim, nuk ekziston asnjë mundësi që këtë gabim ta bëj edhe unë.

Por në respekt të lexuesve tuaj dhe mbështetur në një platformë timen personale (që nuk duhet lexuar si shteruese dhe përfundimtare) unë mund të prezantoj për këtë intervistë disa nga qasjet e mia që influencojnë këto zhvillime ndërtimore.

Unë jam kundër çdo ndërhyrje në “Sheshin Skënderbeu” që nuk e sheh atë një unitet që prezanton historinë e qytetit të Tiranës që nga krijimi i saj deri më sot. Nëse vendoseni me drejtim nga Korpusi Qendror përball jush ngrihet statuja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Në të majtën tuaj do të shfaqet “Xhamia e Etem Beut”. Ajo materializon, së bashku me kullën e sahatit, periudhën otomane që përjetoi Tirana gjatë gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të kaluar. Vetëm pak metra më tutje në këtë drejtim gjendet kalaja e Tiranës, e cila përbën qendrën e një vendbanimi të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë: Tirkan (shek IV e.s ); Tergiana (1297)  dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Në ndërtesat brenda Kalasë kanë banuar pjesëtarë të familjeve sunduese të qytetit dhe për këtë arsye ato konsiderohen edhe si godina të administratës së parë lokale. Përball jush me një shtrirje gjatësore drejt jugut të qytetit formohet “Kompleksi Ministror” që në pikëpamjen historike (përfshirë Bankën e Shqipërisë), simbolizon periudhën e para pushtimit fashist të Shqipërisë. Në të majtën tuaj ndodhet Pallati i Kulturës tullën e parë të të cilit e vendosi vet shefi i kampit socialist z. Hurshov. Në vazhdim, sipas kahut orar, pozicionohet Hotel Tirana apo sfida qesharake për të arritur qiellin dhe Godina e Muzeut Historik. E thënë shkurt kjo është simbolika e sheshit “Skënderbej” dhe kjo simbolikë nuk duhej prekur në asnjë rast.

Unë jam kundër tejshtrirje urbane të Bulevardit të Ri dhe gjithçka që ky projekt përfshin brenda vetes për disa arsye. Së pari, ai dëmton Shqipërinë territoriale duke thelluar një hendek të madh që po krijohet mes qendrave të banuara. Sot Shqipëria ka vetëm dy lloje qendrash të banuara: ose qendra të mëdha dhe të mbipopulluara (si Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani) ose qendra të vogla dhe të nën populluara (si pjesa tjetër e Shqipërisë urbane). Të dyja këto shumë të vështira dhe me kosto të mëdha për tu menaxhuar e administruar. Duhet kuptuar se ky territor i ri që po përshtatet për tu urbanizuar do tërheq të tjerë familje që do emigrojnë nga këto qendra të nën populluara duke ju larguar edhe burimeve reale ekonomike (burime natyrore) dhe do betonojë kursimet e tyre që do kthehen në banesa duke shteruar edhe burimet financiare të tyre që ndryshe mund të ishin përdorur për krijuar ekonomi familjare. Së dyti, është fakti që ky projekt tërheq paratë private apo publike nga zonat e vjetra e ekzistuese të Tiranës që janë në mjerim urban si pasojë e mungesës së këtyre financimeve, drejt një hapësire të re urbane, duke krijuar një treg të ri pasurish të paluajtshme kur kemi një treg ekzistues në krizë shitjesh. Raportet e ekspertëve identifikojnë mijëra apartamente ekzistuese të ndërtuara dhe të pa shitura.

Për të ardhur te projekti i ‘Hyrjes së Parkut’, dhe të ngjashmëve të tij që synojnë ndërtimin e disa kullave në kufi apo në brendësi të Parkut të Liqenit të Tiranës. Unë e kam konsideruar prej kohësh këtë projekt si ‘valën e tretë’ të spekulimit me dimensionin urban të qytetit dhe blerësit e apartamenteve të këtyre kullave.  Sipas meje tregu i pronësisë së pronave të paluajtshme dhe  dimensioni urban i kryeqytetit (dhe gjithë Shqipërisë) ka kaluar në pesë valë spekulimi, dhe këto ndërtime përbejnë valën e tretë. Atë të ‘shitjes për pamjen më të mirë’, sipas të cilës “industrialistët” ofrojnë apartamente e dyqane në objekte të ndërtuara “kallkan” me vijat bregdetare, me parqet, me pyjet natyrore, me bregliqenet apo me breg lumenjtë. Shpesh që kjo të mundësohet kërkon që vija kufitare midis këtyre dy përdorimeve të tokës urbane, sikurse duket që është rasti për të cilin po flasim, të s’postohet në kurriz të natyrores apo publikes që kaq shumë i mungon Tiranës urbane.

 

Që në fillim ju keni qenë kundër këtij plani pasi thoni që ka shumë probleme, mund të na rendisni shkurtimisht problemet kryesore nga ana urbanistike që lidhen me të?

