Përgjigje Ramës, LSI: Zgjedhjet pa opozitën janë farsë, emergjente ulja për dialog

1
713

Ndryshe nga Kryeministri Edi Rama që ka deklaruar se PS do të hyjë në zgjedhje pa opozitën, Lëvizja Socialiste për Integrim ka tjetër mendim . Nënkryetari i LSI Luan Rama deklaroi hapur nga studio e ABC News se zgjedhje parlamentare pa opozitën nuk do të ketë. “Zgjedhjet pa opozitën janë formale në kuptimin institucional ndërsa në kuptimin demokratik janë farsë”, tha Luan Rama.

 

Nderkohë LSI i ka dhënë një tjetër mesazh Kryeministrit Edi Rama dhe PS-së, se kush ka më shumë rëndësi, Shqipëria apo partia. Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka deklaruar se është momenti që të bëhet një analizë e punës qeverisëse dhe të koalicionit në tërësi pas 4 vitesh në pushtet. Në bazë të konkluzioneve të nxjerra, Luan Rama tha se nuk mund të pretendojë se LSI-ja apo qeveria ka më shumë rëndësi se sa Shqipëria, por vëmendja duhet të fokusohet tek punët për vendin.

 

Intervista

 

Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e Kryeministrit Rama i cili thotë se “PS do të shkojë në zgjedhje më 18 qershor me apo pa PD-në, me LSI-në ose jo në koalicion”?

Për sa kohë unë nuk kam burim zyrtar apo një qëndrim publik të Kryeministrit në lidhje me këtë rezervoj të drejtën të komentoj. Sepse e para nuk është etike dhe korrekte të komentosh me “sikur”. Po kaq, kam vlerësimin tim maksimal që situata politike në të cilën ndodhet vendi, kriza politike e krijuar dhe e agravuar, në vlerësimin tim, për shkak të mungesës së dialogut politik si një institucion i qenësishëm dhe i rëndësishëm i funksionimit të demokracisë në një vend, gjykoj se nuk ka vend për gjuhë ultimative, nuk ka vend për gjuhë arrogante. Ajo që është më e rëndësishme është që nuk është e udhës, nuk është normale dhe nuk na lejohet të flasim nga pozita e pushtetit dhe me arrogancën që indukton pushteti sepse për sa kohë të gjithë themi që politika është arti i së mundshmes do të thotë që duhet të shfrytëzojmë të gjitha hapësirat, mundësitë mekanizmat politikë për të kapërcyer situatën dhe për të bërë të mundur që vendi të shkojë në zgjedhje mbi një situatë politike normale dhe jo anormale, të shkojë në zgjedhje pasi të kemi dhënë të gjitha garancitë për të krijuar bindjen dhe besimin, jo vetëm tek opozita por edhe te të gjithë qytetarët shqiptarë, se zgjedhjet do të jenë korrekte, të ndershme dhe në përputhje me standardet dhe rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.

 

Cili është komenti juaj në lidhje me reagimin e menjëhershëm që pati z. Tahiri pas deklaratës suaj i cili tha “Hiena të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e Partisë Socialiste por që përgjigjen e kanë marrë nga puna e katër viteve të fundit dhe më 18 qershor do ta marrin nga populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Uroj LSI të ndihet krenare që ka nderin e madh të jetë aleate e PS-së në këto kohë reformash të mëdha për vendin”.

 

Të mos merrem me të sepse arsyeja për të cilën unë dola në atë konferencë shtypi dhe ajo çfarë po them këtu është shumë parimore dhe shumë e rëndësishme dhe tejkalon çdo ambicie apo çdo ego personale të cilitdo personi qoftë. Unë fola me shifra konkrete, me referenca konkrete në raportin e DASH dhe nga ana tjetër unë realisht do të ndihesha shumë krenar nëse rezultatet e treguesve do të ishin në rënie dhe jo në rritje, do të ishte rënia në progresion gjeometrik dhe jo rritje në progresion gjeometrik përballë rritjes në progresion aritmetik që pa pësuar ndërveprimi i strukturave të policisë. Nga ana tjetër unë nuk u fokusova dhe nuk e fokusoj qëndrimin tim vetëm tek puna e Policisë së Shtetit por përgjegjësia për situatën është e një morie institucionesh sepse ka një Komitet Kombëtar të Koordinimit të Luftës Kundër Drogës, ku bëjnë pjesë edhe ministra të tjerë. Përgjegjësia është po kaq e madhe edhe për Ministrinë e Bujqësisë, edhe për Ministrinë e Mjedisit etj.

