Seriali “Ti mund të më quash Xhon”/ Flet aktorja protagoniste Nevina Shtylla: Filmi, triumf i dashurisë

0

 

Loading...

Intervistoi: Irini Meçe

“Mëdyshja ime e vetme në film ka qenë në lidhje me disa skena puthje dhe ndonjë skenë tjetër dashurie, por produksioni u tregua bashkëpunues dhe ramë dakord që këto momente të vinin më të thjeshtuara”

“Ti mund të më quash Xhon” është seriali më i ri televiziv që i prezantohet publikut shqiptar. Filmi serial, i cili vjen si bashkëproduksion mes Radio Televizionit Shqiptar dhe “Papadhimitri production” e ka kaluar provën e parë duke u shfaqur premiera më datën 29 mars me një publik më së shumti të përbërë nga kineastë dhe profesionistë të filmit. “Ti mund të më quash Xhon”, një dramë-romancë, që trajton marrëdhënie dhe probleme sociale të shtresave të ndryshme shoqërore. Në qendër janë dy adoleshentë, të cilët dashurohen marrëzisht duke sfiduar kundërshtitë e shoqërisë që i rrethon, ku ndërthuret dhe përplasja midis brezave.  E gjithë kjo linjë na vjen mjaft bukur me aktorët që kanë përzgjedhur regjisorët Dionis dhe Klajd Papadhimitri. Gjithashtu ajo që tërheq vëmendjen është se kemi edhe një bashkëveprim midis brezave të ndryshme të aktorëve, ku janë bërë bashkë aktorë të njohur të kinemasë, por dhe emra të rinj në role. Në rolet protagoniste janë Nevina Shtylla dhe Arbies Konomi, të cilët janë futur nën petkun e dy adoleshtëve Lorna dhe Goni. Prindërit e Xhonit dhe Lornës, që përfaqësojnë edhe ndarjen e madhe të shtresave shoqërore  na erdhi në një lojë të shkëlqyer nga Gent Kame, Rovena Dilo, Ermira Gjata dhe Gëzim Rudi. Përveç aktorëve që përmendëm, në film interpretojnë Arben Derhemi, Indrit Cobani, Eva Murati etj. “Ti mund të më quash Xhon” është duke u shfaqur aktualisht në kinema, për tu shfaqur më tej në 5 seri në ekranin e Televizionit Shqiptar. Në këtë intervistë për gazetën “Standard” vjen aktorja protagoniste e filmit Nevina Shtylla, e cila ka ndarë me ne disa nga momentet e filmit dhe për të folur më shumë rreth tij.

 Ka pak ditë që u shfaq premiera e filmit “Ti mund të më quash Xhon”, i cili vazhdon të jepet këto edhe në kinema. Ju në këtë film vini me rolin kryesor. Si ka qenë për ju ky rol dhe si u bëtë pjesë e këtij filmi?

E gjitha ishte thjeshte rastësi. Papadhimitri Production prej disa kohësh ishin në kërkim të një vajze për të realizuar ketë rol duke bërë mbi 150 kinoprova. Unë kam qenë e fundit që u testova për të interpretuar personazhin e Lornës dhe dy ditë më pas m’u konfirmua lajmi se isha vajza e përzgjedhur. Jam ndjerë shumë mirë në rol, pavarësisht vështirësive të shumta që kishte realizimi i tij. Stafi e mbi të gjitha regjisoret Dionis dhe Klajd Papadhimitri më kanë ndihmuar shumë në çdo moment.

Një film që në qendër ka përplasjen e brezave dhe historinë mes një vajze që vinte nga një familje e pasur dhe një djali që sakrifikonte shumë në jetë. Cili ka qenë mendimi yt i parë kur ti zbulove subjektin e këtij filmi dhe rreth skenarit?

Në film, pavarësisht boshtit kryesor që trajton historinë e dashurisë midis Lornës dhe Gonit, shpalosen dhe një sërë problematikash të tjera shoqërore të ditëve të sotme si droga, alkooli, zënkat familjare etj. Që në leximin e parë të skenarit jam dashuruar me historinë e mbi të gjitha me personazhin të cilin me kërkohej të luaja. Por që të jem e sinqertë, mëdyshja ime e vetme ka qenë në lidhje me disa skena puthje dhe ndonjë skenë tjetër dashurie, por produksioni u tregua bashkëpunues dhe ramë dakord që këto momente të vinin më të thjeshtuara.