 

Që në fillim, ndoshta në mënyrë të përsëritur, dua të theksoj se unë nuk jam kundër bërjes së Planit të Përgjithshëm të Tiranës. Përkundrazi një nga tezat bazike të miat, në lidhje me zhvillimin territorial dhe urban të Tiranës, është hartimi sa më i shpejtë i këtij instrumenti themelor planifikimi dhe vijimi i hartimit të studimeve pjesore të blloqeve urbane në zbatim dhe në përputhje me këtë Plan të Përgjithshëm. Përfundimisht, na duhet një Plan i ri për Tiranën.

Mirë që na duhet, por a jemi në rrugën e duhur me këtë që kemi miratuar vetëm pak ditë më parë?  Sipas një mendje të ndriçuar të Hauardit, aftësia më e madhe dhe më unike e species njerëzore është ‘të imagjinojë dhe parashikojë objekte dhe episode që nuk ekzistojnë aktualisht’, ky është plani për të ardhmen. Kjo është forca jonë individuale e kolektive. Plani nuk është ca viza dhe forma gjeometrike të ngjyrosura, në një tabak të madh letre që mezi paloset. Jo!

Plani i Territorit është dakortësia mbi kuptimin territorial të politikave ekonomike, social-kulturore dhe mjedisore të një njësie vendore. Shoqëruar me element të fortë të demokracisë kuvenduese, Plani, mund të kthehet në një ringjallje shpirtërore dhe kulturore për qytetin. Ai gjithashtu mund të krijojë parakushtet për një ringjallje ekonomike të tij.

Por mbi të gjitha dhe gjithçka, hartimi i tij nuk duhet dhe nuk mund të përdoret si mjet propagandistik. E them këtë sepse kështu nisi hartimi i Planit të Tiranës, që ditët e para të qeverisjes Veliaj. Nisi në një takim pune midis tij dhe Ministres së Zhvillimit Urban, duke e bërë të qartë për këdo që i njeh çështjet urbane, se ky Plan do hartohej ‘nën vëzhgimin e rreptë të qeverisë qendrore’ duke mos lejuar që problematikat, nevojat, dizbalancat por edhe aspiratat reale lokale të adresoheshin nga qëndrime e kuptime autonome lokale. Kjo gjë, përveç të tjerave nuk lejon specializimin dhe rritjen e qyteteve në konkurrencë mes njëra-tjetrën për ti siguruar qytetarëve një cilësi më të lartë jetese urbane.

Kundërshtia e dytë më këtë dokument është se përgjatë procesit të hartimit të tij u lanë jashtë palët e interesuara dhe vendimmarrja për mënyrën e zhvillimit të qytetit ju la në dorë ekspertizës së huaj. Por a mund të jetë real dhe i zbatueshëm një plan kur për çështjet e zhvillimit ekonomik (për shembull) nuk janë përfshirë shoqatat apo eksponentët e sotëm të zhvillimit ekonomik të qytetit?  Ku mund ta dijë z. Boeri (apo urbanistët e kontraktuar në 26 qytetet e tjera që qeveria qendrore “po u bën Planin urban), kush janë plan bizneset strategjike të biznesmenëve shqiptar për të zgjeruar, ngushtuar apo modifikuar sipërmarrjet apo financimet e tyre në të ardhmen? Vetëm nëse z. Boeri dhe kolegët e tij janë magjistarë por jo urbanistë.

Çështja e tretë ka të bëj me faktin që ndërsa vijonte procesi i hartimit të këtij instrumenti, qeveria qendrore dhe vendore bënë vendimmarrje dhe financime për projekte bazike për qytetin si: Bulevardi i Ri; Stadiumi Kombëtar Qemal Stafa; Sheshi Skënderbej; Lunaparku të Parku i Liqenit. Të gjitha këto vendimmarrje kaq bazike dhe që definojnë zhvillimin e dimensionit urban të qytetit për disa dekada nuk mund të dalin në asnjë rast jashtë përcaktimeve përfundimtare të Planit të Përgjithshëm.

Çështja e katërt, që në fakt na sjell në fillim të kësaj interviste, është se ky instrument nuk u morr fare me banorët dhe nevojat e tyre por me godinat. E kam thënë edhe në të tjera raste, nuk mund të konceptohet një plan urban që nuk ka për kryefjalë të përcaktimeve të veta fjalën banor. Çdo gjë për të cilën flet Plani ka ndërlidhje me banorin. Kurse ky plan foli vetëm për kullat. Së pari z. Boeri që do sillte një rregull të ri urban duke prishur pallatet e Enverit dhe duke ndërtuar të reja dhe më tej z. Veliaj që do ndërtonte kulla mbi dhjetë katëshe për të rregulluar Tiranën. Parashikimi ynë që ky nuk është ‘Plani i Qytetarëve për Banorët’ por ‘Plani i Kastës për Kullat’, po vërtetohet shumë më shpejt ec pritej.

 

Lini nje pergjigje