DETAJE/ Ekzekutimi i Artan Cuku, telefonatë nga jashtë Tiranës, vrasësi komunikonte vazhdimisht

0
339

Vrasja e komisarit të Policisë Artan Cuku ka ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me autorët. Atentati që iu bë në derë të shtëpisë së tij ka tronditur jo pak opinionin publik.

Duhet thënë se polica dhe organet hetimore kanë ngritur disa pista në lidhje me shkaqet e ngjarjes, ku pista kryesore është ajo që lidhet me profesionin e tij dhe ushtrimin e detyrës.

Telefonatat e disa personave të dyshuar si autorë apo urdhërues të vrasjes së ish– Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku, janë në proces verifikimi nga grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes.

Burime të rezervuara thanë për Tv Klan se bëhet fjalë për thirrje të kryera mes disa personave që në kohën e vrasjes kanë qenë jashtë Tiranës.

Të dhënat nga antenat celulare tregojne se, ata kanë komunikuar me persona që kanë qenë në rrezen që mbulon antena e zonës, ku u vra 42– vjeçari.

Njëri nga atentatorët, sipas dëshmive të dhëna në polici nga administratorja e pallatit ku ndodhi krimi, komunikonte vazhdimisht në pritje të ardhjes së ish– Drejtorit të Policisë së Vlorës.

Grupi hetimor po verifikon edhe komunikimet në dy aparatet telefonike smartphone të gjetura në vendin e ngjarjes, që i përkasin të ndjerit.

Këta dy telefonë mësohet se janë pjesë e një grupi prej 13 objektesh, të sekuestruara në vendngjarje.

Ata pritet të ekzaminohen nga ekspertët e teknologjisë së informacionit për të parë nëse ka komunikime apo mesazhe kërcënuese, apo komunikime të dyshimta mes Cukut e personave të tjerë.

Hetuesit pritet të kërkojnë edhe tabulatet e komunikimeve telefonike të Cukut.

Prokuroria e Krimeve të Rënda e ka regjistruar krimin si vrasje për shkak të detyrës. Hetimet kanë çuar edhe hapjen e dosjeve të disa grupeve kriminale të goditura nga policia e Vlorës, në kohën kur Artan Cuku ishte drejtues i saj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here