Matura Shtetërore në rrezik, maturantët kurban i votave dhe universiteteve private

0
261

Nga Dr. Albano Zhapaj

Reforma në arsimin e lartë ka dështuar në mënyrën më spektakolare të mundshme, dhe këtë e di mirë çdo intelektual shqiptar, çdo institucion i arsimit të lartë në vend, e di mirë qeveria së bashku me dy partitë në koalicion, e dinë akoma më mirë anëtarët e ish komisionit të hartimit të reformës dhe ligjit të arsimit të lartë, ashtu siç e dinë mirë të gjitha ato familje shqiptare që kanë nga një ose më shumë fëmijë që frekuentojnë universitetin, dhe ato familje të tjera që skano mundur dot t`i çojnë fëmijët në universitet, për shkak të procedurave korruptive apo tarifave të papërballueshme. Sikur kjo të mos mjaftonte partitë e koalicionit qeverisës, mbas një viti aplikimi të ligjit të arsimit të lartë, ligj i cili ende mbas dy vitesh nga data e miratimit, nuk ka asnjë, theksoj asnjë, akt nënligjor që e bën të ekzekutueshëm në praktikë, vazhdojnë të mashtrojnë e të shtiren sikur preokupimi i tyre i vetëm janë maturantët.

Skenari është i qartë dhe synon në dy drejtime: si partia pushtet ashtu edhe aleatja e saj në qeverisje janë të interesuara nga njëra anë për ato 40 mijë vota të të rinjve maturantë që votojnë për herë të parë në Qershor të këtij viti, dhe nga ana tjetër ti kurbanizojnë drejt universiteteve private për qëllime tashmë të qarta e të padiskutueshme korruptive. Për këtë qëllim janë linçuar kundër njëra tjetrës dy partitë pushtet dhe po përpiqen se kush e kush më parë të fitojë zemrat(votat) e maturantëve, duke u shtirur se janë duke u qarë hallin e duke luftuar për ta. Filozofia e aleatëve në pushtet duket se është e thjeshtë; duhet bindur edhe rinia maturante se “jemi duke luftuar për ju” me qëllim, njëra përvetësimin e votave dhe tjetra përvetësimin e së ardhmes së të rinjve. Kjo filozofi mashtruese mbart në vetvete një rrezik të madh social, mbasi humb besimin dhe shpresën e të rinjve tek shteti dhe shoqëria.

Mund të  gënjesh një njeri që ka në jetë të suksesshme dhe një bazë të shëndoshë socio-ekonomike, dhe ai mund edhe të të besojë çdo gjë që i thuhet, pasi ato gënjeshtra nuk ja ndryshojnë apo dëmtojnë edhe aq lumturinë. Mund të gënjesh edhe atë njëri atë që gjendet në udhëkryqin e jetës, mes stresit dhe vështirësive të shpresës,  por me një ndryshim nga i pari, pasojat për të dytin në këtë rast janë të rrezikshme, pasi ai njeri në të ardhmen nuk do të besojë më as në ato që janë për t’u besuar. Kjo po ndodh me maturantët. Maturantët që presin të kryejnë provimet e Maturës Shtetërore, të votojnë për zgjedhjet politike në vend, e më pas të hyjnë në universitet, po përballen këto ditë me makinën propagandistike të partive në pushtet, të cilat kanë vendosur t`i bindin se tek ata mund të gjejnë mbështetje, se tek ata mund të qajnë hallet e të zgjidhin problemet e tyre. Në takimet e shumta me maturantët kuptohet se përveç se përkrahjes që u ofrohet për provimet e Maturës Shtetërore dhe hyrjes në universitet, u thuhet qartë e pa dorashka se duhet votuar për të, në mënyrë që të kenë forcën të vazhdojnë me mbrojtjen e të drejtave të maturantëve.

