Arka e Noes, Orakulli i Delfit, Atlantida: Rrëfenjat e lashta dhe ngjarjet gjeologjike që mund t’i kenë frymëzuar

0
278

Nëse ju gërmoni mjaftueshëm thellë, thonë shkencëtarët, mund të gjenden disa të vërteta mbi legjendat e ndryshme dhe historitë mbi krijimin e botës

Nga Sarah Zielinski

Mitet kanë ushqyer imagjinatën dhe shpirtrat e njerëzve për mijëra vjet. Shumica dërrmuese e këtyre përrallave, janë thjesht tregime që njerëzit i kanë trashëguar brez pas brezi. Por disa prej tyre i kanë rrënjët në ngjarje reale gjeologjike të së shkuarës, duke folur mbi paralajmërimin e rreziqeve të mundshme dhe frikën që ne kemi mbi fuqinë e planetit.

Këto tregime deshifrojnë vëzhgimet e njerëzve që i dëshmuan ato, thotë gjeoshkencetari Patrik Nun nga Universiteti ‘Sunshine Coast’ në Australi, i cili ka studiuar lidhjet mes rreziqeve natyrore dhe historive të rrëfyera mbi Paqësorin. Nuk ka asnjë mënyrë për ta thënë se cilat ndodhën të parat, katastrofat apo historitë.

Por këto të fundit mund të japin të dhëna për të kaluarën, dhe madje ndihmojnë për të plotësuar boshllëqet në njohuritë shkencore rreth fenomeneve shumë të vjetra gjeologjike. Këtu po rendisim 10 histori të lashta nga e gjithë bota, dhe gjeologjinë që mund të ketë ndikuar mbi to.

Arka e Noes

Në historinë shumë të njohur me mesin e të krishterëve, hebrenjve dhe myslimanëve, Perëndia zgjodhi të shkatërrojë tokën përmes një përmbytjeje të madhe që kurseu një njeri, Noen dhe familjen e tij. Me urdhrin e Zotit, Noeu ndërtoi një anije të madhe, një arkë, dhe e mbushi atë me dy kafshë nga çdo lloj që gjendej në tokë. Perëndia e mbuloi Tokën me ujë, duke mbytur gjithçka dhe çdo gjë që dikur popullonte tokën.  Noeu, familja e tij dhe kafshët në arkë mbijetuan dhe e ripopulluan planetin.

Shkenca:Tregime të ngjashme mbi një përmbytje të madhe ka patur në shumë kultura, por asnjëherë nuk ka qenë një përmbytje globale. Për një arsye shumë të thjeshtë:nuk kishte ujë të mjaftueshëm në sistemin e Tokës për të mbuluar të gjithë vendin. Por, Nun thotë:”Ka mundësi që përmbytja e Noes të jetë kujtesë e një dallge të madhe që përmbyti për disa javë një pjesë të veçantë të tokës, dhe ku nuk kishte më tokë të thatë për të jetuar”.

Disa gjeologë mendojnë se historia e Noes, mund të jetë ndikuar nga një ngjarje përmbytje katastrofike në Detin e Zi rreth vitit 5.000 Para Krishtit. Ekziston një tendencë e natyrshme tek  njerëzit për ta tepruar me kujtimet e tyre, duke e cilësuar një ngjarje të keqe shumë më të keqe. Dhe një përmbytje globale është një shpjegim për diçka si zbulimin e fosileve detare në faqen e një mali, thotë Adrien Mejxhër, historian i shkencës antike në Universitetin e Stenfordit. Edhe pse tashmë ne e dime, që pllakat tektonike janë përgjegjëse për ngritjen e shkëmbinjve nga fundi i oqeanit në lartësi të mëdha.

