A do futet PD në zgjedhje? Mesazhi i Bashës, ja çfarë u tha deputetëve

0
225

Partia Demokratike do të vijojë qëndresën e saj në çadër, duke mos u tërhequr nga kërkesa për qeveri teknike, por deputetët dhe strukturat e PD-së duhet të punojnë sikur në çdo kohë mund të zhvillohen zgjedhjet.

Ky ishte mesazhi që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u përcolli anëtarëve të kryesisë dhe Grupit Parlamentar në një mbledhje të zhvilluar mbrëmjen e së dielës.

Basha ka informuar drejtuesit më të lartë të forcës së tij politike mbi takimet e zhvilluara në SHBA dhe mbështetjen e marrë nga kongresmenët e senatorët amerikanë për mbrojtjen e kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Kreu i PD-së, Basha, ka qenë i vetmi që ka folur në mbledhjen me dyer të mbyllura, pjesë e së cilës ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Burimet brenda mbledhjes kanë sqaruar se Basha gjatë fjalës së tij ka qenë i prerë në dhënien e mesazhit se çadra e PD-së nuk do të hiqet nga bulevardi pa largimin e Kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike.

Gjithashtu, kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka kërkuar që deputetët, koordinatorët e PDsë, drejtuesit e degëve të punojnë intensivisht me strukturat në rrethe, sikur në çdo kohë mund të zhvillohen zgjedhje. Kreu i PD-së e cilësoi të pamundur hyrjen në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër, por sipas tij procesi zgjedhor mund të zhvillohet vetëm me qeveri teknike.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” dy ditë më parë teksa ndodhej në SHBA, Basha sqaroi se PD-ja nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet, por nuk do të ketë proces zgjedhor pa pjesëmarrjen e opozitës.

“Nuk do të ketë bojkot, por nuk do të ketë zgjedhje të diktuara nga krimi dhe nga droga. Nuk do të zhvillohen zgjedhjet. Unë ju garantoj që zgjedhje fasadë nuk do të ketë. Nuk mund të ketë një proces demokratik, votime po, ka pasur 50 vjet votime në Shqipëri, por nuk ishin zgjedhje. Proces farsë në Shqipëri nuk mund të zhvillohet, ky është zotimi ynë”, deklaroi Basha. Krahas këtij qëndrimi, opozita vijon të jetë në çadrën e vendosur përpara Kryeministrisë në ditën e saj të 38-të.

Me një vendim të dakordësuar nga të gjitha partitë opozitare, demokratët kanë vendosur të mos regjistrohen në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Megjithatë, opozita ka vendosur të jetë e përgatitur përpara çdo skenari që do t’i duhet të përballet, duke përgatitur edhe strukturat e saj për zgjedhje.

Gjatë mbledhjes me Kryesinë dhe Grupin Parlamentar, Bashka ka sqaruar edhe pozicionin e opozitës në raport me procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kreu i Partisë Demokratike ka siguruar deputetët demokratë se nuk ka pasur asnjë komunikim dhe nuk ka arritur asnjë marrëveshje me maxhorancën për emrin e ri të Presidentit të Republikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here