Në TE/ Flet aktori Genc Fuga: “Tramvaji dëshirë”, një këmbanë kujtese për të respektuar kufijtë e gjithkujt

0
422

Në Teatrin Eksperimental

“Profesioni si regjisor, aktor, kompozitor janë të shtyrë shumë në cep  të librave finaciarë të këtyre 25 viteve të fundit”

Irini Meçe

“Tramvaji dëshirë”, vepër që mban emrin e autorit Tennessee Williams do të ngjitet sot në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Vepra vjen e përkthyer nga Adriana Tolka dhe nën regjinë e një tresheje regjisorësh, Kiço Londo, Endri Çela, Dajana Nenaj. Kjo shfaqje do të  interpretohet nga disa prej aktorëve të njohur si: Myzafer Ziflaj, Ina Gjonçi, Genci Fuga, Laura Nezha, Adriana Tolka, Elidon Alika, Kristian Koroveshi, Ermal Rodi, Xhuliano Brisku. “Tramvaji dëshirë” e Williams është e zjarrtë, e papërpunuar, e stuhishme, e dhimbshme, vazhdimisht emocionuese dhe çuditërisht prekëse përgjatë studimit të depresionit që kalon një grua. Por ndërsa në skenën e Teatrit Eksperimental do të vijë premierë sot, në skena të tjera të huaja ka qenë një nga veprat që ka marrë jo pak vëmendje, ku nuk kanë munguar dhe vlerësimet si vepra më e mirë teatrore amerikane. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” vjen një nga aktorët e shfaqjes, Genc Fuga, i cili ka rolin e një punëtori të thjeshtë që bie në dashuri Blansh, por që kanë botëkuptime të ndryshme. Fuga rrëfen më shumë rreth kësaj shfaqje duke theksuar dhe mesazhin që përçon kjo vepër.

Do të ngjitet në skenën e Teatrit Eksperiemantal premiera e shfaqjes “Tramvaji dëshirë”. Si do të vijë para publikut shqiptar kjo vepër dhe na flisni më tepër rreth rolit tuaj?

“Tramvaji dëshirë”,do më pëlqente që të hyja pak në historikun e kësaj vepre, për të gjetur pikat e përbashkëta që mund të ketë me realitetin tonë, duke pasur në mëndje parimin e madh që ne dalim në funksion dhe në shërbim të spektatorit. Është një vepër menjëherë pas lufte. Autori jashtëzakonisht shumë aktiv ka mundur që të sintetizojë në pak fjalë atë dinamikë drastike që ka pasur shoqëria amerikane dhe që vazhdon ka akoma, si një komb që mban lart flamurin e pragmatizmit qoftë në politikë, qoftë në ekonomi etj. Kjo sjell turbulenca shpirtërore shumë të forta, kjo sjell që flamujt, parimet kryesore të një shoqërie të jenë shumë fleksibël. Ajo që kishte problem Amerika e ’47 mund të jetë e kundërt me problemet tona, por përplasja është e njëjtë. Pra, me fjalë të tjera, Tennessee Williams godiste në një lloj sensi apo stigmatizonte një prejardhje franceze me rritjet e tyre, me sjelljet e tyre, me botëkuptimet e tyre dhe e përplas këtë me një prejardhje të thjeshtë polake apo nga pjesa tjetër e Europës që përplaset me pragmatizmin dhe vrullin e vet dhe që bien ndesh të dyja. Dhe ne kemi të njëjtin problem këtu në Shqipëri. Dua të përmend grumbullimet masive në qendra të mëdha siç mund të jenë: Tirana, apo Durrësi apo dhe qytetet të tjera që kanë pësuar një lloj dyndje për shkak të ardhjes së njerëzve. Kjo është shoqëruar me një luftë shumë të fortë të mentaliteteve, por nuk është shoqëruar me këta flamuj që shoqëria vet duhet t’i ngrejë përpara në ballë të luftë së zhvillimit të gjithë si shoqëri dhe mentalitet. Përplasja e mentaliteteve është gjithmonë e pranishme. Ky është një aspekt pragmatist i veprës.

