Kryeministri i sotëm, si Sudja e piramidave, veshur me Armani

1
780

 

Nga Artur Zheji

Mëkatet e kryeministrit tonë janë të shtrira të paktën në tre plane.

E para, ka të bëjë me keqqeverisjen. Dhe këtë nuk ja thotë vetëm opozita, por ja thonë gjithmonë e më shumë njerëz. Kokëdhima, Blushi, Krye Prokurori i Antimafias Italiane, raporti i Departamentit të Shtetit në SHBA dhe ato pak media që nuk janë shitur te ai. Largimi i Tahirit dhe Beqajt, ishte një kozmetikë e vonuar. Një kozmetikë që nuk e shpëton dot fytyrën e rrudhur, plot puçra dhe të mavijosur të qeverisjes së tij. Një qeverisje grabitqare dhe me përmasat e një urije të frikshme pas parasë dhe shpërdorimit. Ngado që të kthesh sytë.

Në Energjitikë, në frymën e Konçesioneve prej qindra miliona eurosh, në favoret e klientelës politike të disa bizneseve të zgjedhura që mend splasin nga fryrja e parasë publike dhe në aplikimin e standarteve të dyfishta dhe të dyshimta në fushën e konkurencës.

E dyta, ka të bëjë me marrëdhëniet e tija personale dhe të kupolës që ai drejton, me pjesën gri dhe të errët të shoqërisë Shqiptare. Përdorimi i kanabisit dhe tolerimit apo mbrojtjes së trafikut të drogës, si një instrument për të akumuluar pushtet dhe për të ngritur një “Ushtri ekonomike dhe politike” që në mënyrë të nëndheshme, por jo të padukshme, ka marrë porositë e duhura, për manipulimin e ardhshëm të fushatës zgjedhore në Shqipëri.

Është e turpshme për ata gazetarë, që kanë marrë sot në sy, jashtë çdo kriteri moral, mbrojtjen e kryeministrit dhe për më tepër justifikimin e hapur të mëkateve të tija.

Është mjerane përpjekja që bëhet nga këta gazetarë me emër, që të lajnë me argumentat e tyre, bajgat erëkëqia të kësaj qeverisjeje të dështuar dhe sidomos mosdenoncimin e përdorimit të Botës Kriminale, si një instrument politik. Kjo është e rëndë për Shqipërinë, sepse nuk ja vlen që për adrenalinën dhe kënaqësitë personale të një personi, të sakrifikohet një popull i tërë.

E treta, kryeministri është tashmë një person, që jo nga një, por nga shumë drejtime dhe nga shumë njerëz të afërm të tij, përshkruhet si i pabesë, si i paburrë, si një tradhëtar i mirëfilltë, ndaj atyre që e kanë ndihur në fazat më të vështira të jetës së tij personale dhe politike.

Si një Kryemjeshër i Gënjeshtrës, ai arriti dhe pikën e tij më të ulët, duke u përpjekur të rikthente Ligjin e Plehrave në Shqipëri. Duke gënjyer hapur dhe pa u skuqur, se duke sjellë plehra në Shqipëri, Shqipëria do të bëhej më e pastër.
Sot gjithmonë e më tepër është e nevojshme krijimi i një fronti të gjerë, për ta larguar këtë individ nga drejtimi i Shqipërisë.

|Ai ishte dhe është tashmë një eksperiment i dështuar. Është edhe më antipatik se Sudja e Piramidave, sot Edi Rama. Sudja e djeshme ishte thjesht një qyqare, ezmere dhe e veshur te Gabi.

Por një Sude mashkull, veshur me Armani dhe me gjatësi dy metroshe, për më tepër kryeminstër, është eksperimenti i dytë, më i rrezikshmë që shqiptarët, po bëjnë në harkun e 20 viteve. Dhe kjo na bën një popull aventurier, që lemë timonin e jetës sonë, në duart e një fodulli, që ka pikërisht 20 vite, që jeton mbi kurrizin e taksave të shqiptarëve dhe i shkel ata me këmbë.

Një Front për largimin e tij, ky është imperativi i sotëm, jo vetëm i politikës por edhe i gjithë shoqërisë shqiptare. /360grade.al/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here