“Çfarë ka gjetur Nishani për Xhafajn në dokumentet e shtetit dhe a do e zëvendësojë Rama?”

0
729

Konferencën e sotme të Kreut të Shtetit, Bujar Nishani edhe gazetari Blendi Fevziu e lidh me dekretimin ose jo të Fatmir Xhafës në postin e ministrit të Brendshëm. Sipas tij, nëse rezulton që ai ka qenë hetues, Rama duhet ta zëvendësojë me një tjetër, por këtë do ta mësojmë vetëm në orën 18:00-të. Fevziu thotë më tej se për të dalë në këtë konkluzion, kreu i shtetit duhet t’i referohet dokumenteve zyrtare.

Nga: Blendi Fevziu
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka njoftuar një konferencë shtypi sot në ora 18:00. Eshtë afër mendsh që konferenca e shtypit më shumë se sa me vizitën në Azerbajxhan të ketë lidhje me ndryshimet në qeveri dhe sidomos me emrat e ministrave të rinj. Midis tyre më i diskutuari mbetet ai i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili pritet të zerë vendin e lënë bosh nga largimi i Saimir Tahirit. Ardhja e Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme duket se është komplikuar nga lajmet dhe akuzat se në vitin 1985 – 1986 ai ka punuar si hetues në rrethin e athershëm të Krujës. Në drejtim të Xhafës ka pasur akuza konkrete, nga emra konkretë dhe për çështje konkrete. Pikërisht në këtë rast, Nishani ndodhet në një moment të vështirë. Dekretimi i një ish hetuesi të komunizmit, është i papranueshëm dhe i pamundur për Nishanin. Dhe për çdo President tjetër që ka qenë në detyrë në këtë vend ose që mund të ishte në vend të tij.
E para, duhet të sqarohet nëse Xhafa ka qenë apo jo hetues politik në vitet e komunizmit. Javën e fundit ai ka pasur një akuzë konkrete nga 3 persona, për një çështje që lidhej me dënimin e një grupi që kishte ngritur dolli në kohën e vdekjes së Enver Hoxhës. Dolli që ju kushtoi atyre vite të tëra burg dhe persekutim familjar. Çështja është e vërtetë, por implikimi i Xhafës në të duhet të jetë i dokumentuar. Në shtyp janë përhapur akuza ndaj denoncuesve të tij, po edhe kjo s’ka asnjë vlerë. Shteti nuk vepron me deklarime në shtyp, as me analiza mediatike nëse ata që akuzojnë janë njerëz të mirë apo të këqinj. Shteti ka instrumenta për të vërtetuar, nëse Xhafa ka qenë hetues politik dhe nëse e ka hetuar këtë çështje.
Nëse Xhafa ka qenë hetues politik, rasti është shumë i rëndë. E kam njohur personalisht Xhafën dhe midis deputetëve të parlamentit shqiptar më është dukur gjithnjë korrekt. Nuk e kam ditur që ka qenë hetues dhe besoj se edhe Kryeministri nuk e ka ditur këtë detaj nëse është i vërtetë. Jam i prirur të besoj që edhe Xhafaj nuk e ka vlerësuar këtë moment në jetën e tij. Pra nëse është e vërtetë, nëse Xahafa ka qenë hetues politik, Presidenti duhet të kontaktojë urgjent Kryeministrin dhe ti kërkojë zëvendësimin e Xhafës me një emër tjetër. Do ishte në vetë dinjitetin e Xhafës të tërhiqej. Nuk e di se si mund ta votojë një ish hetues deputetë të mazhorancës si psh Mesila Doda, Ilir Meta, Pandeli Majko apo Shpëtim Idrizi që kanë fillesat e karrierës së tyre politike në betejë me diktaturën komuniste. Do ishte një njollë që ata vetë nuk e kapërdijnë dot.
Nëse Kryeministri heziton atëherë Nishani nuk mund ta dekretojë. Edhe vende si Rusia që drejtohen nga një ish oficer i KGB – së kanë ligje më të ashpra për hetuesit e diktaturës. 27 vjet pas rrëzimit të saj, është e papranueshme që Shqipëria të kthehet në strukturat dhe instrumentet e diktaturës. Kjo s’ka asnjë diskutim. Ai regjim është dënuar me 3 rezoluta të parlamentit shqiptar; me disa rezoluta të Parlamentit Europian dhe KE ndaj çdo instrument i tij nuk mund të adaptohet në sitemin e ri politik.
Nëse Xhafa nuk ka qenë hetues; nëse Xhafa nuk është përfshirë në hetime politike; nëse të gjitha ato që janë thënë për të janë false apo të motivuara politikisht atëherë ne të gjithë duhet t’i kërkojmë falje Xhafës dhe t’i themi atij mirësevjen në krye të Ministrisë së Brendshme. Por vetë Xhafa kishte detyrimin që prej të mërkurës kur nisën akuzat e para e deri më sot, të paktën të bënte një deklaratë publike, qoftë me shkrim, 2 rreshta sa për të sqaruar të shkuarën e tij. Ai se ka bërë dhe është e drejta e tij.
Tani i mbetet Presidentit të flasë. I mbetet atij të jetë i drejtë dhe i paanshëm. I painfluencuar politikisht. Ai nuk duhet të ndikohet as nga presioni i partisë që e ka zgjedhur dhe as nga ai i partisë që e konteston. Bujar Nishani duhet të sqarojë nëse në dokumentat e shtetit shqiptar figuron që Xhafa të ketë qenë hetues apo jo. Dhe i takon atij të marrë një vendim. Një vendim që më shumë se me një emër, lidhet me një qëndrim ndaj të shkuarës dhe dinjitetin e mbi 150 mijë shqiptarëve të ndëshkuar politikisht dhe mbi 6500 disidentëve shqiptarë që janë ende pa varr.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here