“I gjati që nuk po bëhet i zgjuar dhe të huajt që vegjetojnë”

0
337

Hamza Hatika

Në bulevardin Dëshmorët e Kombit, qëndron një çadër e bardhë përballë një dere të zezë, asaj të Kryeministrisë, ku prej 18-Shkurtit janë  vendosur në një betejë pa kthim pas, opozitarët me në krye Partinë Demokratike. Rama deklaroi se, do të shkojë në zgjedhje edhe pa Partinë Demokratike si edhe aleatët e saj që nuk janë regjistruar në KQZ, ndërsa LSI kryen e qetë ture paraelektorale për të mbajtur lart frymën dhe të vjelë sa më shumë nga shfryrja e PS-së. Në fakt Meta ka ditur të rritet nga rënia e aletatit të madh bashkqeverisës.

Latinët thonë që, “njeriu i gjatë është rrallë herë i zgjuar, por nëse është i zgjuar  atëhere ai është mjaft i zgjuar”…! Pra, Rama dhe Basha janë në betejën që ora-orës  pritet me surprizat e matematikës së votave dhe të ligjit, apo edhe të moralit të ulët tashmë nga nervat e lodhura të kryeministrit, i cili në monologun e tij javor vetkënaqet me komentuesit që nuk po i kontrollon dot më. Pyetja është se: a do të ngrihet “Ai” në alogjikën e shtetit kamzhik që ka ngritur, apo me largimin e Tahirit, policia e “bravo-çunave”, kuptuan se trimi para ligjit nuk shkon dot në këtë kohë krize…?!

Opozita pas disa betejave, ku  kujtojmë këto atë të 2013-ës në Korçë e më pas zgjedhjet lokale të 2015-ës apo edhe së fundmi në zgjedhjet e pjesshme në Dibër, kuptoi se me këtë maxhorancë nuk mundet të ketë më zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në fakt vetë klasa politike e pranon që zgjedhje të tilla në kuptimin e parë të fjalës, nuk kemi  patur përpos 1991-it. Me këtë refren politik si edhe me sloganin  “Republika e Re”, opozita po kërkon të dalë triumfuese në betejën e saj që duket se nuk ka kthim pas. Na mbetet të shikojmë programin e “Republikës se  Re” për tu bindur mos do ribejme rikoshetin e mallkuar. Rama një piktor dhe Basha një student ekselent i jurispudencës, e të dy më përvoja politike, ku në mes tyre Meta flet për dashuri dhe paqe, duke bërë llogaritë e tij se ku do të duhet të dali pas 18-Prillit… !

Por përpos skenarëve politikë, reja gri mbizotëron gjithandej, duke pasur parasysh raportet e shumta dhe të nxira nga ndërkombëtarët, si nga Europol, SHBA, apo Eurostat, apo edhe gafa e kreut të OSCE, jo 2 apo 5 miliardë Euro nga droga apo edhe emisarët e ndërkombëtarëve në Shqipërinë tone, që dalin janë jashtë kornizës zyrtare. Këtu të gjithë janë ç’akorduar… Shqipëria në toplistën e drogës dhe asnjë ndërkombëtar i atashuar në Tiranë nuk tha edhe nje fjalë të vetme, kjo mbetet e frikshme dhe pa shpresë se të huajt na duan. Ata bëjnë sehir dhe kuvendojnë nga sallonet vetëm përpara mikrofonëve.  Doris Pack, në fjalën e saj  më gratë demokratë foli troç: “vajza ime ka vdekur në gjermani nga droga” ! Nëna, ruani fëmijët tuaj se po jua vrasin  me kanabizimin e vendit, mos i dërgoni fëmijët tuaj në arat me hashah… E çfarë mund të thotë dhe të bëjë më shumë ajo mike e palodhur post 1991 -it?…

Personalisht kam shkuar me disa ambasada për të parë investimet anembanë vendit. Sikur një grup nga masmediat të niseshin nën imunitetin e tyre nëpër atdheun e kanabizuar, çfarë do thoshte Rama me 1% e tij të drogës? Jo, padyshim që tonet e sekuestruara janë lajm i zi, ndërsa Trupi Diplomatik hesht,  po jo mediat e tyre, jo ato  nuk heshtin. A jeni blerë edhe Ju…?!

Në fakt, ajo çadër për hallet e mëdha të popullit tonë duket mjaft e vogël, për të mbajtur qytetarët që duhet më shumë sesa të protestonin për rrëzmin e Ramës së kapitulluar tashmë, t’i kërkonin llogari Bashës së çfarë do bëntë Ai me abuzimet dhe koncensionet e RILINDJES ?

Raportet e KLSH-se, ku janë mbi 1.5 miliardë  euro abuzime e koncensione, janë këmbanë alarmi për një VETING në çdo qelizë të shtetit dhe jo vetëm të kufizuar politikisht. Zgjedhjet duhet të shtyhen dhe Qeveria teknike me bazë të gjerë do të duhet të ndërhyje me konsensus dhe me praninë e ndërkombëtarëve për standarte e me votim unanim si ai i 21-22 Korrikut 2016 për të votuar ligje për interesa të popullit dhe jo më të politikës dritëshkurtër.

E para, duhet të pastrohen  listat ku edhe babai im apo  fqinjët e vdekur para 1990 janë votues.

E dyta, votim elektronik edhe për emigranët

E  treta, partitë të kenë numëruesin e tyre, si edhe listat  e hapura ku kryetari të mos jetë absolutisht diktuesi i pushtetit të popullit nga emërimi i imponuar prej vullnetit personal mbi atë popullor.

Dhe e fundit, trafikimi i deputetëve të ndalohet me ligj, pasi pazaret meskine, katandisën vendin nëtë fundit e europës në çdo statistikë.

Dështimet pa fund si në rang kombëtar ashtu edhe etnik janë mjaftueshëm për të kuptuar se duhet ulur në një tryezë të barabartësh pasi përpara Flamurit, Atdheut dhe Kushtetutës jemi të gjithë po të barabartë. Alarmi i madh Kombëtar ky, se në Malin e Zi, nga 5 deputetë sot, kemi vetëm një shqiptar. Në Maqedoni, kemi humbur 10, ndërsa ne jemi ulur këmbëkryq në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe hemoragjia e largimit të brezit të ri dhe të mesëm, janë urimi i vetëm nga armiqtë e Kombit tonë që na  duan  edhe më keq akoma. Dhe nëse nuk ka dialog politik me vullnet për të mos denigruar edhe me të ardhmen tonë, personalisht më besohet vetëm se këta janë absolutisht agjentë dhe jo Pusht-etarë shqiptarë.

Një njoftim nga google se mbi 500-mijë shqiptarë klikuan sesi largohesh për azil në gjermani, duhet të na uli në tryezen e thirrur nga Presidenti për Sigurinë Kombëtare. Po, përse po ikin dhe kujt i leverdis  zbrazja e trojeve etnike përpos sesa armiqëve të betuar të kombit tonë. Detyra e të gjatëve mbetet të bëjnë rrugën e shkurtër: urgjentisht në tryezë me Presidentin e Republikës të vendosin listën e detyrave dhe të ndërpresin retorikën boshe, por të zbatojnë detyrat e mara përsipër që vendi Amë të mos denigrojë dhe mos behët ogurzi edhe për shqiptarët etnikë që i kanë sytë në “Cadrën e Lirisë”, ku protesta pa kthim do të marri përgjegjësitë e mëdha të ringritjes së mohuar qëllimisht.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here