Tre pistat e ekzekutimit mizor të ish-kryepolicit Artan Cuku. Zbulohet dëshmia e parë

0
416

Një ditë pas atentatit me armë, ku u ekzekutua ish-zyrtari i policisë me mjaft poste drejtuese në karrierë, në disa qytete të vendit, Artan Cuku, prokuroria dhe policia vijojnë hetimet intensive dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve, por edhe personave të afërt e atyre që kanë pasur lidhje me të, siç raporton për BalkanWeb gazetarja Dorjana Bezat.

 

 

Ndër personat që kanë dëshmuar sot në polici janë edhe vëllezërit e ish-kryepolicit të cilët kanë ngulmuar që hetimet të përqendrohen në punën që ai kryente para vitit 2014-të në Policinë e Shtetit nga ku edhe u shkarkua, pasi konflikte personale nuk ka pasur, sipas tyre.

Vëllezërit e viktimës kanë pretenduar se Artan Cuku nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim për ndonjë përplasje të mundshme, ndërsa ngulnin këmbë se nuk ka konflikte personale. “Kemi prej 2 vitesh që jetojmë në këtë pallat dhe nuk kemi pasur as incidentin më të vogël. Jo vetëm në jetën private por edhe në punë s’kemi pasur konflikte. Nuk e kemi idenë si dhe kush mund të jenë autorët”,- kanë sqaruar ata para policisë, ku prej dy ditësh merren në pyetje.

Burime nga policia thonë se të gjitha rastet po verifikohen, duke mos përjashtuar dyshimin e ekzekutimit të tij për shkak të punës që kryente si efektiv i uniformave blu.

Sipas prokurorisë, në mesin e pistave të hetimit është edhe ngjarja e vitit 2005 ku viktima, Cuku, mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Komisariatit nr.4 në Tiranë. Që kjo ishte një nga pistat e hetimit, e sqaroi edhe gazetari investigativ Artan Hoxha në studion e lajmeve në News 24. Ai tha se gjithçka nisi kur në ambientet e këtij komisariati është shoqëruar shtetasi Agim Daka nga Tropoja për tu pyetur nëse kishte dijeni mbi arratisjen e vëllait të tij Bujar Daka, sëbashku me dy të tjerë nga ambientet e paraburgimit në Shkodër. Gjatë marrjes në pyetje, thuhet në komunikatat e kohës, Agim Daka i rrëmbeu armën nga brezi Shefit të Krimeve dhe vrau vetën. Për këtë ngjarje, si në aspketin ligjor ashtu edhe me kanun, familja Cuku dhe Daka e kishin mbyllur historinë mes tyre si ngjarje aksidentale.

Veç kësaj ngjarje, prokuroria po heton edhe pistën e vrasjes së ish-drejtuesit Cuku për shkak të punës që kryente në Drejtorinë e Policisë në Vlorë. Ku me iniciativën e tij, ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda në Vlorë mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit” mes dy grupeve kriminale që zanafilën e ka në Spanjë. Për këtë ngjarje, është arrestuar edhe një person, që sipas policisë, në atë kohë është kërcënuar drejtori i policisë Artan Cuku.

Nga ana tjetër, hetimet janë përqendruar edhe për konfliktet e mundshme që ish-drejtuesi Cuku kishte me kompanitë rivale të policive private, me të cilët konkuronte edhe në tendera të ndryshëm si publikë ashtu edhe privatë për ruajtjen e ambienteve.

Për këto konflikte, mësohet se janë pyetur edhe vëllezërit e viktimës, të cilët kanë pretenduar se Artan Cuku nuk i kishte shprehur ndonjë shqetësim për ndonjë përplasje të mundshme.

NGJARJA
Artan Cuku u gjet mbrëmë rreth orës 20:00 i vrarë në sheshpushimin e pallatit ku banonte në rrugën e “Kosovarëve” në kryeqytet, pak pasi ishte ndarë nga gruaja dhe dy fëmijët. Ai është qëlluar me 5 plumba, katër i janë zbrazur në gjoks dhe njëri prej tyre në kokë, ç’ka i shkaktoi edhe vdekjen e menjëhershme. Deri më tani policia ka shoqëruar 11 persona, ndërsa mes tyre ndodhet edhe një person me tiparet e “vrasësit”, që dëshmitarët e përshkruanin si djalë të ri e të gjatë, i veshur me të zeza.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here