Tematika e filmit shumë aktuale me shoqërinë sot shqiptare. A ka patur reagime nga publiku deri më tani?

Reagimet kanë qenë të shumta dhe në fare pak ditë që filmi është në transmetim. Më ka surprizuar ky fakt pasi i trembesha paragjykimit të publikut shqiptar për prodhimet shqiptare. Por feedback-u i menjëhershëm dhe pozitiv më ka bërë të besoj se me në fund publiku shqiptar po ndryshon për mirë. Në fund të fundit në subjektin e “Ti mund të më quash Xhon” tregohen pjesë të realitetit në vendin tonë kështu që secili nga ata që e kanë parë kanë arritur të gjejnë një pjesë të tyren në film.

Përveçse përplasjeve të brezave në subjektin e film, shohim edhe që kemi edhe një bashkëpunim midis brezave të ndryshëm të aktorëve, pra nga njëra anë kemi aktorë me shumë përvojë dhe nga ana tjetër aktorë të rinj që le të themi eksperimentuan në këtë fushë. Si ka qenë ky bashkëpunim me këta aktorë? A jeni ndjerë ndonjëherë inferior për sa i përket se keni përballë aktorë shumë të mirë shqiptarë?

Në fillim i trembesha edhe unë kësaj ideje që në përfundim rezultoi e kotë. Aktorët të cilët me të vërtetë vlejnë dhe janë të talentuar nuk kanë përse të ndjenjë rivalitet me aktorët e rinj në moshë dhe eksperiencë. Përkundrazi, kanë siguri në vetvete dhe japin ndihmën e tyre që në rastin konkret për mua ishte shume e rëndësishme. Kam arritur të fitoj shumë, jo vetëm se isha pjesë e një prodhimi të tillë kaq të madh, por edhe se pata fatin të punoj me emra të njohur të kinematografisë në vendin tonë.

Ky ka qenë filmi yt i parë ku luan si aktorja kryesore. A e ke patur të vështirë që të përshtateshe dhe ta përcillje në atë mënyrë rolin që të kishin caktuar?

Unë u përzgjodha pikërisht sepse isha Lorna më e besueshme prej të gjitha vajzave të tjera të marra në provë. Unë nuk mund të isha as Alba e as Ori e prandaj për to u zgjodhën të tjera vajza, edhe ato specifikisht për të bërë këto role. Vështirësitë kanë qenë të pranueshme pa diskutim kjo është e kuptueshme, vështirësi ka edhe kur je profesionist e jo më kur të mungon përvoja. Por i rëndësishëm është fakti që të gjitha u tejkaluan me sukses dhe Lorna u portretizua ashtu si duhej dhe publiku e pëlqen atë.

Sa prej teje ka në atë rol?

Unë dhe Lorna kemi disa të përbashkëta, jo vetëm prej afërsisë së moshës, por edhe në disa tipare të karakterit. Por në total ne jemi dy persona tërësisht ndryshe. Pëlqejmë të tjera gjëra dhe adoleshenca ime ka qenë shumë larg asaj të Lornës. Por sigurisht që në ato momente ku ato tipare tonat, edhe përse të pakta, përputheshin unë kam qenë vetja.

Do të vazhdoje të dilje me dikë të cilin prindërit e tu nuk do e pëlqenin?

Prindërit janë pika ime e dobët. Janë ata tek të cilët unë drejtohem për çdo të mirë, çdo gëzim e çdo hidhërim e vështirësi. Mendimi i tyre është prioriteti numër një në vendimet që unë marr, por u them gjithmonë diçka prindërve të mi. Unë jam kjo që jam sot vetëm fal tyre. Më kanë rritur dhe më kanë mësuar të ndjek atë rrugë që është drejtë për mua. Tani duhet të lejojnë që kjo punë e tyre të jap frytet e veta. Edhe përse gjithmonë këshillat e tyre janë të domosdoshme për mua, në fund jam unë ajo që vendos.

