“Torturat e Fatmir Xhafës në hetuesi, nga heqja e dhëmbëve me darë tek vezët e nxehta nën sqetull”

0

Në një intervistë të dhënë për “Rilindja Demokratike”, Valbona Maloku (Duka) ka rrëfyer tortuar që sipas saj i janë ushtruar në hetuesinë e diktaturës nga Fatmir Xhafaj, i propozuar sëfundmi nga kryeministri Edi Rama për ministër të Brendshëm.
Valbona Maloku (Duka) me origjinë nga Kruja, sot 50 vjeç dhe me banim në Gjermani që prej viteve ’90 ka qenë një ndër të persekutuarit politik në kohën e diktaturës, ku babai i ka vdekur në internim dhe vëllai pasi doli nga burgu politik.

Loading...

 

-Përse akuzohej familja juaj?
Historia fillon ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985. Vëllai im me katër shokë, kanë qenë duke drekua në një lokal kur kanë marrë vesh për vdekjen e Enver Hoxhës, dhe kanë ngritur dolli. Njëri prej tyre kish qëlluar spiun dhe e raporton në Degën e Punëve të Brendshme. Vëllain e futën në burg, e arrestuan më 22 shtator të atij viti, ndërsa gjysmën e familjes time e internuan. Na kanë lënë në shtëpi vetëm mua, në atë kohë unë 17 vjeç, motra tjetër 14 vjeçe dhe vëllai i vogël 11 vjeç. Nënën, babain i internuan, duke na lënë vetëm në shtëpi. Babai vdiq një ditë pas internimit, pra më 20 maj. Ndërsa vëllain Arbenin e arrestuan ditën e dasmës më 22 shtator të vitit 1985. Nusja e tij e la, ditën që u mor vendimi dhe që u dënua me 22 vjet burg.

valbona-maloku-1-696x522 (1)

Valbona Maloku (Duka)

-Ju thoni që hetues ishte Fatmir Xhafa?
Po ai ishte Fatmir Xhafa. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Pas internimit të prindërve unë isha e detyruar, të filloja punë në fermë! Mbas dhjetë ditësh, aty ku punoja më vjen një xhip i Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Më thotë brigadieri, dil se të kërkojnë. Hipa në makinë dhe më dërguan në një zyrë tek ish-ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv në Krujë. Aty ishin dy hetues, ku njëri prej tyre siç mësova ishte Fatmir Xhafa. Ky ishte dhe më i zellshmi, sepse ky drejtonte pyetjet dhe tjetri mbante shënim. Por mund të them se ishte një egërsirë e vërtetë. Nuk arrij ta imagjinoj tërë atë egërsi ndaj një fëmije, vajzë 17 vjeçe siç isha unë të atë kohë. Ma ka nxirë fytyrën, duke më qëlluar herë me shuplaka dhe herë me grushta, ma ka bërë krahun plagë nga të pickuarat. Nuk e di po s’kam parë qenie më mizore përgjatë gjithë jetës time. Dhe sot kur më kujtohet, më dridhet trupi.

-Sa ditë zgjati marrja e pyetjes në Hetuesi?
Më kanë thirrur tre herë! Dhe sa herë shkoja përsëritej e njëjta histori. Shkoja në punë me sy të nxirë dhe nuk mund të thoja se më ka rrahur hetuesi! Se atëherë as nuk kishe ku të ankoheshe ndaj pushtetit.

-Për çfarë ju pyeste kryesisht Xhafaj?
Gjithfarë pyetjesh, por më shumë kërkonte të dinte se ku i kisha fshehur florinjtë. E ku kishim florinj neve. Trego ku i ke fshehur më thosh, se na ka thënë Arbeni, vëllai që ishte në burg, se florinjtë ja kam dhënë Valbonës. Dhe sa herë kërkonte florinjtë goditste dhe më me egërsi. Më ka bërë përshtypje diçka. Mbaj mend se kisha një sëndyk, ku kisha bërë pajën dhe aty kisha tërë rrobat e martesës. Ato mi kanë sekuestruar, kur vajta të interesohesha më thanë që ishin në një dyqan në pazarin e Krujës. Shkoj atje dhe shitësi më thotë se rrobat i “ka blerë” Fatmir Xhafa, me hetuesin tjetër Kujtim Lulo. Kam parë gruan e Kujtim Lulos me fustanin tim në gjyqin e Halim Balikës. Kur ka dalë në pushim i kam thënë mos e gëzofsh fustanin tim.

-Po vëllai juaj u torturua?
Vëllai im ishte ai që mbajti dhe peshën më të madhe të torturave. Një mikesha ime infermiere, më tregonte se e mbanin në jetë me injeksione, nuk e di çfarë i injektonin që të mos vdiste gjatë torturave. Më tej me tregoi se Fatmir Xhafa, i kish bërë gjithëfarë lloj torturash, si shkulje dhëmbësh me darë, vendosje vezësh të nxehta nën sqetulla, e të gjitha të zezat e tjera, që kush i kujton tani. Torturat ndaj tij filluan që momentin që e kapën, dhe policia e çoi gjysëm të vdekur në duart e Fatmir Xhafës, që i shtoi dhe më tej torturat ndaj tij.

-Si vazhdoi më tej kalvari i vuajtjeve të familjes suaj?
Siç ju thashë, Fatmir Xhafa na internoi gjysmën e familjes, dhe mua më vdiq babai në internim, në fshatin Bruz Mal të Krujës afër Qafë Shtamës, atje ka akoma dhe sot varrin. Nuk duroi dot hidhërimin dhe vdiq nga infarkti, që sa mbërriti. Xhenazenë nuk na lanë ta sillnim në Krujë me pretendimin se “është i internuar dhe duhet të mbarojë dënimin”, nëna mbeti vetëm. Tre fëmijët mbetëm vetëm. Unë detyrohesha të punoja në fermë dhe që 18 vjeç të filloja të shisja gjakun e trupit, pasi duhet t’i çoja bukë nënës time në internim, dhe të mbaja vëllanë në burg. Kështu vazhdoi deri sa erdhi demokracia dhe nëna do kthehej në shtëpi. Të gjitha këto i kemi peshqesh ja prej atij që sot është ministër i Rendit. Duhet tju them, se veç rrobave të trupit na sekuestruan dhe të gjitha orenditë, deri tek rrugicat e shtëpisë. Donin të na merrnin dhe shtëpinë, dhe të na linin tre fëmijëve jashtë. Kush e di kujt ja kish premtuar Xhafaj.

-Keni një koment për emërimin e ish-hetuesit tuaj në krye të Ministrisë së Brendshme!
Unë jetoj në Gjermani aktualisht, por nuk arrij ta imagjinoj se si një hetues i komunizmit, që ka torturuar, burgosur e internuar të arrijë të emërohet ministër i Brendshëm. Ai është një kriminel, një hajdut që duhet ta kishte vendin tjetërkund dhe kjo që ndodh është e papranueshme. Unë dhe familja ime jemi vetëm një rast, por po të hetohet dalin dhe të tjera. Fatmir Xhafaj, e them me bindje ka qenë një shërbëtor, nga më të devotshmit të atij regjimi dhe imagjinoni i japin sot në dorë policinë shqiptare. Nuk e di, a ka ndonjë ligj që i përjashton këta, se ka kohë që jam larguar, por di të them vetëm këtë. Fatmir Xhafaj jo një ditë, por as edhe një orë nuk duhet të jetë në atë post.

Loading...

Lini nje pergjigje