Një vit të tërë është folur nga unë, apo specialistë e intelektualë për rrezikun që përbën vetë qeveria për  të rinjtë dhe të ardhmen e tyre, dhe vetëm tani duket se aleatja në qeverisje po kujtohet se paskemi pasur të drejtë, pra maturantët janë përdorur si mish për top për universitetet private dhe xhepat e padronëve të tyre. Vallë të jenë kaq naivë maturantët sa të mos kuptojnë se qeveria po kujtohet 3 muaj para zgjedhjeve për ta?  Me të tatëpjetën që ka marrë menaxhimi i arsimit dhe i gjithë shtetit shqiptar në këto katër vjet, nuk do çuditem aspak që qeveria ta fitojë këtë betejë, dhe që maturantët të detyrohen të pranojnë vullnetin e pushtetit dhe të përfundojnë në kthetrat e universiteteve private.

Duhet me doemos refuzuar nga maturantët, familjet e tyre, intelektualët dhe gjithë ajo pjesë e shëndoshë e shoqërisë shqiptare, përfshi këtu edhe opozitën,  skema ogurzezë e pranimeve në universitet si ajo e vitit të kaluar,  pasi nuk ka më asnjë pikë dyshimi se pushteti në këtë mënyrë do të vazhdojë të shesë dhe të japë me koncesion edhe të së ardhmen arsimore të maturantëve të suivjetshëm, pra arsimimit të tyre për pesë vitet e ardhshme tek privati.

Duhet shkatërruar ai formular aplikimi për në universitet, i cili ka futur me detyrim aplikimin për në universitetet private, një proces ky sa i jashtëligjshëm aq edhe alogjik, me arsyen e vetme të përfitimit korruptiv nëpërmjet  furnizimit me studentë të universiteteve private.

Ka ardhur koha që të përfundojë njëherë e mirë kjo periudhë e marrëzisë pushtetare të përfitimit të përkohshëm nga shitja e së ardhmes së të rinjve shqiptarë tek koncesionet private të arsimit, periudhë e cila do të mbahet mend si epoka e shoqërisë së errësirës në Shqipëri, pasi konvertoi në plaçkë tregu edukimin, arsimin dhe të ardhmen e rinisë së vendit.

Opozita duhet të kuptojë se përqëndrimi i përpjekjeve të saj për zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të fillojë pikërisht tek maturantët, tek ata të rinj e të reja që votën e tyre të parë e hedhin të imponuar, të mashtruar nga premtimet dhe demagogjia pushtetare, pushtet i cili nuk e ka aspak problem të bëjë kurban për qëllimet e tij përfituese çdo maturant e maturante, ashtu siç ka bërë kurban gjithë procesin e Maturës Shtetërore dhe të pranimeve në universitet.

Ajo që pritet të ndodhë është e lexueshme: Matura Shtetërore si proces është tërësisht në rrezik, përgjigjet e provimeve do të jenë shitur tek ofertuesi më i mirë, zakonisht arsimi i mesëm privat, dhe procesi do të jetë tolerant, pasi kështu maturantët do jenë më të predispozuar të mendojnë se qeveria i do, e prandaj i lë të kopjojnë. Maturantëve do tu krijohen “lehtësira” të cilat ata betë do t`i gëzojnë momentalisht por do ti vuajnë gjatë.

Ka vetëm një zgjidhje të drejtë e të ndershme që mund ta shpëtojë më të vërtetë Maturën Shtetërore dhe maturantët dhe kjo mund të vijë vetëm nga një qeveri e mundshme teknike brenda muajit qershor, e cila do të duhet me doemos të çlirojë procesin e maturës nga hajdutët dhe rrugeçërit aktualë që kanë futur duart dhe hundët e injorancës dhe arrogancës në arsimin shqiptar duke e degraduar dhe ulur atë në nivelet më të padëgjuara të historisë së këtij kombi. Maturantët të bëjnë kujdes nga joshjet dhe mashtrimet e pushtetit dhe të kuptojnë se manipulimi i përkohshëm i mendjeve dhe vullnetit të tyre, ka për të qenë fillimi i një fundi të paralajmëruar të lirisë dhe të ardhmes së tyre arsimore.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here