Përsa i përket Mitchit, ai është një punëtor në repartin e preçizionit në një fabrikë në Neë Orleans. Jemi në vitet ’47 dhe të ishe punëtor nuk ishe shumë keq financiarisht. Por ajo që nuk gjen, është shpirti dhe rastësisht ai bie në dashuri me shikim me Blansh, e cila është me origjinë franceze. Është shumë interesante mënyra se si i përzgjedh ato fjalë për t’u puqur, për të sjellë në një emërues të përbashkët me një mësuese letërsie me një figuracion jashtëzakonisht të pasur dhe me një anglishte shumë të elaboruar. Ai është një punëtor shumë i thjeshtë, i cili ka një dëshirë për të qëndruar me këtë femër duke pranuar shpirtin e saj. Dhe më pas bie pre në një lloj sensi e shkundjes që i bën shoqëria duke i kujtuar që jo gjithçka mund të jetë e lumtur me këtë femër. Ngacmohet pikërisht nga ajo provincializëm, i cili nuk shpëtohet dot nga ky provincializëm  dhe shokët i thotë që “nuk është e jotja, e kanë pasur të tjerët më përpara”. Ai nuk del dot nga ai kafaz dhe i thonë shpesh që “kanarina nuk është e jotja se e ke në kafaz, por nëse e le derën e kafazit hapur dhe ajo kthehet atëherë mund të thuash që është e jotja”. Ky është dhe një rregull i lidhjeve shpirtërore sot për sot , që duhet të ndodh në këtë mënyrë. Edhe pse dhamë shumë nga vetja të dyja palët ishte një diferencë shumë e madhe botëkuptimore në lidhje dhe me realitetin, që në fund na pengoi që të përfundojmë në një martesë dhe kjo bëhet në mënyrën më tragjike. Në këtë pikëpamje them që Mitchi është një personazh dhe karakter shumë interesant për t’u ndjekur dhe për t’u zbuluar.

Çfarë mesazhi merr apo me çfarë shije do të ngelë publiku në fund të kësaj shfaqje?

Publiku ka për të gjetur veten në këtë vepër. Bashkëjetesë nuk do të thotë dashuri, por do të thotë tolerancë. Bashkëjetesa do të thotë të respektosh sferën e individualitetit të gjithsecilit. Kjo nuk është e thjeshtë, do të të duhet të sakrifikosh gjëra nga vetja. Prerja ideale për një bashkëjetesë është që sa më pak të cenosh veten për të pranuar tjetrin. Por patjetër që një bashkëjetesë ka sakrificat e veta dhe në çdo lloj segmenti duhet të tolerojmë diçka nga vetja për hir të një bashkëjetese, për hir të buzëqeshje apo për hir të një qetësie të përbashkët shpirtërore. Tramvaji dëshirë është një këmbanë, tashmë jo për pashkët por një këmbanë kujtese për të respektuar kufijtë e gjithkujt, nuk ka persona më të lartë apo persona më të ulët.

Keni hasur vështirësi për të vënë në jetë këtë vepër?

Çdo vepër, projekt është një sfidë më vete, e cila duhet përballuar me sukses. Ne në fund duhet të dalim shumë mirë para publikut, jo vetëm për të qenë komfort me egon tonë profesionale por njëkohësisht japim dhe një dritë jeshile për projektin e radhës. Suksesi i një aktori shikohet në vazhdimin e hapave të hedhur kundrejt karrierës së të tij. Kjo shfaqje është punuar gjatë, ne mënyrë shumë intensive. Në një koncept ka qenë full time job.

Numëroni shumë role si në teatër apo dhe në kinematografi. Kë mund të veçoni dhe të përmendni që e keni shijuar mjaft mirë kur jeni futur nën petkun e atij roli?

E vërteta është që janë disa. Kanë qenë dy projekte që kemi bërë me të madhin Roland Trebicka për të cilin më ka marr shumë malli. Ka qenë një vënie në skënë “Burri me Trëndafilë”, nga regjisori Milto Kutali, ka qenë Landi, kam qenë unë, ka qenë partnerja jonë Rozi Kostani. Aty mbaj mend një aureolë për sa i përket dëshirës, gazit, punës, humorit, jo vetëm jashtë provave por edhe në skenë. Asnjëherë nuk e harroj se si na priste publiku. Pastaj jam përpjekur për të shijuar të gjitha karakteret tjera të  ndryshme. Për sa i përket kinematografisë, ka qenë po e njëjta devotshmëri. Projekti është ndërvarur shumë nga talenti dhe dëshira e regjisorit, duke garantuar predispozitën time si aktor. Kanë qenë dhe disa videokaseta, projekte televizive, si “Kërkohet një gënjeshtar”, “Tifozët” ,  më pas vazhdojmë në “Tirana 14”  aty ka qenë po e njëjta dashuri për të bërë një karakter interesant, dhe finalizohet me filmin e fundit “Seks, përrallë dhe celular”.