“Hiena të dala nga oborri i PS, që ëndërrojnë dështimin e saj” ka thënë z. Tahiri për disa njerëz të LSI-së…

Oborri i PS-së ka qenë dhe mbetet nga arenat politike ku unë dhe shumë personalitete politike të vendit jemi rritur politikisht. Dhe për ta mbyllur kapitullin e kësaj reference që ju sillni, më lejoni të them pa modesti, që në të gjithë angazhimin tim politik, që prej themelimit të Partisë Socialiste, atëherë kur të rrije në Partinë Socialiste ishte heroizëm dhe sakrificë, kur shumë nga ata që sot bëjnë protagonistin o u fshehën ose të gjuanin me gurë, kam qenë gjithnjë bashkë me të gjithë kolegët, me shokët dhe shoqet e mi socialistë, Luani i PS-së dhe ndihem krenar për atë çfarë kam bërë në Partinë Socialiste.

  1. Tahiri është një ministër i Brendshëm në detyrë. Të enjten pritet një mandat për ministrin e ri të Brendshëm z. Fatmir Xhafaj. Do ta votojë LSI kandidaturën e z. Xhafaj, tashmë me firmën e Presidentit, për ministër të Brendshëm?

E kam theksuar dhe po e ritheksoj edhe këtu që çështjen e ndryshimit të ministrave, e shkarkimit, lirimit apo e zëvendësimit të ministrave në kabinetin qeveritar është një e drejtë ekskluzive, kushtetuese e Kryeministrit. LSI, që prej fillimit të bashkëqeverisjes me PS asnjëherë nuk është imponuar, asnjëherë nuk ka kërkuar, as LSI dhe as kryetari i saj, z. Meta, dhe as nuk kemi ndërmend të kërkojmë ndonjëherë që të largohet ky apo ai ministër për t’u zëvendësuar me këtë apo me atë ministër. Duke qenë se ne respektojmë tagrin kushtetues të Kryeministrit, çështja e votimit në Kuvend është një çështje procedure e karakterit formal dhe unë nuk mendoj se ka arsye të qenësishme që LSI të veprojë ndryshe nga sa ka vepruar përsa herë është thirrur të votojë kur ka qenë fjala për ndryshimet e iniciuara nga iniciativa kushtetuese e Kryeministrit.

 

 

Si është marrëdhënia në koalicion? Në 1 prill mbushni katër vite. A do të jeni bashkë këtë 1 prill, apo do të lini deri në afatin maksimal, 18 prillin, për të kuptuar nëse do të jeni ose jo në koalicion me PS-në?

Përsa kohë që ne jemi de-ja në koalicion, përsa kohë që qeveria është në punë dhe institucionet e saj, pra të gjitha institucionet e varësisë së qeverisë, janë në punë, prioritet është përmbushja e detyrimit, prioritet është ushtrimi i qeverisjes të pakushtëzuar nga kondicione të tjera siç mund të jetë edhe afrimi i zgjedhjeve apo debati që është deri tani jashtëinstitucional dhe më shumë mediatik, sesa real dhe politik midis partnerëve në koalicion. Natyrisht unë i qëndroj pikëpamjes, dhe kjo besoj është korrekte, që një forcë politike e përgjegjshme dhe një koalicion i përgjegjshëm dhe serioz gjithashtu duhet të bëjë një analizë të qeverisjes, duhet të bëjë një ballafaqim me vetveten, me qytetarët, me programin që është votuar përpara katër vitesh për të kuptuar çfarë është realizuar dhe çfarë jo, çfarë është bërë mirë dhe çfarë jo, përse nuk është bërë mirë. Dhe përmes këtij procesi analize dhe transparence ndaj publikut, të mund të mbërrihet pastaj në një konkluzion logjik dhe të bazuar mbi një realitet konkret se çfarë duhet bërë më tej.

