Serbia duhet t’i ftoj shqiptarët e Luginës së Preshevës për bisedime në Bruksel, e jo në Beograd!

0

Nga: Nehat Hyseni

Loading...

Deklaratës denigruese, tendencioze e thellësisht antishqiptare të kryetarit të Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë për Luginën e Preshevës, Dr. Zoran Stankoviq, se “bojkotin për mos pjesëmarrje në zgjedhje presidenciale, e ftuan ata liderë shqiptarë që marrin paga nga buxheti shtetëror”, disa media e portale shqiptare të Luginës së Preshevës i dhanë hapsirë dhe rëndësi të veçantë.

Kjo deklaratë tendencioze e nënçmuese e tij, kishte për qëllim përbuzjen dhe përqeshjen e jo vetëm të  liderëve politikë, por dhe ndaj të gjithë shqiptarve të Luginës së Preshevës dhe pretendon djallëzisht të dërgoj një mesazh cinik dhe përbuzës edhe tek opinioni publik se, kinse, “ja shqiptarët e Luginës hanë bukën e Serbisë dhe bojkotojnë zgjedhjet presidenciale të Serbisë”!

Karremin e këtillë të qëndrimit të tmerrshëm antishqiptar të këtij zotërie, i cili abuzoi me postin politik të cilin mban “në emër të shqiptarve” nominalisht, kurse realisht pretendon t’i sundoj shqiptarët e Luginës “në emër të Serbisë” dhe paraqet anakronizëm afro-aziatik, karakteristik për sistemet koloniale të apartheidit, kur me njerëzit sundohej e manipulohej sipas tekave e prirjeve abuzive të zotërive e sunduesve despotik e të paskrupulltë, që janë të papranueshme për mjedisin tonë, si pjesë legjitime e Europës në shekullin XXI!

Praktikimi i qasjes euroatlantike i Republikës së Kosovës ndaj serbëve të Kosovës, duhet t’i shërbej z.Stankoviq dhe qeverisë së tij, si “leksion i demokracisë së mirëfilltë” se si duhet të sillet realisht një shtet modern ndaj minoriteteve në përgjithësi.

Veçanërisht z.Stankoviq dhe qeveria e tij duhet të mësojnë nga Republika e Kosovës qasjen moderne e demokratike dhe trajtimin e avancuar të saj, sipas standardeve më të larta euro-atlantike ndaj minoritetit minoritetit serb atje.

Pra, është i papranueshëm dhe i turpshëm trajtimi sipas standardeve të errëta e diskriminuese mesjetare të regjimit të Serbisë ndaj shqiptarve si minoritet në këtë shtet, që ka krijuar nga shqiptarët aktualisht komunitetin më të diskriminuar në rajon dhe në Europë.

Andaj, zotërinjë të nderuar, duhet të mësoni leksionet e demokracisë euroatlantike nga ky shtet fqinj!

Ftesa cinike e z. Stankoviq ndaj shqiptarve të Luginës “për bisedime në Beograd”, duhet zëvendësuar me modelin e Republikës së Kosovës dhe duhet të jetë:

“Ftesë shqiptarve të Luginës së Preshevës për bisedime në Bruksel”!

Vetëm atëherë, kur Serbia t’i thërrasë shqiptarët jo në Beograd, për të bërë hajgare dhe për t’i përbuzur e përqeshur ata, siç ka vepruar deri më tani, por kur t’i ftoj në Bruksel, për t’i trajtuar plotësisht të barabartë dhe sipas parimit të reciprocitetit me serbët e Kosovës.

Vetëm atëherë do ta kuptojmë ftesën e z. Stankoviq dhe qeverisë së Serbisë si të sinqertë dhe që e ka seriozisht në agjendë të vet zgjidhjen reale të çështjes së shqiptarve në Luginë të Preshevës, ashtu siç po vepron Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj minoritetit serb atje.

Duhet ta përkujtojmë z. Stankoviq se serbët e Kosovës nuk e respektojnë atë shtet atje dhe nuk e konsiderojnë si të vetin, edhepse jetojnë dhe marrin rroga të majme dhe gëzojnë privilegje të cilat shqiptarët në Serbi as që mund t’i ëndërrojnë.

Andaj, duhet të jeni parimorë dhe t’u dërgoni mesazh të qartë bashkëkombasve tuaj serbë në Republikën e Kosovës dhe t’u thoni atë që po ia thoni shqiptarve në Serbi, që të votojnë për Presidentin, Kuvendin dhe për zgjedhjet lokale dhe se Kosova është shtet i tyre, nga e cila marrin rroga ministrash, zëvendëskryeministri e rroga të majme deputetësh, drejtorash, etj. dhe nuk e pranojnë shtetin të cilit i përkasin.

Pra,  z.Stankoviq, nëse pretendon se jemi të barabartë dhe demokratë, presim nga ju që edhe serbëve të Kosovës t’ua dërgoni të njejtën porosi, “votoni për zgjedhjet pesidenciale në Kosovë”! Sepse, edhe ata marrin rroga nga ai shtet, por nuk votojnë në zgjedhjet presidenciale atje.

Gjithashtu presim ftesën tuaj për shqiptarët e Serbisë për bisedime në Bruksel, e jo në Beograd, ashtu siç po veprohet me serbët e Kosovës, për të cilët nuk po negociohet në Prishtinë, por në Bruksel.

Loading...

Lini nje pergjigje