Si është jeta apo puna e një aktori, është e vështirë? Pasi publiku shikon vetëm pjesën e bukur, e shijon shfaqjen, por nuk e di se cilat janë vështirësitë me të cilat haset një aktor…

Është e vështirë. Në  pikëpamjen financiare, apo të mirëmenaxhimit të jetës, aktori mund të renditet ndër profesionet më pak të paguara. Janë disa artikuj “American theatre magazine”, në të cilën jam abonuar. Kam lexuar shkrime të tëra që aktorët në Brodëay, po ngrënë zërin tani për një rritje të trajtimit financiar. Flas në Amerikë, që kushtet janë shumë herë më ndryshe. Në rast se bëhet fjalë për Shqipërinë dhe do kem ndihmën e ndonjë ekonomisti, ora e punës në vlerë monetare del se një aktor e ka 3 herë më pak, se ora e punës së një ustai llaçi. Kaq na bie në teatër, duke llogaritur punën e bërë performancën, fundjavat e lëna pezull, punën jashtë orarit etj. Futemi në shifra po të duash. Bëjmë një llogari të thjeshtë, punohet dy muaj që është përgatitje për shfaqjen, prova etj., dhe dy muaj të tjerë punohet nga e mërkura në shumë raste për të dhënë shfaqje deri të dielën. I bie katër muaj angazhim dhe unë nuk dua të them shifrën që marr në fund fare. Shifra që unë marr mund të jetë ndër më të lartat që marrim nga institucionet shtetërore, dhe këto me mangësitë e tyre dhe vonesat e tyre. Nuk po flas për rolet e dyta dhe të treta. Të mendosh që mund të jesh  kryefamiljar dhe je dedikuar në aktrim në këto kontrata të rastësishme kam frikë që shumë shpejt do pasoj një divorc  i caktuar dhe një paaftësi për të ngritur një folezë tënden siç është familja. Në pikëpamjen sociale, në pikëpamje të vëmendjes ekonomike, në shumë e shumë pikëpamje, kam idenë që profesioni si regjisor, aktor, kompozitor janë të shtyrë shumë në cep  të librave finaciarë të këtyre 25 viteve të fundit. Më vjen keq! Vet personalisht jam duke luftuar që kjo situatë të ndryshoj dhe të marr vesh sa më shumë për këto mekanizma dhe për të dialoguar më pas me mekanizma që mund ta ndryshojnë më pas.

Çfarë duhet bërë konkretisht për të ndryshuar këtë situatë?

Janë shumë hapa që duhet bërë. Duhet kapur koha, duhet kapur momenti, duhet zhbllokuar ngërçi i përpilimit dhe i shkrimit të programeve të partive poltike. Ne nuk jemi në një demokraci të mirfilltë. Duhet të kemi propozime më të mira që duhet të kalojnë nëpërmjet programeve të partive politike. Duhet synuar nga të gjithë jo vetëm nga unë, por dhe nga shokët e mi aktor apo regjisor. Duhen kapur këto pika nevralgjike të shkrimit të programeve të partive politike. Duhet të hym në vëmendje të tyre, pasi nuk jemi në vëmendjen e tyre. Ndjejë që jemi një komunitet shumë heterogjen me qëllime të ndryshme, jo në një drejtim, mbase nuk kemi mbledhur vet ne akoma mendjen se çfarë do bëjmë me të ardhmen tonë dhe më pas ta adresojmë këtë.

Së fundmi, projektet e tua artistike të ardhshme nëse mund të na zbuloni?

Do doja të bëja shumë pushim. Edhe qershori po vjen dhe unë kam vokacionin tim qytetar dhe dua t’i lë vend atij. Por gjithashtu dua që të rrij dhe shumë në shtëpi, më ka marrë malli shumë për shtëpinë. (qesh)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here