Fajtorë apo vuajtës?

0
247

Av.Brikena Bogdo

Faji është kategori filozofike, që sipas Hegelit, shtyn përpara shoqërinë. “Mëkati fillestar”, apo “të gjithë  mëkatarë”, është thelbi i shumë besimeve, sigurisht në këndvështrimin filozofik, apo fetar. Por, për pushtetet diktatoriale dhe rregjimet e brishta, është koncepti më abuzues. Me fajin, edhe fajtorët, ushqejnë ekzistencën e tyre  kriminale, ushtrojnë trysni, deri në trullosje, të shoqërisë. “Jeni të fajshëm, duheni dënuar”, është mjeti ideal për të ngjallur panik, frikë dhe nënshtrim.

Me instalimin e diktaturës, rregjimi Hoxhian, fajësoi masivisht shqiptarët, në emër të  diktaturës së proletariatit, duke hapur dyert e burgjeve, duke dënuar me vdekje, në shkelje flagrante të ligjeve dhe të drejtave të njeriut. Kjo solli dhe një nga etiketimet, pas viteve 90, “bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”, që po iu qëndron shqiptarëve mbi kokë, si shpata e Demokleut.

Sipas konceptit të së drejtës, në shtetin ligjor, ai që është fajtor duhet të vuajë fajin e tij, dënimin. Por, faji dhe vuajtja janë të ndara si koncepte, në diktaturë dhe rregjime të brishta. Të tjerë bëjnë faje, dhe të tjerë vuajnë dënimin. As në atë regjim dhe, as sot, shqiptarët nuk kanë qenë bashkëfajtorë, por bashkëvuajtës të situatave absurde, të abuzimit të shtetit. Ata janë bashkëvuajtës ndër vete, por kurrë, së bashku me pushtetin dhe krimin. Pushteti dhe krimi janë pazgjidhshmërisht, kundër të pafajshmëve. Ata bëjnë krimet, të tjerë akuzojnë, deri në burgosje.

Shqiptarët e pafajshëm, ose më pak të fajshëm, fajësohen, në emër të bërjes së shtetit dhe mbushjes së statistikave për ndërkombëtarët.

Bërja e shtetit është orë e mirë, apo e keqe? Për shqiptarët, është orë e keqe, për sa kohë të gjithë po rrezikohemi, në shkelje të ligjit, për dënim me burg.  Shkeljet proceduriale të organit të akuzës, janë bërë normalitet, duke iu mohuar shtetasve të saj, të drejtat themelore. Shqiptarët, shpesh, nuk dinë pse është ngritur akuza, kundër tyre, për t’iu hequr të drejtën e ankimimit në gjykatë.

Jemi  në kushtet e tejkalimit të ligjit, nga insitucione të rëndësishme, që vendosin rendin dhe drejtësinë. Fuqia shtrënguese e shtetit, detyrimisht duhet vendosur nën korizën e ligjit, në të kundërt, shndërrohet në gangsterin e fuqishëm, që ka liri të godasë, me paligjshmëri.

Kryeministri aktual do të mbahet mend, më së shumti, që përdori fuqinë e shtetit, për të goditur të pafajshmit dhe të varfërit, dhe mbi gërmallat e jetëve të tyre, lartësoi fuqinë e shtetit. Të pafajshmit nuk kanë fuqinë ekonomike që të paguajnë policë e prokurorë, që kërleshen si hienat, se kush do e marrë haraçin. Nëse nuk arrin ta marrë policia, e merr prokuroria. Nëse nuk nxjerr haraçin, prokuroria, mbetet gjykatësi, që jep verdiktin, “i fajshëm”, në kurriz të këtyre mjeranëve. Prandaj, fukarenjtë dhe të pafajshmit, janë kontigjent i sigurt, për të mbushur statistikat e dënimeve masive, “të të bërit shtet”.

Sot, prokuroria dhe policia, po akuzohen për abuzime, shantazhe, dërgime të padrejta për gjykim. E pezullon një çështje, kur duhet ta vazhdojë, e zgjat hetimin pa njoftuar palën, duke i hequr të drejtën ligjore për t’u ankimuar, në gjykatë. Hajduti i kapur nga policia, me çelës në dorë, nuk quhet provë. Merren, sipas letrave, në pyetje, njerëz që kanë vdekur prej kohësh. Nuk bëhet ekspertim, sipas ligjit, kur i pandehuri dorëzon raportin për sëmundje të rëndë nervore, duke i krijuar probleme psiko-emocionale, pasi nuk pranon të bëhet pjesë e mekanizmit të korruptuar.

Ndërkohë, kriminelë marrin një raport mjekësor, për të fituar pafajësinë. I ushtrohet dhunë psikologjike, për paraqitje në prokurori, jashtë afateve të hetimeve. Nuk respektohet kontradiktoriteti, që do të thotë, që merren në konsideratë faktet, vetëm të njërës palë, duke zhdukur provat e palës tjetër. Njerëz të thjeshtë, që për 50 dollarë, vihen përtej hekurave, pa iu mundësuar të komunikojnë me askënd, duke iu mohuar të drejtat  themelore të njeriut.

