BOSTON- Një shtatore 3 metra e lartë dedikuar figurës së Fan Nolit, në duar mban “biblën e kulturës”

0
406

Shtatorja do të vendoset në kishën e “Shen Gjergjit” në Boston, aty ku edhe Fan Noli shërbeu për një kohë të gjatë, si një kujtim i përhershëm për shqiptarët e Amerikës

 

Një shtatore 3 metra i lartë, i është dedikuar figurës së Fan Stilian Nolit. Të shumta janë shtatoret e punuara nga duart e skulptorit Agim Rada, por një bust të tillë për këtë figurë do të duhej kohë e gjatë për ta sjellë, netë pa gjumë, siç thotë ai, pasi duhej gjetur mënyra e duhur. Figurën shumëdimensionale të Nolit, Rada e sjell me petkun e klerikut, porse në duar ai nuk mban biblën. Duart e tij shtrëngojnë ndoshta veprën e Shekspirit, Servantesit, apo ndoshta atë të Omar Khajam, përkthyer në shqip prej tij. Kjo është “bibla e kulturës” që Noli u la shqiptarëve. “Ky është një obligim i kahershëm i imi. Noli është një figurë, për mendimin tim, jo nga më të ndriturat, por më e ndritura e kulturës shqiptare. Jo rastësisht është edhe klerik këtu, sepse deri në fund të jetës ai mbeti një klerik patriot shumë i madh. Figura e vërtete është statike, por lehtë duket sikur ai ecën, sikur njërën këmbë e ka më përpara dhe kokën ulur, siç janë burrat e mençur. Është shumë i matur tek hapi që hedh, tek mendimi që thotë dhe e ka pushtuar fort atë vepër të cilës ia kushtoi vendit të vet dhe kulturës shqiptare”, tha Rada, drejtor i Qendrës së Restaurimeve. Për të mbërritur në variantin final, Agim Rada ka bërë një koncentrat të fotove të Nolit. “Po të shohësh fotot ndodh një fenomen: asnjë foto nuk ngjan me tjetrën. Duket sikur janë persona të ndryshëm. Ishte e vështirë të bëja sintezën e të gjitha fotove e të krijoja një karakter të Nolit, që përveçse t’i ngjajë duhet të ketë edhe botën e brendshme, duhet të jetë edhe mendimtar. Besoj që këtë e arrita. Nuk ka njeri që nuk thotë se ky është Noli”, rrëfen ai. Shtatorja, tashmë i përfunduar në përmasa, pasi të derdhet në bronx, do të vendoset në kishën e “Shen Gjergjit” në Boston, aty ku edhe Fan Noli shërbeu për një kohë të gjatë, si një kujtim i përhershëm për shqiptarët e Amerikës. Kisha shqiptare e Shën Gjergjit, njihet ndryshe mes shqiptarëve edhe me emrin Kisha e Fan Nolit. Kjo kishë është njohur edhe si një nga organizatat më të vjetra shqiptare në botë dhe nuk ka rëndësi vetëm si organizatë fetare, por edhe si organizatë shqiptare më tepër. Kisha e Shën Gjergjit në Boston është drejtuar nga atdhetari i njohur shqiptar Fan Stilian Noli në fillim të shekullit XX. Ka qenë Fan Noli i cili ka realizuar meshën e parë në gjuhën shqipe në Boston. Viti 2008 ishte 100-vjetori i kishës. Filloi më 6 janar, ditën e shenjtë të Epifanisë dhe Ujit të Bekuar. Është, gjithashtu, dita e emrit dhe ditëlindja e Fan Nolit. Më 9 mars përkujtojtohet bërja prift eFan Nolit dhe fillimin e misionit të tij të shkëlqyer si njeri i Kishës, burrë shteti, akademik, poet dhe patriot. Ndërsa muaji mars përkujtohet si muaji i veçantë sepse në muajin e pranverës u hap kisha e parë në Boston – Kisha e Shën Gjergjit – shenjti mbrojtës i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në muajin mars të vitit 1965 i madhi Fan Noli mbylli sytë dhe u fut në histori për arritjet e tij në shumë fusha.

Fan Noli

Fan Noli, artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg nga Ederneja. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor. Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” të Sami Frashërit. Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patroitët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovenistëve grekë. Megjihtëse nuk kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federaten pan-shqiptare “Vatra”. Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude). Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga I. Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përseri shkoi në SHBA. “Vatra” e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë ” Historia e Skënderbeut “. Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjërë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. as vitit 1930, Noli u largua nga Evropa dhe u vendos përfundimisht në SHBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjersha të fundit orgjinale dhe një tok shqipërime vjershash të poetëve të njohur. Më 20 nëntor vajti në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdel, mbylli sytë përjetë, më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here