Restaurimi i godinës së Kongresit të Përmetit dhe manipulimi i historisë

0
474

Dr. Ndriçim Mehmeti

Disa nga ne mund të kujtojnë fare mirë një rubrikë që botohej në revistën “Hosteni” e që titullohej “Qyfyre nga regjimi qyfyr”. Nën frymën e kohësh, sajoheshin lloj e lloj historish me qëllimin e vetëm për të diskretituar regjimin zogist të asaj kohe. Nëse revista do të ishte me siguri që do të sillte rubrikën: “Manipulime nga regjimi manipulator”. Nëse kjo që them, duket mjaft e rëndë le të marrim një shembull nga shumë prej historive e ngjarjeve që ndodhin në vendin tonë e për fat të keq harrohen shpejt. Rastësisht po lexoja se ministrja Kumbaro, (e cila është shumë aktive kohët e fundit në jug të vendit), ka shkuar në Përmet për lajmin e mirë të restaurimit të godinës së Kongresit të Përmetit, si një godinë me vlera të veçanta historike. Ky lajm shoqërohej nga media, me fakte “historike” të panjohura ndonjëherë për opinionin e gjerë. Për shembull Kongresi i Përmetit ndër vendimet kryesore që mori ishte “ndërtimi i Shqipërisë së re demokratike sipas vullnetit të popullit” dhe kaq.

Po cilat ishin vendimet e Kongresit të Përmetit, përveç atij të përmendur më sipër?

Vendimet e Kongresit të Përmetit ishin këto: 1. Vazhdimi i luftës kundër pushtuesve fashistë dhe tradhtarëve të vendit;2. T’i ndalohej mbretit Zog dhe familjes së tij kthimi në Shqipëri; 3. Komiteti Antifashist Nacional Çlirimtar kthehej në  organi legjislativ në krye të të cilit u vendos Omer Nishani; 4. Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar merrte atributet e pushtetit ekzekutiv me në krye Enver Hoxhën. Pra pa i hyrë një analize të thellë e në detaje, me fjalë të thjeshta, Kongresi “historik” i Përmetit, vendosi “ndërtimin e një Shqipërie të re demokratike sipas vullnetit të popullit”, por…… Kongresi që “ja linte në dorë vullnetit të popullit, krijimin e një Shqipërie demokratike”, njëkohësisht, i ndalonte kthimin në atdhe mbretit Zog dhe familjes së tij; përcaktonte se kush ishte pushtetit legjislativ dhe ai ekzekutiv pa progut të përfundonte lufta e ca më tepër të pyeste popullin nëse ishte dakord me këto ndryshime. Pra popullit praktikisht i mbeteshin “çelësat e kashtës në dorë” dhe asgjë tjetër. Nëse në një vend emërohen prej një forumi njerëzish që kanë vetëm një përkatësi politike, institucionet e shtetit të ardhshëm, nuk e di dhe nuk e kuptoj se si vendos popull. Nëse ka një manual që tregon se një demokraci mund të funksionojë, me emërim dhe jo me zgjedhje, me detyrim dhe jo me vullnet atëherë dorëzohem. Por të thuash se populli vendoste, pasi institucionet ishin emëruar, të mohosh regjimin e mëparshëm ende pa u pyetur populli, nuk di për çfarë, vullneti a dëshire të lirë të popullit bëhet fjalë? Pastaj ndërtimi Shqipërisë së re, është një tjetër manipulim, që gjithkush e provoi në realitet se ku përfundoi.

Por a ka ndonjë gjë të keqe të restaurohet shtëpia ku u bë Kongresi i Përmetit?