Në mënyrë artificiale rrisin cilësimin e veprës së të pafajshmëve dhe kriminelit, ia ulin. Një zënkë e çastit kriminalizohet për t’u burgosur, dhe kriminelin e lenë të lirë, për të vazhduar krimin.  Këta janë fakirët, shënjestra e “të bërit shtet”. Kap të dobtit, për të treguar, në sy të ndërkombëtarëve, fuqinë shtrënguese të shtetit. Të gjitha këto fakte do t’i dukeshin qesharake një penalisti me eksperiencë shumëvjeçare, përpara shkeljeve shumë më flagrante të institucionit të akuzës, ku kriminelëve shumë të njohur, iu është zhdukur, arma e krimit, për t’i nxjerrë, më pas, të pafajshëm. Zinxhiri korruptiv polici, prokurori, gjykatë është bërë i pathyeshëm.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, referon se i janë adresuar ankesa nga shtetas, të cilët pretendojë vendime të padrejta pushimi, ose mosfillimi të hetimeve nga organi i prokurorisë, praktika korruptive në radhët e prokurorëve, kohëzgjatje tej afateve të parashikuara në ligj dhe zvarritje të procesit hetimor, mosmarrje në konsideratë të kërkesave të personave të dëmtuar, gjatë këtij procesi, për hetime më të thelluara dhe cilësore, paragjykim hetimesh dhe shprehje mendimesh, përpara se të përfundojnë veprimet hetimore. Sipas ankesave, që i kanë përcjellë shtetasit, Komitetit Shqiptar të Helsinkit dhe nga monitorimi i medias, ka rezultuar se, ka një numër të konsiderueshëm çështjesh penale, dosjet e të cilave, prej vitesh, janë pa autor. Komiteti Shqiptar i Helsinkit arrin në përfundimin se, hetimet lidhur me veprat penale, duhet të përmirësojnë cilësinë, objektivitetin, të jenë të paanshme dhe gjithëpërfshirëse.

Kjo ka sjellë, padyshim, edhe deklaratën e ish-ministri të drejtësisë, Ylli Manjani, që këto institucione, kanë mungesë të theksuar profesionalizmi. Por, kjo deklaratë është tejet  e zbutur, pasi ato përdoren edhe për shantazhe dhe përfitim rryshfeti. Jemi në pikën, ku fuqia e të fajshmëve, po dënon masivisht të pafajshmit.

Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, në raportin vjetor, mbi “Gjendjen e të Drejtave të Njeriut në Botë”, në pjesën për Shqipërinë, ngre shqetësimet për gjendjen e sistemit të drejtësisë dhe gjendjen e burgjeve. Sipas raportit, në muajin qershor, një gjykatë pezulloi kreun e Policisë së Shtetit, për abuzim dhe pjesëmarrje në vendosjen e pajisjeve regjistruese në komisariatet e policisë. Në përgjigje, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm akuzuan gjyqësorin, se po i shërben opozitës. Kjo ndërhyrje, sipas këtij raporti, dëmton pavarësinë e gjyqësorit.

Raporti thekson se, në muajin mars, Komiteti Europian për Parandalimin e Torturës ka shprehur shqetësime, lidhur me kushtet e paraburgimit në Shqipëri. Komiteti ka dokumentuar raporte të shumta, nga të paraburgosurit, duke përfshirë të mitur, për keqtrajtim nga punonjësit e policisë, që në disa raste, përfshijnë edhe përdorimin e torturës.

Komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës vlerëson, se “Procesi i reformimit të sistemit gjyqësor nuk ka përfunduar ende dhe duhet të çohet deri në fund, me vendosmëri, duke mëshuar tek zbatimi i efektshëm i parimeve të gjykimit të drejtë, në praktikën e përditshme, si të organeve të zbatimit të ligjit, ashtu edhe në atë gjyqësorit (duke përfshirë edhe organet e prokurorisë)”. Komisioneri vëren se, klima politike e polarizuar, në Shqipëri, në të cilën ka operuar gjyqësori, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar negativisht në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe, për pasojë, edhe në vetë shtetin ligjor. Sistemi i drejtësisë vuan ende nga një numër problemesh strukturore, që duhet të trajtohen në mënyrë të efektshme, si dhe mangësi në zbatimin e legjislacionit ekzistues.

Në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, në vendin tonë, evidentohet me nota negative:- ‟Edhe pse pavarësia është një nga parimet e pushtetit gjyqësor, faktorë si: korrupsioni, presioni politik, dhe burimet e kufizuara (qofshin ato njerëzore apo financiare), ndonjëherë, kanë penguar funksionimin e pavarur dhe efikas të gjyqësorit. Disa seanca gjyqësore shpesh herë zhvilloheshin, jo në prani të publikut, zakonisht në zyrat e gjyqtarëve, gjë e cila ka ndikuar në mungesën e profesionalizmit dhe mundësitë për korrupsion. Shumë gjyqtarë kanë dhënë vendime të pabazuara, në ligj, apo në fakt, duke bërë që disa të besojnë se, i vetmi shpjegim i mundshëm ka qenë korruptimi i këtyre gjyqtarëve, ose ushtrimi i presionit politik”.

Parimet e Bangalores mbi Sjelljen Gjyqësore, të vitit 2002, përcaktuan një sërë “vlerash”, ku përfshihej edhe integriteti, të cilit duhet t’i përmbahen të gjithë gjyqtarët. Këto parime theksojnë se, gjyqtari duhet të sigurojë, që sjellja e tij të jetë e paqortueshme nga këndvështrimi i një vëzhguesi të arsyeshëm dhe mënyra e sjelljes duhet të ripohojë besimin e njerëzve, tek integriteti i gjyqësorit. Drejtësia, thuhet në këto parime, duhet “jo vetëm të jepet, por edhe të shihet se jepet”.

Në muajin korrik, parlamenti miratoi një reformë në drejtësi, që ndryshoi dhjetra nene të Kushtetutës dhe futi legjislacionin e ri për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit dhe për të parandaluar ndërhyrjet e politikes dhe korrupsionin. Por, reforma ka mbetur ende pezull, për shkak të ndërhyrjes së politikës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here