Orakulli i Delfit

Në Greqinë e lashtë, në qytetin e Delfit në shpatet e Malit Parnasus, ka ekzistuar një tempull kushtuar perëndisë Apollon. Brenda një dhomë të shenjtë, një priftëreshë e quajtur Pitia merrte frymë në avujt erëmirë që buronin nga një e çarë në shkëmb. Këto avuj do ta dërgonin atë në një gjendje transi, gjatë së cilës ajo do të takohej me Apollonin dhe fliste përçart. Një prift pastaj do të përkthente këtë përçartje në profeci.

Shkenca:Tempulli ishte një vend i vërtetë, dhe shkencëtarët kanë zbuluar dy të çara gjeologjike pranë sitit arkelogjik tashmë i shndërruar në rrënoja. Ka mundësi që gazi të buronte nga këto krisje, kur orakulli ishte në veprim. Por shkencëtarët kanë debatuar mbi përmbajtjen e përzierjes të gaztë që shkaktonte  gjendjen euforike. Teori të ndryshme përfshijnë etilenin, benzenin ose një përzierje të dioksidit të karbonit dhe metanit.

Atlantida

Platoni, filozofi i lashtë grek, shkroi mbi një qytetërim të madh të quajtur Atlantida, themeluar nga një racë njerëzisht që ishin gjysmë perëndi dhe gjysmë njerëz. Ata jetonin në një utopi, që zotëronte një flotë të madhe detare. Por shtëpia e tyre, e vendosur në ishuj të formuar si një seri rrathësh koncentrikë, u shkatërrua në një kataklizëm të madhe.

Shkenca:Atlantida ndoshta nuk ka qenë një vend real, por një qytetërim i vërtetë ishullor mund ta ketë frymëzuar këtë përrallë. Ndër pretendentët është ai i Santorinit në Greqi. Santorini është aktualisht një arkipelag, por mijëra vjet më parë ishte një ishull i vetëm-  një vullkan i quajtur Tera. Rreth 3.500 vjet më parë, vullkani shpërtheu në një nga shpërthimet më të mëdha të njohura në historinë njerëzore, duke e shkatërruar ishullin, shkaktuar cunami dhe përhapur dioksidin e squfurit në atmoferë, ku ai mbeti për vite dhe me gjasë shkaktoi shumë verëra të ftohta dhe të lagështa.

Këto kushte mund të kenë shkatërruar të korrat në rajon, dhe mendohet se kanë kontribuar në rënien e shpejtë të qytetërimit Minoan, që kishte dominuar Mesdheun nga Kreta aty pranë. Qyteti i Helikes në Greqi është sugjeruar gjithashtu si frymëzim për Atlantidën. Metropoli i lashtë u fshi nga harta nga një tërmet dhe cunami në dhjetor të vitit 373 Para Krishtit

Pele, Perëndeshë e Kilauea-s

Pele erdhi në Hauai me motrat e saj dhe të afërmit e tjerë. Ajo u vendos në Kauai. Atje u takua me një burrë, Lohi’aun, por nuk qëndroi gjatë pasi nuk kishte një terren mjaftueshmërisht të nxehtë siç ajo e kishte qejf. Përfundimisht u vendos mbi kraterin në Kilauea, ishullin e madh të Havait dhe i kërkoi motrës së saj Hi’iaka të gjejë dhe t’ia sjellë Lohi’aun.

Në këmbim, Hi’iaka kërkoi që Pele të mos e shkatërrojë pyllin e saj të dashur. Kësaj të fundit iu dha 40 ditë kohë për ta kryer detyrën, por ajo nuk e respektoi afatin. Pele, duke menduar se Hi’iaka dhe Lohi’au ishin dashuruar me njeri-tjetrin, vendosi t‘i vërë zjarrin pyllit. Pas Hi’iaka zbuloi se çfarë kishte ndodhur, ajo bëri dashuri me Lohi’au para syve të Peles. Pas kësaj, kjo e fundit e vrau Lohi’aun dhe e hodhi trupin e tij në krater. Hi’iaka gërmoi e zemëruar për të rimarrë trupin, teksa shkëmbinjtë fluturonin sa andej-këtej. Më në fund ajo e gjeti trupin e tij, dhe tani ata janë së bashku.

