Problemi që nuk zgjidhet kurrë/ Depozitat e ujit, shëmtia e qytetit dhe metropoli i depozitave

0

 

Loading...

“Mbi çdo pallate, shtëpi private por edhe biznese të ndryshëm shikon depozita uji të vendosura në mënyrë të çrregullt dhe që japin një shëmti më shumë qytetit”

 

Anesti Barjamemaj

 

Tirana është një nga qytet më të shëmtuara dhe me cilësi të ulët të jetesës, pasi problemet në të janë të shumta. Ato fillojnë që nga ato mikro e deri në makro, ku të gjithë përballemi çdo ditë.  Edhe pse është kryeqyteti i Shqipërisë, përsëri Tiranë është qyteti më i shëmtuar, pasi ndërtimet pa plan, urbanistika e munguar, dhe rrugët kuturu s’japin aspak pamje kënaqëse për syrin e nje qytetari. Por një problem që ka ekzistuar gjithmonë, për shumë vite me radhë janë depozitat e ujit që ndodhen mbi shtëpi dhe pallate. Ato kanë qëndruar aty të palëvizura edhe pse qyteti është zhvilluar ndërtuar, prishur dhe ndërtuar përsëri.  Mbi çdo pallate, shtëpi private por edhe biznese të ndryshëm shikon depozita uji të vendosura në mënyrë të çrregullt dhe që japin një shëmti më shumë qytetit. Ky problem ekziston, për vetëm një arsye që është mungesa e ujit 24 orë në çdo shtëpi. Premtimi për 24 orë uji ka qenë nga çdo kryebashkiak, por askush nuk e ka mbajtur deri tani. Çdo banorë i Tiranës, por edhe në të gjithë Shqipërinë  problemi me furnizimin e ujit ka sjell vendosjen e depozitave mbi tarraca dhe çati. Qyteti ku banon një pjesë madhe e popullsisë së Shqipërisë, vizitohet çdo ditë nga shumë turistë dhe Tirana u duket si një vend ekzotikë, me rrëmujën dhe zhurmën që ajo ka. Por nëse këta turisë do ti çoje në malin e Dajtit ku pamja është më e qartë, do ta kuptonin që kanë ardhur në një vend i cili është më i shëmtuar nga sa duket. Pamja më e qartë e shëmtisë bëhet duke e parë nga lart, ku hapësira që shquan është shumë e madhe. Për të vërtetuar këtë në shkuam në disa nga bar kafet në Tiranë të cilat janë ndërtuar në tarracat e hoteleve dhe jo vetëm në Tiranë, ku mund të shikosh një pjesë të qytetit. Pronarët e këtyre bar kafeve, kanë menduar që të ndërtojnë biznesin e tyre në një vend ku pamja është e gjerë dhe mund , por nuk kanë menduar që pamja e vetme që shikojnë klientët janë depozitat e ujit në çdo pallate.  Pamja është e njëjte në çdo cep të qytetit si në qendrën e tij ashtu edhe në lagjet më periferike, pasi problemi nuk është i përcaktuar me zona. Për të zgjidhur këtë shëmti duhet vetëm një ndërhyrje, furnizimi me ujë 24 orë në çdo shtëpi. Por kjo gjë duket që është shumë larg në kohë, pasi projektet duket se mbeten vetëm si premtime elektorale dhe në letër.

 

Depozitat e ujit burim problemesh për banorët e qytetit

 

Edhe pse shumë mendojnë që depozitat mbi pallate zgjidhin një nga problemet kryesore të qytetarëve, që është furnizimi me ujë e kanë gabim. Depozitat janë një burim problemesh për ta. Nëse ke një depozitë mbi pallat, është njësoj sikur të kesh një mal me halle. Në çdo pallate që ka depozita të instaluara për furnizim më normal me ujë, banorët e këtij pallati kanë zënka me njëri tjetrin.

 

Çarja e depozitave

 

Dëmtimi i depozitave nga temperaturat, uji dhe nga probleme të tjera sjell gjithmonë zënka mes banorëve të pallatit. Shpesh depozitat janë të ngatërruara dhe për të gjetur pronarin e tyre është shumë e vështirë. Për  këtë gjë banori i cili jeton në katin e fundit nuk di cilit prej fqinjëve të tij ti ankohet për rrjedhjen e ujit dhe dëmtimin e shtëpisë së tij. ka pasur raste si në Tiranë ashtu edhe në qytete të tjera, ku banorë të një ndërtese janë grindur me njëri tjetrin për shkak të dëmtimit të depozitave.

 

Sherri për vendosjen e tyre

 

Në shumë prej pallateve që janë të panumërt në Tiranë nuk ka një administrator që është zgjedhur nga vet banorët, por administrator është bërë banori në katin e parë ose në të fundit. Kur administratori është pronari i apartamentit në katin e fundit, shpesh është e privatizuar edhe tarraca e pallatit. që të shkosh të shohësh depozitën nëse duhet pastruar, apo për të vendosur një depozitë të re duhet që të marrësh një leje nga banori i katit të fundit. Por për të marrë këtë leje është shumë e vështirë, pasi privatizuesi nuk lejon që të kalosh në pronën e tij, që në fakt nuk është e tij. Nga informacionet që kemi mundur të mbledhin për këtë çështje kemi mësuar se ka pasur shumë raste të ngjashme ku një prej banorëve ka privatizuar kaptin e fundit dhe tarracën.

 

Tubacionet e shkatërruara

 

Në shumë zona të Tiranës, që kjo pjesë është më shumë se 80 për qind, uji vjen me orare të caktuara tre herë në ditë. Në kohën që vjen uji në shumë pallate krijohen ujëvara nga uji që rrjedh nga tarracat e pallateve, pasi tubacionet janë të shkatërruara. Edhe pse dita mund të jetë me diell shkëlqyes, përsëri duhet  të mbash çadër pasi në çdo moment mund të bëhesh ujë nga ujëvarat e krijuara. Ky është një problem që përsëritet çdo ditë por nuk gjen asnjë herë zgjidhje, pasi tubacionet janë të ndërlikuara dhe të pa rregullueshme.

 

Problemet në dimër

 

Ngrirja e tubacioneve nga temperatura te ulëta është një tjetër problem që shqetëson shumë banorët. Për arsye se tubacionet janë të pa mbuluara nga betoni dhe në shumë raste edhe të bllokuara. Për këto arsye në shumë familje nuk kanë furnizim me ujë. Ankesat kanë të shumta por problemi ende nuk është zgjidhur, pasi kostot për zgjidhjen e tij janë të shumta.

 

Pa ujë në dimër

Nëse ka një gjë tjetër të çuditshme në Tiranë është edhen ndërprerja e furnizimit me ujë në ditët me shi. Kjo gjë ndodh nga mbetjet që shkarkohen në rezervuar dhe që ndotin të gjithë ujin. Rasti i fundit ishte dimrin që sapo kaluam ku i gjithë qyteti u paralizua, pasi u ndotën të gjitha tubacionet. Kjo erdhi nga reshjet e shumta sipas institucionit përkatës, por që kishin edhe një shkak tjetër që është mos pastrimi i rezervuarve dhe tubacioneve.  Kjo mund të jetë dhe një nga çudirat më të mëdha që ndodh me furnizimin me ujë në Tiranë, që ja kalon edhe shëmtisë së qytetit.

Loading...

Lini nje pergjigje