Në parim jo. Por duhet të merret në konsideratë të shkruhet e vërteta, pa e manipuluar dhe pa i dhënë ngjyra që nuk i takojnë, vetëm për hir të qejfbërjes së një elektorati të caktuar. Shtëpia e Kongresit të Përmetit, të restaurohet dhe le të shkruhet në hyrje të saj “Në këtë godinë u mblodh Kongresi i Përmetit, i cili hodhi themelet e diktaturës komuniste në Shqipëri, një nga më të egrat në Ballkan dhe Evropë”. Ky sqarim është i domosdoshëm, për të mos manipuluar ata që nuk e kanë njohur atë kohë, ata që nuk kanë mundësi të njihen me këtë ngjarje dhe padyshim për të pranuar me guxim manipulimin e historisë, si një krim më vete i diktaturës komuniste në Shqipëri. Nuk i japim më shumë vlera seç ka qytetit të Përmetit, duke i thënë se “zgjedhja e e Pwrmetit, u bë jo vetëm se ishte qyteti i parë i çliruar nga pushtimi nazist, por edhe për vlerat që përfaqëson”. Po nëse përmetarët, njerëz të urtë, punëtorë, të njohur për gëzimin që përcjellin përmes jetës së tyre, do të ndihen krenarë se kontribuuan bujarisht në vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, e pranojnë si një nga vlerat më të mëdha këtë, kjo është çështje krejtësisht e tyre. Është e vështirë të besohet se përmetarët e identifikojnë veten me Kongresin. Ata kanë muzikën, gatimin, shpirtin e tyre fisnik, që i përfaqësonin në shekuj. Kongresi është veçse një copëz shumë e vogël në historinë e pasur të tyre.

Me kë identifikohen më shumë përmetarët, shtëpia e vëllezërve Frashëri apo ajo e Kongreoist të Pëmetit? Me kë identifikohen më shumë ata?

Mirë do të ishte që këtë pyetje t’ia bënim drejtpërdrejtë znj. Kumbaro. Por në pamundësi, le ta hedhim si një tezë diskutimi. Ministrja e Kulturës deklaroi se “shtëpia e Kongresit të Përmetit për vlerat që ajo mbart, është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë”, po me shtëpinë e vëllezërve Frashëri çfarë bëhet? Unë besoj se znj. Kumbaro e ka lexuar shqetësimin e mediave për shkatërrimin e shtëpisë së vëllezërve Frashëri, deri në përdhosjen e saj, duke e kthyer në magazinë hashashi. Ajo vesoj se ka dëgjuar edhe apelin e akademikut Vasil S. Tole, për dhënien e statusit të muzeut kombëtar, shtëpisë muze të vëllezërve Frashëri. Si kundërpërgjigje ndaj këtij shqetësimi ministrja gjeti zgjidhjen origjinale: “I kemi dërguar shkresë bashkisë për të mirëmbajtur dhe pastruar shtëpinë muze. Komuniteti të bëjë punën e vet”. Ndërkohë që ministrja vetë premtoi se “po hartonte projektin”.  Deri këtu gjithçka duket normale. Por pyetja është: Përse kishte kaq ngut restaurimi i shtëpisë së Kongresit të Përmetit, përpara asaj të vëllezërve Frashëri? A është konsultuar me komunitetin në këtë rast ministrja, se kush ishte më e rëndësishme për ta: Shtëpia e vëllezërve Frashëri apo shtëpia e Kongresit të Përmetit? Gjithkush ka mendimin e vet në këtë rast. Por ajo që ritheksoj është se unë besoj se përmetarët e lidhin identitetin më shumë me bijtë e tyre të Frashërit, sesa me një Kongres që sado i rëndësishëm të jetë, ngre shumë pikëpyetje për rrugën në të cilën e futi Shqipërinë dhe nëse mbart vlera kombëtare apo anti-kombëtare.

Prandaj është më mirë të mos manipulojmë me historinë dhe të themi ca të vërteta, sesa të ndërtojmë muzeume, sa për një fushatë elektorale dhe më pas të mbeten si relike që i kushtojnë qindra mijëra lekë buxhetit të shtetit dhe nuk sjellin asnjë të mirë publike, turistike, apo vlerë identitetit për vendin ku bëhet dhe komunitetin që e rrethon.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here