Shkenca:Ajo që duket si një telenovelë qiellore, përshkruan në fakt aktivitetin vullkanik në Kilauea, thonë shkencëtarët. Djegia e pyllit, ishte ndoshta pasojë e rrjedhjes së llavës, më e madhja që ishulli përjetoi që prej popullimit të tij nga polinezianët. Llava rrodhi vazhdimisht për 60 vjet në shekullin XV, duke mbuluar rreth 430 kilometra katrorë të ishullit të Hauait.

“Nëse rrjedhja e llavës duhet të përkujtohej në traditën gojore, ky është rasti, pasi shkatërrimi i një zonë kaq të madhe pyjere sigyrisht që do të ketë ndikuar në shumë aspekte të jetës së hauaianëve”- shkroi shkencëtari vullkanolog Donald A. Suenson në ‘Gazetën e Vullkanologjisë dhe Kërkimin Gjeothermal’ në vitin 2008. Gërmimi i furishëm Hi’iaka-s, mund të përfaqësojë formimin e kraterit modern të vullkanit, që ndodhi në vitet pas rrjedhës së llavës.

Ura e Rama-s

Në epikën Hindu Ramajana, Sita, gruaja e perëndisë Rama, rrëmbehet dhe dërgohet në Mbretërinë e Demonit në ishullin e Lanka-s. Arrinjtë dhe majmunët e ndihmojnë Rama-n dhe vëllain i tij Lakshman të ndërtojnë një urë lundruese ndërmjet Indisë dhe Lankas. Rama udhëheq një ushtri me luftëtarë majmunë dhe e shpëton gruan e tij.

Shkenca: Imazhet satelitore tregojnë një rrip gëlqeror prej 29 kilometrash që shtrihet ndërmjet Indisë dhe Sri Lankës, dhe që mendohet se është përmbytur, kur niveli i detit u ngrit pas epokës së fundit akullnajore. Ka mundësi që njerëzit të kenë qenë në gjendje të kalonin mbi të  deri rreth 4500 vjet më parë.

Por Ura e Rama-s, nuk është i vetmi vend mitologjik i varrosur përgjatë brigjeve të Indisë. Tragjedia më e fundit natyrore, cunami në Oqeanin Indian në 26 dhjetor 2004, zbuloi të vërtetën e legjendës së Mahabalipuramit, një qytet-port në bregdetin verilindor të Indisë, që thuhej se ishte shtëpia e 7 tempujve. Sot ekziston vetëm Tempulli Shore. Por, cunami i madh zhvendosi sedimentet shekullorë nga shtrati i oqeanit në brigje, duke zbuluar disa tempuj të përmbytur prej kohësh.

Liqeni shpërthyes

Komuniteti Kom në Kamerun, ka jetuar për një kohë të shkurtër në rajonin e Bamesit. Udhëheqësi i fisit ose Fon, zbuloi një komplot nga udhëheqësi vendas për të vrarë të gjithë të rinjtë në mbretërinë e tij, ndaj i pari u zotua hakmarrje. Ai i tha të motrës se do të varte veten ndërsa dhe lëngjet e trupit të tij do të formonin një liqen. Kom-ët nuk duhej t’i afroheshin liqenit – ata duhej t’ia linin peshqit fisit vendas në Bamesi, dhe vetë duhej të përgatiteshin për t’u larguar prej andej në ditën që ishte caktuar për kapjen e peshkut. Në atë ditë, kur Bamesi hyri në liqen për të peshkuar, ky shpërtheu (ose u shemb plotësisht nga përbrenda, në varësi të tregimtarit), duke e mbytur të gjithë komunitetin.

