Edhe 48 orët e fundit !

0
206

Kanë ditë që Edi Rama dhe Lulzim Basha rrinë “hidh e prit” me batuta, me facebook e fjalime kundër njeri tjetrit, ndërkohë që nga çadra tek zyra e kryeministrit nuk janë as 30 metra. Vendi po shkon në sherr për zgjedhjet dhe data finale e regjistrimit të partive në KQZ po mbaron. Të hënën, sipas Kodit Zgjedhor, partitë duhet të regjistrohen për zgjedhjet, në të kundërt hyrja në zgjedhje pa PD bëhet fakt i kryer ligjor. Tashmë afatet nuk matën me me ditë, por me orë.

E ndërsa koha dhe orët ikin, mes dy liderëve kryesorë Rama dhe Basha nuk ka shenja afrimi drejt një marrëveshje. Të dy përbetohen se duan ta zgjidhin çështjen e garancisë së zgjedhjeve, dhe thonë se “hajde ti se po të pres” dhe tjetri ia kthen me fjalët “më sill dorëheqjen këtu në çadër” dhe më pas prapë Edi Rama tallet nga Fieri duke u thënë fshatarëve se “si thoni,a ta pranojmë Lulin në PS?!”. Kjo e gjitha është një tallje e madhe me popullin. Si Rama, ashtu edhe Basha. Pak më shumë njeri se tjetri, por të dy nuk po i shërbejnë uljes në dialog dhe gjetjen e një zgjidhje për Shqipërinë.

Politikanët seriozë, dhe kur janë egërsisht kundër njeri tjetrit, gjejnë ura komunikimi dhe bisedojnë. Nuk zgjidhet kjo situatë se kush bërtet me shumë apo kush tregon barsoleta për  tjetrin. Nuk ecët kështu!

Kryeministri duhet pikësëpari si zot i fateve të vendit, pasi është kryeministër, duhet të negociojë dhe kërkojë zyrtarisht me shkrim takimin me liderin e opozitës. E bën edhe publike që shqiptarët të shikojnë se kush mbetet serioz e kush don të gjejë pretekste. Natyrisht që pala e opozitës nuk ka përse përdor ironi apo humor në çadër duke thënë se “a ta lejojmë të vijë në çadër kryeministrin dhe të na sjellë dorëheqjen?!”. Nuk është serioze, pasi nuk ka ditë të tepërta, dhe mundet që Shqipëria të futet në një spirale krize që nuk i dihet vërtet fundi. Populli do përplaset, si përherë!

Opozita duhet të caktojë emrat që do të takojnë zyrtarisht kryeministrin pasi nuk mund të shkojë kryeministri në çadër dhe as t’ju jap dorëheqjen te çadra e Saliut. Nuk ka sens. Marrëveshjet bëhen në institucione, ose në vende neutrale, por jo në rrugë.

Ashtu sikurse edhe Edi Rama të lerë batutat dhe ironinë, nëse kërkon seriozisht zgjidhje me dialog. Nuk ka kohë! Shqiptarët i kanë mandatuar për të na drejtuar, por pikësëpari për të biseduar dhe rënë dakord për një Shqipëri me të mirë dhe me stabël. Ulje në tavolinë pa batuta e pa ironi!

Gjithë këto ditë në vend të dialogut të dy palët u kanë fryrë borive të përplasjes dhe të konfliktit. Nëse dy drejtuesit, Kryeministri dhe kreu i opozitës, janë të ngarkuar negativisht dhe nën tension për shkak të mbështetësve, lë ta lënë çështjen në fillim në dorë të negociatorëve të tyre të besuar dhe më pas të vendosin. Por nuk mund të bëjnë sikur negociojnë dhe më pas të shkatërrojnë çdo gjë me një rrjesht reagim në rrjete sociale.

Negociatat kanë disa parime që të jenë të suksesshme. Së pari, qëndrimi i palëve duhet të jetë serioz. Ftesa dhe përgjigjet në asnjë rast, kjo vlen për të dy kampet, nuk kanë qenë as serioze dhe as të besueshme. Nuk mund të vendoset fati i vendit me një mesazh në Facebook nga Rama apo me një përgjigje nga çadra nga Basha. Së dyti, në negociata hyhet pa kushte. Sepse në momentin që PD-ja apo Rama thonë se vetëm për këto gjëra nuk negociojmë, bisedimet rrëzohen që në fillim.

Tashmë Rama dhe Basha, përveç ideve që mbeten të ndryshme, ata kanë dhe kohën që punon kundër tyre. Javën e ardshme nuk ka më kohë. Në lojë nuk janë vetëm interesat e PD apo të PS. Në lojë po vihet fati i vendit dhe kjo vetëm për shkak të arrogancës dhe mungesës së dëshirës për dialog.

Edhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, i sugjeron kryeministrit Rama që ti thërrasë logjikës për t’u ulur urgjent me opozitën. Ndërsa nga Skrapari Ilir Meta kërkoi që të gjejnë zgjidhjen se po mbaron koha.

Kur të ndodhi rrëmuja, që nuk e dëshiron asnjë, të gjithë politikanët turren për t’u fshehur. Si përherë e ha populli!

Mos bëni shaka e humor me jetën e popullit! Nuk doni ta kuptoni zotërinjë politikanë se përplasja po vjen, bile duket edhe përplasja fizike, me turma.

Mos ia bëni këtë krim popullit zotërinjë Rama dhe Basha!/SPJV.it

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here