Debati për “filmat e diktaturës”, Agron Tufa: Nuk shkojnë bashkë dy standarde, ajo e propagandës komuniste dhe ajo e lirisë

0
182

Ditët e fundit është hapur debati në opinionin publik për transmetimin apo jo të filmave komunistë. Jeni konsideruar si një nga nismëtarët për këtë propozim dhe për këtë lëvizje. Në të vërtetë cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje dhe pse mbani këtë qëndrim?
Kam qënë nismëtari, që mandej ju bashkangjitën dhe të tjerë bashkëmendimtarë. Nuk është hera e parë: e kam përmendur dhe në shkrime e konferenca të mëparshme. Qëndrimi im vjen prej një shqetësimi të thellë, që ka të bëjë me riciklimin e trashëgimisë komuniste dhe propagandën komuniste të shtetit totalitar përmes arteve në tjetër sistem tashmë, ku liria, demokracia dhe të drejtat e njeriut përbëjnë thelbin e kushtetutës.  Nuk mund të shkojnë bashkë të dyja standardet: standartet e propagandës komuniste dhe standardet tona të sotme të lirisë. Njëra palë e përjashton tjetrën dhe anasjelltas. Bashkëekzistencë të njëkohshme nuk mund të ketë, sepse ndodh, figurativisht, njëlloj sikundër me një organizëm: nëse përzien grupet e gjakut – njeriu vdes. Por të kuptohemi: nuk kam folur kurrë për ndalimin radikal të të gjitha filmave. Unë kam propozuar kalimin në një filtër të gjithë trashëgimisë së komunizmit në Kinema, duke i ndarë në shkallë të ndryshme të propagandës që ato ushtrojnë, duke ndarë një pjesë të filmave që duhet të transmetohen, detyrimisht me një shënim, që shpjegon kontekstin ideologjik e politik, të kohës kur janë krijuar. Këto që kam konstatuar unë janë të prekshme.

Çfarë iu shtyu konkretisht që të shprehnit këtë shqetësim dhe të merrnit këtë nismë?

Shqetësimi është i madh: një pjesë jo e pakët e filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re” janë në kundravajtje ligjore për garantimin e lirive themelore të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutë, në nenin nr 3 të së cilës, ndër të tjera thuhet: “…dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, drejtësia shoqërore, bashkëjetesa fetare dhe mirëkuptimi i shqiptarëve me pakicat janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe mbrojë ato”. Filmat propagandistikë të kohës së komunizmit fyejnë sensibilitete të gjera shoqërore, denigrojnë klasa të tëra (të ashtuquajturit pronarë, çifligarë, tregtarë, intelektualë, klerikë, diversantë, sabotatorë) nën deklasimin “armiqëtë e popullit, partisë, dhe shërbëtorë të imperializmit, borgjezisë dhe shërbimeve të huaja. Si e ndjen veten 35% e popullsisë së Shqipërisë, kur e sheh përsëri këtë propagandë të urryer, njëlloj si dje, edhe sot përmes filmave të tillë? Kjo është fyerje! Ky është një rideklasim tjetër, një ripushkatim, një ridënim kur mijëra familje nuk kanë gjetur ende eshtrat e të pushkatuarve nga diktatura. Kjo fyen gjithkënd me mendje të shëndoshë. Fyen inteligjencën e njeriut normal në përgjithësi. Jam në dijeni, se për këto shkaqe, z. Bilal Kola, Drejtor i Institutit të Integrimit të të Përndjekurve Politikë, i ka nisur zyrtarisht një kërkesë AMA-s, që më 10 janar 2017, ku kërkon ndalimin e filmave të tillë, të cilët cënojnë rëndë integritetin moral të shtresës së përndjekur politikisht gjatë komunizmit. Çështja që shtroj unë propozon një zgjidhje të problemit në kuadrin ligjor nga Parlamenti Shqiptar, në analogji me praktikat e vendeve ish-komuniste të Europës, që tani janë anëtare të BE.

Pse janë të dëmshëm për shoqërinë dhe për të rinjtë shqiptarë shfaqja e filmave të realizuar gjatë viteve të diktaturës?