Shkenca:Natën e 21 gushtit, 1986, Liqeni vullkani Nios në Kamerun, lëshuar një re vdekjeprurëse dioksidi karboni, duke vrarë 1700 njerëz që qenë duke fjetur në fshatrat përreth. Një tragjedi më e vogël, kishte ndodhur në Liqenin Monun dy vjet më pare, duke vrarë 37 persona. Dioksidi i karbonit mund të krijohet në ujërat në fund të liqeneve vullkanike, ku mbahet poshtë nga presioni i ujit të liqenit. Por aktiviteti sizmik mund të shkaktojë një çlirimi të papritur të gazit, që mund të shpërndahet në tokë dhe të asfiksojë cilindo që ndesh.

Ngjarje të tilla, mund të qëndrojnë prapa legjendës së liqenit shpërthyes të komunitetit Kom.

Mejxhër vëren se Afrika nuk është i vetmi vend me përralla paralajmëruese mbi liqene vdekjeprurës – grekët dhe romakët gjithashtu kishin histori që paralajmëronin për lugina apo burime uji që vrisnin zogjtë që fluturonin mbi to. Edhe ata gjithashtu mund të përshkruajnë vende reale.

Namazu, tronditësi i tokës

I varrosur nën territorin e Japonisë ndodhet një peshk gjigand mustang i quajtur Namazu. Zoti Kashima e mban Namazun të mbërthyer me ndihmën e një guri gjigand, të vendosur mbi kokën e peshkut. Por, kur Kashima rrëshqet, Namazu mund të lëvizë velëzat ose bishtin, duke shkaktuar tërmet në sipërfaqe.

Shkenca: Japonia, e cila gjendet në kryqëzimin e disa pllakave tektonike, është shtëpia e vullkaneve dhe renditet në vendin e parë në botë për goditjet sizmike. Mustangu shfaqet gjithashtu në mitet japoneze në një mënyrë tjetër:Peshku supozohet se është në gjendje të parashikojë tërmetet.

Gjithësesi, shumë dekada kërkimesh kanë dështuar të gjejnë ndonjë lidhje midis sjelljes së peshqve mustang dhe tërmeteve, dhe vendi mbështetet tashmë në një sistem të sofistikuar paralajmërimi të hershëm që gjurmon valët sizmike dhe u dërgon mesazhe njerëzve, në mënyrë që ata të mund të marrin masa mbrojtëse si p.sh ngadalësimin e trenave, para se të ndodhë goditja kryesore e lëkundjes sizmike.

Kimera

Tek ‘Iliada’, Homeri përshkruan një krijesë “të pavdekshme, jo njerëzore, me kokë luani dhe trup dhie në fund me një bisht gjarpri, ndërsa përmes frymëmarrjes nxirte jashtë një flakë të tmerrshme zjarri. Kjo është Kimera, e bija e një gjysmë-gruaje dhe gjysmë-gjarpri Ekidna, e vrarë nga heroi Belerofonte. Por gjuha e saj flakëruese vazhdoi të digjet në varrin e saj.

Shkenca:Në rrugën Likiane në Turqinë e sotme, Alpinistët mund të vizitojnë Janartasin, sitin arkeologjik të flakëve të përjetshme të Kimera-s. Atje, metani del nga dhjetëra të çara në tokë. Gazi i ndezur ka qenë duke u djegur ndoshta për mijëvjeçarë, dhe marinarët e kanë përdorur prej kohësh si një far natyror. Miti ndoshta daton që me grekët dhe romakët e lashtë, duke filluar me bijtë e Hethit, thotë Mejxhër. Kimera hitite kishte 3 koka- një kokë kryesore njerëzore, një kokë luani nga përpara dhe një kokë gjarpri në fund të bishtit të saj.

Krijimi i liqenit krater

Kur evropianët e parë mbërritën në Paqësorin Veriperëndimor, ata dëgjuan një përrallë nga populli Klamat në lidhje me krijimin e Liqenit Krater. Amerikanët vendas nuk guxonin të hidhnin sytë mbi liqen, pasi sipas tij kjo do të ndillte vdekjen. Liqeni, thanë ata, ishte krijuar si pasojë e një betejë të madhe në mes të Llaos, që sundonte Botën e Nëndheshme, dhe Skellit, shefit të Botës Sipërfaqësore.