Lorna dhe Goni përfaqësojnë dy nga adoleshentët tipik të ditëve të sotme nëpërmjet atyre tipareve dhe karaktereve që sjellin. Si i shihni ju sot adoleshentët shqiptarë dhe nëpërmjet këtij filmi dhe rolit tuaj çfarë ju komunikoni?

Normalisht që ka adoleshentë të çdo brezi që përputhen me tiparet që shfaqin Lorna e Goni, si dhe karakteret e tjera në film, në mos me të gjitha të paktën dy tre veçori i gjejnë edhe tek vetja. Për mua i rëndësishëm ka qenë mesazhi që ne jemi munduar të përcjellim. Pavarësisht gjithë çmendurisë, aventurës dhe emocioneve të forta që përbejnë jetën e një adoleshenti dhe jetën e një njeriu në përgjithësi, dashuria duhet të jetë ajo që triumfon gjithmonë dhe udhëheq.

Po përsa iu përket prindërve të këtyre adoleshentëve?

Sikurse adoleshentet nuk janë të njëjtë ndërmjet tyre, edhe prindërit ndryshojnë nga njëri te tjetri. Prindërit duhet të kuptojnë dhe të jenë të ndërgjegjshëm se çdo sjellje e çdo veprim i tyre do të reflektohet në një formë apo një tjetër tek fëmijët. Mendoj se prindërit shqiptarë duhet ende të tregohen më pak konservativ dhe me pak egoistë në të njëjtën kohë. Edhe përse idealja është e vështirë të arrihet, duhet të gjejnë një vijë të mesme e të tregohen më të hapur me të rinjtë e sotëm.

Filmi, si një triumf i dashurisë dhe i së mirës ndaj së keqes…

Ky është një mesazh i përjetshëm që të gjithë mundohen ta përcjellin sidomos në art. Por sa kohë do të ketë optimiste në këtë botë, do të këtë edhe shpresë.

Një tjetër serial në RTSH, pas serialit të suksesshëm “Njerëz dhe fate”. Kur është menduar të shfaqet në televizion dhe mendoni se do të ketë të njëjtin sukses si “Njerëz dhe fate”?

Jam e bindur se po. “Ti mund të më quash Xhon” është një serial i vendosur në ditët e sotme, ka një realizim fantastik sa i takon produksionit dhe kasta e aktoreve sikurse u bë e qartë sjell larmishmëri interesante. Nuk shoh asnjë arsye përse të mos ketë një sukses edhe më të madh se “Njerëz dhe fate”. Deri tani pritja në kinema ka qenë e mirë dhe besoj se publiku do ta mirëpres edhe më tepër me ekranin e RTSH. Sa i takon një afati kohor se kur do të shfaqen 5 seritë ne televizion, mund te them vetëm se do te ndodhë së shpejti.

Xhirimet e filmit janë realizuar kryesisht në Tiranë, por dhe në lokacione të tjera ku shfaqin shumë mirë bukurinë e vendeve shqiptare. Kanë qenë të lodhshme xhirimet apo ju i kini shijuar duke qenë se keni lëvizur?

Veç fazën përgatitore, kanë qenë edhe 2 muaj të tjerë ku i gjithë stafi e sidomos unë që kisha rolin kryesor, kemi qëndruar edhe 24 orë së bashku. Filmi është impenjativ por argëtimi nuk mungon asnjëherë. Kemi qeshur, jemi zënë me njeri-tjetrin, kemi qarë bashkë, kemi fjetur e kemi ngrenë bashkë. Do të ruaj kujtime me të vërtetë të bukura.  Sa i takon vendeve ku kemi xhiruar, me të vërtete kemi qenë në party, por askush nuk mund të konsumonte pije alkoolike gjatë xhirimeve apo të largohej për të takuar një mik që ndodhej aty. Madje edhe në plazh ishte e vështirë të shihje detin e të mos e shijoje dot sepse mund të merrnim ngjyre e të mos lidheshin me skenat e xhirimit me njëra-tjetrën.

Sa ka ndryshuar jeta juaj nga pjesëmarrja në këtë film?

