Mbyllen ndërmarrjet në masë, Shqipëria ngel në stadin e biznesit të vogël

1
588

Nga Ervin Kaduku

“Gjobat, taksat e rënda dhe rëndimi i gjendjes ekonomike të familjeve kanë sjellë rritjen e numrit të bizneseve me status pasiv në 91 mijë”.

Numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin është rritur me një ritëm të pashënuar ndonjëherë më parë. Dokumentet zyrtarë të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tregojnë se vetëm për 9 muaj, janë mbyllur mbi 16 mijë ndërmarrje, të cilat kanë kaluar në status pasiv. Lista e bizneseve pasive nisi të publikohej për herë të parë në maj të vitit të kaluar. Në atë kohë, Tatimet deklaruan se në Shqipëri rezultonin në total 91 mijë biznese me status pasiv, të cilat ishin akumuluar që nga viti 1992. Por në fillim të muajit shkurt, shifra e bizneseve në pasiv u rrit në mbi 107 mijë subjekte. Kjo do të thotë se vetëm brenda 9 muajsh mbi 16 mijë ndërmarrje janë detyruar të mbyllin aktivitetin dhe të kalojnë në status pasiv.

Kriza, taksat, gjobat

Arsyet se pse shumë bizneset po detyrohen të mbyllin qepenat janë disa. E para ka lidhje me krizën e gjatë ekonomike, e cila ka goditur konsumin e popullatës dhe rrjedhimisht edhe shitjet e biznesit.

Gjendja financiare e biznesit veç situatës së shtrënguar ekonomike, gjatë viteve të fundit është goditur rëndë edhe nga politika fiskale, në të gjitha nivelet. Në tre vitet e fundit bizneset janë përballur me rritje taksash nga të gjitha anët. Fillimisht ishte qeveria, e cila ndërmori dy rritje taksash rresht në vitet 2015-2015 me nga 200 milionë dollarë secila.

Por rritja e taksave qëndrore nuk ishte e vetmja. Vitin e kaluar bizneset u përballën me një tjetër rritje, këtë herë të taksave lokale, veçanërisht në kryeqytet. Për disa taksa apo tarifa të caktuara, si ajo e pastrimit, barra u rrit deri në tre herë duke çuar shumë subjekte në mbyllje të përkohshme dhe të tjera drejt mbylljes së plotë.

Përgjatë kësaj kohe, autoritetet fiskale kanë rritur edhe masat represive. Në vitin 2015 qeveria nisi një aksion kundër informalitetit, që u karakterizua nga një agresivitet shumë i lartë i tatimorëve dhe strukturave të tjera shtetërore. Verën e viti të kaluar aksioni kulmoi me një valë gjobash, të cilat kanë rezultuar fatale për shumë biznese, duke i detyruar të mbyllen.

Vetëm biznes i vogël

Sipas INSTAT, tre janë sektorët që punësojnë mbi 50 % të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM); sektori i tregtisë mbizotëron me 24,5 %, i ndjekur nga sektorët e shërbimeve të tjera me 16,0 % dhe sektori i industrisë përpunuese me 14,2 %. Sektorët me numrin më të vogël të të punësuarve në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë sektori i industrisë nxjerrëse me 1,5 % dhe sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,3 %.

Rreth 77,6 % të shitjeve neto realizohen nga NVM. Sektori i tregtisë mbizotëron me 44,3 % të shitjeve neto.

Sektori i ndërtimit është sektori i dytë me përqindjen më të lartë prej 9,3 %, i ndjekur nga sektori i industrisë përpunuese prej 8,2 %. Sektori me përqindjen më të ulët të shitjeve neto të realizuara nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është sektori i industrisë nxjerrëse me 1,4 %.

66,5 % të investimeve kryhen nga NVM. Ndryshe nga treguesit e tjerë, sektori me përqindjen më të lartë të investimeve të kryera në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 21,1 %.

Sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka përqindjen më të ulët të investimeve prej 1,1 %.