Gjatë betejës, toka u mbulua nga errësira, dhe Llao nga mali Mazama, dhe Skelli në malin Shasta hodhën gurë dhe flakë ndaj njëri-tjetrit. Lufta përfundoi kur Mali Mazama u shemb dhe e dërgoi sërish Llaon në ferr. Shiu mbushi gropën e hapur, duke formuar një liqen në vendin e malit.

Shkenca:Përralla që dëgjuan eksploruesit nuk qe larg së vërtetës, edhe pse nuk qe një perëndi e zemëruar, por një vullkan, mali Mazama, ai që shpërtheu 7.700 vjet më parë. “Traditat gojore përmbajnë detaje rreth atij shpërthimit”-vë në dukje Mejxhër. Shkencëtarët tani pranojnë se historitë e Klamat përshkruajnë një ngjarje të vërtetë.

Shkëmbinj të përflakur dhe tejet të nxehtë, u përhapën nëpër qiell gjatë një shpërthimi vullkanik. Ndërsa mali u shemb për të formuar një krater vullkanik që u mbush me ujin e shiut. Megjithatë, ajo që mbetet e pazakontë në lidhje me këtë histori, është sesi një ngjarje e ndodhur 7000 vjet më parë ka arritur të përcillet nëpër kaq shumë breza. Zakonisht, mitet janë të besueshme për vetëm rreth 600-700 vjet”- thotë Nun. “Këto lloj mitesh janë shumë, shumë të rralla”.

Ishulli i zhdukur

Banorët e ishujve Solomon në Paqësorit e Jugut tregojnë historitë e Teonimanut, ishullit që u zhduk. Rapuanate kishte rrëmbyer një grua nga ishulli për ta bërë gruan e tij, por vëllai i saj e mori mbrapsht. Prandaj Rapuanate iu kthye magjisë për t’u hakmarrë. Atij i dha 3 bimë taro, dy për t’i mbjellë në Teonimanu dhe një për ta mbajtur. Kur bima çeli gjethet e reja, kjo ishte një shenjë se ishulli ishte gati të fundosej. Njerëzit u paralajmëruan të largoheshin nga ishulli, pasi ai u bë i kripur teksa niveli i ujit të oqeanit u rrit. Ata u larguan me barka apo u kapën pas pemëve që ishin shkulur nga toka.

Shkenca:Lark Shoal ndodhet në skajin lindor të Ishujve Solomon, pjesë e një kreshte që ndodhet rreth 5000 metra e zhytur thellë në oqean. Një tërmet mund të ketë shkaktuar një rrëshqitje toke, duke bërë që ishulli të rrëshqasë në këtë kreshtë, thotë Nun. Hartat nënujore kanë zbuluar disa ishuj të zhytur qindra metra nën sipërfaqe. Ato ndoshta mund të jetë fundosur prej 1 milionë vjetësh.

Ndryshe nga mitet e Biblës apo Greqisë, që frymëzojnë shumë tregime të kohëve të sotme, histori si ato të Teonimanut nuk janë të njohura dhe shpesh as janë shkruar, vëren Nun. Ato janë rregjistruar në mendjen e një brezi të vjetër, duke kaluar nga personi në person në të njëjtën mënyrë siç ka ndodhur për qindra apo edhe mijëra vjet.

Ai shqetësohet se për shkak të stilit të jetës moderne në çdo cep të botës, shumë prej këtyre historive një ditë do të humbasin. “Kur njerëzit e moshuar që i njohin këto këto mite vdesin, shumë prej tyre do të zhduken së bashku me ta”- thotë ai. Dhe po kështu edhe paralajmërimet e të shkuarës sonë gjeologjike. / “Smithsonian.com” – Përgatiti: bota.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here