E kam thënë shpeshherë që tashmë kam një perceptim ndryshe sa i takon shumë aspekteve të jetës. Por ndryshimi kryesor ka të bëj pikërisht me mundësitë e reja që më janë dhënë. “Ti mund të më quash Xhon” është filmi im i parë që shpresoj të udhëheq edhe shume realizime të tjera po kaq të mira. Disa projekte të reja do të nisin shumë shpejtë, por gjithçka do të zbulohet me konkretisht kur të jetë momenti i duhur.

Si janë marrëdhëniet tuaja me aktorët e filmit në jetën e përditshme?

Në përgjithësi kam patur një marrëdhënie shume të mirë me të gjithë, jo vetëm me aktorët por edhe me stafin realizues. Ka patur nga ata që mund të kem patur grindje të vogla, si p.sh me Arbiesin, por janë gjera jo problematike dhe ndodhin kur shpenzon shumë kohë me dikë. Në këtë rast na kanë ndihmuar të kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe tani ende ruajmë një raport fantastik. Ka patur raste të tjera si ai i Orjola Bonit që në film është armikja ime e betuar por në realitet jemi dy shoqe shume te mira. Dhe sigurisht nuk kanë  munguar rastet ku për shkak të xhelozisë  role të tjera dytësore më kot janë munduar të bëhen protagonist e pas filmit nuk i kanë kursyer edhe fantazitë.

Ju pamë në rolin e Lornës, por Nevina si është përtej ekranit?

Unë në fakt një pjesë  të madhe të jetës e kam lidhur me ekranin pasi njëkohësisht  jam edhe prezantuese, aktualisht në Vizion Plus. E dashuroj televizionin por nuk e kam lejuar veten të ndryshoj për hir të standardeve, ndonjëherë absurde që  u vihen prezantueseve në ditët e sotme. Mundohem gjithmonë të përcjell diçka të mirë nga vetja, të jap shembullin e duhur tek të gjithë ata që më ndjekin. Do ta them gjithmonë se thjeshtësia është ajo që e bën njeriun e bukur dhe nuk e kam fjalën për thjeshtësi vetëm në paraqitje, por edhe në karakter.

Ju në fillim publikut shqiptar i jeni prezantuar si Miss Shqipëria 2010,më pas si prezantuese dhe së fundmi si aktore? Ku e ndjen Nevina veten më mirë?

Miss Shqipëria është një titull që besoj se do të këtë gjithmonë një vlere të çmuar për mua. Ishte eksperienca e parë që më bëri të kërkoj një karrierë në ekran. Prezantimi deri tani ka qenë vendi ku unë kam gjetur veten e jam ndjerë mirë. Besoj se kjo gjë do të vazhdoj të jetë kështu për një kohë shumë të gjatë. Ndërsa aktrimi është diçka tërësisht e re për mua që për fat erdhi menjëherë me një rol kryesor në një prodhim fantastik dhe me një sukses te madh më pas. Më mbetet vetëm të shpresoj se ky sukses do të vazhdoj më tej.

E keni lënë ndoshta pas dore modelingut dhe si e shihni atë këtu në Shqipëri?

Asnjëherë nuk e kam quajtur veten modele. Kam realizuar herë pas here sete fotografik për kënaqësinë time personale. Kjo pasi në Shqipëri ende është herët për ta cilësuar modelingun një profesion të mirëfilltë. Prezenca ime ne fushata publicitare ka qenë vetëm për raste të veçanta sikurse është ai i Frida Xhoi and Xhei. Kjo sepse jam munduar ta ruaj imazhin e të mos e konsumoj me gjëra të kota. Frida pa dyshim që ka krijuar një vlerësim edhe më të madh të publikut për mua. Për më tepër është një nga ata persona që më kanë mbështetur edhe në hapat e tjerë që unë kam bërë në jetë dhe që unë i jam mirënjohëse.

Pas kësaj eksperience në aktrim, do t’ju shohim sërish në ndonjë projekt artistik në rolin e aktores?

E thash dhe me parë se së shpejti do të mund të me shihni si pjesë e disa projekteve të reja por nuk do të doja të zbuloja më tepër. Gjithçka do ti mbetet kohës.

Loading...

Lini nje pergjigje