INSTAT/ Ja sa vende pune janë hapur në Shqipëri në 4 vite (FOTO)

0

Në rezultante, nëse do të hiqej efekti i formalizimit, vendet e reja të punës të krijuara në sektorin privat jobujqësor gjatë 4 viteve të fundit nuk rezultojnë më shumë se 50 mijë. Pra formalizimi ka sjellë mbi 60% të 134 mijë vendeve të reja të punës të krijuara në katër vjet në sektorin privat…

Në fund të vitit 2016 numëroheshin gati 423 mijë të punësuar në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave administrative të INSTAT (të deklaruarit në sigurime). Në krahasim me tremujorin e tretë 2013 janë rreth 134 mijë vende pune të shtuara neto në sektorin privat (të punësuar të rinj minus daljet në pension).

Por, nëse shihet shtesa e vendeve të punës sipas tremujorëve, sipas grafikut të parë, ka dy momente kulmore. E para është në tremujorin e katërt të vitit 2013, ku u shtuan neto rreth 23 mijë të punësuar. Kjo ishte më shumë një tentativë e bizneseve për t’u vetëformalizuar, teksa u ndryshua qeverisja dhe administrata e re pritej të ishte më e prirë drejt luftimit të informalitetit. Kjo tendencë u konstatua atëherë dhe nga ekspertët e INSTAT.

Momenti i dytë është ai i tremujorit të tretë të vitit 2015, ku të dhënat administrative treguan një rekord të rritjes së të punësuarve, prej rreth 68 mijë. Edhe kjo rritje është tërësisht rrjedhojë e aksionit agresiv kundër informalitetti, që detyroi mijëra sipërmarrje të vogla dhe mikro të formalizoheshin apo dhe të deklaronin tek sigurimet të gjithë familjen. Që kjo nuk ishte një rritje reale e punësimit u konfirmua dhe nga treguesi tjetër me të cilin INSTAT mat punësimin, atë të Anketës së Forcave të Punës, që kryhet përmes vëzhgimit në terren, sipas së cilës përkundrazi, shkalla e papunësisë u rrit, nga 16.9% në tremujorin e dytë 2015 në 17% në tremujorin e tretë 2015 (edhe në rritjen e parë të fortë të të punësuarve sipas të dhënave administrative, papunësia në tremujorin e katër 2013 mbeti 16.8%, njësoj si në tremujorin paraardhës – shih grafikun e dytë).

Përveç këtyre dy periudhave, që lidhen më së shumti me formalizimin, vendet e reja të punës të hapura në çdo tremujori nuk i kanë kaluar 9,200 (në tremujorin e tretë 2016 dhe tremujorin e tretë 2014), ndërkohë që ka periudha kur janë shtuar edhe vetëm 400 vende të reja pune, si p.sh., në tremujorin e tretë 2015.

Duke hequr efektin e formalizimit, shtesa mesatare tremujore e vendeve të punës që krijon vetë ekonomia, nuk rezulton të ketë qenë më shumë se 4000 vende të reja në tremujor.

Në rezultante, nëse do të hiqej efekti i formalizimit, vendet e reja të punës të krijuara në sektorin privat jobujqësor gjatë 4 viteve të fundit nuk rezultojnë më shumë se 50 mijë. Pra formalizimi ka sjellë mbi 60% të 134 mijë vendeve të reja të punës të krijuara në katër vjet në sektorin privat./ Monitor

 

sh3g1.pngsh3g2.png

Lini nje pergjigje