66,3 % të vlerës së shtuar realizohet nga NVM. Sektori që zë përqindjen më të lartë në vlerën e shtuar është sektori i tregtisë me 22,2 %, i ndjekur nga shërbimet e tjera me 11,5 %, ndërtimi me 10,1 % dhe industria përpunuese me 10,0 %. Sektorët me përqindjen më të ulët janë sektori i energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 2,2 % dhe sektori i industrisë nxjerrëse me 2,5 %.

Nëntë nga dhjetë ndërmarrje punësojnë më pak se 5 punonjës. Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,1 % të ndërmarrjeve punësojnë 18,7 % të punonjësve, kryejnë 33,5 % të investimeve dhe realizojnë 22,4 % të shitjeve neto dhe 33,7 % të vlerës së shtuar.

Nga krahasimi i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, shohim që ndikimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është më i rëndësishëm në Shqipëri sepse zë një përqindje me të lartë në të tre treguesit e marrë në shqyrtim. Në Shqipëri, numri i ndërmarrjeve në NVM është 99,9 % nga 99,8 % në BE, numri i të punësuarve në këtë grup ndërmarrjesh është 81,3 % në Shqipëri nga 66,8 % në BE. Vlera e shtuar e realizuar nga NVM në Shqipëri përbën 66,3 % nga 57,4 % në BE.

1,9 % e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme eksportojnë. Sektori me përqindjen më të lartë të ndërmarrjeve eksportuese është sektori i industrisë nxjerrëse, ku 25,7 % e ndërmarrjeve aktive të këtij sektori eksportojnë. Sektori me numrin më të vogël të ndërmarrjeve eksportuese është sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, ku vetëm 0,1 % e ndërmarrjeve të këtij sektori kanë kryer eksporte. Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të ulët të ndërmarrjeve eksportuese prej 0,7 %. Në ndërmarrjet e vogla kryejnë eksporte rreth 19,3 % e tyre, ndërsa në ndërmarrjet e mesme rreth 43,1%.

55,5 % e vlerës së eksporteve realizohet nga NVM. Sektori i industrisë përpunuese eksportoi 34,8 % të eksporteve të realizuara nga NVM dhe sektori i tregtisë 13,2 %. Pjesa tjetër prej 7,5 % të eksporteve të NVM janë realizuar nga sektorët e tjerë. Nga analiza e përqindjes së eksporteve të kryera nga NVM sipas madhësisë së ndërmarrjeve, rezulton që 31,3 % eksportohen nga ndërmarrjet e mesme, 16,9 % nga ndërmarrjet e vogla dhe 7,4 % nga mikrondërmarrjet.

79,8 % e vlerës së importeve realizohet nga NVM. Sektori i tregtisë importoi 52,6 % të importeve të realizuara nga NVM dhe sektori i industrisë përpunuese 18,7 %. Pjesa e mbetur prej 8,5 % të importeve është realizuar nga ndërmarrjet në sektorët e tjerë. Përqindja më e lartë e importeve kryhet nga ndërmarrjet e vogla me 10-49 të punësuar me 32,9 %, i ndjekur nga ndërmarrjet e mesme me 31,1 %.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme luajnë një rol të rëndësishëm për sa i përket punësimit. Sektori akomodimit dhe shërbimit ushqimor ka përqindjen më të lartë të punësimit në mikrondërmarrje (78,9 %). Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e vogla me 39,0 %. Sektori i industrisë përpunuese ka përqindjen më të lartë të punësimit në ndërmarrjet e mesme me 36,4 %.

Vlera e shtuar ka një sjellje të ngjashme me punësimin në analizën e vlerës së shtuar sipas aktiviteteve ekonomike dhe punësimit. Përqindja më e lartë e vlerës së shtuar në ndërmarrjet e vogla, realizohet në sektorin e akomodimit ushqimor (66,5 %). Në sektorin e tregtisë, vlera e shtuar në mikrondërmarrjet dhe ndërmarrjet e vogla është e përafërt, përkatësisht 37,2 % dhe 37,0 %. Sektori i ndërtimit ka përqindjen më të lartë (33,6 %), të realizuar nga ndërmarrjet e vogla. Në sektorin e industrisë përpunuese, ndërmarrjet e mesme realizojnë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar (42,3 %) të realizuar nga ky sektor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here