Ndërkaq, unë besoj që ju nuk duhet të prisni nga unë që të them që koalicioni qeverisës, apo që LSI në përbërje të këtij koalicioni, është më e rëndësishme sesa Shqipëria dhe interesat e saj. Vendi ka disa prioritete shumë më të rëndësishme sesa interesat parciale dhe ajo çfarë është e rëndësishme, mendoj unë dhe ku duhet fokusuar i gjithë angazhimi dhe energjitë politike, është zgjidhja e situatës së konfliktit politik të krijuar për shkak të qëndrimit të opozitës dhe rikthimin në dialogun politik, shmangia e gjuhës së konfliktit, e gjuhës së kanosjes apo e gjuhës ultimative, nga njëra anë dhe arrogancës nga ana tjetër, sepse në fund të fundit është përgjegjësi e qeverisjes të krijojë të gjitha kushtet që zgjedhjet të realizohen në mënyrë korrekte dhe në përputhje me standardet. Është përgjegjësi dhe detyrim i qeverisjes, i qeverisë, i mazhorancës, pra i koalicionit tonë që të krijojë bindjen dhe besimin që zgjedhjet do të jenë korrekte dhe kjo bindje dhe ky besim duhen shoqëruar, mendoj unë, me atë sjellje politike që të bëjë të mundur që shqiptarët në zgjedhje jo vetëm të shkojnë për të votuar, por të shkojnë për të zgjedhur.

Kemi një opozitë në çadër në qendër të Tiranës për më shumë se një muaj, kërkon qeveri teknike. A jeni ju për qeveri teknike? Ju si LSI, duke parë që vendi, siç e thatë, është në një situatë, në një ngërç politik, opozita është në rrugë, ka pasur edhe tone të ashpra z. Basha gjatë retorikës së tij… Ju si forcë politike e shihni qeverinë teknike?

Unë nuk bëj ndër ata që e shohin si herezi faktin që opozita është në rrugë. Opozita është në të drejtën e saj të protestojë dhe të zgjedhë apo adoptojë një sjellje politike dhe një standard politik që ajo e shikon të udhës. Nga kjo pikëpamje nuk ka ndonjë gjë për ta qortuar opozitën, ashtu sikundër opozita mund të kërkojë qeveri teknike, qeveri mekanike apo ku di unë se çfarë. E rëndësishme është që, dhe këtu duhet investuar me shumë seriozitet edhe nga mazhoranca, në mënyrë të drejtpërdrejtë qeveria, që të institucionalizojë dialogun me opozitën, të kthehet dialogu në instrument dhe në një institucion që çon në zgjidhje.

 

Do të ishte LSI e prirur për të qenë negociatore për dialog në një tryezë mes PD dhe PS për të gjendur një zgjidhje?

Natyrisht që LSI, sa herë që është dashur, e ka luajtur rolin e saj si moderatore dhe si iniciuese e dialogut dhe mirëkuptimit, por nuk mendoj se ka arsye që maxhoranca apo qeveria të mos ketë guximin të ulet në dialog me opozitën, nga njëra anë. Nga ana tjetër, gjykoj që bashkëpunimi me opozitën është i domosdoshëm, nuk është një çështje dëshire apo vullnetesh individuale, është një domosdoshmëri për të garantuar një proces zgjedhor korrekt. Dhe tjetra që duhet të them është që, zgjedhjet pa opozitën janë formale. Zgjedhjet pa opozitën mund të jenë zgjedhje në kuptimin formal juridik, por në kuptimin institucional, politik dhe real nuk janë zgjedhje në përputhje me standardet sepse ku ndryshon pastaj një sistem demokratik nga një sistem jodemokratik? Zgjedhjet pa opozitën janë një farsë dhe nga kjo pikëpamje unë gjykoj që ka kohë, ka mundësi, ka rrugë të pashfrytëzuara përmes dialogut politik që çojnë tek zgjidhja e situatës dhe i ftoj palët të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta zgjidhur problemin dhe jo për të penguar.

 

A keni një instrument konkret si LSI për ta hedhur në tryezë së bashku me mazhorancën dhe më pas të dilni me një ide të përbashkët?

Zgjedhjet pa opozitën, nuk janë zgjedhje. Fakti që thashë që zgjedhjet pa opozitën janë një farsë, që zgjedhjet pa opozitën nuk i shërbejnë as vendit dhe as procesit të integrimit dhe nuk janë një sjellje e përgjegjshme politike e një vendi anëtar të NATO-s që në themel të vet ka demokracinë parlamentare, demokracinë funksionale dhe funksionimin e institucioneve në mënyrë demokratike, do të thotë që mbi këtë konstante qëndrimi duhet të orientohet dhe duhet të fokusohet edhe sjellja e klasës politike të vendit. Kur them që përgjegjësia e organizimit të zgjedhjeve është përgjegjësi e qeverisjes dhe e mazhorancës, nuk përjashtoj nga përgjegjësia opozitën e cila duhet të jetë po kaq kontribuuese. Por, në fund të fundit, opozitës kjo i ka mbetur rruga, protesta dhe ëndrra për qeverinë teknike. Ne duhet ta kapërcejmë këtë realitet sepse ai që lëshon është padyshim i madhi, dhe ai që ka pushtetin.