Së pari: dëmi që shkaktojnë këto filma (ato që janë thellësisht propagandistikë) ka të bëjë me faktin, se në kundërshtim me realitetin historik, ofrojnë përjetësisht një imazh të deklasuar e armiqësor të kundërshtarëve të brendshëm (armiqëtë e brendshëm – kulakët, klerikët, borgjezët, paria, kundërshtarët politikë) dhe të jashtëm (SHBA, Vatikani, Mbretëria e Bashkuar, Europa Perëndimore, etj). Pavarësisht se e drejta historike tashmë dihet se në cilën anë është, këto filma që ishin megafonë të propagandës së PPSH-së, vazhdojnë të shkaktojnë lëndimi e provokime të rënda mbi kurrizin e asaj popullate që vuajti një kalvar të papërshkrueshëm mundimesh për gjysëm shekulli nën rregjimin e Enver Hoxhës.
Së dyti: një dëm tjetër të madh që shkaktojnë filmat propagandistikë të komunizmit, janë roli dezinformues e djallëzor kundrejt brezave të rinj, të cilët, duke mos e njohur farë periudhën e komunizmit (në mungësë të plotë të informacionit mbi komunizmin në kurrikulat shkollore), ndërton një keqkuptim historik, përmes filmave, dhe përfton një tablo idilike për diktaturën komuniste.
Së treti: për një pjesë të madhe nostalgjikësh dhe pinjojsh të familjeve të ish-funksionarëve komunistë, këto filma ringjallin, ripërterijnë nostalgjinë për diktatorin, diktaturën dhe realitetin e shtetit totalitar komunist.
Një ndër argumentet që përsërisin pandërprerje kundërshtarët e idesë sime, të cilët janë thjeshtë nostalgjikë lehtësisht të identifikueshëm të komunizmit apo ish-regjisorë, aktorë, kineastë në konflikt interesi, është parrulla, se, gjoja, në ato filma gjendet “tërë historia e Shqipërisë”. Edhe unë them: po, por tërë historia e Shqipërisë në ato filma është mostruozisht e manipuluar, e deformuar, e sajuar apo e trukuar, çka në raport me të Vërtetën përmbën një tjetër krim. Asnjë histori e traktuar sipas versioneve filmografike socrealiste nuk mund të provojë vërtetësinë e saj. Nëse hapim dokumentat e arkivave, atëherë asnjë faktografi e fimave komunistë nuk mbetët në këmbë. Nuk po flasim për filmat dokumentarë, që jepen sikur të ishim sot në pikun e diktaturës.
Duke qenë një ndër artet më masive/masovike, filmi indoktrinon më shpejt e më lehtë krahasuar me artet e tjera. Ata për këtë qëllim qenë krijuar. Prandaj ne duhet të mbrohemi prej tyre, të mbrojmë brezat e painformuar prej kësaj propagande.
Jeni shprehur që nuk kërkoni ndalimin e tyre, por një seleksionim dhe këtyre filmave t’iu vendoset një filtër, duke u paraprirë me një bisedë 5- minutëshe. Si mund të arrihet e gjitha kjo?

Mendoj se duhen seleksionuar një pjesë jo e vogël filmash, me shkallë më të pakët propagande dhe, njëkohësisht, me vlera më të spikatura artistike, pavarësisht se asnjë film nuk i shpëton metodës së konceptimit socrealist. Këto filma duhet të paraprihen ose me një bisedë në studio, para shfaqjes së filmit, ose t’u vihet një stemë, një vulë, për shembull: “PPSH”, duke orientuar çdo shikues, se filmi në fjalë i përkët një epoke totalitare, pra, jo të lirë. Më vjen keq, pse i shpon xanxa disa autorë filmash nga kjo. Tek e fundit ky është borxhi i epokës.
Në krejt ish-kampin komunist të Europës, nuk shfaqen filma propagandistikë, që glorifikojnë rolin udhëheqës të partisë komuniste, sekretarët, instruktorët politikë, komisarët, agjentët e sigurimit apo operativët. Ky turp ndodh tek ne. Nuk ka në gjermani filma që glorifikojnë e hyjnizojnë Hitlerin apo bashkëpunëtorët e tij. As krimet e tij. / Standard.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here