Furtunë te Kamza, shkarkohet trajneri dhe tre futbollistë

0

Plas te Kamza. Mjafton një barazim për të shkaktuar një “tërmet” në klub. Skuadra nuk mori dot më shumë se një pikë kundër Shënkollit, ndeshje e cila përfundoi 1-1. Pas kësaj, drejtuesit e klubit që kryeson renditjen e kampionatit kanë vendosur të bëjnë largime të rëndësishme. Si fillim kanë përjashtuar tre prej titullarëve kryesorë, Mario Morinën, Vilfor Hysën dhe Valdano Nimanin.

Loading...

Më vonë, i shkarkuar ka përfunduar edhe trajneri Devolli. I kontaktuar nga gazeta, ai ka konfirmuar vendimin: “Po, është e vërtetë. Më ka telefonuar shefi i klubit dhe më njoftoi se më kanë larguar nga detyra”. Duket e çuditshme që Kamza vendos të ndërmarrë të tilla masa, duke qenë se janë në krye të klasifikimit dhe në 20 javë kanë fituar plot 16 prej tyre.
NDESHJA
Vendësit e nisin bukur dhe në minutën e 14-të Rezi, që ndodhet brenda zonës në momentin që do godiste, humbet ekuilibrin dhe nuk arrin të shënojë. Në të 26-ën zhbllokohet edhe rezultati. Është Ruben Danaj, që nga mesfusha, duke ecur i vetëm dhe pasi shmang mbrojtësit vendës, del i vetëm me Gjonikajn dhe shënon. Rreth 100 tifozë miq nisin festën, mes të cilëve është edhe presidenti i skuadrës, Artan Djala shjkruan Panorama.
Kamzalinjtë ndihen të habitur nga goli dhe më shumë të befasuar, pasi nuk e prisnin këtë moment. Më pas, deri në përfundim të pjesës së parë, ka dy pritje mjaft të bukura të portierit Rinev Danaj. Fraksioni i dytë nis bukur për kamzalinjtë, të cilët e detyrojnë skuadrën e Shënkollit të luajë në gjysmëfushën e vet duke ushtruar presion për të shënuar golin e barazimit. E, për këtë, rastet nuk mungojnë dhe, vetëm pas minutës së 70- të, luhet tërësisht në fushën e Shënkollit.
Në të 60-tën, Ervis Rustemaj ka marrë kartonin e dytë të verdhë duke lënë miqtë me dhjetë lojtarë. Në të 71-ën është Frashëri që kroson dhe Malindi që godet bukur e shënon golin e barazimit, por gëzimi i tij ishte vetëm pak sekonda, pasi anësori Bledar Mesi ka ngritur flamurin për pozicion jashtë loje. Ka tension në distancë mes tifozërive, por që shuhet shpejt me ndërhyrjen e forcave të rendit që ishin në një numër të madh në takimin e djeshëm.
Në të 75-ën, kryesori Breshanaj akordon 11-metërsh për Kamzën. Por gabon nga pika e bardhë Deliallisi, ku është portieri Danaj që pret. Edhe më pas, kamzalinjtë kërkojnë çelësin për të hapur drynin e Danajt, por e kanë të vështirë. Në minutën e 4-t shtesë është Frashëri që godet, por topi devijohet nga mbrojtësi Kaçaj dhe përfundon në rrjetë. Nuk ka më kohë dhe sfida mbyllet në barazim 1-1.

Devolli u ankua para shkarkimit: Nuk luhet në moçal
Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Kamzës, Bledar Devolli, u shpreh se do të rishikojë pozicionin e tij në krye të skuadrës. “Ky është barazimi i parë, por na ndëshkoi shumë terreni. Në një fushë moçal nuk mund të luhet futboll kur ke lojtarë profesionistë. Kjo nuk është për justifikim, por ka ndodhur edhe në shumë takime të tjera që e kemi pasur të vështirë fitoren në këtë fushë.
Për takimin e sotëm (dje) të gjitha përgjegjësitë bien mbi mua, pasi jam unë që i kam orientuar lojtarët për këtë mënyrë loje. Ky është futbolli. Ne i patëm të gjitha rastet për të shënuar, një herë na erdhi kundërshtari e na ndëshkoi. Gjithsesi, duhet thënë se ka shumë presion nga të gjitha drejtimet dhe nuk dua të merrem me këto gjëra. Do ulem të bisedoj me presidentin dhe do të shoh pozicionin tim, nëse nuk i pëlqen puna ime”, tha Devolli. Lidhur me sa rrezikon Kamza pas këtij barazimi, Devolli u shpreh: “Kamza është e bindur për të qenë në Superiore, pasi është investuar shumë për këtë ekip. Që të kesh lojtarë profesionistë, duhet edhe një fushë e terren i mirë ku të luhet futboll. Dihet se rrezikohet, por ka ende kohë dhe lufta është e hapur”.

Loading...

Lini nje pergjigje