 

A pretendoni të jetë Ilir Meta kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nëse koalicioni apo edhe nëse LSI e vetme fiton?

Shqetësimi kryesor i vendit është kapërcimi i ngërçit politik, krijimi i klimës së bashkëpunimit dhe të besimit që Shqipëria më në fund në 2017, vend anëtar i NATO-s, vend me aspiratën për t’u integruar në BE, mund të realizojë zgjedhje të lira, të ndershme, korrekte dhe të barabarta. Çështja thelbësore është që çfarë do të bëjmë nesër apo pasnesër që qytetarët shqiptarë të ndjehen qytetarë dinjitozë në vendin e tyre dhe jo të ndjehen qytetarë të treguar me gisht për shkak të papërgjegjshmërisë së politikës. Nuk përjashtoj askënd dhe nuk favorizoj askënd sepse në fund të fundit ne jemi në politikë për të krijuar besimin e qytetarëve dhe për ta krijuar besimin përmes veprimit konkret politik dhe jo duke krijuar barriera dhe duke vendosur barriera të reja përmes një gjuhe konflikti politik.

 

Duket sikur do të cenohen afatet kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. A mendoni që do të zgjidhet Presidenti nga ky Parlament?

Nuk mendoj që ka arsye ta vëmë sot në rend të ditës çështjen e Presidentit. Di që në bazë të Kushtetutës është përgjegjësi e kësaj legjislature dhe jam i bindur që kjo legjislaturë duhet të ushtrojë të gjitha përgjegjësitë e veta kushtetuese, por në kohën kur Kushtetuta do të na thërrasë për ta zgjidhur çështjen e Presidentit, padyshim që ne do të jemi aty me shumë përgjegjësi dhe angazhimin tonë për të bërë të mundur zgjidhjen dhe zgjedhjen e Presidentit mbi bazë e të gjitha detyrimeve kushtetuese.

 

A po mendon LSI-ja për një kandidaturë?

Nuk është kjo çështja prioritare e LSI-së. Edhe një herë e theksoj, çështja jonë prioritare është kapërcimi i situatës së ngërçit politik. Krijimi i një realiteti tjetër politik, në kuptimin që nga mitingjet, nga çadrat apo nga zyrat duhet të shkojmë te diaologu në tryezën e dialogut politik dhe forcat tona politike mund ta bënin këtë dhe do të ishte shumë mirë ta bënin edhe pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

 

Zërat që thonë se Meta po luan për postin e Presidentit…?

Kemi ardhur të flasim për gjëra shumë më serioze dhe jo t’ju referohemni “zërave që thonë se”.

A do të mbështesni një kandidaturë të Partisë Socialiste për President?

Kur të vijë momenti i detyrimit kushtetues për të zgjedhur Presidentin e Republikës do t’ju them me shumë transparencë se çfarë kandidature do të mbështes.

 

Rrezikon vendi të shkojë në destabilitet z. Rama me këtë tërheqje të situatave më të fundit politike?

Nëse vazhdojmë të mos vlerësojmë rolin dhe rëndësinë që merr dialogu politik, bashkëpunimi në këtë dialog dhe angazhimi real i të gjithë aktorëve politikë padyshim që situatat konfliktuale dhe gjuha e konfliktit komplikojnë situatën dhe mund të sjellin realitete që nuk do t’i shërbenin as qytetarëve dhe as vendit. Prandaj për të evituar apo për të shmangur çdo lloj komplikacioni të kësja situate, që edhe kaq sa është nuk është pak e komplikuar, është emergjente do të thoja unë ulja në tryezën e dialogut dhe diskutimi i hapur i çështjeve për të çuar te zgjidhje që kapërcejnë situatën.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Po kush i ka thene ketij llafollogu qe me opozite kuptojme PD.
    Shteroj fryma opozitare dhe ngelet akoma Saliu dhe emertimet e tije.
    Le te dale Meta opozite dhe ta shofim sa do mare.
    PD ka degjeneruar me gjithe cka.
    Ku jane politolloget dhe idealistet e te djathtes progresivsme.
    Nqs udhehiqen akoma nga sekretari i byrose Sali Berisha le te rine urte e te shofin fundin e tyre dramatik.
    Nuk mban pergjegjsi PS per formimin e fryme Opizitare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here